Wednesday, March 25, 2009

Mirënjohës për punën e palodhur

(Mbresa nga Bedri Myftari,
ish-kryetar i Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”

Intelektuali dhe shkrimtari i mirënjohur Shefki Hysa që në fillesat e demokracisë, për t’i ardhur në ndihmë dhe për të nxjerrë në pah vlerat kulturore të një krahine të harruar siç është Çamëria, me inisiativën e tij, themeloi shtëpinë botuese me emrin e simbolit të letërsisë çame e mbarëkombëtare, Bilal Xhaferrit. Kjo shtëpi botuese përveç që promovoi vlerat kulturore e artistike të Çamërisë, u erdhi në ndihmë dhe botoi të gjitha krijimet e shkrimtarëve disidentë të anatemuar nga diktarura komuniste, si veprat e Mandelës së Shqipërisë, Pjetër Arbnorit, dorëshkrimet e Bilal Xhaferrit, Namik Manes e plot shkrimtarëve të tjerë të persekutuar.

Përveç kësaj, në Shtëpinë Botuese “Bilal Xhaferri” janë botuar edhe shumë vepra të letërsisë botërore që ishin të ndaluara në kohën e diktaturës. Kjo shtëpi botuese mori një hov dhe u bë e njohur edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në të gjithë trevat shqiptare të diasporës, deri në Amerikë. Për këtë të gjithë krijuesit dhe artistët i janë mirënjohës dhe borxhli shkrimtarit dhe intelektualit të palodhur Shefki Hysa. Përveç këtyre, Shefki Hysa krijoi dhe Shoqatën Kulturore “Bilal Xhaferri”, bashkë me një grup shkrimtarësh, artistësh e gazetarësh çamë, si dhe me shumë miq të poetit Bilal Xhaferri.

Shefki Hysa ka një meritë të veçantë që e lartësoi figurën Bilal Xhaferrit. Dhe këtë meritë duhet t’ia njohim së pari të gjithë ne miqtë e Bilalit, duhet t’i jemi mirënjohës në jetë të jetëve, jo vetëm për punën e tij të palodhur në çështjen e promovimit të kulturës çame, por sepse bëri atë që asnjë nga ne s’mundi ta bëjë. Ai bëri të pamundurën, duke hyrë në instancat më të larta të shtetit shqiptar, dhe solli eshtrat e Bilal Xhaferrit tonë të madh, të cilat prehen buzë detit Jon, në trevat e Çamërisë Martire që i deshi aq shumë i ndjeri Bilal.

Puna e Shefki Hysës nuk mbaron me kaq, ai mori revistën “Krahu i shqiponjës” që Bilali e themeloi dhe e ngriti në Çikago të Amerikës, ku botoi 39 numra, dhe e bëri prapë të fluturojë si shqiponjë në Tiranë. Dhe tani “Krahu i shqiponjës ka arritur mbi 80 numra. Kjo revistë do të rrojë sa të rrojnë malet tona arbërore.

Bedri Myftari
Shkrimtar, publicist

Mars, 2009
Misioni “Bilal Xhaferri”

(Mbresa nga Pjetër Arbnori,
Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë)

Të nderuar miq të të ndjerit Bilal Xhaferri! Po shprehem jo si Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, por si miku juaj, si bashkëkohës e bashkëvuajtës i njerëzve të mëdhenj si Bilal Xhaferri, poeti, prozatori dhe publicisti i shquar disident, siç e cilëson zotëri Shefki Hysa, aq i përkushtuar në misionin që i ka vënë vetes për lartësimin e kësaj figure brilante që diktatura komuniste u mundua ta zhbënte a ta flakte në koshin e harresës, siç ka bërë edhe me shumë patriotë të tjerë, siç bëri edhe me Pjetër Arbnorin. Po shprehem si anëtar nderi i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe si kryetar i Komisionit për Organizimin e Ceremonialit të kthimit në Shqipëri të eshtrave të të ndjerit Bilal. Ma ngarkuat ju këtë detyrë dhe them se e kam kry mirë.

Nga përvoja ime ju them se nuk është aq e lehtë të merresh me të tilla figura komplekse si e Bilal Xhaferrit. Është një mision nga më të vështirët që mund të ndërmarrë një njeri me mend. Zotëri Shefki Hysa e pati kurajën t’ia ngarkonte vetes këtë mision dhe arriti të zgjonte kujtesën e shqiptarëve për talentin e jashtëzakonshëm Bilal Xhaferri, arriti ta sillte sërish në atdhe dhe ai prehet i qetë në vendlindje, në Sarandë.

Mendoj se me këtë akt human, zotëri Shefki Hysa, Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” dhe Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” e kanë përmbushur misionin e tyre për çështjen çame, i kanë shërbyer si rrallëkush Çamërisë, sigurisht me ndihmën tonë dhe tuajën. Sidoqoftë, për mendimin tim, misioni “Bilal Xhaferri” mund të quhet i përmbushur në thelbin e vet, pavarësisht nga plotësimet dhe zbukurimet që do t’i sjellë koha dhe të tjerë patriotë që do të pasojnë zotëri Shefki Hysën…

Pjetër Arbnori
Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë

Maj, 1995
Do të kthehen përsëri si dallëndyshet
(Mbresa nga Hamit Toçi,

major, oficer policie)

Kur lexoj librat e shkruara nga shkrimtari Sheki Hysa, e ndiej menjëherë se ato bartin aromën e Çamërisë, sjellin para syve të mi fisnikërinë kahershme shqiptare, shpalosin në mendjet e shumë e shumë lexuesve qëndresën dhe mbijetesën e njeriut shqiptar përballë dyndjeve barbare që e kanë kërcënuar nëpër shekuj. Në krahët e asaj bote heronjsh që pasqyrojnë, ngrihet e jehon madhërishëm edhe balada çame, shfaqet autori i saj, poeti i ndritur Bilal Xhaferri që vështron i pikëlluar vendlindjen e tij, Çamërinë martire, me trojet e braktisura nga dhuna e shovinizmit grek. Të dalin para syve, si zogj që cicërojnë nëpër ullinj, portokalla e limonë, të vdekurit e atyre viteve të vështira, kur çamët dëboheshin me dhunë, vriteshin e masakroheshin prej xhelatëve shovinistë.

Në këto shkrime të duket se flasin e dëshmojnë edhe drurët e djegur dhe dheu i përgjakur, rrugicat me kalldrëme të mbuluara nga balta e krijuar prej hirit e gjakut njerëzor të pafajshëm të derdhur nga duar kriminale. Shkronjat shqipe vetëtijnë e gjëmojnë në faqet e librave të shkrimtarit Shefki Hysa, që është njëkohësisht edhe botues i revistës “Krahu i shqiponjës” dhe drejtues i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri”. Shkrimet e tij, plot mall e dhimbje, pasqyrojnë me thjeshtësi dhe sinqeritet problemet e një populli që ende nuk e ka gjetur të vërtetën për trojet e vendlindjes, për fëmijërinë e hershme, prejardhjen, për punën dhe luftën e tij me barbarët e vandalët që nuk i janë ndarë nëpër shekuj.Kjo është një e vërtetë e dhimbshme që i mohohet përditë në sytë e botës së qytetëruar.

Në shkrimet e shkrimtarit Shefki Hysa flitet plot përkushtim për shokët dhe miqtë, për patriotët dhe burrat e shquar që ka nxjerrë Çamëria. Toka çame është e duhet të jetë fole për çamët, njëlloj si çerdhja që ngre dallëndyshja për zogjtë e vet dhe nuk e harron kurrë, pavarësisht nga shtegtimet dimërore. Toka çame nuk ka pse të jetë e braktisur, sepse ka qenë dembabadem strehë prindërore e gjyshërve dhe e stërgjyshërve të çamëve të sotëm, që u përzunë në mënyrë barbare nga shtëpitë e tyre. Duket si ëndërr ideali çam sot, por nuk do të zgjasë kaq shumë e gjithçka do të bëhet përsëri realitet. Bota çame do të lulëzojë rishtas si dikur.

Revista “Krahu i shqiponjës”, me botimet e saj, flet haptazi për mohimin e të drejtave të çamëve, por tregon edhe sesi problemi i tyre po mbështetet fuqishëm nga politikat e diplomacitë perëndimore, si nga Amerika, Anglia, Franca, Gjermania, Italia,Turqia etj. Deomos që e drejta e tyre do dalë dikur. Për këtë kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë edhe organizmat çame si Shoqata Politike Atdhetare “Çamëria”, Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri”, Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” etj., të cilat me punën e tyre u janë imponuar gjithë atdhetarëve kudo që ndodhen. Dhe me të drejtë mund të them se po vjen dita kur çdo shqiptar do të thërrasë:“Rroftë Çamëria”!

I frymëzuar nga krijimtaria e shkrimtarit Shefki Hysa dhe puna e tij drejtuese në krye të organizatave çame, më lind e drejta të them se kjo padrejtësi e padurueshme dhe e rëndë në kurriz të Çamërisë, do të gjejë zgjidhjen e saj me mbështetjen e Evropës dhe Amerikës.

Spekulimet e ndryshme politike të segmenteve të caktuara shoviniste që kërkojnë ta mohojnë çështjen çame, po marrin fund.

Hamit Toçi
Major
Oficer policie


Mars, 2009