Wednesday, May 27, 2009

Turpi tjetër i shtetit shqiptar

Më 27 prill të vitit 2009 kryeministri grek, Karamanlis, vizitoi Shqipërinë me ftesë të kryeministrit tonë, të nderuarit Sali Berisha. Vetëkuptohet që tanimë jo vetëm komuniteti çam, por tërë shqiptarët u treguan të interesuar se çfarë do të diskutohej për çështjen çame. Madje një ditë më parë komuniteti çam organizoi edhe një tubim paqësor për mirëseardhjen e kryeministrit Karamanlis si dhe për t’i kujtuar atij, si mik i Shqipërisë, kryeministrit tonë të nderuar Sali Berisha, opinionit grek e opinionit shqiptar se ishte një çast i përshtatshëm që të mbahej një qëndrim dinjitoz edhe për çështen çame. Në tubim, krahas çamëve. morën pjesë edhe shumë shqiptarë vendas, veprim i kuptueshëm ky tashmë kur problemi çam konsiderohet prej kohësh si pjesë përbërëse e çështjes kombëtare shqiptare, pra, problem mbarëshqiptar. Pjesëmarrësit e tubimit, pasi i uruan mirëseardhjen kryeministrit grek, në fjalimet e tyre theksuan faktin se Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s dhe mëtues për kandidat i BE, është e interesuar për forcimin e mëtejshëm të miqësisë me Greqinë fqinje, gjithmonë nga pozitat e një vendi sovran të barabartë mes të barabartëve.

Mirëpo gjërat çuditërisht nuk shkuan ashtu siç pritej. Takimet mes palës greke e asaj shqiptare u organizuan kokë më kokë dhe u karakerizuan nga një konspiracion i plotë, sikur të ishte fjala për një vizitë private të kryeministrit grek në shtëpinë e kryeministrit tonë të nderuar dhe ky fakt la një shije të hidhur te opinioni shqiptar, veçanërisht te komuniteti çam që shpresonte shumë prej kësaj vizite. Kulmi arriti në fund të takimeve, në konferencën e përbashkët që improvizuan dy kryeministrat, kur u shmag në mënyrën më të paskrupullt çdo pyetje e gazetarëve për ecurinë e problemit çam. Kryeministri ynë i nderuar, si rrallë herë, tepër nervoz, me një sjellje servile, plot komplekse e frikë ndaj homologut grek (sjellje e përulur vartës-shef), e mbrojti me fanatizëm idenë se nuk duhej shqetësuar “miku” (më saktë padroni) me “arkaizma” si pyetjet gërricëse për problemin çam e për ujërat territoriale të detit Jon, për të cilat flitet se i janë dhuruar fshehtas Greqisë në këmbim të kushedi se çfarë interesash të personave grekofilë. Pra, me një fjalë, kryeministri ynë i nderuar, i bëri fërtele gazetarët që guxuan të pyesnin për çështen çame, për ujërat e detit Jon dhe për ato që u biseduan gjatë takimeve dypalëshe. Madje i akuzoi për antishqiptarizëm. Vini re: u akuzuan për antishqiptarizëm ata që u shqetësuan plot shqiptarizëm për transparencën e bisedimeve greko-shiqptare dhe për mbrojtjen e interesave të shqiptarizmit!

Nuk e di se çdo të thoshte dikush tjetër, por unë do të thosha: Bono per Albania! Kryeministrit tonë të nderuar i lejohet gjithçka! Madje mund t’ju dhurojë edhe ndonjë copë të Shqipërisë, pavarësisht se ky veprim është antikushtetues, mjafton të jeni një ndër eprorët e tij si Karamanlisi, ose të shtireni si miku i tij. Kryeministri ynë i nderuar di si duhet të sillet për interesat e Shqipërisë nën protektoratin e “miqësive” si, fjala vjen, e miqësisë Berisha-Karamanlis dhe lloje të tjera miqësish të kësaj natyre.
Po çështja çame?! - do pyesë dikush tjetër?

E cilit shteti shqiptar i ka interesuar kjo çështje, që mund të interesojë shtetit që drejton i nderuari kryeministri ynë Sali Berisha? Mos i interesoi vallë shtetit komunist të të nderuarit Enver Hoxha apo vallë shtetit neokomunist të të nderuarit Fatos Nano? I nderuari diktatori ynë Enver Hoxha për pesëdhjetë vjetë e hodhi pas shpine çështjen çame dhe nuk guxoi ta përmendte ndokush se e priste litari. Nën shembullin e tij vepruan edhe drejtuesit neokomunistë të periudhës postkomuniste shqiptare. Dhe çështja çame ishte dhe mbeti tabu për shtetin shqiptar, pavarësisht nga cicërimat e politikanëve të veçantë që i kënduan ndonjëherë solo dhe kurrë në kor këtij ideali.

Në fillim të viteve 2000 diplomacitë botërore, si ajo amerikane etj., të interesuara për ta përkrahur zgjidhjen e çështjes çame, siç zgjidhën edhe çështen kosovare, kërkuan qoftë edhe një dokument të vetëm që tregon se shteti shqiptar mbështet zgjidhjen e kësaj çështjeje. Gërmuam gjithandej nëpër arkiva (gërmo Tare, gërmo, se qenin e ngordhur do të gjesh), po na thanë të mos lodheshim se nuk ekziston një dokument i tillë. Atëherë negociuam me një grup deputetësh nismëtarë dhe pastaj me krerët e grupeve kuvendore dhe me krerët e partive kryesore politike dhe na premtuan se Kuvendi i Shqipërisë do të miratonte një rezolutë për problemin çam. U gëzuam shumë, por mkë kot. Në mars të vitit 2004 Kuvendi i Shqipërisë,me mazhorancë socialiste, e rrëzoi rezolutën në vend që ta miratonte dhe ne, çamëve, na mbeti në derë një dokument i shtetëror shqiptar që nuk e njihte çështjen çame, dokument i barasvlershëm me gjithë dokumentet e shtetit grek që e mohojnë brez pas brezi këtë problem. Pra, shteti ynë i nderuar, vasal i politikave greko-serbofile, ua shpërbleu me mosmirënjohjen e tij atdhetarizmin shqiptarëve çamë. Jo vetëm i mohoi, por edhe i gjakosi me forcat speciale, njëlloj si dikur shovinistët grekë, kur çamët guxuan e protestuan. Ky është i nderuari shteti ynë në jetë të jetëve… Patjetër që edhe shteti i drejtuar nga kryeministri i nderuar Sali Berisha, nuk mund të veprojë ndryshe… Le të veprojë po të dojë… Gati janë eprorët greko-serbofilë ta rrëzojnë këtë shtet e të instalojnë menjëherë atë të të nderuarit Edi Rama… Dhe çështja çame vetëkuptohet që do të presë të zgjidhet… në kalendat greke, ose e thënë troç në shqip: më 36 gusht…

Në këto kushte, ne, atdhetarëve shqiptarë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mallkojmë: “Turp për shtetin e nderuar shqiptar”… Ndërkohë le të shpresojmë te zgjidhja që do të na ofrojë politika amerikane dhe miqtë e saj, e cila premton ta zgjidhë dikur çështjen çame, siç pavarësoi edhe Kovovën. Le të punojmë përkrah tyre duke shpresuar…

Shefki Hysa

Prill, 2009

No comments: