Wednesday, May 27, 2009

Zgjidhja e çështjes çame -
europianizim i politikës në rajon

Intervistë me deputetin Petro Koçi,
zëvendëskryetar i Grupit Kuvendor të PS

- Zoti Petro Koçi, ju si zëvendëskryetar i Grupit Kuvendor të PS dhe një nga ish ministrat e shtetit shqiptar, si dhe sa e njihni çështjen çame?

- Natyrisht që e njoh nga pozita e një qytetari të informuar, jo vetëm për shkak të pozitave të mia si ish ministër, por edhe prej njohurive që të jep leximi i materialeve të rëndësishme që flasin për çështjen çame dhe lidhjeve të shumta me qytetarë çamë që jetojnë në qytetin e Fierit e në qytete të tjera të Shqipërisë. Mund të them se me çamët kam edhe lidhje familjare dhe ndiej një kënaqësi të veçantë që kam mundësi të prononcohem publikisht për çështjen çame nëpërmjet revistës suaj.
Në përkufizimin tim kemi të bëjmë me një popullsi shqiptare që ka banuar në trojet e veta etnike dhe që është shpërngulur nga këto troje nëpërmjet një procesi spastrimi etnik në kohën kur ka patur nënshtetësi greke, pra kemi të bëjmë me qytetarë shqiptarë që janë ish shtetas grekë dhe besoj se edhe bazat e zgjidhjes së këtij problemi duhet të nisen nga këto statuse.
Dënimi kolektiv i një popullsie të tërë nuk besoj se është bërë gabimisht, por nga një strategji e paracaktuar. Duke shfrytëzuar gabimet e individëve të veçantë u justifikua dënimi masiv me preteksin se gjoja çamët ishin bashkëpunëtorë të fashizmit. Bashkëpuntorë të fashizmit ka patur çdo lloj popullsie në Europë dhe çdo komb i Europës, kështuqë vendosja në vend e të drejtave të popullsisë çamëve duhet parë nga këto këndvështrime: Nga identifikimi i një spastrimi etnik dhe nga identifikimi i të drejtave të ish shtetasve grekë.

- Duke marrë shkas nga tubimi paqësor i çamëve në Qafë të Botës, në Konispol, në prag të vatanit të tyre, Çamërisë, zëdhënësi i Qeverisë Greke, në vazhdën e politikës mohuese, deklaroi rishtas para mediave se nuk e njohin problemin çam. Si e komentoni ju këtë prononcim të nxituar të shtetit fqinj?

- Tubimet paqësore janë të drejta që u takojnë të gjithë banorëve të rajonit, siç ndodh edhe në Greqi ku shtetasit grekë tubohen për arsye të ndryshme, e rëndësishme është që dimensioni dhe veprimi të mbeten paqësorë. Ne duhet të kuptojmë se në rajonin tonë ka reminishenca të politikave të vjetra ballkanike dhe shpesh është e vështirë të kapërcehen këto reminishenca dhe të adoptohen politika moderne e të mirëfillta Europiane. Unë besoj se zgjidhja e problemit çam do të tregojë se politikat në rajonin tonë janë modernizuar e demokratizuar.
Politikanët grekë duhet të kuptojnë se kohët kanë ndryshuar. Aktualisht janë me mijëra emigrantë në Greqi, jo vetëm nga Shipëria, por edhe nga shumë vende të ndryshme të botës dhe për shkak të detyrimeve që përcaktohen në konventat europiane dhe qytetërimit modern atyre u garantohen të drejtat thelbësore. Përderisa qeveritë moderne greke po u garantojnë të drejta thelbësore emigrantëve dhe nga ana tjetër mohojnë të drejtat e ish shtetasve grekë, çamëve, të tillë deri pas Luftës së Dytë Botërore, mendoj se fy fakt flet vetë dhe nuk ka nevojë për koment. Natyrisht që zgjidhja nuk mund të vijë nga qëndrime që mbajnë politikanë të ndryshëm, qëndrime dhe veprime të tipit konfliktual, por duke këmbëngulur në mënyrë demokratike dhe duke vënë në lëvizje instrumenta të drejtësisë europiane. Nuk mund të thuash në kohën e sotme se një çështje si çështja çame nuk ekziston. Çështja ekziston dhe duhet patur kurajo për të kërkuar zgjidhje nga të dyja palët.

- Ç’qëndrim duhet të mbajë politika shqiptare ndaj të tilla deklaratave të pamatura, mohuese e abuzive të politikës greke? Po qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse të shtetit shqiptar?

- Përderisa çamët jetojnë në territorin e Shqipërisë politika, qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse të shtetit shqiptar kanë detyrim ndaj tyre. Natyrisht që përpjekjet e qeverisë, apo të qeverive nuk mund të jenë të tilla sa të cënojë frymën e përgjithshme të bashkpunimit me Greqinë. Duhet kuptuar se Greqia është një faktor i rëndësishëm dhe një nga aleatët kryesorë të objektivave strategjike që ka vendi ynë, siç është intergrimi në BE, apo integrimi në NATO. Greqia është një faktor i rëndësishëm përsa i përket paqes dhe stabilitetit në rajon, Greqia është një partner i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe një faktor i patjetërsushëm mbi fatin e mijëra emigrantëve shqiptarë atje. Prandaj të gjitha përpjekjet e diplomacisë duhet të jenë të kujdesshme, por pa harruar detyrimet që kanë përballë komunitetit çam. Gjithashtu unë mendoj se çështja çame duhet kuptuar mirë edhe në planin historik pasi Shqipëria është një vend që ka dalë fituese nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërkohë Çamëria dhe popullsia e saj ka qënë një faktor që ka ndihmuar dhe ka paguar me sakrifica fitoren ndaj fashizmit, kështu që është e arsyeshme që qeveria greke të kuptojë se Shqipëria e ka për detyrë që të kërkojë zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Një plan i rëndësishëm për zgjidhjen e kësaj çështje është vënia në lëvizje e drejtësisë europiane. Duke mos harruar faktin se pas disa vitesh shtetasit shqiptarë do të jenë të babrabartë me shtetasit grekë brenda një komuniteti të madh që është komuniteti i BE.

- Para dy vjetësh ish mazhoranca e majtë e rrëzoi në një nga seancat e Kuvendit projektrezolutën për çështjen çame. A mendoni se duhet miratuar një rezolute e re për t’i treguar Greqisë dhe opinionit ndërkombëtar se institucionet zyrtare shqiptare e mbështesin çështjen çame zyrtarisht, me një dokument konkret që sot për fat të keq nuk ekziston?

- Unë mendoj që ka një kohezion në kahe të politikës shqiptare përsa i përket vlerësimit të thelbit të problemit çam. Ndofta në hapat e taktikës së prezantimit me qeverinë greke mund të ketë patur diferenca, apo veprime që janë kondicionuar nga rrethanat e zhvillimit të bashkëpunimit apo të zhvillimeve në rajon. Ndodh shpesh që rrethanat nuk të lejojnë ngritjen e çështjeve të tilla, të cilat paraprakisht mendohet se do të sjellin një lloj konflikti dhe jo gjithmonë zhvillimet ta japin luksin e ofrimit të ballafaqimeve të tilla.
Unë nuk besoj tek efekti i rezolutave. Rezolutat shpesh shërbejnë si instrument propagande dhe nuk besoj që çamët do të kënaqeshin me propagandë, u ka mjaftuar propaganda e partive politike nëpër fushatat elektorale e gjithë këtyre viteve demokraci. Vetë Parlamenti, në praktikën e asaj që quhet diplomaci parlamentare, mund të bëjë më shumë.
Dua të theksoj se kur kam qënë kryetar i PS-së në Fier kam marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë që organizonte shoqata Politike Atdhetare “Çamëria”, dega Fier, dhe kam gjetur atje një bollshmëri të jashtëzakonshme intelektualësh. Më vjen mirë që kohët e fundit shikoj njëfarë departizimi të funksionimit të shoqatës dhe kjo do të ishte vërtet gjëja më e mirë që mund të bëhet në favor të çështjes, sepse fillimi ka qënë pak i partizuar.

- Si e komenton politikani Petro Koçi angazhimin e tanishëm të strukturave të BE nëpërmjet zonjës Doris Pack në mbështetje të të drejtave të popullsisë çame?

- Kjo që ka ndodhur së fundi në parlamentin Europian na ka dhënë shansin për të kuptuar një dimension tjetër të çështjes. Nëqoftëse ne deri tani jemi përpjekur ta shohim çështjen politikisht apo juridikisht, doli një dimension tjetër, dimensioni human. E drejta njerëzore që çamët të shkojnë tek varret e paraardhësve të tyre është një e drejtë universale. Mendoj se ky është një apel që i bëhet politikës në rajon, politikës së dy vendeve tona që ta konsiderojnë këtë çështje edhe në këtë kontekst. Sigurisht që është një zhvillim pozitiv ajo që ndodhi në Parlamentin Europian dhe një tjetër fakt që konfirmon se çështja çame ekziston.

- Sa besoni në një zgjidhje reale dhe sipas jush kush janë rrugët që do të çonin në zgjidhjen e kësaj çështjeje?

- Unë besoj tek europianizimi i rajonit dhe kam bindjen se reminishencat e politikave të vjetra të Ballkanit do të zhdukjen.
Ritheksoj që një zgjidhje e drejtë e çështjes çame do të thotë europianizim dhe modernizim i politikës në rajon.

Krahu i shqiponjës

Nëntor, 2006
Turpi tjetër i shtetit shqiptar

Më 27 prill të vitit 2009 kryeministri grek, Karamanlis, vizitoi Shqipërinë me ftesë të kryeministrit tonë, të nderuarit Sali Berisha. Vetëkuptohet që tanimë jo vetëm komuniteti çam, por tërë shqiptarët u treguan të interesuar se çfarë do të diskutohej për çështjen çame. Madje një ditë më parë komuniteti çam organizoi edhe një tubim paqësor për mirëseardhjen e kryeministrit Karamanlis si dhe për t’i kujtuar atij, si mik i Shqipërisë, kryeministrit tonë të nderuar Sali Berisha, opinionit grek e opinionit shqiptar se ishte një çast i përshtatshëm që të mbahej një qëndrim dinjitoz edhe për çështen çame. Në tubim, krahas çamëve. morën pjesë edhe shumë shqiptarë vendas, veprim i kuptueshëm ky tashmë kur problemi çam konsiderohet prej kohësh si pjesë përbërëse e çështjes kombëtare shqiptare, pra, problem mbarëshqiptar. Pjesëmarrësit e tubimit, pasi i uruan mirëseardhjen kryeministrit grek, në fjalimet e tyre theksuan faktin se Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s dhe mëtues për kandidat i BE, është e interesuar për forcimin e mëtejshëm të miqësisë me Greqinë fqinje, gjithmonë nga pozitat e një vendi sovran të barabartë mes të barabartëve.

Mirëpo gjërat çuditërisht nuk shkuan ashtu siç pritej. Takimet mes palës greke e asaj shqiptare u organizuan kokë më kokë dhe u karakerizuan nga një konspiracion i plotë, sikur të ishte fjala për një vizitë private të kryeministrit grek në shtëpinë e kryeministrit tonë të nderuar dhe ky fakt la një shije të hidhur te opinioni shqiptar, veçanërisht te komuniteti çam që shpresonte shumë prej kësaj vizite. Kulmi arriti në fund të takimeve, në konferencën e përbashkët që improvizuan dy kryeministrat, kur u shmag në mënyrën më të paskrupullt çdo pyetje e gazetarëve për ecurinë e problemit çam. Kryeministri ynë i nderuar, si rrallë herë, tepër nervoz, me një sjellje servile, plot komplekse e frikë ndaj homologut grek (sjellje e përulur vartës-shef), e mbrojti me fanatizëm idenë se nuk duhej shqetësuar “miku” (më saktë padroni) me “arkaizma” si pyetjet gërricëse për problemin çam e për ujërat territoriale të detit Jon, për të cilat flitet se i janë dhuruar fshehtas Greqisë në këmbim të kushedi se çfarë interesash të personave grekofilë. Pra, me një fjalë, kryeministri ynë i nderuar, i bëri fërtele gazetarët që guxuan të pyesnin për çështen çame, për ujërat e detit Jon dhe për ato që u biseduan gjatë takimeve dypalëshe. Madje i akuzoi për antishqiptarizëm. Vini re: u akuzuan për antishqiptarizëm ata që u shqetësuan plot shqiptarizëm për transparencën e bisedimeve greko-shiqptare dhe për mbrojtjen e interesave të shqiptarizmit!

Nuk e di se çdo të thoshte dikush tjetër, por unë do të thosha: Bono per Albania! Kryeministrit tonë të nderuar i lejohet gjithçka! Madje mund t’ju dhurojë edhe ndonjë copë të Shqipërisë, pavarësisht se ky veprim është antikushtetues, mjafton të jeni një ndër eprorët e tij si Karamanlisi, ose të shtireni si miku i tij. Kryeministri ynë i nderuar di si duhet të sillet për interesat e Shqipërisë nën protektoratin e “miqësive” si, fjala vjen, e miqësisë Berisha-Karamanlis dhe lloje të tjera miqësish të kësaj natyre.
Po çështja çame?! - do pyesë dikush tjetër?

E cilit shteti shqiptar i ka interesuar kjo çështje, që mund të interesojë shtetit që drejton i nderuari kryeministri ynë Sali Berisha? Mos i interesoi vallë shtetit komunist të të nderuarit Enver Hoxha apo vallë shtetit neokomunist të të nderuarit Fatos Nano? I nderuari diktatori ynë Enver Hoxha për pesëdhjetë vjetë e hodhi pas shpine çështjen çame dhe nuk guxoi ta përmendte ndokush se e priste litari. Nën shembullin e tij vepruan edhe drejtuesit neokomunistë të periudhës postkomuniste shqiptare. Dhe çështja çame ishte dhe mbeti tabu për shtetin shqiptar, pavarësisht nga cicërimat e politikanëve të veçantë që i kënduan ndonjëherë solo dhe kurrë në kor këtij ideali.

Në fillim të viteve 2000 diplomacitë botërore, si ajo amerikane etj., të interesuara për ta përkrahur zgjidhjen e çështjes çame, siç zgjidhën edhe çështen kosovare, kërkuan qoftë edhe një dokument të vetëm që tregon se shteti shqiptar mbështet zgjidhjen e kësaj çështjeje. Gërmuam gjithandej nëpër arkiva (gërmo Tare, gërmo, se qenin e ngordhur do të gjesh), po na thanë të mos lodheshim se nuk ekziston një dokument i tillë. Atëherë negociuam me një grup deputetësh nismëtarë dhe pastaj me krerët e grupeve kuvendore dhe me krerët e partive kryesore politike dhe na premtuan se Kuvendi i Shqipërisë do të miratonte një rezolutë për problemin çam. U gëzuam shumë, por mkë kot. Në mars të vitit 2004 Kuvendi i Shqipërisë,me mazhorancë socialiste, e rrëzoi rezolutën në vend që ta miratonte dhe ne, çamëve, na mbeti në derë një dokument i shtetëror shqiptar që nuk e njihte çështjen çame, dokument i barasvlershëm me gjithë dokumentet e shtetit grek që e mohojnë brez pas brezi këtë problem. Pra, shteti ynë i nderuar, vasal i politikave greko-serbofile, ua shpërbleu me mosmirënjohjen e tij atdhetarizmin shqiptarëve çamë. Jo vetëm i mohoi, por edhe i gjakosi me forcat speciale, njëlloj si dikur shovinistët grekë, kur çamët guxuan e protestuan. Ky është i nderuari shteti ynë në jetë të jetëve… Patjetër që edhe shteti i drejtuar nga kryeministri i nderuar Sali Berisha, nuk mund të veprojë ndryshe… Le të veprojë po të dojë… Gati janë eprorët greko-serbofilë ta rrëzojnë këtë shtet e të instalojnë menjëherë atë të të nderuarit Edi Rama… Dhe çështja çame vetëkuptohet që do të presë të zgjidhet… në kalendat greke, ose e thënë troç në shqip: më 36 gusht…

Në këto kushte, ne, atdhetarëve shqiptarë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mallkojmë: “Turp për shtetin e nderuar shqiptar”… Ndërkohë le të shpresojmë te zgjidhja që do të na ofrojë politika amerikane dhe miqtë e saj, e cila premton ta zgjidhë dikur çështjen çame, siç pavarësoi edhe Kovovën. Le të punojmë përkrah tyre duke shpresuar…

Shefki Hysa

Prill, 2009