Tuesday, May 12, 2009

Heshtje çnderuese e shtetit

Rastësisht ndoqa një emision televiziv ku shfaqej politikani Ilir Meta përballë tre gazetarëve. Mbaj mend se ishte fundi i muajit prill 2009. Fushata e partive politike që garonin për parlamentin e ardhshëm ishte ashpërsuar tej mase, sidomos midis dy forcave kryesore pozitë-opozitë, PD e PS. Ilir Meta, kryetar i LSI, u përgjigjej pyetjeve rreth situatës parazgjedhore në Shqipëri dhe koalicioneve të mundshme partiake që do të konkuronin në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.

Midis të tjerash gazetarët e pyetën Metën edhe për vizitën e kryeministrit grek Karamanlis në vendin tonë dhe takimet e tij me kryeministrin Berisha. Ata u ndalën veçanërisht rreth heshtjes enigmatike që karakrerizoi takimet e dy kryeministrave për problemin çam.

Tashmë dihet nga të gjithë se kryeministi ynë i nderuat, Berisha, bëri të pamundurën për ta shmangur nga axhenda e bisedimeve këtë problem si të mos kishte ekzistuar kurrë. Madje edhe në konferencën e përbashkët për shtyp ai i injoroi brutalisht gazetarët që morën guximin të pyesnin për fatin e çështjes çame. Ky fakt i lakuar gjatë nga shtypi ynë kishte shqetësuar jo vetëm komunitetit çam, por tërë shqiptarët atdhetarë, veçanërisht qarqet intelektuale që dëshironin me gjithë shpirt triumfin e çështes sonë kombëtare të nëpërkëmbur herë pas here nga interesat e të mëdhenjve të kësaj bote. Përse ky qëndrim kaq enigmatik i Berishës, pas tratativave të fshehta të qeverisë së tij për t’u falur grekëve ujërat territoriale të detit Jon?

Ilir Meta gjatë shpjegimeve që jepte kuptohej menjëherë se ishte politikan i përgatitur që të zgjonte respekt dhe të nxiste ta dëgjoje me interes.
Përqëndrova tërë vëmendjen për të dëgjuar gjer në detajet më të vogla opinionin e këtij politikani për qëndrimin e pakuptimtë të Berishës si dhe pikëpamjet e tij për çëshjen çame.

Meta u shpreh se ishte normale që një kryeministër i një vendi të madh fqinjë si Greqia të vizitonte Shqipërinë. Greqia ishte anëtare e NATO-s, ku tashmë bënte pjesë edhe Shqipëria me të drejta të plota, si dhe anëtare e BE, ku ne dëshironim të anëtarësoheshim, prandaj nuk kishte asgjë të keqe, përveç të mirave për miqësinë midis dy vendeve tona. Vizita e kryeministrit grek e forconte edhe më shumë miqësinë.

Pra, deri këtu nuk kishte asgjë të keqe.Po ku zinte fill hilja atëherë? Dihet se edhe Greqia, ashtu si Shqipëria, ishte para zgjedhjeve të reja dhe Karamanlis patjetër që kishte përfitime nga vizita parazgjedhore në vendin tonë, siç kishte interes për propagandë parazgjedhore edhe kryeministri Berisha. Në këto kushte vetëkuptohet që Karamanlis nuk kishte dëshirë e as interes të shprehej për problemin çam, aq më tepër që politikanët grekë nuk e kanë pasur kurrë vullnetin politik për ta përmendur këtë problem qoftë edhe në situata të qeta.
Pra, një qëndrim shpërfillës, megjithëse i pa justifikueshëm, ishte i pritshëm nga një politikan si Karamanlis. Heshti Karamanlisi se kështu i leverdiste, mirëpo kjo nuk do të thoshte se duhej të heshtte dhe Berisha.

Meta e theksoi këtë fakt. Pra, Berisha nuk duhet të kishte heshtur. Asnjë dëm nuk do të kishte Shqipëria, po të kishte kurajën për të folur kryeministri ynë i nderuar, përveçse ndonjë pakënaqësi të çastit të Karamanlisit. Përkundrazi heshtja e Berishës ishte shumë e dëmshme për zhvillimet e problemit çam dhe për politikën shqiprare në përgjithësi. Kjo heshtje ishte një servilizëm politik i patolerueshëm, një qëndrim poshtërues për vendin tonë.

Berisha, kryeministri ynë i nderuar, me heshtjen e tij të llogaritur, u soll si një vartës i paaftë e gjithë komlekse përballë padronit të tij.

I dhashë të drejtë Ilir Metës me gjithë shpirt për ato që thoshte dhe në ato çaste isha i mendimit se të gjithë shqiptarët e mençur do të vepronin njëlloj si unë. Patjetër që do t’i vlerësonin shumë thëniet e këtij politikani tashmë me emër të mirë në sytë e opinionit publik.

Vazhdova ta ndiqja me kënaqësi emisionin. Meta tha se po të arsyetosh me pjekuri nuk kishte asgjë të keqe po të përfshihej problemi çam në axhendën e takimeve të dy kryeministrave. Dihet se çëshja çame është një problem i mbetur pezull midis Greqisë dhe Shqipërisë, një ngërç për politikat e të dy vendeve që një ditë do të diskutohet patjetër dhe do të marrë udhëzgjidhjen e duhur, pavarësisht nga pretendimet absurde të palës greke. Pra, për këtë problem të mbetur pezull mund të flitej edhe tani, të paktën nga pala shqiptare. Dhe ky veprim natyrisht që do ta nderonte kryeministrin Berisha, pavarësisht se nuk do të kishte rezultatin e duhur apo më e pakta nuk do të mirëpritej nga homologu grek. Nuk kishte shumë rëndësi qëndrimi i Karamanlis, mjafton të guxonte Berisha e ta përmendte problemin. Kjo do të ishte në nderin e tij dhe të qeverisë shqiptare.

Disa vite më parë kur Ilir Meta ishte kryeministër, gjatë një vizite në Athinë, ai pati kurajën dhe e përfshiu problemin çam në axhendën e bisedimeve të tij me palën greke, pavarësisht reagimit të tyre. Grekët u acaruan pak e si zakonisht thanë se nuk e njihnin problemin çam. Sidoqoftë Ilir Meta, si përfaqësues i palës shqiptare, e bëri të vetën, nuk heshti dhe fjalën e tij e publikuan me bujë shtypi grek dhe shtypi i huaj. Në këtë mënyrë opinioni botëror mësonte jo vetëm ekzistencën e një problemi të mbetur pezull, por edhe pikëpamjet e politikës shqiptare përballë asaj fqinje që mundohej me të gjitha mjetet ta zhbënte problemin çam.

Pra, politika shqiptare duhej të shfrytëzonte çdo rast e të fliste për këtë problem. Kështu do të ishte zëdhënëse e një popullsie të pafajshme mbi të cilën është ushtruar padrejtësisht genocid. Kjo popullsi dihet se është masakruar e shpërngulur me dhunë nga vatani i saj. Ajo e meriton përkrahjen dhe ky veprim do të thoshte se je në përkrahje të drejtësisë. Dhe është qëndrim dinjitoz kur vihesh në krah të viktimës dhe kërkon drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare. Çamët thjesht kërkojnë t’u njihen të drejtat e tyre mbi pronën dhe të rikthehen në shtëpitë e tyre, në vendin e tyre. Është veprim njerëzor të mbështetësh të dretën e tyre të mohuar që ua njohin edhe konventat ndërkombëtare, të cilat i kanë firmosur edhe grekët.

Berisha nuk e bëri këtë, megjithëse iu dha rasti e pikërisht në Tiranë, në selinë e qeverisë që drejtonte. Heshtja e tij tekefundit çnderoi vetë shtetin shqiptar.

Elim Xanxari

No comments: