Monday, November 19, 2007

Nga Shefki Hysa

ÇAMËRIA
Fragment tregimi

Makina rrëshqiste pa u ndier midis blloqeve me ullinj, portokalle, mandarina e limonë, që shtriheshin si një det i gjelbër nëpër fushën e gjerë përqark qytetit kryesor, Gumenicës, të Çamërisë së re apo Thesprotisë (këtë emër mbante edhe në lashtësi kjo trevë), siç e quanin qëllimisht krahinën grekët e sotëm për të zhdukur emrin "Çamëri". Më tej, në të djathtë, shtrihej deti blu i ndryrë në Kanalin e Korfuzit. Në krahun e majtë ngriheshin një varg malesh, që e ndanin Gumenicën nga Janina e Ali Pashait, e mbronin edhe nga erërat e ftohta të Veriut, duke e shndërruar në një zonë me një mikroklimë tepër të pëlqyeshme për ullinjtë dhe agrumet. Vende-vende të zinte syri edhe blloqe me vreshta dhe me pemët karakteristike të zonave bregdetare mesdhetare të mirëmbajtura me dashuri… Një sy i mprehtë studiuesi, si i Fatosit, që vërente vëmendshëm gjithçka, e kuptonte menjëherë se ajo zonë ushqehej në sajë të bujqësisë, më saktë pemëtarisë, ndoshta edhe turizmit, kurse për industri asqë mund të flitej… Pra, mjediset ishin të virgjëra dhe ashtu të përmbytura në atë diell llapëtitës, megjithëse fundi i vjeshtës, nuk të shkonte kurrë ndër mend se mund të gjeje qoftë edhe një pëllëmbë të natyrës të ndotur. Dhe ky ishte një privilegj për banorët…
Fatosi nuk ngopej së shijuari bukuritë e rralla të asaj natyre ku harmonizoheshin, aq mrekullisht, në një hapësirë disa dhjetëra kilometrash, mali, kodra, fusha, deti… E ç’donte më shumë njeriu për të jetuar "parajsën" tokësore?!… Duhej të ishe i çmendur të hapje luftëra në atë krahinë…
Eh… Grekët!… Po të gërmoje tokën, ku shtriheshin rrënjët e atij gjelbërimi aq mahnitës, patjetër do të hasje në eshtra e skelete të vrarësh të pavarr… Të pavarrët çamë… Dhe kjo ishte vepër e grekëve, e atyre që s’i pranonte as dheu dhe dilnin nga varret netëve si kokudhë e lugetë… Po!… Këta ishin grekët… Dhe pretendonin për të sjellë paqe e drejtësi në Evropën e Bashkuar… Jo, Zoti nuk duhej të heshtte më!…
Kostandini në timonin e makinës fliste e fliste për elimët, për kalatë e tyre majëmaleve në Kuç, në Mazrek, në Paramithi, për puset në malin e Kladhit, për shpellën në Arpicë, për tre gurët në Paramithi, për gurin në Luarat, të cilin gratë elime e përdornin edhe si magje për të larë rrobat… Po Fatosi hahej më shumë me mendimet e veta se sa dëgjonte… A e di, Fatos, thoshte ai, se te Qafa e Murit, afër Margëllëçit, elimët kanë punuar për të ndërtuar një mur të lartë të lartë që do të lidhte malin e Kranesë me Çukën e Priftit dhe shpresonin që, kur të hipnin në atë lartësi, do të arrinin qiellin dhe do ta shihnin tërë botën prej andej?… Mirëpo muri që ndërtonin ditën, u rrëzohej natën dhe ata nuk e rreshtnin kurrë punën… A nuk ishte për t’u pasur zili vullneti i tyre?… Sikur ta kishin njerëzit sot, atë fuqi, atë vullnet…, - psherëtinte Kostandini, i cili dukej se e adhuronte marrëzisht, ishte pothuajse i verbuar prej madhështisë së botës elime dhe dëshira për t’u folur të tjerëve për elimët i ishte shndërruar në mani… Në fund të çdo rrëfimi nuk harronte të nxirrte përfundimin se jo vetëm çamët, por tërë shqiptarët janë pasardhës të elimëve, prandaj, ndryshe nga kombësitë e tjera, janë aq të aftë për të mbijetuar edhe në rrethana nga më të jashtëzakonshmet.
Shkëputur nga tregimi "Elimët", përmbledhur në vëllimin me tregime "Aromë Çamërie" (2004).
Revista "Krahu i Shqiponjës":

Revistë Politike, Kulturore, Letrare dhe Shoqërore, e botuar për herë të parë në tetor të vitit 1974, në dy gjuhë, shqip e anglisht, si organ i Lidhjes Çame, në Çikago të SHBA. Themelusi, botuesi dhe drejtuesi i saj ishte Bilal Xhaferri, poet, prozator dhe publicist i shquar disident, i cili u lind më 2 nëntor 1935 në Ninat të Konispolit (Çamëri) dhe pas një veprimtarie të madhe letraro-publicistike, vdiq në mërgim (i arratisur nga Shqipëria më 1969 si nacionalist antikomunist) më 14 tetor 1986 në Çikago të SHBA.

"Krahu i Shqiponjës" ishte një tribunë e mendimit të lirë demokratik me prirje thellësisht antikomuniste, antidiktatoriale e antienveriste, që synonte bashkimin e tërë forcave politike shqiptare në mërgim, unifikimin e mendimit, programeve dhe qëllimeve të tyre për një Shqipëri të Lirë Properëndimore.

Në faqet e revistës trajtoheshin gjerësisht problemet kombëtare shqiptare, veçanërisht çështja çame, problemi i Kosovës, i territoreve të tjera të mbetura jashtë trungut amë, Shqipërisë, si dhe problemet e komuniteteve shqiptare nëpër botë e të Diasporës.

Bilal Xhaferri arriti të botonte 39 numra.

Që në vitin 1995 e në vazhdim "Krahu i Shqiponjës" vazhdon të botohet në Tiranë, si organ i Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri" (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) themeluar e drejtuar prej gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Shefki Hysa, i cili inicoi rikthimin në Shqipëri të eshtrave të
Bilal Xhaferrit si dhe lartësimin e vlerave të jashtëzakonshme të kësaj figure të rallë të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish diktaturës komuniste shqiptare.

Në faqet e revistës, midis shkrimeve që mbrojnë çështjen kombëtare shqiptare, sidomos problemin çam, janë botuar shpesh edhe artikuj e krijimtari e zgjedhur nga personalitete të letrave shqipe e atyre botërore si:

Alfred de Musset,
Bilal Xhaferri,
Dritëro Agolli,
Edgar Allan Poe,
Ismail Kadare,
Martin Mato,
Miranda Vickers,
Namik Mane,
Pjetër Arbnori,
Shefki Hysa,
Vath Koreshi,
Xhek London (Jack London),
Zhan Pol Sartri (Jean-Paul Sartre), etj...

Shefki Hysa, në cilësinë e Botuesit dhe Kryeredaktorit të kësaj reviste, me kontributet e veta dhe të miqve të tij, ka arritur të nxjerrë më shumë se 80 numra dhe vazhdon me këmbëngulje ta mbajë lart këtë piedestal të mendimit të lirë në vazhdën e idealeve të Bilal Xhaferrit.

Ideali i tij: Çamëria dhe Shqipëria etnike.