Monday, November 19, 2007

Revista "Krahu i Shqiponjës":

Revistë Politike, Kulturore, Letrare dhe Shoqërore, e botuar për herë të parë në tetor të vitit 1974, në dy gjuhë, shqip e anglisht, si organ i Lidhjes Çame, në Çikago të SHBA. Themelusi, botuesi dhe drejtuesi i saj ishte Bilal Xhaferri, poet, prozator dhe publicist i shquar disident, i cili u lind më 2 nëntor 1935 në Ninat të Konispolit (Çamëri) dhe pas një veprimtarie të madhe letraro-publicistike, vdiq në mërgim (i arratisur nga Shqipëria më 1969 si nacionalist antikomunist) më 14 tetor 1986 në Çikago të SHBA.

"Krahu i Shqiponjës" ishte një tribunë e mendimit të lirë demokratik me prirje thellësisht antikomuniste, antidiktatoriale e antienveriste, që synonte bashkimin e tërë forcave politike shqiptare në mërgim, unifikimin e mendimit, programeve dhe qëllimeve të tyre për një Shqipëri të Lirë Properëndimore.

Në faqet e revistës trajtoheshin gjerësisht problemet kombëtare shqiptare, veçanërisht çështja çame, problemi i Kosovës, i territoreve të tjera të mbetura jashtë trungut amë, Shqipërisë, si dhe problemet e komuniteteve shqiptare nëpër botë e të Diasporës.

Bilal Xhaferri arriti të botonte 39 numra.

Që në vitin 1995 e në vazhdim "Krahu i Shqiponjës" vazhdon të botohet në Tiranë, si organ i Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri" (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) themeluar e drejtuar prej gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Shefki Hysa, i cili inicoi rikthimin në Shqipëri të eshtrave të
Bilal Xhaferrit si dhe lartësimin e vlerave të jashtëzakonshme të kësaj figure të rallë të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish diktaturës komuniste shqiptare.

Në faqet e revistës, midis shkrimeve që mbrojnë çështjen kombëtare shqiptare, sidomos problemin çam, janë botuar shpesh edhe artikuj e krijimtari e zgjedhur nga personalitete të letrave shqipe e atyre botërore si:

Alfred de Musset,
Bilal Xhaferri,
Dritëro Agolli,
Edgar Allan Poe,
Ismail Kadare,
Martin Mato,
Miranda Vickers,
Namik Mane,
Pjetër Arbnori,
Shefki Hysa,
Vath Koreshi,
Xhek London (Jack London),
Zhan Pol Sartri (Jean-Paul Sartre), etj...

Shefki Hysa, në cilësinë e Botuesit dhe Kryeredaktorit të kësaj reviste, me kontributet e veta dhe të miqve të tij, ka arritur të nxjerrë më shumë se 80 numra dhe vazhdon me këmbëngulje ta mbajë lart këtë piedestal të mendimit të lirë në vazhdën e idealeve të Bilal Xhaferrit.

Ideali i tij: Çamëria dhe Shqipëria etnike.

No comments: