Friday, December 21, 2007

TË HASH SORRËN NË VEND TË PULËS
Replikë miqësore me Rasim Bebon,
autor i librit "Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë"

I nderuar Profesor,

Së pari më lejoni t’ju falenderoj për bashkëpunimin dhe t’ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj.

Ju jeni një atdhetar që i përkisni asaj shtrese që u persekutua nga regjimi komunist, njëlloj si i ndjeri Bilal Xhaferri, si Shefki Hysa e si shumë e shumë bashkatdhetarë të tjerë. Keni qenë shoku dhe miku i babait tim, Mazar Hysës, ndjesë pastë, jeni, siç thonë, burrë i mençur, i patrazuar nëpër debatet e pisllëkun e kohës që po jetojmë dhe rrjedhimisht i papërfolur. Pra, siç thonë, bëni pjesë në kategorinë e atyre burrave të mirë që mundohen të shohin punën dhe hallin e vet, burra babaxhanë që për asnjë arsye dhe kurrsesi nuk duan t’u bien më qafë të tjerëve, që ia lënë në dorë drejtësinë dhe hakmarrjen të Madhit Zot.

Ishin këto disa nga arsyet që unë dhe bashkëpunëtorët e mi iu përkushtuam me aq zell përgatitjes për shtyp dhe botimit të librit tuaj "Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë". Dhe ende besoj se kemi bërë një punë të mirë, vetëkuptohet së bashku me ju, i kemi dhënë mundësinë lexuesit të ketë në dorë një libër enciklopedik për zhvillimet në trevën e Çamërisë nga fillimet e historisë njerëzore e gjer në ditët tona.

Kanë kaluar rreth dy muaj që nga dita e botimit e gjer më sot dhe tërë të njohurit që u ka rënë në dorë libri juaj, na kanë përgëzuar për punën. Këtë e prisnim edhe nga ju, i nderuar Profesor. Por ç’po ndodh?!…

Ju, përkundrazi, duke dalë nga natyra juaj, në mos gaboj, më drejtoheni me një letër ku pretendohet se në librin tuaj stafi i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri" na paska bërë kiametin me gabime, letër të cilën na e përfundokeni me një falje publike që i kërkoni lexuesit për punën e dobët të këtij institucioni.

I habitur tej mase nga ky qëndrim dhe i ndodhur para faktit të mospëlqimit tuaj, vendosa ta publikoj në faqet e revistës "Krahu i Shqiponjës" letrën që më drejtuat, me idenë që të njihen edhe lexuesit me "gjunahet" e mia dhe të bashkëpunëtorëve të mi ndaj punës suaj.

Duke publikuar letrën tuaj, me tërë ato pakënaqësi të stërzmadhuara, për mendimin tim, më lind e drejta e një replike miqësore nëpërmjet së cilës detyrohem t’ju sqaroj juve dhe lexuesin se po tregoheni i padrejtë me mua dhe bashkëpunëtorët e mi.

Në një libër të karakterit enciklopedik e historiko-dokumentar, tejet voluminoz, mbi 700 faqe, siç është "Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë", vetëkuptohet që do të shpëtojnë gabime edhe nëse botuesit dhe stafit të tij i lihet koha normale për parapërgatitjen e botimit dhe jo më kur nga ana e autorit caktohen afate me "litar në grykë" për nxjerrjen sa më parë nga shtypi.
Nëse ju kujtohet, i nderuar Profesor, ju na latë rreth pesëmbëdhjetë ditë afat për botimin e librit, sepse do të largoheshit sa më parë nga Shqipëria për në Amerikë dhe ju duheshin patjetër kopjet e para me vete. (Mund të pyesni edhe specialistët më të mirë dhe do të thonë se botimi i një libri të tillë voluminoz kërkon të paktën dy muaj kohë). Ne, në mirëbesim, për të mos shkelur fjalën e "dhënë" (nga anët tona kemi një thënie të urtë se shqiptari kur jep fjalën, ther djalën), duke shpresuar në mirënjohjen tuaj, punuam ditë e natë në ngutje dhe e arritëm "objektivin". Kjo, në rastin e marrëdhënieve tona (kontratë e pashkruar e mirëbesimit reciprok), meriton falenderim (gjej mundësinë t’i falenderoj publikisht bashkëpunëtorët e mi që u stërmunduan aq shumë për mikun e babait tim).

Gjithësesi, po theksoj, se ngutja nuk e justifikon aspak punën me gabime. Dihet që gabimet cënojnë profesionalizmin dhe në këtë rast unë pranoj se për herë të parë nën "presionin" e miqësisë, gjithmonë në mirëbesim, padashur tolerova disa gabime që u kanë shpëtuar padashje bashkëpunëtorëve të mi. Vërtet është cënuar paksa profesionalizmi ynë, por kjo dobësi nuk do të thotë se kemi bërë "gjunah" deri në atë shkallë sa të penalizohemi kaq rëndë prej mikut tonë për diçka që të tjerët nuk e kanë vënë re aspak.

Përse, i nderuar Profesor, përse këmbëngul "të hash sorrën kur ke para pulën"?!…

Në letrën tuaj, i nderuar Profesor, ju pretendoni se përveç gabimeve ortografike ("gjunah i madh, kiamet!) që u kanë shpëtuar bashkëpunëtorëve të mi, "janë hequr fotografitë e patriotëve" dhe jo pak… Plot 13 copë, i nderuar Profesor! Hata e madhe!… (Duhen varur bashkëpunëtorët e mi si sabotatorë të çështjes kombëtare!)…

I nderuar Profesor, besoj se nuk e keni harruar faktin që materialin na e sollët të daktilografuar me një makinë shkrimi të kohës së qepës, që nuk i kishte në "axhendën" e saj gërmat "ë" dhe "ç" dhe në vend të tyre kishte me bollëk "e" dhe "c", pa përmendur tekstin me gabimet e shumta drejtshkrimore e plot zhgarravina "redaktoriale", një tekst që nuk kishte asgjë të përbashkët me gjuhën letrare shqipe. Ju kujtohet besoj se edhe fotot na i sollët jo origjinale, por të fotokopjuara në fotokopjet më të këqija?!…

I nderuar Profesor! Po të them se me atë "brumë", në një afat prej pesëmbëdhjetë ditësh, në kushtet e mirëbesimit, stafi i "Bilal Xhaferrit" ka bërë një punë të mrekullueshme.

Thirrini kujtesës, Profesor, dhe ndërgjegjia juaj prej atdhetari nuk do ta mohojë faktin se pavarësisht nga ca gabime ortografike, mbi librin tuaj është bërë një punë redaktoriale shumë e mirë, shumicën e fotove jua a kemi gjetur ne vetë origjinale, duke i nxjerrë nga interneti, nga arkivat apo duke ua marrë miqve tanë nëpër shtëpitë e tyre si në rastin e së vesë së Gjeneral Ilmi Seitit apo Hektor Sejkos, djalit të atdhetarit Taho Sejko pushkatuar prej regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Përse atëherë gjithë ky merak i juaji, i nderuar Profesor, për të fshirë vlerat e një botimi prej 700 faqesh me shtatë faqe letër të daktilografuar me atë makinën e shkrimit anonime?!… Përse i armatosur kaq rëndë kundër meje si kalorësit e qëmoçëm?…

Në gjuhën e popullit të thjeshtë kjo do të thotë t’i frysh qëllimisht gjërat, ta bësh qimen tra, të bësh zhurmë e bujë e të tërheqësh me zor vëmendjen e botës për diçka që nuk meriton vëmendje. Me një fjalë të hash sorrën në vend të pulës…

Unë besoj se Profesori e pret vëmendjen e opinionit nga puna e tij dhe jo nga publiciteti i ca gabimeve që u kanë shpëtuar padashje bashkëpunëtorëve të mi. "Të frysh gabimet" që askush nuk i ka vënë re, si në rastin e këtij libri, do të thotë të shmagësh vëmendjen e opinionit nga vlerat e vërteta të kësaj përmbledhjeje me artikuj e studime. Pra do të thotë të hedhësh poshtë punën e pëlqyer të Profesorit dhe të stafit botues, punë madhore që ka bërë aq shumë jehonë te lexuesi. Përse ky interesim për shmangien nga e vërteta për të ngjallur e përfituar një vëmendje të pamerituar? Përse të na shijojnë më shumë frytet e gabimeve sesa ato të punës?… Përse të na shijojë më shumë sorra se pula?! Përse t’u servirim edhe të tjerëve mishin e sorrës kur kemi pulën?!…

(Këtë e di vetëm Profesori që nuk e di pse mundohet të ngrejë furtunë në një gotë ujë)...

I nderuar Profesor, po ju vë në dijeni se "Bilal Xhaferri" nën drejtimin e Shefki Hysës ka botuar dhjetëra e dhjetëra tituj, duke filluar me figura botërore si Alfred de Myse, Egdar Allan Poe e Zhan Pol Sartri dhe me shkrimtarë shqiptarë si Bilal Xhaferri, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Pjetër Arbnori e së fundi studiuesi çam Rasim Bebo. Nga këto botime vetëm është lartësuar ky institucion, vetëm ka shkëlqyer figura e Bilal Xhaferrit. Të gjithë e kanë përgëzuar Shefki Hysën dhe stafin e tij për punën që ka bërë dhe pasqyra më e mirë e kësaj pune është revista "Krahu i Shqiponjës", e cila në numri 78 të saj i bën reklamë edhe librit "Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë" të çamit Rasim Bebo.

I nderuar Profesor, po ju vë në dijeni se "Bilal Xhaferri" ka botuar edhe ndonjë autor që pasi ua shpërndan librin me autograf miqve të vet kthehet e na vetëlavdërohet ashtu si pa dashur se opinioni i atyre që e rrethojnë u shprehka për të se ai na qenka tashmë më i madh edhe se i madhi Bilal Xhaferri. Vetëkuptohet, Profesor, mua në të tilla raste nuk më mbetet gjë tjetër veç të ngre supet dhe të buzëqesh…

I nderuar Profesor, nuk besoj se ju, miku i babait tim, mund të bini në një pozitë të tillë vetëlavdërimi, as në pozitën e ndonjë dashakeqi të komunitetit shqiptaro-amerikan që ëndërron të kapet pas ndonjë gabimi njerëzor si e si të zbehë vlerat e Bilal Xhaferrit. Sa për dijeni do desha t’ju rikujtoj thënien e çmuar të poetit Namik Mane, legjenda e gjallë e Çamërisë, atë thënie që ju e pëlqyet aq shumë dhe këmbëngulët që unë ta shkëpusja nga libri im me tregime "Aromë Çamërie" dhe ta radhitja në faqet e librit "Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë". Besoj ju kujtohet si i drejtohet Namik Mania atij mikut shqiptaro-amerikan: "Jua dërguam Bilal Xaferrin shkrimtar të madh e na e kthyet kufomë"…

Përse, i nderuar Profesor, e quani për dobësi të punës sonë "dhuratën" që kërkuat? Besoj se ju kujtohet se më keni lënë edhe disa libra me autografë, midis tyre edhe për poetin Namik Mane, njeriun që e ka dashur dhe e ka ndihmuar më shumë se kushdo tjetër Bilal Xhaferrin, kur ishte i internuar në Hamalle të Durrësit. Për këtë flet edhe fragmenti për të cilin ju pretendoni se është futur gabimisht në librin tuaj. Freskojeni kujtesën, Profesor, e kërkuat ju atë fragment dhe ne jua dhuruam për t’i shtuar vlerat librit tuaj… Ndryshe ç’kuptim ka autografi juaj për poetin Namik Mane?!…

I nderuar Profesor! Pavarësisht nga qëndrimi juaj, unë po të them se do të vazhdoj t’i bëj publicitetin që i takon librit tuaj se është një botim me vlera të rralla për Çamërinë në veçanti dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi, për Shqipërinë tonë… Unë do të vazhdoj t’u servir miqve shijen e mishit të pulës dhe jo atë të sorrës…

Kisha ndërmend të publikoja në një artikull më vete vlerat e librit tuaj "Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë", por pas kësaj replike mendoj se është më mirë t’i përmbledh me pak fjalë dhe të t’i rrëfej tani ato që kam dashur të them…

Thonë se dikur jetonte e Bukura e Dheut. Ndrinte ajo vetë, ndrinte dhe gjithçka përqark saj. Nuk kishte të krahasuar bukuria e saj, as ditën e as natën: Del o diell të dal, del o hënë të dal.
Thonë se të Bukurën e Dheut fillimisht e quanin Pellazgji. Ishte aq madhështore, e hirshme dhe magjiplotë saqë u dashuruan marrëzisht pas saj tërë fqinjët dhe të largëtit që njiheshin me të, të qytetëruarit dhe barbarët. Po Pellazgjia rrinte krenare në jetën e vet. I nderonte dhe i respektonte tërë ata që i vinin rrotull, pa iu përulur askujt. Na u bënë ziliqarë barbarët për krenarinë, vlerat dhe thesaret e saj. Dhe dikur iu turrën për ta mposhtur me përdhunë. U kacafytën gjatë barbarët me të, i rrëmbyen aty-këtu edhe copa stolish e thesaresh, megjithatë Pellazgjia nuk u mposht…

Ajo që mbeti pas atyre betejave grabitqare u quajt Iliri. Barbarët u kacafytën edhe me Ilirinë, i rrëmbyen të tjera thesare, të tjera stoli, po ajo nuk u dha. Tashmë e quanin Arbëri dhe trashëgonte ende një pjesë nga hiret e së Bukurës së Dheut, Pellazgjisë. Ashtu e hijshme, si gjithë të Bukurat e Dheut nëpër përralla, megjithëse e lodhur nga kacafytjet e gjata përdhunuese, Arbëria e paepur rrezatonte në sytë e barabarëve që nuk e duronin dot dritën e qytetërimit të saj. Dhe ata vrisnin mendjen si ta mposhtnin. Dhe i turreshin përsëri e përsëri, ditëve e netëve, gjatë dimrave e beharëve, i grabisnin stolitë, e plagosnin, e gjakosnin, i këpusnin gjymtyrët, por ajo, megjithëse mpakej e mpakej prej dhunës, nuk jepej. Ashtu e mpakur dhe e paepur ngjante rishtas e bukur dhe rrezatonte qytetërim në sytë e armiqve barbarë që donin ta zhbënin me çdo kusht.

Tashmë ca e thërrisnin Albani e ca të tjerë Shqipëri. Armiqtë si gjithmonë e kishin halë në sy dhe i turreshin përbindshëm bukurisë së saj. Shipëria e vogël, për mendjen e mbrapshtë të barbarëve, ishte Pellazgjia e dikurshme që ende nuk ishte epur prej dhunës grabitëse, prandaj nuk duhej lënë rehat. Ajo duhej zhdukur…

Kjo farë Shqipërie ishte apo nuk ishte Pellazgjia e dikurshme?!… Debatonin e debatonin armiqtë e saj dhe i turreshin përsëri për ta zhbërë që të mos i mbetej as nami e as nishani Pellazgjisë së dikurshme që rronte ende në genet e Shqipërisë… Armiqtë e saj tashmë ishin jo vetëm barbarët, por edhe fqinjët e qytetëruar. Edhe ata i lakmonin ato pak thesare që trashëgonte Shqipëria prej Pellazgjisë së dikurshme… Ishte apo nuk ishte Pellazgjia?!… Tashmë gjithçka ishte shndërruar në legjendë. Pellazgjia, e Bukura e Dheut, tashmë ishte një përrallë që u rrëfehej netëve kalamajve…

Ndërkohë doli një trim që vendosi të eksploronte viset e legjendës. Dhe duke kërkuar nëpër udhët e vështira të meditimit muzgjeve të legjendës, trimi Rasim Bebo po zbulonte copëza stolish, gurë të çmuar, diamante e perla, që përbënin dikur thesaret e bizhuterive të Pellazgjisë…

Trimi Rasim Bebo, duke kërkuar, zbuluar dhe restauruar copëzat e bizhuve të grabitura nëpër shekuj nga trupi i Pellazgjisë arriti të rindërtonte profilin e saj prej të Bukure Dheu… Dalëngadalë legjenda po shdërrohet në realitet. Kërkojeni dhe do ta gjeni një pjesë të këtij realiteti në librin "Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë", të autorit Rasim Bebo…

I nderuar Profesor! Ja këto më vinin shpesh ndërmend që në çastin që u njoha me vlerat e mëdha të librit tuaj… Mendoja si e si t’i përpunoja sa më bukur fjalët, që ato të dilnin njëherësh prej trurit dhe shpirtit tim. Të ishin sa më të denja, sa më të arrira dhe ta vlerësonin siç e meriton librin "Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë", por ju me letrën tuaj ma ndërpretë hovin e fjalës… Ma pretë befas dhe në mënyrën më të çuditshme e të pashpjegueshme…

Në fund të letrës ju, i nderuar Profesor, çuditërisht merrni kurajën t’i kërkoni falje lexuesit për punën e dobët të shtëpisë botuese, mbase duke harruar se të folurit në emër të "Bilal Xhaferrit" është e drejta ime ekskluzive…E gjykoj unë dhe stafi im nëse duhet t’i kërkohet falje lexuesit nga ana jonë për gjithë atë "kiamet" që ka gjetur librin tuaj…

Sidoqoftë ishit dhe mbeteni përsëri miku im, i nderuar Profesor… Dhe si mik po të them që t’ia lëmë lexuesit ta gjykojë si letrën tuaj dhe replikën time miqësore… Zoti qoftë përherë me ne…

Shefki HYSA

Replikë e detyruar

ATA QË VRISNIN DJE DUAN TË VRASIN EDHE SOT…
(Po të mundin)

Dashur pa dashur, ndonjëherë, je i detyruar të replikosh edhe me ata që nuk e meritojnë, me fantazmaat e anonimshkruesve të djeshëm, të cilët, aty këtu, janë ringjallur si kokudhë e lugatë dhe shpresojnë të rihyjnë në jetën tonë. Mos u çudisni se hijet e ferrit nuk i mban përbrenda as dheu, por i jashtëqit. Dhe atëherë njerëzimi detyrohet t’u gjejë vendin si gjithë jashtëqitjeve, për t’i shpëtuar shqetësimit që të sjellin. Kjo replikë, arsyet e së cilës do t’i shpjegoj për hir të opinionit shqiptar dashamirës të figurës së shkrimtarit të shquar disident Bilal Xhaferri, zë fill prej një letre anonime të futur tinëzisht që poshtë derës në zyrën e Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri". Një letër tejet qesharake dhe banale si anektodë e dalëboje, një synim donkishotesk si vetë ata që e sajuan. Të bën të qeshësh, por edhe t’i thërrasësh kujtesës për të riparë të kaluarën dhe përfytyruar saktë të ardhmen.

Mbi një zarf me shkrim të llahtarisur, si heroglifët e mijëvjeçarëve të shkuar, shkruhej: "E merr "Krietari i Shoqatës Kulturore Shefki Hisa" nga një grup njerëz të tija"...

Megjithëse është ca e vështirë për mua për ta rishkruar atë idiotësi anonimësh, por edhe për juve për ta kuptuar, do të mundohem t’i qëndroj besnik edhe paraqitjes së tekstit të letrës anonime; titulli:

"të gjallët nuk do i kurs emrat me titull i do dhe eshtrat e të vdekurve i pëlqejnë për interesa.

Z. Shefki Hisi, të falenderojmë për veprimtarinë dhe ngritjen në piedestal që i bëre Bilal Xhaferrit (se mos të ishte lindur ti as nana e Bilalit nuk do kishte bën djal Bilulin) pranoi të japim këtë titull tiaj… dhe Bilali duhet të ketë lindur në Shalës dhe jo në ninat në një familje patriotike kombëtare 200 vjet më parë që nga Hasan Tasini dhe Bilal Hoxha i par kryetar i vilajetit të Janinës dhe gjyshi i Bilalit të dit patriot i pari që ka hapur shkollën par në ninat ose Xhaferr Ferik Hoxha antikomunist i vendosur deri para plumbit dhe tha të rroj Shqipëria, ose Bilal Xhaferrit ytë që ka lindur në Shalës në Hisajt tuaj (meqenëse ti more vesh që u privatizua pasuria kombëtare e gjithë Shqipërisë ti provatizove Bilal Xhaferrin që isht një njeri kombëtar, pasuria jote është e pavdekur) vetëm të lutem do t’i ndryshosh mbiemrin, që dhe neve njeriut e tij mos të marrim pjes. Megjithëse neve jemi analfabet, dhe neve nuk bëm universitet si puna jote, që ishi i persekutuar dhe gazetar i Zërit të Popullit deri në nëntëdhjetën që shkruaje për rinin e konispolit në koperotië në bibliotek personale të Enver Hoxhës dhe me vulën tënde. "Biblioteka – Shefki Hisa" që neve e kemi sot në shtëpi, dhe në (’91) more vulën e shoqatës Bilal Xhaferrit.
do lutemi shum çke bër në emër të Bilal Xhaferrit të mira ose të liga hiq dor me koh të mir se do ta paguash me kok dhe mos u mer me emrin e tij se e ke mbushur kupën që në Amerik e deri këtu. Lëre me kaq.
mos bën gabim të vesh në Amerik se po të paralajmëroi se nuk do kthehesh prop në Shqipëri që të mrresh me jetën e Bilalit. Në Amerik të vesh por jo për Bilalin, se Bilali nuk e ka filluar jetën në Amerik por në Shtëpin e tij që në mituri, se Amerika është e fundit dhe nuk dalin në ekran të Tiranës ata që vrasin natën dhe të qajn ditën se jetën e Bilalit e dim vet ne dhe nuk ka mbetur në dorën tënde të jap porosi të lutemi shum shum shumi mos u merr me fakse dhe mos bën plane se do ndodh ndonjë fatkeqësi të heqish emrin e shoqatës Bilal Xhaferri veri një emër tjetër dhe mbaje shoqatën"...

Kaq shumë t’i ketë shqetësuar shkrimi "I njohuri i panjohur Bilal Xhaferri", fakte dhe të dhëna të reja, i botuar në RD-në e datës 27.12.1995 prej Shefki Hysës, shkrim i cili hidhte dritë pjesërisht mbi dosjen që i kishte sajuar Bilal Xhaferrit ish diktatura komuniste me veglat e veta për ta burgosur, si dhe për abuzimet me krijimtarinë e tij prej disa pseudomiqve të këtij shkrimtari të shquar disident, të cilit i nëpërkëmbën si jetën dhe veprën? Kaq shumë janë irrituar saqë të kërcëllijnë dhëmbët si dikur, në kohën e tyre dhe të kërcënojnë për vdekje? Ende kujtojnë, këta nostalgjikë, se mund të bëjnë ç’të duan me jetët e të tjerëve, siç bënin dikur?!…

Thirrini mendjes ju, o "miq", se kanë perënduar përgjithmonë kohët tuaja. Shefki Hysa jetën e ka dhuratë prej Zotit dhe do t’ia blatojë atij vetëm kur të jetë e shkruar, siç shprehet populli.
Së pari, mësoni, o "njerëzit e mi", se Shefki Hysës, gjatë regjimit diktatorial, prej komunistëve trima si Veiz Bajo e kompani, i janë bërë me dhjetëra e dhjetëra letra anonime. Po të shfletosh arshivat e ish institucioneve të Partisë së Punës nga baza e gjer në Komitetin e saj Qendror, në arshivat e ish gazetave të socializmit e në veçanti nëpër arshivat e "Zërit të Populllit", do të gjeni letra nga më fantastiket për biografinë e keqe të të deklasuarit Shefki Hysa, i cili na qenkësh nipi i një xhaxhai nacionalist të pushkatuar prej Partisë Komuniste që në vjeshtën e 1943. Gjyshi i Shefki Hysës na paskësh qenë beu më i madh i Shalësit që na i paskësh pirë gjakun fukarasë, etj., cilësime prej atyre që dinë të pjellin vetëm mendjet tuaja…

Bukur! Me sa duket edhe sot vazhdoni ta ruani formën tuaj kriminale: pasqyra e saj letra që dërgoni në shenjë kërcënimi.

Dje, ju, shokë komunistë, për interesat e Partisë së Punës më degdisët për gati 10 vjet sa në tunelin e Sasait dhe nëpër kanalet që betononte ndërmarrja e bonifikimit e Sarandës, sa në Vrinë, në malet e Theollogos, në Kalasë, në Janjar e gjetkë ku e lypnin veprat e pesëvjeçarëve tuaj). E degdisët gjithandej të deklasuarin Shefki Hysa, megjithëse letrar i talentuar që premtonte. Juve ju interesonte vetëm lufta e klasave dhe jo dhuntitë e djemve si Shefkiu, të cilit, për çdo shkrim që arrinte të botonte, ju i turreshit me letra anonime dhe ia hiqnit të drejtën e botimit si bashkëpunëtor i padenjë për ish gazetat tuaja komuniste.

Vetëm pasi mundi të siguronte dokumentat arkivale rreth së vërtetës së gjyshit të vet demokrat, një ndër financuesit e Luftës së Vlorës më 1920, nolist më 1924 dhe i burgosur në burgun e Lezhës më 1927 si antizogist, dhe vetëm pasi u vlerësua realisht edhe puna e mirë e babait të tij, mësues për shumë vite qysh prej 1949, komunistët u detyruan të bënin lëshimin e parë ndaj Shefki Hysës. Me rekomandim të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe falë ndihmës së disa dashamirësve të krijimeve të tij me një frymë të re lirike, Shefki Hysa mundi të fillonte Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në degën e gjuhë-letërsisë, më 1985, në moshën 28 vjeçare, i kërcënuar herë pas here prej anonimshkruesve për ta përjashtuar nga shkolla. Le ta mbarojë shkollën se e kemi në dorë t’ia heqim kokën kur të duam, i qetësonin shefat komunistë mllefet e anonimshkruesve…

Më 1989 Shefki Hysa mori pjesë në konkursin e organizuar prej Bashkimit të Gazetarëve, doli ndër më të mirët, mirëpo shefat e gazetave si "Zëri i Popullit", kur shfletuan dosjen e tij dhe mësuan për xhaxhanë e tij antikomunist të pushkatuar, nuk ngurruan për ta degdisur në Bulqizë, pa e përfilluar përsëri talentin e tij.

Në vjeshtën e vitit 1990, kur po shembej miti i pathyeshmërisë së Partisë së Punës, megjithëse u përpoq shumë ish Kryeredaktori i ZP, zoti Spiro Dede, dashamirës i letrarëve, për ta sjellë Shefki Hysën prej Bulqizës në gazetë, nuk ia arriti dot. Ngrihej ende e frikshme hija e xhaxhait antikomunist të pushkatuar midis Shefkiut dhe figurës së militantit të Partisë së Punës.
Do të duhej të shpërthente lëvizja demokratike dhe për herë të parë në fillimet e vitit 1991 Shefki Hysa mundi të punësohet, ashtu siç e kishte ëndërruar gjatë në një gazetë demokratike, në gazetën "Çamëria", më vonë kryeredaktor i gazetës "Dielli" e pastaj drejtues i Shtëpisë Botuese "Bilal Xhaferri" dhe Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri".

Çudi se si nuk i mësuat këto ju, "miqtë e mi" komunistë, nëpër arshivat tuaja, para se të më përkushtoheshit me aq konsideratë? Apo mos vallë ua keni shkundur ashtu shkaraz pluhurat letrave anonime të mëparshme dhe duke kërcëllirë dhëmbët me çudi përfytyruat gabimin që bëtë dikur, në një moment dobësie, duke më hapur një deriçkë për në Universitet?! Shpresuat ndoshta që Shefki Hysa të harronte ferrin nëpër të cilin e degdisët rininë e tij dhe të rreshtohej në armatën tuaj?! Ju paska rrëshqitur për duarsh "djali plangprishës" dhe u rikujtuat për ta kërcënuar, këtë herë si "kokë turku?!"…

Thotë një fjalë e urtë se qëllohet me gurë dardha dhe jo plepi. Pra, na u desh letra juaj, or "miq", që Shefki Hysa të kuptojë se qenka dikushi dhe se koka e tij na vleka sa një thesar! Merret vesh se ish i persekutuari na i paska rregulluar kartërat me ata të Agjencisë Kombëtare të Privatizimit dhe e paska privatizuar tërësisht figurën e Bilal Xhaferrit. Ashtu me korrupsion dhe jo në ankand! Nuk la gur pa lëvizur 5 vjet radhaz, duke trokitur në të gjitha dyert e insitucioneve demokratike, gazetave, RTSH, Parlamentit dhe Presidencës. Bëri për vete jo vetëm parlamentarët, por edhe Kryetarin, Pjetër Arbnorin dhe Presidentin, duke u premtuar se, pasi të hipotekonte në emrin e vet gjithë pasuritë e figurës së Bilal Xhaferrit, do t’u jepte "pjesën" edhe atyre. Edhe Qeveria Meksi duhet të ketë gisht në këtë lloj "privatizimi", sepse ishte pikërisht kjo Qeveri që akordoi fondet për të kthyer eshtrat e Bilal Xhaferrit prej SHBA dhe jo pak po 10 mijë dollarë, duke i krijuar kështu rrethana lehtësuese synimeve të Shefki Hysës. Pra, duhet të hapin llogari edhe Pjetër Arbnori, edhe Meksi dhe në veçanti Presidenti Berisha, që nuk dekretuan daljen në ankand të figurës së Bilal Xhaferrit që të favorizoheshin edhe "blerës" të tjerë të kësaj pasurie të paçmuar kombëtare, jo vetëm një farë ish i persekutuari Shefki Hysa. I persekutuar dhe me Universitet! Madje, ky farë Shefkiu nuk çau kryet as për tërë ato pasuri që i ka lënë trashëgim gjyshi në fshatin Shalës të Konispolit: troje me ullinj, kullota e dhjetëra e dhjetëra hektarë tokë bujqësore. Mjaft që të fitonte pasurinë – "Bilal Xhaferri"! E ç’janë pasuritë e trashëguara prej gjyshit përpara pasurisë që do t’i sjellë së shpejti prej Amerikës shpirti krijues i Bilal Xhaferrit? E përfitoi atë pasuri fare lirë me ndërhyrjet dhe favoret e demokratikes dhe do t’ua "shesë" të tjerëve për miliona e miliona! Edhe për këto do të vijë dita që të japë llogari vetë Berisha. I dhanë pothuajse falas tërë atë "pasuri" Shefki Hysës! Në një kohë që po ta kishin nxjerrë në ankand, mund ta privatizonin edhe komunistët. Më kot i ruajnë skutave paret e tyre ata?! Do të kishte përfituar edhe buxheti i shtetit më shumë prej ankandit, por, me sa duket, shteti demokratik paska alergji edhe për paret e socialistëve. Një shenjë tjetër kjo e shkeljeve të lirive dhe të drejtave të njeriut prej këtij shteti. O burra, të njoftojmë organizmat e Këshillit të Europës, NATO-s dhe OKB-së. Mbase e detyrojnë bota Shefki Hysën që të heqë dorë prej figurës së Bilal Xhaferrit. Në të kundërt e di vetë se ç’e pret. E thotë dhe anonimshkruesi…

I kërcënuar dje Shefki Hysa prej jush, i kërcënuar edhe sot. Kaq shumë na e dashkeni tashmë "pasurinë – Bilal Xhaferri", saqë, për hir të saj, jeni gati të rivendosni dhëmbët e vampirësve për të kafshuar jetë njerëzish?

Përse vallë u kujtuat për Bilal Xhaferrin vetëm në vitin 1996, pesë vjet më vonë prej ditëve kur Shefki Hysa dhe intelektualë të tjerë filluan veprimtaritë botuese kulturore, me Shtëpinë Botuese "Bilal Xhaferri", për ta lartësuar figurën e këtij shkrimtari të shquar desident prej humnerave ku e kishit flakur ju, vegla qorre të ish diktaturës? Përse heshtët gjatë kësaj periudhe dhe u rishfaqët si hije sot?! Mos vallë shpresoni në rikthimin e kohëve tuaja të ferrit tuaj komunist?! Vazhdoni, vazhdoni të "ëndërroni"! Por ju nuk jeni veçse vampirë të errësirës…

Sheffki Hysa

MIQ MOS E HARRONI ÇAMËRINË!

Fjalën time sot nuk po jua drejtoj juve nëna, baballarë, vëllezër, nipër e motra çame. Ju jeni kudo brenda meje. Ne jemi pjellë e njëri tjetrit. Ndaj, nuk e shoh të udhës t’i drejtohem vetes sime.
Dua t’ju drejtohem juve, miqve e dashamirëve të Çamërisë.

Padrejtësitë janë të shumta dhe të ndryshme, ato mund t’i bëhen një populli, një krahine dhe një individi. Padrejtësitë që i bëhen individit mund të mbeten të pandreqshme dhe mund të shuhen bashkë me individin. Jeta është e shkurtër!… Po kurrë padrejtësitë, që i bëhen një populli nuk mund të mbeten të harruara. Se brezi ia lë brezit… Populli nuk harron…

A mund të mbetet e harruar çështja çame? Interesat e politikës greke e duan të tillë. Ndofta dhe një pjesë e politikanëve shqiptarë nuk duan të merren me këtë problem. Ata i kalojnë tanget këtij problemi. Ne, çamrit, nuk pajtohemi me këtë qëndrim. Mjaft kemi heshtur, mjaft kemi duruar dhëmbjen në gjoks, mjaft me kujdesin e tepruar, me kujdesin se mos prekim qeveritë, qeveritë që tërë jetën na kanë tradhtuar, qeveritë që tërë jetën na kanë harruar. Nuk jemi kundra maturisë, nuk jemi kundër kujdesit. Por sot, çamrit, kujdesi i tepruar i plogështon…

Jemi një popull muhaxhir i shpërngulur me dhunë. Jemi rasti më tipik në botë. Afro njëzet përqind e popullsisë e masakruar, e gjithë pasuria e grabitur. A ka rast më tipik se ky? Në këtë klimë vëllazërimi të popujve a nuk duhet që ju, o miq, të merreni me këtë çështje?

Presim ne, çamrit, pranë radiove, televizorëve se mos dëgjojmë ndonjë fjalë për Çamërinë tonë të dashur. Një fjalë e mirë e juaja na ringjall, na jep forca.

Ja, këto ditë, fjalë shpresëdhënse kemi dëgjuar, fjalë që janë bërë balsam për zemrat e plagosura të çamëve. Këto vijnë nga vendi më demokratik në botë, Amerika, por ka dhe thënie dhe kundërthënie të tjera, që i thellojnë më shumë plagët tona. Kështu do të mbetemi me plagë?!
Po ju drejtohem juve, o miqtë tanë, tregoni urtësinë tuaj, pjekurinë tuaj, humbni ca kohë që të njiheni me të vërtetën çame. Ajo flet vetë, ne kërkojmë ta vështroni këtë. Të mbroni të drejtat elementare të njeriut.

Si thoni? A ka të drejtë qeveria greke të na mohojë pronat? A ka të drejtë të na mohojë atdhesinë?

A kishte të drejtë qeveria e Enver Hoxhës, në vitin 1953, që, pa na pyetur, na ndërroi nënshtetësinë? Pse u bë ky veprim, nga ç’motive? Ç’prapaskena janë luajtur në ato vite në dëm të popullit çam? Këto pyetje duan përgjigje.

Sot qeveria greke pretendon se problemi çam është harruar dhe nuk ekziston duke nxjerrë arsyetime absurde qesharake: Gjoja se çamrit paskan qenë bashkëpuntorë të fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe si të tillë janë dënuar me humbjen e së drejtës për t’u kthyer në atdhe, janë dënuar me humbjen e pasurisë. "Bukur!" Diplomacia greke!

Të mendojmë për një çast se dy a tre çamër kanë bashkëpunuar me fashizmin. A nuk ka pasur edhe nga grekërit bashkëpuntorë me fashizmin?! Po pastaj? Duhet të dënohen bijtë e tyre, do dënuar një popull i tërë?! Bravo demokracia greke!

Ne kërkojmë të vihen në vend të drejtat tona. Të na kthehet nënshtetësia, të jetojmë pranë vëllezërve tanë grekë. Ta dini mirë, miqtë i kemi me mijëra, ndërsa armiqtë me numra.

Bëni një udhëtim në veriperëndim të Greqisë. Do dëgjoni se ende flitet një çamshe e kulluar. Do ju tregojnë histori të dhëmshme themelet dhe muret e rrëzuara të shtëpive tona, do ju flasin varret e gjyshërve e stërgjyshërve tanë, varret e tyre kërkojnë varret tona.

Janë ende gjallë ca pak baballarë tanë, që po kërkojnë të flasin me ju. Jemi gjallë ne, bijtë e tyre, që e njohim mirë shtrirjen e Çamërisë. S’kemi nevojë për harta, s’kemi nevojë për tapira, i dimë saktë sinoret tona. Po ne kërkojmë mbështetjen tuaj humane, o miq, kërkojmë urtësinë tuaj, kërkojmë t’i hidhni një vështrim problemit çam dhe do shikoni se është mbushur plot e përplot me të vërteta.

Namik Mane