Thursday, May 22, 2008

OSMAN TAKË ÇAMËRIA

Çdo hap i valles të largonte nga vdekja,
Sikur të ishte valle që i dehu mendjet e tyre,
Osman i tokës çame shkruar në zemra,
Që tunde dheun me vallen e shpëtimit.
Erdhe ti, Osman, si shqiponjë në male,
Të jetojë në zemrat tona Çamëria e madhe,
Kapedan, o Osman çami, pushka jote plot barut,
S’t’u tremb syri nga dushmani, as nga plumbi si di vetë,
Dorën dhe koburen tënde e mburrte gjithë Çamëria.
Kush bën gjurulldi me valle,
Osman trimi famëmadhi,
Kush mbledh popullin në mejdan,
Hallall qumshti i nënës, Osman,
Ka një bir trim Çamëria
Që rreh malet me pushkë në krah.
Ia mllefose zemrat ti me vallen tënde,
I shastise, i mahnite edhe i tërbove fare,
Sa milet u mblodh, Osman, ditën që ti hodhe valle.
Seç të mbytën lotët ty kur hidhje valle çame
Kijamet u bë vatani, iu drodh dora dhe xhelatit,
Osman Takë Çamëria po e pret vdekjen me valle.
Ngel pashai me gojë hapur edhe si beson dot sive,
Thotë me vete: ç’bën vaki, ç’arnaut na qenka ki,
Do vdesë edhe hedh valle njësoj sikur do ringjallet.
Porsi flutur, si shqiponjë fluturoje ti me valle,
Sa e trembe edhe vdekjen edhe e zbrapse fare,
Se s’ia kishe frikën vdekjes, ia kalle datën me valle.
Puth flamurë, e puth Kuranë,
Puth nënën edhe babanë,
Sa lezet, i shtroje lotët me valle e me shami,
Qan për vatan derëzinë, edhe qan për Çamëri!
Ç’britmë e madhe, mor Osman,
E turpërove dhe pashanë,
E skuqe, e nxive fare, sa i tha edhe xhelatit:
Zhduku, horr, se më zu turpi,
se Osman Takë Çamërinë e do populli të gjallë!...

ABEDIN RAKIPI

Monday, May 5, 2008

EDLIRA XHEMO


Edlira Xhemo

Kjo Evropë që na ndan

Çamëri të mori hasmi, të vu zjarr
Çamëri, ti zemër malli, që s’pushon vaj’!
Evropë plaka që të shiti, sot na ndan,
Djelt' e vajzat muslimane, turq i quan,
Çamëri, e bukur nanë, përse t’veçuan?!

Lot i gjakut kur kullon teshash prer’,
Çamëri që mallkon kohën djerr,
Nën gëzhoja dhe rrënoja shpirti plag',
Zemër nane gjithmon’ hapur ndriçon flak',
Flak baruti t'energjisë që buçon,
Rrembash gjaku t'krenarisë kur vërshon,
Dor' e hekurt historinë mbërthyer, parzmore,
Bijt'e tu trimëri blatuar, shekullore.

Çamëri, si mëmëloke që na pret,
Pranë vatrës ku vaj ullirit lugut rrëshqet,
Rrjedh nga shekujt e historis' arbërore,
Perëndi Olimpi themelet e tu, përmendore!

Ujërave të Rivierës tënde qielli i kaltër,
Vrerin për të larë mes vrasjesh makabër,
Me mijëra fjalë e belbëzima foshnjash ther',
Për drejtësinë në gjirin tënd mbetur vrer.

Vrer e gjak në histori pa u shëruar,
Kur dikur ne sërish për t'u takuar,
Në Evrop' që të dyja ja ku jemi,
Por se grekun m'u në mes ne e kemi,
Dot s’takohemi, as përqafohemi ne me mall,
Jemi afër, por larg rrimë si gërdall’.

Kur, o Zot, nga shekujt, do t’na shikosh
Për t’na falur pak liri, të na bashkosh?!

Edlira Xhemo

Paris, 18 mars, 2008

Sunday, May 4, 2008

Artisti e qytetari Vladimir Llakaj

Vladimir Llakaj lindi më 6 maj të vitit 1967 në Gramsh. Ai është një ndër piktorët dhe skulptorët shqiptarë më të spikatur të brezit të vet.

Çuman Llakaj, babai i Vladimirit, ishte oficer i Ministrisë së Brendshme dhe e transferonin shpesh në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, ku ai vendosej përkohësisht bashkë me familjen. Në të tilla kushte Vladimir Llakaj gjer në moshën dy vjeçare ka jetuar në Gramsh, pastaj për katër vjetë në Durrës e më vonë në Fier. Shkollën fillore, tetëvjeçare dhe të mesmen Vladimiri i mbaroi në qytetin e Fierit. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai shkoi dy vjet ushtar në Librazhd.

Në vitin 1990 Vladimiri konkuroi në Institutin e Lartë të Arteve në degën e Skulpturës në Tiranë dhe fitoi të drejtën e studimit. E filloi këtë degë, por në mars të vitit 1991 e la dhe emigroi në Itali si shumë shqiptarë të tjerë. U vendos në L’Aquila ku punonte si gjithë emigrantët. Ndërkohë në vitin 1991 Vladimiri konkuroi, fitoi konkursin dhe filloi Akademinë e Arteve të Bukura në degën e Skulpturës Monumentale në L’Aquila. Vitin e fundit të kësaj shkolle ai e përfundoi në Bolonja të Italisë dhe u diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1996.

Për katër vjet, deri në vitin 2000, Vladimir Llakaj jetoi dhe punoi në Firence të Italisë. Gjatë kohës së qëndrimit në Itali ai ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare pikture e skulpture me autorë italianë e të huaj.

Në vitin 2000 u kthye në Shqipëri. Për tre vjet resht punoi me përkushtim rreth tematikës e problematikës së infrastrukturës arkitekturore të qyteteve shqiptare e veçanërisht kryeqytetit, Tiranës, dhe ndikimit të saj në psikologjinë shoqërore, duke i kurorëzuar me një ekspozitë personale me punime në pikturë. Ladi është pjesëmarrës i shumë konkurseve kombëtare e ndërkombëtare, ku ka fituar çmime të ndryshme në pikturë dhe skulpturë.

Në vitin 2003 ai filloi punë si pedagog i jashtëm i Skulpturës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 2006 u emërua si pedagog i brendshëm i përhershëm për Skulpturën në Akademinë e Arteve në Tiranë. Artisti Vladimir Llakaj ka realizuar shumë vepra në pikturë e skulpturë, të cilat janë mirëpritur nga artdashësit shiptarë dhe vlerësuar nga kritika.

Vladimiri është bashkëpunëtor i rregullt i shtypit letraro-artistik, veçanërisht i revistës "Krahu i shqiponjës" dhe gazetës "Drita". Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ai ka publikuar shumë vepra, por disa më kryesoret janë:

"Kërcënim i ndërsjelltë", pikturë (2002), Tiranë
"Kaosi urbanistik", pikturë (2003), Tiranë
"Pështjellim i mundimshëm", pikturë (2004), Tiranë
"Qetësi utopike", pikturë (2004), Tiranë
"Qyteti i shpenguar", pikturë (2004), Tiranë
" Monumenti i Arben Brocit", skulpturë (2006), Tiranë
"Portreti i Skënderbeut", skulpturë (2006), Tiranë
"Porteti i Nënë Terezës", bocet skulpture (2007), Tiranë

Vladimir Llakaj është një artist që i përket skulpturës monumentale bashkëkohore, njëherësh sa klasike, realiste e moderne.

Kostaq Myrtaj

Tuesday, April 29, 2008

VDEKJA E THEMISTOKLI GËRMENJIT


"…Në baladën që dua të bëj për Themistokli Gërmenjin dua të fut një ndodhi nga jeta e Dantonit.
Kur ushtima e topave gjermane dëgjohej në Paris, shokët për ta shpëtuar, ì thanë Dantonit: shko në Angli. Dhe ai u përgjigj: po a e marr dot Francën, La douce France, me shuajt e këpucëve të mia? Dhe nuk iku. Dhe u vra, duke e ditur që do të vritej. Edhe Themistokliut ì tha e shoqja: Mos shko se do të të prishhin. Po ai u përgjegj: Po të shkoj unë do të ketë Shqipëri. Po të mos shkoj, s’ka Shqipëri. Dhe shkoi ì bindur që do ta prishnin. Po unë dua të ve ato fjalë që tha Dantoni – a e marr dot Shqipërinë me shuajt e këpucëve të mia?"

Lasgush Poradeci

"Themistokli Gërmenji hapi gjoksin dhe me trupin drejt e sypatrembur e priti breshërinë e plumbave burrërisht dhe si shqiptar ì vërtetë"…

Koloneli Ogyst Mortje


Togu ì ushtrisë franceze merrte shenjë pushkatimi!
Nuk dua të m’ì lidhni sytë, ua tha pa pikë frikësimi.

E për dëshirë të fundit donte t’ì lexohej një letër!
Një letër, çuditej oficeri ì togut francez!
Ushtarët prisnin urdhër.

Themistokli Gërmenji thoshte fjalët e fundit:
Edhe pse u dënova me vdekje, po vdes ì pafajshëm
dhe jam ì bindur se vdekja ime do t’ì shërbejë Shqipërisë,
por më vjen keq se po vdes nga plumbat e francezëve
me të cilët lidha besë për t’ì shërbyer çështjes shqiptare
si dhe miqësisë me Francën.

Po s’ka gjë!?
Kjo dhembkë do të jetë e ëmbël,
duke ditur se po vdes në luftë për lirinë e atdheut tim,
Shqipërisë sime të dashur…
Po vdes ì lumtur dhe ì kënaqur
se e kam ndërgjegjen të pastër
dhe shpirtin e qetë
në përmbushjen e detyrave
kundrejt Shqipërisë…

Lutja e fundit që u drejtoj francezëve
është të mos e rrëxojnë flamurin kombëtar shqiptar,
të cilin e kam ngritur në Korçë,
dhe të mos bëhen shkak
e të mos prishet kjo copë Shqipëri.
Kaq u tha ushtarëve francezë.
Atyre që vinin nga nëna e lirisë dhe e arteve,
nga Franca.

9 Nëntor 1917:
Togu francez ì pushkatimit
zbatonte urdhërin nga Këshili ì Luftës së Armatës së Lindjes,
zbatonte qejfin e gjeneralit Hanri Sal:
Zjarr…
Toka e Selanikut u la prapë me gjak shqiptari.
Republika Shqiptare e Korçës u la me gjak dhe me lot.
Pas pushkatimit, oficeri ì togut lexoi fundin e letrës:
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Franca!
Edhe pas vdekjes sime, rroftë Franca!
Franca, nëna e lirisë dhe arteve.

9 Nëntor 1917.
Një ditë nga ditët e nëntorëve të Shqipërisë,
Flamuri shqiptar binte në gjysëmshtizë:
Kërkoj ndjesë nga gjithë atdhetarët,
në u kam bërë ndonjë të keqe pa dashur,
lexonin tutje pas pushkatimit, letrën e tij të fundit.


Një Nënë kishte lënë,
po s’ish e vetëm ajo,
s’ishte vetëm as Evdhoksia,
as vetëm Eiçeja e vogël s’ishte,
as ndarja e Hektorit me Andromakën s’qe,
me dhembje e me mall druante shoqja e re:
Themistokli!
Do ikësh, do shkosh, do nisesh?!
Mblidhej trazuar në ankth tek pyeste Evdhoksia.
Do shkoj.
Do nisem.
Do vejë atje ku thërret Liria,
se po s’shkova unë, do shkojë Shqipëria…

Një Nënë kish lënë,
rënduar nga supet,
rënduar nga vitet,
po s’ish veç ajo,
vetëm Eiçeja e vogël s’ìshte,
s’ish vetëm Evdhoksia,
ishte me të e gjithë Shqipëria:
Do shkoj.
Do nisem.
Do vejë atje ku thërret Liria,
se po s’shkova unë, do shkojë Shqipëria…

Përgatiti: Xhemail Peci
KOSOVË – GJAKU IM T’U BËFTË DRITË
(Marie Shllakut)

Sa fort i qeshej rrezja e diellit në dritë të syrit, e sytë sikur vet shqiponja,
E zemër e saj Kosovës i falej, siç i falej varg i Asdrenit me sytë te Kosova,
Kosovë, oj lulja e kuqe e trimërisë, Kosovë – oj lule e bukur e Shqipërisë,
Kur librat i vranë e kur graniti u thye, Ajo zemrën dardane ia fali Lirisë.

Ecte Atdheu nëpër gjurmë gjaku e gjurmët e gjakut merrte Marie Shllaku,
Si Ymer Prizreni thirrte ai Ymer Berisha e Ajet Gërguri si shtizë bajraku,
Tej Nusja e Lirisë si Shote Galica në kostumet kombëtare e ballin vetëtima,
Ngre prapë Flamur Marigo Postja e hapin me lule e ka si Igballe Prishtina.

Një gërshetë e zezë ç’i ka rënë mbi supe, e supet mbushur gjithë pëllumba,
Shqipëri e dashur a më fal ca lule? Përgjakej Kosova, gjoksin me plumba,
Gjergj Martini e Bernard Llupi, para vdekjes sy më sy jo nuk jepen burrat,
Blinaja e Prishtina, Gjon Sereçi dhe Rifat Berisha, i kanë bërë kala kullat.

Në pranverë kur çelin lule, manushaqe e lulebore, thur Kosova ca buqeta,
Merr qerpikë në sytë prej zane, ca dafina me ca fjongo duarve ca gërsheta,
E bie buzëqeshja e saj tok me rreze dielli e nurin Lirisë Ajo ia fal si prikë,
Plisin e bardhë mbi vetull e sërish rilind: Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë.

Xhemail Ali Peci
KUR PUSHOJ NË SARANDË
(Mikut tim, historianit Beqir Meta)

Kur vete me pushime në Sarandë,
Deti i pari më hap krahët,
Më pret,
Aromën e Çamërisë,
Vendlindjes së prindërve të mi,
Me ullinj e portokalle,
Më sjell.

Kur vete me pushime në Sarandë,
Im at që s’është më,
Ende më qorton
Që vizitën s’e bëra
Në shkollën ku mësoi një shekull më parë,
Në konviktin "Çamëria".

Kur vete me pushime në Sarandë,
Ulem e shlodhem me Bilalin pak,
Të fala nga miqtë e shumtë i jap,
Që kurrë s’e harrojnë në Shijak.

Kur vete me pushime në Sarandë,
Nëna ime e vjetër, tri gjëra më kërkon mua:
Pak bukë misire,
Ca ullinj,
Pak mish të hollë mbledhur në kartë
Me aromë Çamërie.

Kur vete me pushime në Sarandë,
Si nuse me tel, prapa maleve,
Më shfaqet Çamëria.
Zgjohem e mundohem ta prek pak,
Por ajo ikën, ikën… me ëndrrat e mia…

Eh, sa herë në Sarandë vete me pushime!…

Aqif Dino

Janar, 2008

Wednesday, April 23, 2008

Ballina e revistës "Krahu i shqiponjës"



Krahu i Shqiponjës

Një kokë i rri në Jug e tjetra shikimin e hedh në Veri,
një krah në Tomorr e tjetri pikon gjak përmbi Çamëri,
një flatër mbi Tarabosh e tjetrën ia merr vet lumi Dri,
e thërret Ura e Ibrit e tupanat bien prapë n’Dardani.

Përgjakur flatrat me sfondin e kuq të Atdheut pikojnë,
qumështin i marrin Rozafës e Teutës bekimin kërkojnë,
ia marrin këngës ilirishte, shqyer me sqep tisin territ,
s’u mposht jo kurrë prej tmerrit kënga e Bilal Xhaferrit.

E kënduar brezave e gjeneratave kënga e Çamërisë,
fustanellë e përgjakur Shqipëria, kësulë e vet Ilirisë,
kur iu turrën danajtë e bajlozat tokës stërgjyshore,
kënga iu bë hymn: O, mos ma shkel barin mbi vorre!

Pikëllim i përgjakur që rri mbi qepallë të syrit Çamëria,
e lotët pikojnë faqeve, dhimbjet mba në gji Shqipëria,
sa mot e sa mort, e era e detit valën e ka pikëlluar,j
a troku i kuajve, Konstantini Doruntinën ka në duar.

A do vijë, a do kthehet, Nënë a do vijë tej legjendës,
a do gdhijë agimi në fjalën e dhënë përtej bjeshkës,
po fjala e poetit që mba mbi supe valën e vet detit,
Nënë, a do vijë në gjirin tënd e prapë pranë vetit?!

Zot, në çdo kapërcyell shekulli dielli na rri i përgjakur,
në sfondet hyjnore të shqipes dykrenore, i përflakur
Qielli i Arbrit me këngë tupanash e shqyen vet terrin,
e sa herë tiranët ngrihen, ajo e thërret Bilal Xhaferrin!

Në krahun e Shqiponjës rri i biri i saj e pendën sqep,
ia lakmojnë lakejtë, po kushtrimin ai e di kujt ia jep,
se përkundur në djep e ka vet e këngët mba në gji,
kur thërrasin plisat Shqipëri, Ai thërret veç Çamëri!

Atje është Arta, atje është Janina e tutje Preveza,
atje është kënga e gjyshërve, mbajtur ndër breza,
atje ku bolla e sprija mëtojnë të veshin shamizeza,
shtojzovalle e zana ngadhnjejnë mbi lafsha e keza.

Pikëllim zemrash e refkëtime shpirtrash gjaku si shi,
kalorësit e lirisë e krushqit e ngrirë në këngët me oi,
oi, oi, oi, gjakim brezash rri e zemrave tona Çamëri,
fustanellë e bardhë e kësulë mbi sy ç’të rri Shqipëri!

Një kokë i rri në Jug e tjetra shikimin e hedh në Veri,
një krah mbi Tomorr e tjetri pikon gjak përmbi Çamëri,
një flatër mbi Tarabosh e tjetrën ia merr vet lumi Dri,
e thërret Ura e Ibrit e bien tupanat prapë n’Dardani.

Xhemail Peci

Tuesday, April 22, 2008

Homazh për Heronjtë e Çamërisë
Shënime për librin "Çamëria: Balada e fustanellave"
e shkrimtarit Bido Ibrahimi

Lexuesit i jepet në dorë një libër simbolik me tregime elegjiake, që me të drejtë do ta quanim "Baladë e përgjakur",.

Shkrimtari trajton një temë prekëse, duke e bërë lexuesin që t’i rëndohet frymëmarrja si pa e kuptuar. Përveç këtij gjerdani me tregime, ngrihet në epos novela e tipit dedektiv me tiull "Klarita Dino". Ky libër, me tamatikën e vet të një lloji të veçantë, nga fillimi e deri në fund është një homazh për heronjtë e Çamërisë...

Që në rreshat e parë, dalin në pah, dëgjohen rënkimet e një popullate paqësore që u shkel barbarisht jo vetëm në gjoks, por edhe në zemër... Nuk do ta tepronim, po ta quanim barbarinë helene: "Nata e gjatë e Shën-Bartolomeut". Në këtë vëllim parakalojnë "fitimtarë" me thika në gojë dhe viktima me kokë të prera... Ja, ky është paradoksi i një shekulli të përgjakur, ku viktimat (edhe në varr) kërkojnë drejtësinë hyjnore, por... edhe njerëzore. E, për çudi, edhe sot e kësaj dite asnjë nga mëkatarët nuk ka shkuar përpara Altarit (qoftë edhe për një pendesë të thjeshtë), për viktimat e pasardhësve të Pirros së Epirit... Në shekullin e ri, vetëm krahina e Thesprotisë "dergjet e rënkon" nën thundrën e rëndë shoveno-helene. Në shumë shtete, padrejtësitë kombëtare janë zhdukur me kohë. Vetëm ajo, Çamëria martire, pret që t’i kthehen në folenë e të parëve "Fustanellat e bardha"...

Ata që do ta lexojnë këtë libër-simbol, do të gjejnë një pjesëz të elegjisë për jetën e një populli "spartan", që kurrë nuk u gjunjëzua... Sado tronditëse që të jetë përmbajtja e këtij libri, optimizmi është bashkudhëtar i tij, nga fillimi deri në fund. Drama e fundit "Të gjallë e të vdekur", është sinonim i protestës njerëzore. Drama e kundëradmiralit Sejko, vështirë të harrohet. Autori ka mundur ta ngrejë në epos figurën e kundëradmiralit çamurjot, me vargjet e poshtëshënuara:

Dikur, n’ato brigje, një emër u skalit,
Dikush e përjetësoi, me shkronja pavdekësie:
O njerëz të mirë, një lot i rëndë pikon...
Është Sejko admirali, që dergjet e rënkon...

E, së fundi, jam plotësisht i bindur se ky libër do të reflektojë te lexuesit ngrohtësi brezash, por dhe unitet mbarëkombëtar. Është puna krijuese e një autori me diapazon letrar e patriotik si shkrimtari ynë i mirënjohur Bido Ibrahimi që mundi, lagur me lot zemre, të na japë tregime çamurjote kaq të goditura. Urojmë që në të ardhmen ky shkrimtar i sprovuar të na dhurojë të tjerë libra letrarë me tematikë elegjiake, që pavdekësia e tokës çamurjote të kalojë nga një brez në tjetrin si një stafetë e përflakur.

Skënder Hasani

Friday, April 18, 2008

Thjeshtësi që të rrëmben

Shënime për librin me poezi
"Loti i Trëndafilit" të poetit Kostaq Myrtaj

Autori Kostaq Myrtaj përmes vëllimit poetik "Loti i trëndafilit", sjell para lexuesit një buqetë poezish që lexohen me ëndje e që të bëjnë të mendosh, të emocionohesh, të ëndërrosh dhe të futesh në një botë të rrallë fëminore. Figuracioni, detajet dhe gjetjet e goditura të shumë shprehjeve të nxjerra nga vetë jeta, që shpalosen natyrshëm nëpër vargje, të bëjnë të kuptosh se Kostaqi është një poet me të ardhme të madhe, megjithëse në moshë të vogël, trembëdhjetë vjeçar! Mençuria e hollë e këtij artisti të ri, derdhet në këto poezi me një thjeshtësi e një vërtetësi që të rrëmben e të kujton aty për aty frazeologjinë energjike që hasim shpesh si në të folmen dhe në krijimtarinë brilante të poetëve popullorë.

Vargjet poetike, aq të sinqertë e me plot figuracion të shprehur fare qartë, me një gjuhë të rrjedhshme e me një ndjesi të natyrshme, mbartin e nxjerrin në pah gjithë pathosin e brishtësinë fëminore të Kostaqit, saqë çdokush që do t’i lexojë, patjetër do të rikthehet me mendje pas në kohën e fëmijërisë e do të zbulojë diçka nga vetvetja...

Kostaqin e njoh prej katër vjetësh dhe kam vënë re se duke u rritur ai, bashkë me të është rritur edhe dashuria për letërsinë, për artin e fjalës, për poezinë. Është një fëmijë që i dashuron librat dhe i përjeton emocionet e heronjve njësoj si të ishte vetë protagonist, ëndërron bashkë me ta, depërton në botën e brendshme të personazheve dhe e interpreton gjithçka që sheh e ndien, me një logjikë të rrallë dhe me një finesë të mahnitshme. Ky fëmijë i veçantë e shfaq talentin e tij prej krijuesi në çdo veprimtari që zhvillon shkolla dhe gjithmonë vlerësohet si askush tjetër për krijimet apo interpretimet e tij.

Unë ndihem krenare që Kostaqi i ka marrë në konsideratë fjalët e mia për të vazhduar rrugën sa të bukur dhe të mundimshme të artit që e ka nisur qysh herët kur ishte ende i vogël dhe shpresoj se do të dijë ta shfaqë përherë e më mjeshtërisht talentin e tij prej letrari të vërtetë dhe nuk do ndalet kurrë së krijuari vlera të vërteta artistike.

Në çdo varg që do të lexoni prej librit "Loti i trëndafilit", do të hasni jo vetëm naivitetin e një fëmije që e shikon botën nga këndvështrimi i tij plot kureshtje, por edhe largpamësinë prej të rrituri që karakterizon talentet e mëdha në përgjithësi, pavarësisht moshës. Kostaqi, duke mos lënë pa prekur asnjë prej dukurive që ndesh rreth tij, gjithmonë shfaq dëshira të mëdha për të përsosur veten dhe të tjerët. Kjo e bën sa konkrete dhe përgjithësuese poezinë e tij, sa moderne aq dhe klasike herë-herë. Madje në disa prej poezive të tij ndihet edhe një frymë e ëmbël mitike, sidomos kur përshkruan botën e prindërve dhe dashurinë që ndien për ta.

Kostaq Myrtaj në poezitë e veta është sa fëmijë dhe një artist i madh e i veçantë i fjalës e i penës, pasi arrin të shpalosë mjeshërisht ndjenjat e tij dhe të bashkëkohësve me një vërtetësi të pa imagjinueshme.

Unë jam e sigurt se autori i ri Kostaq Myrtaj do të vlerësohet siç e meriton prej lexuesit shqiptar për krijimtarinë e përmbledhur në vëllimin poetik "Loti i trëndafilit", siç është vlerësuar përherë nga ata që e njohin nga afër për artin që krijon.

Besoj se ky krijues ende i vogël në moshë, do të dijë ta ushqejë gjithmonë talentin e tij me punë, energji e pasion prej artisti të madh.

I nderuar lexues, le t’i urojmë suksese të mëtejshme autorit Kostaq Myrtaj në rrugën e bukur të jetës dhe të krijimtarisë letrare!...

Najada Caushi
E thënë troç! Dhe pikë!

(Individualiteti i krijuesit Kostaq Myrtaj)

Për këtë shkrim mora shkas nga krijimtaria e autorëve letrarë me moshë të vogël si Kostaq Myrtaj, me vëllimin poetik "Loti i trëndafilit", Xhulia Xhekaj, me romanin "Me putrat tona shëtitëm botën", etj., krijues të rinj, të cilët kanë marrë guximin e trokasin në portën e asaj bote të mrekullueshme që quhet letërsi artistike.

Kam dëgjuar debate të shpeshta midis njerëzve të zakonshëm, jo rrallë edhe midis atyre që e mbajnë veten për intelektualë e për studiues të famshëm të fushave të ndryshme të natyrës njerëzore, ku në thelb shtrohet pyetja ekzistenciale: "Është apo s’është?!… Pas kësaj pyetje natyrshëm ngrihet edhe hipoteza apo hamendja: "Edhe është, edhe s’është?!"…

Ky është dyshimi i përjetshëm i Njeriut naiv për shumë fakte, dukuri dhe fenomene të jetës. Të paditurit, vetëkuptohet, i lejohen dyshimet dhe lajthitjet, por nuk mund t’i falen kurrsesi atij që e pretendon veten si dikushi, pjesë të elitave shoqërore. Nuk mund ta falësh atë që pretendon fronin e të diturit, sepse fjala e tij, duke shkuar paralel me famën që gëzon, është e besueshme për veshët e opinionit shoqëror dhe duke shprehur një përcaktim të pasaktë, dizinformon dhe e keqorienton shoqërinë tonë njerëzore. Dhe dihet se ç’pasoja fatale sjell keqpërdorja dhe keqorientimi. Kujtoni për një çast se ç’pasoja të pariparueshme na la trashëgim ish diktatura komuniste. Një Shqipëri në tranzicion të tejzgjatur që po shkon drejt moçalit të stanjacionit. Dhe pikë!

Sidoqoftë edhe naivët, edhe intelektualët bien shpesh në kurthin e ekzistenciales në jetë. Kjo ndodh jo rrallë edhe me krijimtarinë letrare dhe me krijuesit e saj. Diskutohet gjerë e gjatë nëse është apo jo krijimtari letrare një vjershë, një tregim a një libër i një personi që pretendon se ka shkruar diçka dhe mbahet si krijues, poet a prozator, me një fjalë shkrimtar e më the e të thashë…

Të them të vërtetën, dhe e vërteta duhet thënë troç, mua më bëjnë për të qeshur diskutime, debate e replika të tilla naïve që zgjojnë një thashethemnajë e përhapin një tymnajë të madhe, aq sa e errësojnë apo e mitizojnë pa vend një vlerë reale të njeriut që pretendon se ka bërë diçka.
Një shembull. Është qesharake të diskutosh, fjala vjen, se është apo s’është qenie njerëzore, Njeri, një bukuroshe e Sarandës që është martuar me djalin e ëndrrave të saj, ka nusëruar, ka jetuaj jetën plot dashuri dhe më në fund e shohim me trupin e fryrë, pra të mbetur shtazanë. Edhe më qesharake është të mendosh apo të thuash se e bija e botës është pakëz shtatzanë dhe mban në trup pakëz frut dashurie. O është, o s’është, ore, se na çmendët!… Gjërat thuhen troç. Dhe pikë!

Është apo s’është Njeri?!… Edhe është, edhe s’është?!… Edhe është shtatzanë, edhe s’është?!…
Edhe do e lindë fëmijën, edhe s’do e lindë?!… Edhe do lindë i gjallë bebja, edhe do lindë i vdekur?!… Edhe do jetë Njeri fëmija, edhe s’do jetë?!…

O njëra, o tjetra se na çmendët! Flisni troç! Dhe pikë!

A nuk të bëjnë për të qeshur të tilla pandehma?!… A nuk të shtyjnë të deklarosh me të madhe: O është, o s’është! Dhe pikë!

Nuk ka, njëherësh, edhe është, edhe s’është! Dhe pikë!

Dhe përkundër naivëve, thua me plot gojën, troç: Bukuroshja e Sarandës është patjetër Njeri, ka mbetur patjetër shtatzanë dhe po rrit në trupin e vet frutin e dashurisë së saj që do të lindë si një qenie njerëzore, do të gëzojë tërë të afërmit dhe do të rritet si një fëmijë i mbarë, një Njeri i mirë më shumë për qytetin buzë detit Jon. Dhe pikë!

Kjo është një alternativë. Dhe pikë!

Ose alternativa tjetër, largqoftë: Nusja bukuroshe nuk mund të mbetet shtatzanë, ose edhe në mbeti do ta lindë fëmijën të vdekur. Dhe pikë!

Dhe po të lindë bebja e vdekur, nuk ka trashëgimtar për fisin e bukuroshes dhe të princit të saj të kaltër. Dhe qoftë larg! Dhe pikë!

Pra, e theksoj, troç, o është, o s’është dhe nuk ka edhe është, edhe s’është! Dhe pikë!
Kjo aksiomë, ky postulat vlen për gjithçka në jetë, vlen edhe për krijimtarinë letrare dhe për krijuesit. Nuk ka rëndësi mosha e tyre. Dhe pikë!

Fjala vjen, Kostaq Myrtaj, me vëllimi poetik "Loti i trëndafilit", o është, o nuk është poet. Dhe pikë! Nuk ka edhe është, edhe s’është! Nuk ka kurrfarë rëndësie mosha e tij. Le të jetë i vogël, 13 – vjeçar. O është poet, o nuk është! Dhe pikë!

Duhet ta themi troç dhe me zë të lartë nëse është apo nuk është Kostaqi talent dhe poet! Dhe pikë!

Duhet saktësuar qartas nëse krijon Kostaq Myrtaj vlera poetike apo thjesht shkruan, siç bëjnë shumë maniakë grafomanë. Dhe pikë!

Tjetër gjë të vargëzosh e të bësh rima, si bejtet, e tjetër të krijosh poezi. Dhe pikë!
Mund të shkruajë e të nxijë letrat kushdo, por janë të paktë ata që kanë dhuntinë të krijojnë. Dhe kjo dhunti është dhuratë e Zotit, prandaj krijuesit, ndryshe nga shkruesit, grafomanët, letërnxirësit, letërshkarravitësit, janë të privilegjuar, kanë shpirt hyjnor. Dhe patjetër që qëndrojnë më afër Krijuesit të tyre, Krijuesit të Gjithësisë, Zotit! Dhe pikë!
Është apo s’është Kostaq Myrtaj krijues?!

E përsëris, troç: Nuk ka pikë rëndësie se është i vogël në moshë dhe shkruan për të vegjëlit e bashkëmoshatarët e tij. Dhe pikë!

Dihet se edhe të vegjëlit ushqehen dhe shijojnë të njëjtat vlera si të rriturit. Ata pijnë gjithë qejf qumështin e nënës që është qumësht; pijnë lëngjet e frutave që janë fruta të krijuara prej Zotit dhe që kanë të njëjtën shije edhe për të rriturit, pra për gjithë gjininë njerëzore; hanë çokollatat që janë çokollatë prej kakaoje dhe u shijojnë aq shumë si edhe të rriturve; hanë bukën që është bukë, etj. Dhe pikë!

Dhe ndihen të kënaqur e të lumturuar njëlloj si prindërit e tyre prej ushqimit të zgjedhur e të freskët, dhuratë e Zotit, në këtë botë. Dhe pikë!

Pra, edhe vjershat për të vegjëlit, o janë krijime letrare, poezi, o nuk janë! Dhe pikë! Dhe po qenë krijime, vlerat e tyre patjetër që emocionojnë fëmijët tanë, do të na emocionojnë edhe ne dhe do të na sjellin maksimumin e kënaqësisë shpirtërore, njëlloj si buka që na shuan urinë dhe na krijon një kënaqësi të madhe fizike, pas një lodhjeje të gjatë në një punë të stërmundimshme, njëlloj si çokollata që na shijon aq sa na lëshon goja lëng kur e kujtojmë. Dhe kjo u ndodh gjithë njerëzve njëlloj, padallim moshe… U ndodh fëmijëve dhe prindërve. Për këtë arsye, nuk kanë aq shumë faj ato nëna që pasi kanë gatuar diçka të shijshme, bëjnë sikur ushqejnë fëmijën dhe ushqehen për vete. Besoj se prej një fakti të tillë duhet të ketë buruar edhe ajo shprehja e urtë çame "Ha nana e djalit s’i jep" që përdoret shpesh për të vlerësuar një gatim të rrallë të një amvise mjeshtre. Pra, sjellje e diktuar prej vlerave joshëse, të arrira, të mrekullueshme, të padiskutueshme, shprehja "Ha nana e djalit s’i jep"… Dhe pikë!

Në këtë kuptim, pasi i lexon me vëmendje krijimet e autorit Kostaq Myrtaj, përmbledhur në vëllimin poetik "Loti i trëndafilit", emocionohesh, ngacmohesh shpirtërisht dhe ndien ato mbresa e kënaqësi të veçanta estetike që të zgjojnë veprat e talenteve të mëdhenj. Dhe teksa humbet një copëherë në atë botë të bukur që ai ka krijuar me fantazinë e tij dhe na e dhuron edhe ne, teksa rend me imagjinatë drejt brigjeve të fëmijërisë tënde plot kureshtje dhe interes për të parë se ç’të përbashkëta e ç’të veçanta ka ajo në krahasim me fëmijët e sotëm, thua me gjithë zemër se je përballë një talenti të rrallë e të vërtetë, se ke në duar krijimtarinë e një shkrimtari të vërtetë. Dhe pikë!

Dhe ky shkrimtar, ky poet, është Kostaq Myrtaj. Dhe pikë!

Atëherë me gjithë fuqinë e shpirtit dhe të zërit ia vlen të thuash: Mirëse erdhe midis artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, o Kostaq Myrtaj! Dhe pikë!

Suksese drejt rrugës që të shpie në thesarin e kryeveprave artistike e letraro-kulturore të kombit shqiptar. Dhe pikë! E thënë troç! Dhe pikë! Dhe pikë! Dhe pikë!

Shefki Hysa

Të jesh bir i Çamërisë!

Shënime për shkrimtarin Bido Ibrahimi

Bido Ibrahimi lindi më 3 shkurt të vitit 1935 në qytetin Igumenicë të Çamërisë. Ai është një prej shkrimtarëve shqiptarë më të pëlqyer të brezit të vet. Bidua fëmijërinë e hershme e kaloi në vendlindje. Pas vitit 1945, kur Çamëria u masakrua prej bandave shoviniste greke, familja e tij erdhi në Shqipëri dhe u vendos në Durrës.

Ishte pikërisht Durrësi me bregdetin, plazhet dhe detin e vet që e mbushi plot imagjinatë e kurshtje shpirtin e shkrimtarit të ardhshëm. Shkollën fillore dhe tetëvjeçare Bidua i kreu në
Durrës. Shkollën e mesme sportive "Vojo Kushi" ai e kreu në Tiranë.

Në vitin 1957 shkoi në Sevastopol, në Krime, për të studiuar për inxinieri detare, shkollë të cilën nuk arriti ta përfundonte për shkak të prishjes së marrëdhënive me Bashkimin Sovjetik.

U kthye në Shqipëri në vitin 1959 dhe filloi punë si mësues fiskulture, fillimisht në Shijak e më vonë në Durrës. Në vitet 1968-1972 mbaroi Institutin e Fiskulturës "Vojo Kushi". Në vitin 1974 përfundoi edhe Institutin e Shkodrës, degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Hapat e para si krijues letrar dhe publicist i hodhi që në vitin 1955, me botimin e tregimit "Dita e fitores". Dëshira e tij ishte të trajtonte tematikat dhe problematikat detare në letërsi dhe ashtu veproi. Dramat e tij "Deti në Stuhi" dhe "Horizonti i kuq" fituan çmime inkurajuese, në vitin 1964, me rastin e 20 vjetorit të çlirimit.

Pas vitit 1990 Bido Ibrahimi ka bashkëpunuar rregullisht me shtypin rus, ukrainas e atë shqiptar, ku ka botuar vazhdimisht skica, tregime, novela e publicistikë. Libri i tij i parë Valsi i Sevastopolit u botua në Lecce të Italisë, në gjuhën shqip e italisht. Më vonë u botua edhe në Shqipëri.

Bidua ka botuar edhe disa libra të tjerë me tregime e publicistikë. Vazhdon të trajtojë me dëshirë të madhe, veçanërisht temën e Çamërisë. Me të njëttën temë është edhe romani I tij historik për Haziz Çamin, njeriun Legjendë të Çamërisë. Bidua e ka shkruar me shpirt këtë roman dhe në portretin e Haziz Çamit ai shpalos nga pak gjithë portretet e heronjve të tjerë të Çamërisë.

Për merita të veçanta letrare e gazetareske, Bidua është diplomuar katër herë nga Radio Moska "Gollos Rossi" si dhe nga qyteti i Sevastopolit për novelën "Sevastopolski vals".

Drama e tij "Të gjallë e të vdekur" konkuroi me sukses në festivalin ndërkombëtar të dramës në qytetin e Kievit.

Bidua, megjithëse i ka kaluar të shtatëdhjetat, është bashkëpunëtor i rregullt i shtypit letrar, i revistës "Krahu i shqiponjës" dhe i gazetës "Drita".

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Thamë se Bido Ibrahimi ka botuar disa libra të pëlqyer nga lexuesit shqiptarë, por më të spikaturit janë:

"Valsi i Sevastopolit", novelë (1997), Lecce, Itali,
"Sevastopolski vals", novelë (1999), Sevastopol, Krime,
"Bija e agjentit", novelë (2001), Tiranë, ISBN 99927-47-42-0,
"Çamëria: Balada e fustanellave", tregime (2006) ISBN 99927-52-77-7,
"Haziz Çami" (Njeriu Legjendë), roman historik (2007).

Shkrimtari Bido Ibrahimi ka në gjenet e veta, si gjithë çamët, elemete të gjenezëz së mëmëdheut,

Çamërisë, dhe si i tillë është dhe do të mbetet një nga bijtë e saj më të devotshëm, i përkushtuar me gjithë shpirt edhe ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Pastë sa më shumë krijimtari e sa më shumë lexues!

Kostaq Myrtaj

Monday, April 7, 2008

I palodhuri Axhem Çapo

E kush nuk e njeh tanimë Axhemin! Atë, pra, akademikun flokëbardhë që i ka kaluar tetëdhjetë e ca vjeçët dhe vrapon gjithandej si djalë i ri i palodhur. Axhemi është studiues, shkrimtar dhe poet. Po mbi të gjitha është miku i dukatasve. Ai ka lindur në fshatin Dukat të Vlorës më 10 janar të vitit 1924. Shkollën fillore e krau në Dukat, shtatë-vjeçaren në Shkodër dhe të mesmen në Tiranë.

Në vitin 1944 Axhemi doli partizan dhe menjëherë pas luftës filloi të punonte në administratën e Ministrisë së Brendshme, në Burrel e në Shkodër, deri sa u lirua më 1954.
Më vonë, pas një specializimi, filloi punë si teknik markshedër e topograf në ekspedita të ndryshme gjeologjike.

I nxitur nga takimet me njerëzit e punës nëpër Shqipëri Axhemi filloi të shkruante artikuj, portrete, reportazhe, tregime të shkurtra e poezi në shtypin e kohës.

Pas vitit 1990 shkoi si emigrant në Francë dhe u vendos në Nantë bashkë me gruan, ku fitoi edhe të drejtën si rezident.

Tani, megjithëse në moshë të madhe, vazhdon të merret me studime në fushën e kurioziteteve dhe enciklopedive sa në Francë dhe në Shqipëri.

Axhemi është jo vetëm miku i labëve, por edhe I çamëve. Është bashkëpunëtor i revistës "Krahu i shqiponjës". Ka shkruar shumë artikuj rreth problemit çam dhe atij kombëtar shqiptar. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Axhemi ka botuar rreth shtatë libra dhe ka edhe disa të tjera në shtyp.

Ja disa prej tyre:
"Dukati ynë", publicistikë, 1998
"I mërguar nga Dukati", poezi, 2001
"Një natë pa hënë", tregime, 2001
"Enciklopedi e Dukatit", 2005
"Debatoj me ata që duan të zhvlerësojnë Enciklopedinë e Dukatit", 2006
"Njohuri enciklopedike nga Misteret e Botës" I, 2006
"Njohuri enciklopedike nga Misteret e Botës" II, 2007, etj,.etj.

Axhem Çapo vazhdon të shkruajë e i palodhur sikur do të jetojë njëmijë e një vjet. I urojmë jetë sa më të gjatë për vepra edhe më të bukura.

Kostaq Myrtaj
E KUDOGJENDURA MINA ÇAUSHI

Në qendrën e shitjes së librit në mes të Athinës që njihet me emrin "Sto Vivlio", u ula të pi një kafe. Mjedisi i mrekullueshëm, ajri i pastër, turistë nga të gjithë shtetet e botës po edhe dashamirësit e librit të bëjnë për vete e s’të lënë që të largohesh lehtë që andej.

Duke parë nëpër vitrinat e librit më ra në sy vëllimi me titull (Metanastes stin Eladha) që në gjuhën tonë shqipe përkthehet (Emigratët në Greqi). Libër i trashë, me kapak të zi e i bardhë nga brënda. Mbi kapakun e parë ka ca gjurmë, kurse nga kapaku i mbrapsëm të vështron një fëmijë zezak mbështetur mbi valiçen e tij. Pa e lexuar ky libër më futi në botën e tij. E mora. Kushtonte 20 euro. S’më bëri përshtypje më shumë çmimi sesa fakti kur midis të tjerash lexova: "Forumi Metanaston Albanon, që në gjuhën tonë përkthehet (Forumi i Emigrantëve Shqiptarë).

Përfaqësues të emigrantëve shqiptarë ishin tre:
1. Martin Kuke
2. Gazi Kapllani
3. Mina Konomi (Çaushi)

I lexova me një frymë. S’mund ta merrni me mend gëzimin që ndjeja kur lexoja emrat e njerëzve shqiptarë. Por le të ndalemi pak te zonja Mina, te kjo intelektuale e rallë dhe e kudogjendur. Më bëri përshtypje emri i saj sepse ajo si përfaqësuese për gratë shqiptare në Janinë në Maj të vitit 1999 foli jo vetëm për veten e saj si emigrante, por për të gjithë ne, për vendin, për popullin, për marrëdhëniet e dy shteteve Shqipëri-Greqi etj. Kjo grua që punon me kaq vendosmëri e me kaq pasion është e kuadruar prej kohësh në forumin e të drejtave të grave evropiane.

Zonja Mina është dhe poete. Ka botuar tre vëllime poetike dhe një përmbledhje të këtyre vëllimeve në gjuhën greke. Është gjithashtu anëtare e rregullt në "Liter Art", aktiviste në programet dhe aktivitetet e herëpashershme që organizojnë emigrantët shqiptarë në Athinë. Për shembull e kemi parë zonjën Mina në festivalin e fjalës Artistike në Dhjetor 2006, ku u vlerësua me Diplomë Pjesëmarrjeje e Diplomë Nderi për interpretimin e poezisë së saj me titull "Një grusht dhe".

E shkojmë zonjën Mina në festën e dy vjetorit të shkollës në gjuhën shqipe ku ajo dhuroi disa vëllime poetike për nxënësit e kësaj shkolle. Ka marrë pjesë gjithashtu në festat e Majit që u organizuan nga shoqata e shqiptarëve të Lushnjës, të Fierit dhe Përmetit; Në maj 2007 ajo mori pjesë aktive në prezantimet e librit që bënë poetë të ndryshëm si, psh, në prezantimin e poetëve. Ishin poetët e bregdetit si Elviadhi Goro, Robert Goro, Odise Goro, Romeo Çollaku, Spiro Xhavarës etj.

E shohim zonjën Mina në ambasadën shqiptare këtu në Athinë në takimin midis 10 poetëve ku u diskutua mbi krijimtaritë e tyre. E shohim me gratë aktiviste të Helsinkit, e shohim në festivalet antiraciste që zhvillohen në Athinë, e pranishme dhe në javën e filmit shqiptar. E dëgjojmë në emisionet e gjuhës shqipe nën drejtimin e zonjës Bardha Mançe. E shohim në ekskursionin që organizoi shkolla shqiptare në Athinë në dy vjetorin e saj dhe në ekskursionin e saj ne Delfus. E shohim dhe e lexojmë si bashkëpunëtore në Revistën mujore që vjen nga Tirana për emigrantët, te revista (Krahu i Shqiponjës), e shohim të marrë pjesë në takimin kombëtar ndërmjet avokatëve më me zë të Athinës dhe të qyteteve të tjera të Greqisë për lutën kundër trafikimit të femrave e kundër drogës.

E shohim e do ta shohim kudo këtë grua të palodhur e me shpirt të mrekullueshëm.
S’më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj kësaj gruaje fisnike suksese, punë të mbarë për përkrahjen e çështjes shqiptare e të problemeve që hasin femrat kudo në botë. Dëshiroj që të punojë e të aftësohet sa më shumë për të përballuar me sukses këto situata kritike që kalojmë në këtë tranzicion të pandalshëm.

I uroj tërë të mirat kësaj gruaje sakrificash, jeta e së cilës më ka krijuar idenë se të sakrifikosh duhet të jetë një lloj kënaqësie për njeriun intelektual shpirtmadh, siç është Mina.
Ju ftoj të lexoni diçka nga krijimtaria e zonjës Mina dhe ju siguroj se do të mbeteni të kënaqur.

Përparim Shehu
Mësuesja që nuk i njeh kufijtë e dështimit

Mbresa nga jeta e shkrimtares Liri Hidërshaj

Rrallëherë ndodh të takosh gra me vullnet të hekurt, që përveç detyrës si bashkëshorte besnike dhe nëna të përkushtuara, mundohen t'i japin jetës së tyre një kuptim të veçantë, kuptimin për të qenë jo vetëm të dobishme në familje, por edhe pjesë integrale e shoqërisë. Një prej tyre është mësuesja dhe shkrimtarja, tashmë e afirmuar, Liri Hidërshaj, e cila vjen nga qyteti i Skraparit.
Ja si rrëfehet ajo për veten e saj:

- Kam lindur më 1953 në Gjerbës të Skraparit. Shkollën e mesme e kam mbaruar në Çorovodvë në vitin 1972. Studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe i kreva në qytetin e Elbasanit. Jeta e gjimnazit është e bukur, por për mua ka një veçanti më shumë sepse aty kam njohur bashkëshortin, bashkudhëtarin e jetës sime. Jam nënë e tre vajzave dhe e një djali të shkëlqyer. Tashmë jam edhe gjyshe e dy mbesave e një nipi dhe shumë shpejt pres të më lindë edhe një nip tjetër. Prej tridhjetë e dy vjetësh merrem me profesionin e mësueses. Tani punoj në shkollën 9-vjeçare "Ramazan Jarani" të qytetit të Tiranës, ku banoj që prej vitit 1997.

Kanë kaluar më shumë se dy vjet nga dita kur ajo erdhi në redaksinë e revistës sonë, për të më takuar mua, redaktoren e librit të saj të parë, me poezi, "Klithmë shpirti", por ende e ruaj në kujtese shprehjen që i mori fyryra kur u prezantuam:

- Ju, një vajzë kaq e re, keni redaktuar librin tim?! - shpërtheu ajo e çuditur. - Kisha përshtypjen se do të takoja një grua të moshës sime a mos më shumë...

Sot bisedat tona janë bërë më të lirshme dhe nuk i njohin aspak kufijtë e diversitetit të moshave. Dikur krejt të panjohura, kurse sot diskutojmë për politikë, flasim plot pasion për letërsinë, punën dhe jetën në përgjithësi.

Për mësuese Lirinë edhe detaji më i vogël ka rëndësinë e vet. Kjo vihet re edhe në mënyrën se si ajo flet rreth tre librave të botuar:

- "Klithmë shpirti" është hapi im i parë në fushën e poezisë. Më bluajnë në shpirt sakrificat që bëjnë njerëzit e mirë dhe në veçanti ato që ka bërë nëna ime për ne, fëmijët e saj. S'e di në e kam përshkruar si duhet një sakrificë të tillë në novelën "Mëkim shpirtëror", ku tiparet e nënës sime i kam mishëruar te një nga personazhet kryesore, një grua e moshuar e stërmunduar nga jeta si gjithë nënat. Novela "Rrëfimi" e merr subjektin nga problemet e ndryshme që hasin shpesh mësuesit në shkollë. Të më falë Andi dhe të gjithë fëmijët që kanë probleme në familjet e tyre. Nuk kam dashur t'i lëndoj, por do të doja t'i thoshja kësaj bote të mbrapshte: "Mjaft, se na i vrave të pafajshmit"!

Në krijimtarinë e saj letrare Liria e merr frymëzimin nga jeta plot pathos e fshatit, nga vështirësitë, ankthet dhe të papriturat që të shoqërojnë kudo. Ajo shkruan me respest të veçantë për njerëzit e punës dhe mundohet që nëpërmjet tyre të mishërojë të mirat reale të kësaj bote...

Liria flet gjithë pasion për shkrimtarët që kanë ndikuar në krijimtarinë e saj:

- Më pëlqen krijimtaria e poetit Dritëro Agolli. Ajo është si një gur i çmuar që i reziston kohërave... S'mund të lë pa përmendur stilin e mrekullueshëm rrëfimtar të Jakov Xoxës, ngrohtësinë që të jep "Juga e Bardhë" dhe fantazinë që të zgjon "Luija e Kripës"... E admiroj Mimoza Ahmetin, poezitë e saj janë plot ndjenjë. .. "Këpucët" e Visar Zhitit të veçanta dhe të çmueshme në ekspozitën e këpucëve...

Tek bisedon me të nuk e ke aspak të vështirë të dallosh se preferencat e saj janë të gjithanshme. Ajo nuk e sheh jetën vetëm në kornizën e zakonshme të gruas që pas punës duhet të kthehet e të merret me punët e shtëpisë, por i pëlqen shumë të shkruajë, të lexojë, të ndajë pasditet me miqtë si dhe të shëtisë...
Për më tepër ajo shprehet:

- Më pëlqen stina e vjeshtës me gjethet e verdha në portokalli... Adhuroj detin... Sytë që nuk lodhen së zhbiruari, zemrën me aftësinë e saj për të pulsuar gjakun e jetës pambarimisht... Ruaj sende dhe objekte që lidhen me familjen, origjinën, dhuratat me vlerë... Ruaj një stilograf nga vëllai i madh që nuk jeton më, një gramafon të babait, mbajtëse mjalti nga nëna, një letër të shkruar nga vjehrri që para tridhjetë e tre vjetësh, kur isha studente... Adhuroj udhëtimet turistike... ruaj mbresa të jashtëzakonshme nga ngjitja në malin e Tomorrit, nga pushimet në Dhërmi, Ohër, Mal të Zi, Shkodër ... në Londër, Kinë, etj ...

Mësuesja dhe autorja e tri librave, njëri më i bukur se tjetri, Liri Hidërshaj nuk e njeh dështimin. Çdo gjë të re që sjell jeta për të e merr si një ftesë për ta ndjekur, për të ecur me kohën... Mes shumë të tjerash ajo nuk lë kurrë pa përmendur mbesat e saj të vogla, Kristinën simpatike dhe Isabelën sybojeqielli. Ka shumë për të thënë për mbesat... "Do të dal sërish sivjet t'i pres në aeroport. Ju them se shumë i dua… Po pres"...

Liri Hidërshaj është mësuesja e palodhur që nuk mërzitet kurrë me nxënësit e vet, është shkrimtaria që premton shumë e mbi të gjitha nëna dhe gjyshja me dashuri të pashtershme... është gruaja ku shkrihen më së miri vyrtyti, shpirtmirësia dhe dëshira për të jetuar në paqe me botën dhe njerëzit...

Dylbere DIKA

Saturday, April 5, 2008

Rebelja dhe "Parajsa e shitur"
(Thashethem për kureshtarët)

Shënime për vëllimin poetik të poetes Dylbere Dika

Kisha kohë pa lexuar krijimtari të autorëve të rinj dhe, sapo lexova poezitë e para të poetes së re Dylbere Dika, nga Sllova e Dibrës, ndjeva një befasi të këndshme në vetvete. U shkëputa nga rutina e së përditshmes, siç shkëputet papritmas një gulsh llave nga një vullkan i heshtur dhe u ndjeva i përtëritur. Më dukej se më kishte përfshirë një zgjim i veçantë pranveror dhe kuptohej lehtë se arsyeja e vetme e përtëritjes sime ishte ajo buqetë ndjenjash që po më dhuronte, nëpërmjet vëllimit të saj poetik "Parajsa e shitur", ende pa botuar, Dylberja njëzetedyvjeçare (datëlindja 4 shtator 1979), e cila sapo i ka kapërcyer livadhet e adoleshencës.

"Dhe tani s’ke ndryshuar shumë
Më rend si mëzi pa të zot lëndinave dhe thua:
Është bota zhyl dhe dhunë"…

Pra, si personazhi i vargjeve, edhe poetja është po ajo, adoleshntja e pandreqshme, çamarroke, që paragjykon e gjykon botën tonë dhe nuk përton ta cilësojë atë edhe si parajsa e shitur, ashtu e rebeluar siç ndihet nga përplasja me paudhësitë e jetës.

Poete rebele! E rebeluar në shpirt nga bukuritë e jetës, pronë e të pushtetëshmëve të kësaj bote, mollë të ndaluara për njerëzit e thjeshtë. Vetëm bukuritë e natyrës u lejohet të gëzojnë të thjeshtëve, të njerëzishmëve…

Me të drejtë ndihem edhe unë i brengosur si poetja e shprehur në vargje:

"Udhëtoj me veten:
Me kokë ndër duar,
Me brengë në zemër.
Vdekje me të drejtë"...

Vërtet poetja i uron vdekjen botës!?

Jo! Kurrsesi jo! Njeriu që i këndon krijimit të Parajsës tokësore, që krijon edhe vetë sa mundet, nën shembëlltyrën e të Madhit Zot, nuk mund të pajtohet me vdekjen! Ajo dëshiron vdekjen e së keqes!

Për këtë ëndërron dhe shprehet në poezitë e veta Dylberja, kjo adoleshente e pandreqshme.

Le t’i urojmë Dylberes fat të kapërcejë Ylberin e dëshirave dhe të bëhet një poete e madhe, ashtu siç ëndërron, dhe t’i dhurojë njerëzimit krijimtari edhe më të bukur nga vëllimi i saj poetik "Parajsa e shitur", të cilin po e merr në dorë, i dashur lexues!

Shefki HYSA

Thursday, March 20, 2008

Për Xhulian dhe fëmijët e '97-ës
Shënime për librin "Një engjëll pa krahë"

i shkrimtares Xhulia Xhekaj

E lexova me vëmendje librin e Xhulia Xhekës "Një engjëll pa krahë". Dhe më vuri në mendime. Jo aq për stilin e të shkruarit, as për intrigën dhe subjektin, por për një faktor në pamje të parë ekstraletrar. Më saktë, për paragjykimin që krijohet shpesh nga lexuesi kur kërkon të spegojë krijimin me jetën e krijuesit. Për më tepër, kur autore e librit nuk është veçse një fëmijë 12 vjeç. Pyetja që më lindi qysh në fillim ishte: ç'lidhje ka autorja me ngjarje të tilla si vrasësit serialë, armët, kufomat, pengmarrja dhe izolimi i detyruar i njerëzve, gjyqet, policia etj., si ato që përshkruhen në novelën "e rëndë" të titulluar "Një engjëll pa krahë".

Në qendër të librit është po një fëmijë, me moshën e krijueses, që zbulon shumë herët intrigën e jetës. Erika (kështu quhet personazhi kryesor i novelës), një vajzë jetime, adoptohet nga vrasësja e prindërve të saj. Pse? Për të fshehur gjurmet e krimit, për një krim plus apo për të patur një kujtim nga dashuria e refuzuar dhe shndërruar në urrejtje?

Gjithë novela shtjellon hap pas hapi pikërisht këtë zbulim të frikshëm. Natyrisht, një subjekt i tillë do të kërkonte përgjigje për pyetje të shumta (si, pse, kur) të karakterit investigativ, psikologjik etj., që shoqërojnë letërsine e traditës "horror". Por Xhulia Xhekaj ka arritur, qoftë edhe intuitivisht, që të kapërcejë skemat rutinë të kësaj letërsie. Ajo mban ndezur dhe loz me interesin e lexuesit për aksion dhe intrigë, por nuk kufizohet këtu. Intriga, vrasjet e shumta, armët, ankthi nuk janë veçse mjete të minilaboratorit krijues të letrares për të zbardhur pasionet dhe instiktet bazë të njeriut.

Zonja Lauren, "Kuçedra", femra vrasëse, ka një pasion të tërbuar jo thjesht nga xhelozia dhe mungesa e një ndjenje të refuzuar, por nga egoja e saj për zotërim dhe sundim. Ajo nuk vret thjesht për dashuri, xhelozi dhe refuzim, por nga etja për sundimin dhe përvetësimin e tjetrit, për shkak të iluzionit se ajo dashuri e pretenduar dhe e dëshiruar, ai "tjetri", i takonte vetëm asaj. Për më keq, sipas filozofisë së këtij tipi: në qoftë se nuk është e imja, nuk mund të jetë e askujt!

Dhe në rast se ndodh e kundërta, atëherë situata mund të rezultojë në krim, në vrasje, në rebelim, në luftë. Lauren vret babain dhe nënën e Erikës, por shkon edhe më tej, kërkon të sundojë edhe frytin e dashurisë së tyre, vetë Erikën e vogël.

Kjo është novela "Një engjëll pa krahë", libri i parë i botuar i shkrimtares-fëmijë Xhulia Xhekaj, aktualisht nxënëse në klasën e gjashtë të shkollës "Konferenca e Pezës", Tiranë.

Novela e Xhulias mund të jetë një pikë reference për gjithë brezin e saj, jo thjesht për ambiciet e këtij brezi, në pamje të parë "i çoroditur dhe i vetëmjaftueshëm brenda llojit", por për vetë shoqërinë shqiptare të fillimit të shekullit të njëzetë e një dhe performancën e saj disi të kriminalizuar. Shumëkujt që do të lexojë novelën "Një engjëll pa krahë", do t'i duket, për shembull, se kushtimi i autores në faqen e parë të librit ("Babait Aranit, ia kushtoj krijimin tim të parë...") është thjesht respekt ndaj një tradite. Jo. Ky detaj i vogël personal i autores nuk është as një lloj distancimi nga fabula e novelës, për të dëshmuar personalisht të kundërtën e fatit të personazhes kryesore. Autorja e konsideron fatin e të tjerëve pjesë të fatit të saj. Prej këtu lind dhimbja, reagimi dhe arti.

Xhulia Xhekaj kërkon të nënvizojë edhe formalisht përgjegjësinë e të tjerëve, shoqërisë, shtetit ndaj individit të kërcënuar, rrezikuar nga dhuna dhe deviacioni social. Shkurt, Xhulia Xhekaj është një shkrimtare fëmijë që ka përjetuar në mituri rrezikun e dhunës dhe armëve. Ajo ka lindur më 5 gusht 1994 në Vlorë dhe është njëra prej fëmijëve tanë të vitit-kaos 1997!

Novela "Një engjall pa krahë" është një metaforë emocionale dhe artistike ndaj këtij viti të mbrapshtë.

Naim Zoto

25 maj 2006
"Pendimi" pasqyrë e një realiteti të hidhur
Shënime për librin "Pendimi"
të autores Liri Hidërshaj

Pasi lexova në dorëshkrim novelën "Pendimi" të prozatores Liri Hidërshaj, m’u forcua bindja se autorë të ndryshëm po sjellin gjithmonë e më shumë në vëmendjen e lexuesit, vepra që përmbajnë në vetvete pjesë të një realiteti të hidhur, të realitetit të sotëm shqiptar, të këtij trazicioni të zgjatur që për fatin tonë të keq duket pa mbarim.

Të them të drejtën, gjatë leximit u ndjeva i befasuar nga densiteti i ngjarjeve dhe situatave që gërshetoheshin e mbivendoseshin me njëra-tjetrën duke e tensionuar së tepërmi rrjedhën artistike të rrëfimit aq sa m’u kthjellua mendimi se materiali jetësor mbi të cilin ndërtohet çdo novelë, herë-herë i kalon përmasat e një drame. Dhe arrita në përfundimin se çdo vepër përmbledh në vetvete anët më tragjike të realitetit të sotëm. Është një pasqyrë e gjallë artistike e një tragjedie, jehona e së cilës ndihet gjithandej në realitetin shqiptar, por që vetë ajo i shpëton syrit tonë të lodhur prej tmerreve që kemi përjetuar në këto vite të vështira.

Gjatë leximit ndien se diku të drithëron shpirtin zëri i një nënë që lutet për fëmijët e humbur, diku ngrihet grahma e vdekjes përzier me agoninë e një vajze që vuan e jep shpirt larg vendlindjes e larg tërë njerëzve të saj të dashur e diku të mek qenien ajo klithma e tërë të vetmuarve të humbur në humbellat më të frikshme e të padukshme të kësaj bote. Ndihet sesi këlthet gjithë dhimbje, si në legjendë, shpirti i motrës që priste me padurim të takonte vëllanë e nuk mund ta takojë dot, ndihet klithma e shpirtit të vrarë shqiptar që përpëlitet e mbijeton, pavarësisht tragjedisë që e ndjek hap pas hapi.

Gjuha që përdor autorja në këtë libër është një gjuhë e thjeshtë, gjuha e klithmës dhe e vajit që shkakton gjëma, e papritura, vdekja, gjuhë emotive e kuptueshme për këdo, që rrjedh me natyrshmëri si në dialogët e monologët e përditshëm përballë mortjes që s 'i ndahet jetës sonë...

Nuk e ke aspak të vështirë të dallosh, brenda botës së personazheve, shpirtin e vetë autores që herë njësohet me nënën që tretet dita-ditës nga malli për fëmijët e larguar në dheun e huaj, në emigracion, prej varfërisë ekonomike, e herë shndërrohet në motrën e dhimbsur që është gati të falë gjithçka që të kthejë pranë saj, pranë familjes, vëllanë e munguar...

Kjo novelë është një copëz e atij fati tragjik që përndjek ngado ashtu heshturas e pakuptueshëm shumë e shumë familje shqiptare.

I urojmë më shumë fat dhe krijimtari të mbarë autores.

Dritëro AGOLLI
Kujtesë: Mos harroni Njeriun!
Shënime për librin "Rrëfimi"

të autores Liri Hidërshaj

Pas buqetës me poezi "Klithmë Shpirti" dhe mjaft krijimeve të tjera, poetesha Liri Hidërshaj paraqitet para lexuesit me novelën "Rrëfimi", si një apel për cilindo që edhe në momente të vështira të jetës të mos harrojmë atë ç’ka është më e rendësishmja: "NJERIUN" me fatin e tij të mirë apo të keq, me historitë e tij të këndshme apo të trishtuara.

Duke ushtruar profesionin sa të bukur, aq edhe fisnik të mësueses, autorja na fut në mënyrë të natyrshme në botën fantastike të fëmijëve, në fantazitë e tyre krijuese, në mendimet "serioze", që ata japin për çështje që shtrohen për diskutim, dhe me shumë mjeshtëri ajo na bën të buzëqeshim me gjykimin fëminor të tyre. Kjo novelë përshkohet nga ndjenja të thella, shpeshherë kontradiktore, që e mbëshljellin heroinën tonë, autoren mësuese, e cila i përjeton ngjarjet e këtij rrëfimi si nënë, si grua e si mësuese.

Ajo nuk luan rolin e gjyqtarit, ndonëse shpeshherë jep gjykimin e saj, duke e shprehur nëpëmjet qendrimit që mban ndaj personazheve të kësaj novele, që kryesisht janë prindër, nxënës, me brengat dhe copëzat e gëzimit, ku autorja është e pranishme, jetësore dhe koshiente për ndihmën që duhet të japë, për mirësinë që duhet të dhurojë, mirësi që do të ndikojë sadopak në zbutjen e trishtimit, që shpeshherë jeta ta jep, mbase edhe si provë, që në moshë të njomë, por që në fund të fundit është jeta dhe vetëm kjo fjalë të bën të përgjegjshëm për atë ç’ka është thelbësore: "Jeta duhet jetuar me dinjitet". Ky është edhe mesazhi që sjell pa kursyer autorja e kësaj novele.

Ajo i merr në mbrojtje personazhet e saj, me gjithe gabimet e bëra në jetën e tyre. Ajo e kupton dashurinë e një nënë që për gabimet e saj ka humbur të birin, sepse ajo është vetë nënë, por ajo kupton edhe përpjekjet e një gruaje të dashuruar për t'u bërë nëna e fëmijës së burrit që dashuron. Por mbi të gjitha ajo vuan për Andin, fëmijën që i përjeton këto situata, dhe bën ç’mos që të jetë e vlefshme për të.

Të bën përshtypje në këtë novelë modestia e autores, e cila i ka shumë të vlefshme këshillat që merr nga nxënësit e saj, këshilla të cilave u referohet në situatat që i paraqiten për zgjidhje.
Ndaj nuk të duken të zgjatura përshkrimet e orëve të mësimit, përkundrazi, ato e freskojnë tregimin, ashtu siç sjellin freski në jetë edhe fëmijët, që janë protagonistët kryesorë të kërij krijimi.

Lexuar nga kolegët e saj mesues, kjo novelë është mesazh për t'u treguar atyre se detyra e shenjtë e mësuesit e bën atë një mik të nxënësve të tij, të pranishëm në gëzimet dhe trishtimet e tyre.

Lexuar nga nxënësit, kjo novelë është një kalendar i jetës së tyre shkollore, i bërë me ngjarje të jetës së tyre nga një mësuese e dashur për ta.

Lexuar nga ne, lexuesit e thjeshtë, është një kujtesë që jeta është e bukur, me brengat e gëzimet që ofron dhe misjoni i njerëzve të mirë është të kontribuojnë që ajo të jetohet denjësisht.

Së fundi do të thosha se kjo novelë sjell një frymë të ngrohtë në fondin e letërsisë sonë, sepse në epiqendër të saj është njeriu.

Hiqmete Daja
Të fitosh zemrën e Italisë
Mbresa nga jeta dhe krijimtaria

e shkrimtarit Artur Spanjolli

Artur Spanjolli lindi në vitin 1970 në qytetin e Durrësit. Ishte jetim dhe e rriti gjyshja e tij. Është arsimuar në vendlindje, në Durrës. Në vitin 1988 mbaroi liceun artistik të Durrësit, degën e skulpturës me dëshirë dhe ëndrra të mëdha për të pushtuar hapësirat e paana të botës së artit që i shpaloste në sytë e mendjes imagjinata e tij prej djaloshi të talentuar. Në vitin 1989 shkroi poezitë e para, të cilat i mblodhi në tre vëllime, mirëpo nuk qe e thënë të arrinte t’i botonte. Vetëkuptohet për vetë rrethanat e censurës së sistemit komunist nuk mundi t’i publikonte poezitë që rrezatonin shtjellat e mendimit të tij të lirë prej të riu me ëndrra për një botë ndryshe (iu dha mundësia t’i botonte vetëm në vitin 1994 në librin me titull "Nata e qiparisave të huaj", botuar prej Shtëpisë Botuese "Bilal Xhaferri").

Në vitin 1992 u detyrua të largohej nga Shqipëria si klandenstin në drejtim të Italisë me ëndrra për një jetë më të mirë dhe për të studiuar në një nga universitetet italiane.

Në vitin 1993 mundi ta realizonte një nga ëndrrat e veta. U regjistrua në fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Firence të Italisë. Studioi gjatë dhe u diplomua në vitin 2000.

Gjatë këtyre viteve të qëndrimit si emigrant në Itali Artur Spanjolli u bë një talent i pjekur, një krijues i vërtetë. E poqi jeta, dëshirat dhe ëndrrat për të pushtuar shpirtin e Italisë, për të fituar zemrën e saj. Ai ka shkruar dhe ka botuar disa libra në shqip e në italisht.

Arturi jeton në Itali, por nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me atdheun e tij, Shqipërinë. Bashkëpunon me shtypin letrar shqiptar, me revistën "Krahu i shqiponjës" dhe me gazetën "Drita" dhe është një nga krijuesit më të spikatur të brezit të vet.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Arturi nuk rresht së shkruari dhe midis shumë krijimeve ka zgjedhua ato më të pëlqyerat dhe ka realizuar botimin e disa librave si:

"Nata e qiparisave të huaj" (1994), Tiranë, Sh. B. "Bilal Xhaferri"
"La Cronaca di una vita in silenzio" (2003), Besa Editrice, Itali
"Kronika e një jete në heshtje" (2005), Besa Editrice, Itali
"Eduart" (2005), Besa Editrice, Itali
"La Teqja" (2006), Besa Editrice, Itali
"L’accusa" (2007), Itali etj.

Këto botime i dhanë jo vetëm emër, por edhe mundësinë të fitojë pak nga pak zemrën e Italisë, njëlloj si të Shqipërisë.

Ja si shprehet për veten e tij shkrimtari Artur Spanjolli:

Kam nisur të shkruaj në vjeshtën e vitit 1989. Ishte hera e dytë që unë konkurroja në Tiranë për të hyrë në Akademinë e Arteve të Bukura, pasi kisha mbaruar Liceun në Durrës për skulpturë. Pësova zhgënjim. Më kujtohet që poema e parë me rimë ka qenë për jetën time në fshat ku jam rritur, tek gjyshërit. Dhe mund të them se kjo poemë e humbur ka qenë zanafilla ime e parë për të shkruar romanin "Kronika". Më pas i ndikuar nga Kadare dhe Poradeci, kam shkruar poezi të tjera. Edhe pse këta dy autorë në poezi janë kryekëput të ndryshëm, mua më pëlqenin që të dy. Poezitë e para i shkruaja si në vargje me rimë ashtu edhe të lirë. Kam botuar disa poezi tek gazeta "Adriatiku" në vitin 1992 dhe disa përkthime, si poezitë e Lorkës, të botuara më pas tek gazeta ‘’Rinia". Këto poezi më shërbyen për të fituar bursën për Gjuhë-Letërsi në Shkodër, ku dhe kam studiuar për një vit, 1991-1992. Kanë qenë vite të vështira për mua, si edhe për gjithë shqiptarët. Vite transformimesh të mëdha shoqërore për botën shqiptare. Unë e dija se do të bëhesha shkrimtar. E dija se kisha gjëra për të thënë. E kam mbajtur veten me shpresa për një të ardhme më të mirë, duke menduar se ndoshta një ditë do të jem dhe unë protagonist i jetës kulturore në Itali. Dhe arrita të jem. Edhe librat e mi janë të pranishëm në Itali, Deri tani kam në tregun italian dy libra. "Kronika" dhe "Eduart", i cili për momentin është vetëm italisht. Librat e mi mund të arrijnë te lexuesi shqiptar edhe nëpërmjet prezantimeve që i bëhen librit këtu në Itali. Shumë emigrantë që ndodhen këtu, informohen nëpërmjet gazetës që del në Romë, "Bota shqiptare", se kush janë shkrimtarët e brezit të emigracionit dhe se cila shtëpi botuese i prezanton.

Vepra e Artur Spanjollit është një enigmë që të josh e të tërheq në labirintet e saj e të bën për vete. Letërsia e tij vërtet nisi nga vargjet e një poezie të thjeshtë, me ca rreshta të hedhura me naivitetin për të shprehur diçka, por tanimë është një botë e madhe që të ofron plot sfida e supriza. Sot Artur Spanjolli i përket brezit të shkrimtarëve shqiptarë që letërsinë e tyre e zhvilluan në qarqet italiane. Prej 14 vjetësh ai jeton në Firence dhe është bërë pjesë e saj si një italian i vërtetë, si një relike e rrallë e arkitekturës së saj të madhe. Atje ai lëvron edhe krijimtarinë e tij letrare.

Fillimisht ai u prezantua si poet dhe më pas do ta konceptonte librin e parë si roman, "Kronika e një jete në heshtje". Përjetimet shqiptare të fiksuara në memorien e tij, tregimet e shumta që thuheshin në vatrën familjare, rrëfimet e gjyshit të tij, do t'i mjaftonin autorit për të ndërtuar një trilogji letrare tepër befasuese për lexuesit. Nga elementet e veçanta të "Kronika e një jete në heshtje", do të rridhnin vepra si "Eduart", "Teqja" e sa e sa botime të tjera që ka projektuar, do të projektojë e do të realizojë mendja e këtij talenti që ndrin Adriatikun si një yll midis brigjeve italiane e shqiptare.

Xhulia Xhekaj

Wednesday, March 19, 2008

Shkrimtari çam - Bedri Myftari

Bedri Myftari ka lindur mbi brigjet e lumit Kalama, në fshatin Sklav të Filatit të Çamërisë më 21 dhjetor të vitit 1938. Në moshën 5-6 vjeçare, me gjithë familjen, u detyrua ta lerë vendlindjen e vet nga holokausi i monarko-fashistëve grekë dhe erdhën e u vendosën në Shqipëri.
Shkollën shtatëvjeçare e kreu në Fier, të mesmen, një teknikum financiar, në Tiranë, po ashtu edhe gjimnazin në Tiranë.

Në fillim të viteve ’60 ka punuar si gazetar në gazetën "Zëri i Rinisë". Ka filluar të shkruajë që në moshë fare të re. Është pranuar anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në vitin 1966. Në këtë kohë kishte botuar vëllimin me tregime "Fluturzat e borës" dhe "Mbrëmjet e qytetit tim", me të cilat ka marrë çmim të dytë dhe të tretë në konkurset kombëtare. Gjatë kësaj kohe një grup të rinjsh: Bedri Myftari, Suzana Selenica, Bilal Xhaferri, Namik Mane, Zyhdi Morava, Faik Ballanca, Roland Gjoza, Kostandin Dhamo, Sadri Ahmeti, etj, nisën të shkruajnë me dorë të lirë kundër realizmit socialist.

Ky grup u zbulua nga organet e sigurimit të shtetit dhe u quajt "grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art dhe letërsi" dhe shumica e anëtarëve me kryetar grupi Bedri Myftarin u dënuan për agjitacion e propagandë kundër vijës së partisë në art dhe letërsi. Të gjithëve iu hoq e drejta e botimit për 20 vjet.

Pas lirimit nga burgu Bedri Myftari punoi si punëtor në disa ndërmarrje në Tiranë.
Pas shembjes së diktaturës komuniste Bedriu punoi si gazetar në gazetën "Kosova", kryeredaktor i gazetës "Tribuna Demokratike", përgjegjës redaktor në gazetën "Emigranti shqiptar" që dilte në Europë, kryredaktor i gazetës "Bota shqiptare" dhe "Çamëria". Bashkëpunon me gazetën "Drita" dhe revistën Krahu i shqiponjës" ku vazhdon të botojë publicistikë dhe krijimet e veta letrare.

Shkrimtari Bedri Myftari ka botuar këto libra:

"Fluturzat e borës", tregime, 1967
"Mbrëmjet e qytetit tim", tregime, 1969
"Kronikat e vdekjes", roman, 1994
"Rojtari i varrezës", roman, 1995
"Ti je Eva", poezi, 1996
"Dashuria e parë", tregime, 1997
"Pranverë që s’kthehet më", poezi, 1999
"Bardh e zi", publicistikë, 2000
"Dashuri fatale", roman, 2000
"Përralla", Tiranë, 2001
"Vajza e rojtarit të pyllit", përralla, 2003
"Zonja e Ambasadorit", novela, 2006
"Simfoni e erërave", poezi, 2006
"Pas Kastadivës", roman, 2007, ISBN 99956-07-3-5

Bedriu, megjithëse në moshë të thyer, megjithë vështirësitë që ka kaluar në jetë, është një ndër shkrimtarët shqiptarë më prodhimtarë. Ai të befason përherë e më shumë me krijimtarinë e tij.

Dylbere Dika

MURGA

Aty nga fundi i muajit gusht të vitit 1944, e gjithë fusha e Vasilikoit ishte mbuluar nga çadrat e muhaxhirëve çamë. Vapa e atij viti s’mbahet mend. Tërë ditën nga juga frynin erëra të nxehta. Ato sillnin me vete flakët e Çamërisë së djegur e i shpërndanin luginave. Ditën kampi i muhaxhirëve ishte si i platitur nga vapa, dukej si i pajetë. Porsa binte mbrëmja, në kamp fillonte jeta. Edhe erërat e ndryshonin drejtimin. Deti Adriatik fuste në detin Jon erërat e freskëta kontinentale që i sillte tutje nga Alpet, e Joni i shpërndante luginave.
Vajzat e nuset e reja mblidheshin tek kroi i Vasilikoit për të mbushur ujë. Plakat mblidheshin përpara çadrave, pinin kafe elbi e përmbysnin filxhanët. Netëve të gushtit mbi luginën e Vasilikoit varej hëna si një medalion i argjendtë në gushën e nuses e yjet digjeshin në fshehtësi si dashuri e vajzave çame.
Në xhade, mbi kampin e muhaxhirëve çamë, kalonin autokolonat gjermane që vinin nga Greqia. Ato shkonin gjithmonë drejt veriut. Tutje nga Mesdheu vinin ca gjëmime të thella. Qëllonin kryqëzorët. Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte mbaruar. Vonë mbi kamp përhapej melodia e trishtë e një fyelli. Bariu ia merrte melodisë baritore ; "Tanë, Tanë, kako Tanë". Murga ngrinte kokën nga hëna e niste e ulërinte, Au-u! Auu!
- Hëngërsh kokën tënde! Hëngërsh kokën e tët zot, - murmurisnin muhaxhirët çamë kur dëgjonin ulëritjet e Murgës.
- Kushedi ç’fatkeqësi tjetër na ndjell, - thoshin ata me njëri-tjetrin.
Murga ishte bushtra ime. Vetëm unë dhe ajo kishim dalë të gjallë nga fshati. Dhe unë e dija, që Murga nuk ndillte asnjë fatkeqësi. Ajo ishte bushtra e stanit. Ajo qante për delet dhe për bariun. Kushdo që më shihte nga muhaxhirët, më thoshte: "Vraje atë bushtër ogurzezë, se po s’e vrave ti do ta vrasim ne".
Unë e Murga flinim jashtë, s’kishim çadër. Unë shtrihesha në bar. Murga më vinte te koka dhe angullinte me ngadalë, duke tundur bishtin. Kur dilte hëna mbi luginë e mbi kamp, përhapej melodia e trishtë baritore. "Tanë, Tanë, kako Tanë"! Murga ngrinte kokën nga hëna dhe niste e ulurinte, Auu-u ! Auu-u… Muhaxhirët çamë i pllakoste tmerri.
Kur zgjohesha natën nga ndonjë ëndërr e frikshme, Murga më vinte te koka duke angullirë e duke tundur bishtin. Mua më dukej sikur donte të më thoshte: "Fli, mos u tremb, se më ke mua këtu"! E unë flija përsëri i qetë.
Një natë u çova i llahtarisur nga gjumi nga një ëndërr e frikshme. Murga nuk ishte si çdo natë te koka ime. U tmerrova. Isha mësuar me të si me një njeri timin të afërt. E ndolla duke i vërshëllyer dhe duke i thirrur: "na Murga, na".
Po asnjë përgjigje. E kërkova kaçube më kaçube e hendek më hendek duke i vërshëllyer e duke i thirrur, "na, Murga, na". Por asnjë përgjigje.
Në xhade, mbi kamp, s’kishte pushuar zhurma e autokolonave gjermane që vinin nga Greqia e shkonin drejt veriut. Tutje nga Mesdheu, vinin gjëmimet e kryqëzorëve. Lufta e Dytë Botërore vazhdonte.
E kërkova ditë me radhë Murgën, por askund nuk e gjeta. Sikur u hap dheu dhe e përpiu. Kur pyesja ndonjë muhaxhir se mos e kishte parë bushtrën time, ai më përgjigjej: "Paska ngordhur! Mirë e gjeti, se ajo ishte ogurzezë"!
- Do të ma ketë vrarë ndonjë nga muhaxhirët, - thosha me vete.
Isha shumë i mërzitur, nuk e kisha më pranë Murgën time.
Netët në kampin e muhaxhirëve çamë, atje në fushën e Vasilikoit, përsërisnin njëra-tjetrën. Të trishta e monotone.
Një natë vendosa dhe u nisa për në Çamëri. Udhëtova fshehurazi natën, vetëm.
Kur arrita në fshatin tim, ishte vjeshtë. Vjeshtë e vitit 1944 në Çamëri.
Përroi i Çafallinjve nxinte nga korbat.
- Këtu do t’i kenë vrarë, - thosha me vete.
- Krrok, krrok! - krokitnin korbat, duke tundur krahët, si re të zeza mbi kokën time.
"Ja një dorë e vogël. Mos është e Esmasë, e motrës së vogël. Ja dhe një kokë me gërsheta të gjata. Mos është koka e nanës", - thosha me vete.
- Krrok! Krrok! - krokitnin korbat duke rrahur krahët si re të zeza mbi kokën time.
- Ja dhe një…
- Krrok!… e humba.
Këmbët më tërhoqën instiktivisht drejt shtëpisë sime. Tek porta m’u duk se më doli nana përpara me tumanë e jelek. Në kokë kishte një mandile me oja. Më hodhi duart në qafë.
- Më kish djegur malli, robinëz e nanës, - më tha.
U përmenda. Një qen kockë e lëkurë më kishte hedhur këmbët e para mbi supe dhe më lëpinte e më merrte erë duke angullirë. E njoha. Ishte Murga.
Nga furra e rënuar në vorua dolën ca këlyshë të vegjël dhe i ngjitnin buzët në gjinjtë e fishkur të Murgës.
E kuptova pse kishte ikur Murga e më kishte lënë vetëm atje në kampin e muhaxhirëve çamë në fushën e Vasilikoit. Ajo ishte mbarsur dhe donte t’i lindte këlyshët në vendlindjen e saj.
Murga ishte e uritur. Nxora nga xhepi ca kore buke të thatë dhe ia hodha. Ajo përtypte koret e bukës dhe më shikonte në sy sikur të ishte njeri. Këlyshët lëshuan sisët si lapa të Murgës dhe erdhën tek këmbët e mia dhe më lëpinin.
Unë i përkëdhela këlyshët dhe u nisa. Murga më vinte pas duke u fërkuar pas meje, duke angullirë me ngadalë dhe duke tundur bishtin. Mua më dukej sikur donte të më thoshte:
- Më fal që të lashë vetëm.
Pastaj në të dalë të fshatit, Murga u ndal. Më hodhi këmbët në supe, më lëpiu, më mori erë dhe u ul në bisht duke angullitur me ngadalë, sikur më thoshte:
- Më fal se kam këlyshët të vegjël e s’mund t’i lë vetëm…
Kur kalova në një qafë, Murga nuk dukej më, dëgjova ulëritjen e saj:
- Au-u! Au-u!…
Këtë ulëritje e mbytën ca gjëmime të thella që vinin tutje nga Mesdheu.
Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte mbaruar.

Bedri Myftari

Shqiponjë në horizontet

e letërsisë shqiptare

Mbresa nga jeta e shkrimtarit e kritikut Sokol Jakova

Besoj se shumica e shqiptarëve e njohin. Jo personalisht si njeri. E njohin si shkrimtarin e dashur të fëmijërisë së tyre. E njohin si krijuesin e shumë personazheve që u kanë ndezur imagjinatën me bëmat dhe aventurat në një botë çudirash nga ato që i kanë aq qejf dhe që i ëndërrojnë aq shumë fëmijët. E njohin si krijuesin e Mirash Guximtarit që guxon e sfidon sa e sa të papritura në një botë sa reale dhe imagjinare dhe u shton fëmijëve dëshirën për t’u bërë heronjtë e së ardhmes së Shqipërisë. Ky është shkrimtari Sokol Jakova që shfaqet në horizontin e letërsisë shqiptare si një shqiponjë luftarake e dalë prej botës plot kureshtje të librave të tij. Një shqiponjë e dashur, sidomos për lexuesit e moshave të reja dhe për adoleshentët.

Sokoli u lind në Tiranë më 18 qershor 1948. Ai është një ndër shkrimtarët shqiptarë më në zë të brezit të vet, sidomos për fëmijët. Sokoli është shquar edhe kritik letrar shqiptar e puplicist në fushën e studimeve për për problemet e letërsisë shqiptare ndër vite..

Sokol Jakova i përket një familjeje intelektuale shqiptare të shquar që merrej me artin dhe letërsinë. Babai i tij është shkrimtari dhe dramaturgu i njohur, Kolë Jakova. Sokoli është arsimuar në vendlindje, në Tiranë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai ndoqi studimet në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. U diplomua në vitin 1970.

Në vitin 1971 Sokoli nisi punë në redaksinë e letërsisë për fëmijë në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", ku punoi për katër vjet. Kësaj periudhe i përkojnë edhe shumë nga krijimet e tij, veçanërisht disa nga librat e tij të parë si përmbledhjet me tregime "Shoqet" (1972), "Zari me një vesh" (1972), "Një ngjarje te Kroi i Nuses" (1973), "Nëna e partizanëve" (1974). Pra, puna si redaktor në shtëpinë botuese jo vetëm i shtoi vullnetin për krijimtarinë letrare, por ia mprehu penën për të realizuar vepra edhe më të bukura gjatë tërë jetës.

Në vitin 1974 Sokol Jakova, tanimë krijues i pjekur, u transferua në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë ku punoi për disa vjet radhaz, deri më 1979. Fryt i kësaj pune janë disa punime shkencore studimore në fushën e prozës së shkurtër si "Parime të ndërtimit të figurave në tregimet tona", "Tipare të zhvillimit të tregimit në vitet 45-60", "Tregimi i viteve 60-70", "Zhvillimi i romanit për fëmijë" etj. Në këtë periudhë shkrimtari Sokol Jakova aktivizohet mjaft edhe me shtypin periodik të kohës, duke botuar me dhjetëra artikuj kritikë e studimorë për problemet e letërisë në tërësi dhe letërsisë për fëmijë e të rinj në veçanti.

Në vitin 1979 e më tej ai punoi në shtypin periodik për fëmijë, në revistat "Fatosi" e "Pionieri" e "Filizat". Për disa vjet ka qenë edhe kryeredaktor i revistës "Mrekullia", botuar pas vitit 1990.

Krijimtaria e autorit Sokol Jakova është e gjerë dhe e shumanshme. Ai është marrë vazhdimisht me krijimtari letrare, me publicistikë, artikuj studimorë, artikuj kritikë deri edhe me pjesë teatrale për të vegjlit. Ka shkruar në të gjitha llojet e prozës. Ka botuar romanet "Rruga e vështirë", "Dëshmitarë në tragjedi", "Ndodhitë e çuditshme të Mirash Guximtarit"; novelat "E fshehta e një të panjohuri", "Mbresa nga një kohë e largët", "Fajtori përballë bishës", Në gjurmë të një krimi", "Gjaku i drenushës", "Zemërimi i piktorit të vogël" etj.; përmbledhjet me tregime "Gora", "Detyrë e vështirë", "Shokë të pandarë", "Shprishja e një zemre të njomë", "Pas provimit të algjebrës", "Zogu i Blertës" etj.

Disa nga librat kryesorë të autorit Sokol Jakova janë ribotuar herë pas here nga shtëpi botuese të ndryshme shqiptare. Ai është përpjekur të kapërcejë edhe kufijtë e kombit shqiptar me krijimtarinë e tij. Konkretisht në vitin 1996 shtëpia botuese italiane "Dinnos Editrice", në Romë, i botoi shkrimtarit Sokol Jakova përmbledhjen me përralla me motive nga folklori shqiptar "Gra, gjahtarë dhe dredharakë të pabesë", në dy gjuhë, në shqip e italisht.

Në tërësi, megjithë ribotimet, autorit Sokol Jakova i numërohen rreth 30 libra për disa prej të cilëve ai është vlerësuar edhe me çmime në konkurse të ndryshme kombëtare. Romani i tij "Ndodhitë e çuditshme të Mirash Guximtarit", një ndër librat më të pëlqyer prej fëmijëve, është vlerësuar me çmimin "Mark Tuen" dhënë nga "Qendra Amerikane e Kulturës" në bashkëpunim me Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë.

Sokoli asnjëherë nuk e ka reshtur krijimtarinë letrare, megjithë vështirësitë e shumta që kanë hasur e hasin shkrimtarët në vitet e demokracisë, sidomos ata që i përkasin brezit të krijuesve të letërsisë postkomuniste. Sokoli si gjithnjë, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një ndër shkrimtarët shqiptarë më prodhimtarë. Ai është shquar sidomos në fushën e kritikës letrare realiste, në një periudhë si e sotmja kur kritika letrare ndihet pothuaj e vdekur në Shqipëri. Sokoli vazhdon të bashkëpunojë gjithnjë e më dendur me shtypin letrar, veçanërisht me revistën "Krahu i shqiponjës" dhe gazetat "Drita" e "Ndryshe". Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë". Punon edhe në Drejtorinë e Botimeve të Kuvendit të Shqipërisë.

Shkrimtari Sokol Jakova ka shkruar e botuar shumë libra gjatë jetës së tij, por ato më mbresëlënëset për lezuesin shqiptar janë:

"Shoqet" (1972), tregime
"Zari me një vesh" (1972), tregime
"Një ngjarje te Kroi i Nuses" (1973), tregime
Nëna e partizanëve" (1974), tregime
"Rruga e vështirë", roman
"Dëshmitarë në tragjedi", roma
"Ndodhitë e çuditshme të Mirash Guximtarit", roman
"E fshehta e një të panjohuri", novelë
"Mbresa nga një kohë e largët", novelë
"Fajtori përballë bishës", novelë
Në gjurmë të një krimi", novelë
"Gjaku i drenushës", novelë
"Zemërimi i piktorit të vogël", novelë
"Gora", tregime
"Detyrë e vështirë", tregime
"Shokë të pandarë", tregime
"Shprishja e një zemre të njomë", tregime
"Pas provimit të algjebrës", tregime
"Zogu i Blertës", tregime
"Gra, gjahtarë dhe dredharakë të pabesë" (1996), përralla, shqip e italisht, Romë etj.

I nderuar lexues, mjafton të lexosh cilëndo nga këto libra që të nxisin imagjinatën dhe të rrisin krahët e fantazisë për të fluturuar drejt një bote gjithnjë e më të mirë, si botët nëpër ëndrrra, dhe do të njohësh shqiponjën që ndryn në shpirtin e vet shkrimtari Sokol Jakova.

Shefki Hysa


Thursday, March 13, 2008

Nga Liri Hidërshaj

Diktatori

Diktat përdore,
Mashtrove si mos më mirë,
Ti haje me lugë të florinjtë,
Populli bukën njomte me kripë!…
Inagurime, shirita pa vlerë
Firmosje, u dhuroje dekorata,
Sa për sy e faqe,
Njerëzve të punëve të vështira,
Pas shpine më të mirit
Ia nxirrje sytë pa mëshirë!
Zemrat u mundove të na rrëmbeje
Me fjalët e dredhitë e tua
Dhe nuk e mendove kurrë
Se si dikur do të përfundoje?!…
Rrufetë e qiellit gjithandej i hodhe
Na le në skamje, në varfëri,
Mallkimin tonë me vete more
Si shpërblim për vrerin e zi!…
Nga Liri Hidërshaj

Lexojini dhe ju

Lexova "Sikur të isha djalë"
Të Stërmillit
Dhe u drithërova,
M’u duk vetja djalë…
Elena Kadare me librin
"Një lindje e vështirë",
Më vuri në mendime…
Homazh për Jakov Xoxën,
"Juga e Bardhë",
"Lulja e kripës",
E meriton përkujtimin…
Më zgjon dhimbje
"Rrethi i kujtesës"
Shkruar nga Diana Çuli…
Shlodhem te "Hasta la vista"
E Petro Markos…
Argëtohem tek "Udhëtoj i menduar"
I Dritëro Agollit…
Lexojini dhe ju!
Besoj, do të gjeni veten…
Do të shlodheni…
Nga Liri Hidërshaj

PIKAT E SHIUT

Nga qielli zbresin pa shkallë,
Si sumbulla lotësh valë-valë.
Burojnë nga gjiri i gjithësisë,
Herë si psherëtimat ledhatare,
Herë si zhgënjimet e dashurisë.
Kur ia behin papritur,
Bien në tokë me bubullima,
Rrëmbejnë ç’gjejnë përpara,
Gërryejnë furishëm e frikshëm,
Gurgullojnë përrenj, lumenj e dete,
Bota mban frymën e kruset në vetvete.
Kur vijnë qetë-qetë,
Si rrjedhë gëzimi prej syve të saj,
Shkrijnë dëborën e dimrit
Dhe sjellin pranverë,
Njomin buzët e zhegut të verës
Dhe sjellin bereqet.
Pikat e shiut,
Sa shumë me lotët ngjasojnë!
Shformësohen në faqet e saj
Lotët dhe pikat e shiut
E rrjedhin tatëpjetë
Herë me dufe e ngadalë herë-herë,
Derisa gjen prehje shpirti.
Kështu prehet dhe bujku
Prej pikave të shiut në verë.
Nga Xhulia Xhekaj

Të punosh me shpirt si Liri Hidërshaj

Liri Hidërshaj lindi më 14 korrik 1953 në fshatin Gjerbës të Skraparit. Ajo me punë e këmbëngulje vetëmohuese ka arritur ta ngrejë veten e saj në nivelet e elitave intelektuale shqiptare, megjithëse vjen në Tiranë prej fshatrave më të largëta të Skraparit dhe i përket një familjeje që është persekutuuar nga ish sistemi komunist. Liri Hidërshaj tanimë është një ndër shkrimtaret më të lexuara të brezit të saj dhe vazhdon të punojë për të arritur nivele të reja.

Liri Hidërshaj shkollën fillore dhe tetëvjeçare i kreu në vendlindje, kurse arsimin e mesëm e mori në shkollën "Ramiz Aranitasi", në Çorovodë. Në vitin 1977 u diplomua për gjuhë-letërsi shqipe në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin "Aleksadër Xhuvani" të Elbasanit. Menjëherë pas mbarimit të universitetit ajo filloi punë si mësuese në shkollën tetëvjeçare të fshatit Dobrush të Skraparit, ku punoi për tre vjetë, pastaj u emërua drejtore e shkollës tetëvjeçare të fshatit Kalenjas, ku punoi për shumë vite.

Në vitin 1998 Liria u largua nga vemdlindja dhe u vendos familjarisht në Tiranë. Filloi punë si mësuese letërsie në shkollën tetëvjeçare ‘Ramazan Jarani", ku dhe vazhdon të punojë. Ndërkohë u lidh edhe me gazeta të ndryshme për të botuar krijimtarinë e saj. Tani është edhe gazetare e revistës politiko-letrare "Krahu i shqiponjës".

Liri Hidërshaj ka filluar të shkruajë që në shkollën tetëvjeçare. Krijimet e saj të para janë botuar në gazetën vendore "Jehona e Skraparit" e "Tomorri" dhe më vonë në shtypin qëndror, mirëpo vetëm pas vitit 2000 iu dha mundësia të botonte librat e saj të parë në poezi e prozë. Ka botuar katër libra dhe vazhdon të përgatisë disa botime të tjera në prozë e poezi. Vazhdon të merret edhe me publicistikë. Krijimtaria e saj ka tërhequr vëmendjen e opinionit lexues shqiptar si dhe të kritikës letrare. Librat e saj që rrokin tematikat dhe problematikat e realitetit të sotëm shqiptar pëlqehen shumë sidomos nga moshat e reja, veçanërisht nga të rinjtë e shkollavetë mesme dhe universiteteve.

Liri Hidërshaj është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Midis shumë krijimeve të saj ajo ka zgjedhur dhe botuar disa tituj mbresëlënës, për të cilët janë shprehur me respekt edhe krijues si Dritëro Agolli, Sokol Jakova etj. Ja librat e saj me të cilat është paraqitur përballë lexuesit shqiptar:

"Klithmë shpirti", vëllim poetik, 2004, Sh. B. "Bilal Xhaferri";
"Mëkim shpirtëror", novelë, 2005, Sh. B. "Bilal Xhaferri" ISBN 99927-960-4-9;
"Rrëfimi", novelë, 2006, Sh. B. "Bilal Xhaferri", ISBN 99927-960-5-7;
"Pendimi", novelë, 2007, Sh. B. "Bilal Xhaferri", ISBN 978-99943-969-3-1.

Xhulia Xhekaj

PROBLEMET E JETËS SË SOTME NË LIBRIN
"PENDIMI"
Shënime për librin "Pendimi "të autores Liri Hidërshaj

Këtë radhë shkrimtarja Liri Hidërshaj në novelën e saj "Pendimi" ka vënë në qendër të subjektit të veprës problemet e sotme të mprehta të jetës shqiptare. Si të gjithë krijuesit, duke nuhatur pulsin dhe ritmin e kësaj jete, autorja, edhe si nënë, si mësuese e psikologe, mendojmë se përmes një subjekti interesant, ia ka dalë mbanë që në këtë novelë, të cilën, ju lexues të nderuar do ta lexoni, të shpalosë mesazhe sa aktuale, aq dhe humane.

Në qendër të veprës janë vënë problemet e marrëdhënieve familjare dhe të emigracionit që i ka shpërndarë sot shqiptarët nëpër botë për një jetë më të mirë, por dhe që, në njëfarë mënyre, ka zbehur edhe dashurinë mes njerëzve e sidomos të afërmve, që i ka degëdisur këta njerëz nëpër skuta të tilla aq të thella e të largëta sa edhe të humbasin. Jo më kot autorja e nis novelën me një situatë ku flitet për emisionin aq tërheqës e të kërkuar "Ku je?".

Pa dashur të zbulojmë subjektin e novelës, për të mos zbehur kureshtjen tuaj gjatë leximit të saj, mund të themi se autorja, përmes një kompozicioni të thurur me kujdes, ka arritur t’i organizojë ngjarjet e veprës në mënyrë të tillë, që, tek e lexon atë, ndien vërtet dramacitetin e jetës së sotme shqiptare dhe të problematikës së saj. Personazhet e skalitur janë realistë, karakteret e tyre shpalosen gjithnjë e më mirë gjatë veprimit të tendosur të veprës me botën e tyre shpirtërore, me veçoritë e karakteristikat e tyre të veçanta. Në këtë novelë, në krahasim me veprat e mëparshme, mendojmë se autorja ka bërë hapa përpara pikërisht në drejtim të skalitjes së personazheve, thellimit të psikologjizmit etj., çka tregon se shkrimtarja Liri Hidërshaj po arrin në fazën e pjekurisë së saj artistike. Si në një ekran filmi, lexuesi njihet me novelën "Pendimi" me figura të tilla si Andi, Albana, Roena, Leti, babai i Andit, Sofia etj., që janë realizuar me dëshirë e përkushtim nga autorja e veprës.

Në thurjen kompozicionale, autorja për ta bërë veprën tërheqëse dhe interesante, mes të tjerash, ka shfrytëzuar edhe digresionet, duke i dhënë kompozicionit formën e një mozaiku. Kjo i ka dhënë veprimit të subjektit të novelës një ritëm më të shpejtë dhe ka shmangur proliksitetin në vepër. Me një narracion, jo rallë të pasur me trope artistike, autorja ka arritur të përshkruajë në novelë situata të tilla dramatike që të mbeten ndër mend, pasi janë vërtet emocionuese dhe jetësore. Kështu mund të përmendim historinë e Albanës nga qyteti S., skenën kur i ati i Andit vjen i pirë në shtëpi nga vuajtja e madhe e shkatërrimit të marrëdhënieve familjare, historinë e Ariolës, episodin kur Andi gjendet përpara varrit të së motrës, Sofisë, në Itali dhe mbylljen emocionuese të novelës.

Ecuri tjetër e autores, në krahasim me veprimtarinë e saj të mëparshme, është edhe gjuha më e pasur, dialogu më i shkathët e më i ngjeshur, qëmtimi i detajeve dhe imtësive shprehëse.
Prandaj kjo novelë tregon se krijimtaria artistike e Liri Hidërshajt po vjen në ngjitje dhe ky është një sukses për të.

Siç përmendëm më sipër, novela lexohet me kërshëri, të ngjall emocione. Këto mendojmë se do t’i ndiejë edhe lexuesi, kur të shfletojë faqet e saj.

SOKOL JAKOVA

Wednesday, March 12, 2008

Shkrimtari Hysen Sinani

Hysen Sinani lindi më 7 shkurt të vitit 1949, në Tiranë. Ai është një ndër shkrimtarët shqiptarë më në zë të brezit të vet dhe një ndër përkthyesit më prodhimtarë të letërsisë artistike.
Hyseni është arsimuar në Tiranë, autodidakt (i vetëshkolluar), kështu preferon të shprehet për veten e vet. Ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë dhe botimeve. Në vitet 1964-1974, Hyseni ka përvetësuar gjuhën franceze; 1974-1980 përvetësoi gjuhën italiane; 1990-1995 përvetësoi gjuhën greke. Pra është një autodidakt që ka pasur sukses edhe në përvetësimin e gjuhëve të huaja, të cilat do t’i vlenin më vonë në jetë për t’u bërë edhe përkthyes i mirë për letërsinë artistike.

Nga viti 1964 deri në vitin 1974, Hysen Sinani ka punuar si punëtor në disa ndërmarrje prodhimi, si Fabrika e Lullave, Uzina Dajti, Konsumi i Gjerë, Ndërmarrja e Montimeve Industriale, etj.

Në vitin 1974 deri në vitin 1985, ka punuar redaktor letrar dhe gazetar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe në gazetën "Drita", organ i këtij institucioni kulturor e letraro-artistik.

Në vitet 1986-1991 punoi përsëri punëtor në Uzinën e Traktorave dhe në Fabrikën e Llullave.
Në vitet 1991-1992 shkoi në emigracion në Greqi. Në vitet 1992-1994 u rikthye në Shqipëri dhe nisi veprimtarinë private me firmën e tij botuese "Artemida", midis botimeve të së cilës është edhe fjalori Greqisht-Shqip, me rreth 20 000 fjalë, i hartuar nga vetë autori. Në vitet 1994-1999 shkoi përsëri në emigracion në Greqi, për shkak të falimentimit të firmës botuese, si edhe realizoi disa udhëtime njohëse si gazetar në Itali dhe Francë.

Në vitet 1999-2008 u rikthye në Tiranë, ku jeton dhe vepron si shkrimtar, publicist i lirë, përkthyes. Krijimtarinë e vet e publikon në shtypin letrar si gazetat "Drita", "Shqip", revista "Krahu i shqiponjës", etj., etj.

Hysen Sinani nëpër vite ka botuar shumë vepra të ndryshme letrare. Më të spikatura janë romanet: "Gjergji" (1980), tregon historinë e një punëtori që dëshiron të bëjë përpara në jetë, duke iu larguar ambienteve punëtore jo aq tërheqëse për ëndrrat e tij; "Nuk e harroja atë ditë" (1989), tregon gjithashtu historinë e një punëtori të ri, por tashmë të një individi të persekutuar nga kolektivi dhe në konflikt të hapur me kolektivin ku ai punon; "Një burrë si ky" (1992), këtu është vënë në qendër një çift të sapomartuarish që përplasen, përveç halleve të tyre personale, edhe me ndeshjen ndaj një administrate çnjerëzore dhe të egër ndaj individit me probleme; "52 burra për një grua" (1999), është një roman i shkurtër epik, me në qendër fatin e një gruaje, e cila bëhet mollë sherri midis dy familjeve në gjak dhe po ajo sakrifikohet për të shuar gjakderdhjen, në emër të një qëllimi më të lartë kombëtar; "Legjenda e dheut të keq" (2000), është një roman krejt modern, i pashkruar më parë në letërsinë shqipe. Aty shkrihen elementët e një publicistike letrare, ku pjesërisht personazhet janë realë, me atë letrare artistike ku marrëdhëniet emocionale dhe përshkrimet janë fiktive në atë masë që e dëshiron qëllimi krijues i autorit; "Triseta, teoremë për dashurinë" (2002), mund të merret si një roman fantastiko-shkencor në shikim të parë, sepse trajton zbritjen e jashtëtokësorëve në planetin tonë për të mbjellur farën njerëzorë. Por, për marrëdhëniet e krijuara midis personazheve, në radhë të parë, ashtu siç e tregon edhe vetë titulli, është një roman erotik, ndoshta i vetmi në letërsinë tonë që ka si qëllim pikërisht trajtimin e fenomenit të dashurisë midis njerëzve; "Sadisti" (2003), mund të konsiderohet si një horror ironik për një moral më të mirë të shoqërisë shqiptare, ku vrasja dhe përdhunimi janë bërë një formë banale e jetës së përditshme. Me dy fjalë, subjekti i tij është ky: një djali të ri i përdhunon të fejuarën një bandë djemsh rrugaçë; heroi i romanit merr ha duke ekzekutuar secilin sipas fjalëve që i ka thënë viktimës gjatë aktit të përdhunimit.
Shkrimtari Hysen Sinani ka realizuar edhe shumë përkthime nga më dinjitozet e letërsisë botërore si: "Për atdheun", nga Blasko Ibanjez; "Maria Shapdëlenë", nga Luis Hemon; "Madalena", nga Henri Truaja; "Greqishtja për shqiptarët", nga "Asimil"; "Jeta e Volterit", nga Andre Morua; "Udhëtari i natës", Maurizio Maggiani; "Një Xhinxhis Khan i ditëve tona", Alberto Bevilacqua; "Krimet e mëdha të historisë", Pierre Bellemare; "Shqisa jonë e gjashtë", Charles Richet; "Udhëtim në fund të natës", Louis-Ferdinand Céline; "Filozofia në sallon", Markezi Dë Sad; dhe përkthime të tjera në proces botimi.

Shkrimtari dhe përkthyesi Hysen Sinani ka dhënë kontributet e veta edhe në fushën e leksikografisë: "Fjalor Greqisht-Shqip" me 20.000 fjalë; "Fjalor Shqip-Greqisht" me rreth 6.000 shprehje të përdorimit të përditshëm të gjuhës greke, etj, etj.

Aktualisht Hyseni është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ja disa nga titujt e veprave kryesore që ka shkruar e botuar dhe që ka përkthyer e botuar:

1. "Gjergji", roman, Tiranë (1980)
2. "Nuk e harroja atë ditë", roman, Tiranë (1989)
3. "Një burrë si ky", roman Tiranë (1992)
4. "52 burra për një grua", roman, Tiranë (1999)
5. "Legjenda e dheut të keq" roman, Tiranë (2000)
6. "Triseta, teoremë për dashurinë", roman, Tiranë (2002)
7. "Sadisti", roman, Tiranë (2003)
8. "Për atdheun", nga Blasko Ibanjez; përkthim
9. "Maria Shapdëlenë", nga Luis Hemon; përkthim
10. "Madalena", nga Henri Truaja; përkthim
11. "Greqishtja për shqiptarët", nga "Asimil"; përkthim
12. "Jeta e Volterit", nga Andre Morua; përkthim
13. "Udhëtari i natës", Maurizio Maggiani; përkthim
14. "Një Xhinxhis Khan i ditëve tona", Alberto Bevilacqua; përkthim
15. "Krimet e mëdha të historisë", Pierre Bellemare; përkthim
16. "Shqisa jonë e gjashtë", Charles Richet; përkthim
17. "Udhëtim në fund të natës", Louis-Ferdinand Céline; përkthim
18. "Filozofia në sallon", Markezi Dë Sad; përkthim

Elim Xanxari

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetëmohimi" (Zhvillime të çështjes çame), Tiranë, 2008, të autorit Shefki Hysa
Vepra e një autoreje me të ardhme
Shënime për romanin "Me putrat tona shetitëm botën" të autores Xhulia Xhekaj

Kur gjykon një vepër letrare, padyshim duhet të kesh parasysh edhe moshën e autorit apo autores së saj. Në rastin tonë tek lexon romanin "Me putrat tona shëtitëm botën" të Xhulia Xhekaj, autore e re, në moshën e fëmijërisë, bindesh plotësisht se ke të bësh me një talent në fushën e letërsisë që do të ketë të ardhme me veprat që do të krijojë, natyrisht po e vazhdoi këtë rrugë. Përse?

Së pari romani i Xhulia Xhekajt dallohet për një gjetje sa të qelluar, aq dhe interesante. Dhe kjo nuk është pak për një vepër artistike. Që të mos i zbehim kureshtjen lexuesit, nuk po i rrefejmë subjektin e veprës, por duam të shtojmë se gjetja apo fabula që ka krijuar autorja, e cila si një ngrehinë e mban romanin e saj, është pjellë e një fantazie të admirueshme, ç'ka për një krijuese si Xhulia, është një dhunti e veçantë për të mos thënë fat, që ia ka dhënë natyra. Në këtë kuptim, Xhulia lipset të dijë që i është dhuruar një dhunti që pakkush e ka e që, po diti, me përkushtim e punë të palodhur, do ta shfrytëzojë në të ardhmen për të krijuar vepra të bukura, me cilësi artistike e me peshë.

Së dyti, fantazia e ndezur e romanit, që lexohet me kureshtje, shpesh të lë mbresa të thella e të befason, sa thua me vete se si i ka vajtur në mendje autores së re për të krijuar me shije e me mjeshtëri, situata të tilla interesante, plot humor, në të cilat enden personazhe-mace, po kaq interesante si Arsa, Bina, Kuqoja, Otomina, Riki, Sui, Xhoi, Steberei, të cilat shetitën botën siç shprehet autoria qysh në titullin "Me putrat tona shëtitëm botën".

Lexuesit do të kenë mundësinë që të njihen me bëmat gjurmëlënëse të këtyre maceve-personazhe, me shëtitjen e tyre, me aventurat që kalojnë ato, me teta Shadiskën e vetmuar, së cilës i ngjallin kënaqësinë e fëmijëve që i janë larguar e me plot ngjarje të tjera të përshkruara jo vetëm me fantazi, por edhe me njëlloj naiviteti ç’ka shpjegohet me moshën e autores.
Së treti, vepra dallohet për gjallëri e temporitëm. Është shkruar me një stil të shkathët, modern, pa zvarritje e proliksitet. Si mjet artistik për zbulimin e personazheve në të mbizotëron dialogu, një dialog plot ritëm e nerv artistik. Ç’do gjë në vepër është në lëvizje, në aksion. Autores Xhulia Xhekaj nuk i hyjnë në punë përshkrimet e zgjatura, përkundrazi asaj i pëlqejnë batutat e personazheve të saj të dashur, me të cilat sillet e vepron sikur janë në një lojë, në një lojë fëmijësh. Mendoj se pikërisht këtu qendron një nga pikat e forta të romanit, i cili besoj se do të lexohet me ëndje e kureshtje prej të vegjëlve. Ajo shpalos një botë fantastike, tejet fëmijnore, plot gjallëri, ç’ka është e tepërt të themi se është e pëlqyeshme prej fëmijëve.

Edhe mbyllja e romanit, kur teta Shadiskës, pasi i ikin macet e dashura, i vijnë fëmijët, është kuptimplotë dhe e gjetur artistikish. Kësisoj gjithçka, tërë ato ngjarje e aventura plot ritëm, gjallëri e humor, mbyllen me një situatë simbolike që shpalos mesazhin: në jetë, çfarëdo që të ndodhë, tek e fundit mbizotëron malli për vendlindjen, dashuria për të afërmit, për njerëzit e për gjithçka të mirë e të dobishme.

Ky është romani i Xhulia Xhekajt; le t’jua lëmë juve lexues të gjykoni më mirë për të...

Sokol JAKOVA