Wednesday, December 5, 2007

Nga Shefki Hysa

TË RILINDËSH PREJ FERRIT

Shënime për romanin "Vorbulla" të shkrimtarit Pjetër Arbnori

Thuhet se Bota lindi prej Kaosit, se Drita lindi prej Territ. Mirepo nuk mund të pranohet se edhe jeta lindi prej vdekjes. Jeta është Bota plot dritë. Jeta është vazhdimisht e rrezikuar prej Vdekjes, ashtu si edhe Bota prej Kaosit, si Drita prej Territ. Megjithatë Jeta gjallon në Botë prej mijëra e mijëra vjetësh të shkuara. Jeta mbijeton, verçanërisht, te Njeriu - krijesa e vetme e arsyeshme dhe më e rrezikuara e kësaj Bote. Njeriut i kërcënohet gjithçka. Njeriu i kercënuar bashkëjeton me rrezikun, i reziston rrezikut. Gjithandej rreziqe e mbi të gjitha rreziku prej llojit të vet.

Në vorbullat e historisë shfaqen jo vetëm individë, po edhe popuj luftëtarë. Raca të kërcënuara nga të tjera raca njerëzore. Popuj të rrezikuar nga të tjerë popuj. Midis të rrezikuarve, populli shqiptar mbetet me i rrezikuari. Ndoshta që në kohërat e Prometeut. Shqiptari - modeli i njeriut të rrezikuar. Madje edhe nga vetvetja. Gjysh pas gjyshi i gllabëruar në shtjellat e vorbullave të vdekjes.

S'mund të thuash se zjarri rindizet prej hirit të vet, por shqiptari i përvëluar nëpër luftëra, nga dyndjet e barbarëve dhe të perandorive të Perendimit dhe të Lindjes, është rilindur prej hirit të tij. Heroi shqiptar sa e sa herë ka rilindur prej mortit që binte mbi kryet e tij. Izraelitët, të përndjekurit biblikë, nëpër valët e historisë së njerëzimit mbijetuan. U përndoqën rishtaz, pothuajse gjer në shfarosje, prej nazistëve. Njerëzimi i bëri homazhe dhimbjes izraelite. Dhimbjes shqiptare, përkundrazi, i është kthyer shpina.

Shqiptarit i është dashur të ridalë sa e sa herë prej rrënojave të perandorive. Ka rizbuluar vetveten, ashtu siç arkeologët zbulojnë statujat antike pas gërmimeve tejet lodhëse. Perandori pas perandorish janë shembur mbi kryet e shqiptarit dhe ai është ringritur, ashtu marramendthi, i përplagur, nëpër muzgjet perandorike dhe ka mundur të rezistojë heroikisht, nga njëra pragvdekje në tjetrën, nga njëri rreth i ferrit në tjetrin, përderisa ka rilindur përsëri e përsëri.

Të tillë heronj mishëron romani "Vorbulla" i shkrimtarit Pjetër Arbnori. Heronj të rilindur prej vorbullave të ferrit njerëzor. Pasi ta lexojë "Vorbullën" ndokush mund të thotë se Arbnori ka rikrijuar artistikisht një realitet historik të shkëputur prej vorbullave të muzgjeve të periudhës pas Lidhjes së Prizerenit. Mirëpo, pavarësisht nga ngjyrimet kohore dhe origjinaliteti i papërsëritshëm i ngjarjeve dhe episodeve që rrëfehen në vepër, heronjtë e saj të sjellin ndërmend luftëtarin e qëndresës së të gjithë mijëvjeçarëve shqiptarë, madje edhe heroin e rilindur prej epokës se ferrit komunist. Pra, "Vorbulla" është një prerje e historisë mijëvjeçare shqiptare, pavarësisht nga pozicioni kohor që përjetohet, është sintezë e pështjellimeve të së shkuarës dhe të së ardhmes, sa përimitim aq edhe përgjithësim artistik. Një vepër e krijuar në rrethana të pazakonshme, e lindur si shtjellë drite në terrin e burgjeve, me personazhe të pazakonshëm, që i ngjajnë, pak a shumë, krijuesit të tyre.

Arbnori u rilind prej ferrit, duke u shpëtuar mrekullisht vargonjëve të vdekjes. Ferri i kuq gllabëroi shumë viktima, si personazhet e pafat të përrallave që, për t'u pasuruar apo për të patur të Bukurën e Dheut për nuse, marrin atë "udhë nëpër të cilën vete dhe nuk kthehesh". Përkundrazi, Arbnori, nëpër këtë udhë përfundoi në "botën e përtejme" të burgjeve komuniste. Mbijetoi gjithë tmerret e rrathëve të ferrit dhe, më në fund gjeti udhën e kthimit i ngarkuar me ngadhnjim dhe me tërë ato pasuri - veprën e vet letrare, midis tyre edhe romani "Vorbulla", si dhe të Bukurën e Dheut - nderimi që meriton shkrimtari.

"Ai i shpëtoi epidemisë së murtajës", thuhet në të tilla raste. Ai mbijetoi, si dhe personazhet gati mitikë të "Vorbullës". Për hir të artit dhe aftësisë për të rilindur, ai do të gdhendet në kujtesën e brezave.
Nga Bujar Shurdhi

ÇAMËT NUK I HARROJNË NËNTORËT

Gjithmonë populli shqiptar ka ditur të organizohet, të realizojë Kuvende të mëdha vetëvendosëse e të mbrohet nga pushtuesit e çdo lloj kohe. Me arritjet e veta ka ditur si të mbijetojë, duke i shpëtur asimilimit e shfarosjes prej dyndjeve barbare nëpër shekuj.

Edhe krahina martire e Çamërisë ka qenë dhe është pjesë e patjetërsueshme e Kombit shqiptar. Ajo dhe bijtë e saj e kanë thënë fjalën e vet në momente kyçe të historisë shqiptare. Jo më kot Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në momentin kur pa të valvitej flamuri kuq e zi, në kalanë e Krujës, ndër të tjera theksoi: "Të parët tanë janë epirotasit, nga vinte i famshmi Pirro". Pra, thënia e tij vërteton edhe njëherë se Çamëria ka qenë dhe mbetet pjesë e Shqipërisë dhe se asgjë nuk lind dhe nuk mund të shuhet vetvetiu.

Në këtë kuptim Kuvendi i Prevezës së Çamërisë ishte fillimi i mbrojtjes së çështjes sonë kombëtare, dikur do të jetë edhe realizimi i të drejtave mbarëshqiptare për liri e për të drejtat e tjera legjitime njerëzore.

Ismail Qemali në Kuvendin e Vlorës ka nënvizuar se është një ditë e shenjtë shpallja e Pavarësisë në qytetin e Vlorës, në Vlorën Heroike, për të gjithë shqiptarët. Në këtë kuvend theksi i plakut atdhetar të Vlorës, ishte: "Lipset me çdo kusht të fitojmë edhe Kosovën, Manastirin dhe Janinën me gjithë Çamërinë". Dhe më tej plaku fisnik e mjekërbardhë vazhdonte: "Kam uznatje tek Zoti i Madh, që me ndihmën e të gjithë atdhetarëve shqiptarë, edhe me mirëdashjen e njerëzve, ta shikojmë Shqipërinë e lirë e të pavarur, dhe dëshirojmë që kombi shqiptar të kishte në gjirin e tij edhe djemtë e rrëmbyer nga egërsirat e jugut e të veriut"…

Në mbledhjen e katërt të Kuvendit të Vlorës shënohet se zotëria Myfit bej Gjirokastra kërkon fjalën dhe thotë: "Meqenëse telegrafi me Çamërinë nuk punon, është mirë të quhen prej Kuvendit delegatë të krahinës së Çamërisë zotërinjtë, të cilët kanë ardhur më shpejt. Propozimi i z. Myfit bej Gjirokastra u pranua prej të gjithë zërave. Kështu delegatë të Çamërisë ishin: Veli Gërra (Rashadija) nga Gumenica, Vesel (Jakup) Vejseli nga Margëlliçi, Aziz Tahir Ajdonati nga Paramithia dhe Rexhep Demi nga Filati, Pra kështu u saktësua pjesëmarrja e delegatëve të Çamërisë në Kuvendin Historik të Vlorës.

Rasim Dinua nga krahina e Çamërisë u caktua nga qeveria e Ismail Qemalit, Sekretar i Jashtëm. Qysh në muajin dhjetor të vitit 1912 Qeveria e Vlorës i telegrafonte Rasim bej Dinos në Londër: "Kërkesa jonë e vetme synon për një Shqipëri jetëgjatë dhe homogjene, gjë që do na lejojë të mbajmë në të ardhmen marrëdhënie të mira me fqinjët"…

Ardhja e qindra luftëtarëve çamë, me në krye komandantin Muharrem Rushiti në mbështetje të Luftës të Vlorës më 1920, ishte patjetër një domethënie shumë e madhe e një qëndrim atdhetar mbarëkombëtar. Atdhetari Avni Rustemi, për të respektuar luftëtarët e krahinës së Çamërisë, i kërkoi qeverisë së asaj kohe t’i vendoste një rruge kryesore në qytetin e Vlorës emrin "Çamëria". Edhe sot e kësaj dite rruga nga sheshi në skelë të Vlorës dhe deri tek shkolla e Akademisë së Marinës quhet "Çamëria".

Lind vetiu pyetja: Mos vallë ishte ekzistenca e kësaj rruge me emrin "Çamëria" sebepi që u zgjodh çami Ali Demi (Hero i Popullit) Sekretar i Parë i Qarkorit për Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër?!…

Rininë e tij atdhetari çam Ali Demi e kaloi në Gjimnazin e Gjirokastrës. Atje u njoh me lëvizjen antifashiste, u njoh dhe me shokët e tij të idealit, gjë për të cilët dha edhe jetën, në lulen e rinisë.
Dihet se për popullin shqiptar ka qenë gjithmonë e pranishme motoja një bie e qindra ngrihen. Atdhetari çam Ali Demi ra si hero dhe shqiptarët e krahinës së Çamërisë u çuan njëzëri të frymëzuar prej heroizmit të tij dhe krijuan batalionin Antifashist "Çamëria", i cili, midis të tjerash, ka luftuar dyzet e dy ditë pandërprerje kundra forcave nazi-fashiste në Konispol.
Jo më kot Heroi i Popullit Ali Demi është respektuar dhe vazhdon të respektohet në forma dhe në mënyra të ndryshme prej shqiptarëve. Shumë institucione kanë emrin e këtij heroi, shumë rrrugë dhe zona të ndryshme të qyteteve tona gjallojnë me këtë emër.

Motra e e këtij heroi, Nekie Demi, megjithëse shumë e moshuar, kur ka veprimtari me tematikë kombëtare shqiptare, gjen forca e energji dhe vjen për ta thënë fjalën e saj. Ajo është e pranishme gjithmonë kur përmenden Prishtina, Tetova, Tirana, Ulqini, Janina dhe Preveza.
Janë këto e shumë të tjera arsyet që çamët respektohen në të gjitha kohërat dhe zënë vazhdimisht vendin e tyre edhe në institucionet drejtuese më të larta të shtetit shqiptar.

Që në fillimet e kohës së pluripartizmit ka pasur deputetë në Parlamentin shqiptar nga krahina shqiptare e Çamërisë, ka edhe tani. Mund të përmendim deputetin Leonard Demi, por edhe drejtues si Shefki Hysa në instanca nga më të larta të shtetit.

Shqiponja nuk fluturon dot vetëm me njërin krah. Edhe Shqipëria amë nuk bën dot pa Kosovë e Çamëri…
Nga Bujar Shurdhi

ÇAMËT PJESËMARRËS NË KUVENDIN KUQ E ZI TË VLORËS

Kombi shqiptar është një dhe i pandarë dhe këtë të vërtetë e ka treguar shumë herë me vepra madhore, duke iu përgjigjur edhe situatave që i ka imponuar koha, prandaj janë organizuar shumë Kuvende mbarëkombëtare, si p.sh.: Kuvendi Kombëtar i Lezhës, në kohën e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, Kuvendi Kombëtar i Prevezës, Kuvendi Kombëtar i Prizrenit, Kuvendi Kombëtar Kuq e Zi i Vlorës etj.

Por më vetëmohuesi ishte Kuvendi Kuq e zi i Vlorës. Ishte për brezat që kanë kaluar edhe për brezat që do të vijnë, sepse i përket një historie të asimiluar nga brezi i informatikës. Shqiptarët kishin mbi supe një robëri disa shekullore, megjithatë u zyrtarizua shtetiti shqiptar në arenën ndërkombëtare, u institucinalizua gjuha shqipe në shtetin shqiptar etj. Duhet theksuar patjetër: Pjesëmarrja në këtë kuvend ishte shumë dinjitoze nga të gjithë trevat shqiptare. Kjo bëri që edhe Qeveria e Parë Shqiptare që e kryesonte Ismail Qemali, të kishte në përbërjen e saj përfaqësues nga të gjitha krahinat shqiptare. Nga krahina shqiptare e Çamërisë ishin: Veli Gëra Rashadija nga Gumenica e Çamërisë, Vesel (Jakup) Veseli nga Margëlliçi i Çamërisë, Aziz Tahir Ajdonati nga Paramithia e Çamërisë, Rasim Bej Dino nga Preveza e Çamërisë, Rexhep Demi nga Filati i Çamërisë, Tahir Meta nga Mazreku i Çamërisë etj.

Në Vlorë Veli Gëra dha ndihmesën e tij në konsolidimin e qeverisë së Ismail Qemalit edhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore nga pushtuesit shovinistë grekë. Emri i Veli Gërës shtohet krahas përfaqësuesve të tjerë të Kuvendit të Vlorës, edhe në protestat që iu dërguan fuqive të mëdha, për mbrojtjen e viseve jugore.

Rasim Bej Dino qysh në vitin 1905 u përfshi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në vitet 1907-1908 kishte korespodencë më mëmëdhetarët e Egjyptit, Bukureshtit, Janinës, Prevezës dhe Bostonit, kurse në vitin 1912, pas takimit që u bë në Stamboll midis Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës dhe Luigj Gurakuqit, Rasim Bej Dino u ngarkua me detyra diplomatike për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare.

Gjatë udhëtimit në Evropë ai qëndroi në Vjenë, nga ku i shkruante Ismail Qemalit: "Gjendja e përgjithshme politike është shumë e favorshme për çështjen tonë".
Sipas porosisë së Ismail Qemalit u lidh me shoqëritë shqiptare në Evropë dhe Amerikë. Rasim Bej Dino në krye të delegacionit shqiptar së bashku me Mehmet Konicën e Filip Nogën shkuan në Londër për të paraqitur kërkesën e qeverisë shqiptare lidhur me kufijtë "Për një Shqipëri të pavarur me kufi shtetërorë etnikë", ku të përfshiheshin të katër vilajetet: Shkupi, Manastiri, Shkodra dhe Janina.

Rexhep Demi në vitin 1908 bëri përpjekje me atdhetarët e Çamërisë dhe çelën klubin patriotik "Vllazëria" të Filatit, ku u zgjodh kryetar i tij. Të njohura janë edhe ligjëratat e tij në klubin e Filatit për zakonet, traditat dhe historinë e popullit shqiptar.
Në vitet 1911-1912 u rreshtua në çetën patriotike të Muharrem Rushitit, ku mori pjesë në kryengritjen antiosmane të Shqipërisë së Jugut.

Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Çamërisë në Kuvendin Historik të Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.

Në gazetën "Përlindja e Shqipnis" shkruhet se delegatët e Çamërisë u pritën në Kuvendin e Vlorës me kënaqësi të madhe.

Qeveria e Vlorës e ngarkoi me detyrë për organizimin e luftëtarëve shqiptarë në frontin e luftës kundër shovinistëve grekë.

Vite me rradhë, duke shtërnguar abetaren në gji, shëtiti nëpër viset e Çamërisë, Delvinës e Shqipërisë së Jugut, për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe. Shpërndante libra e gazeta shqipe, të cilat i merrte nga shqiptarët e diasporës.

Një ish nxënësi i tij kujton: "Gjuha shqipe është shpirti i shqiptarëve, na thoshte Rexhepi. Çdo shqiptar e ka për detyrë të mësojë gjuhën e tij, sepse më anë të gjuhës mund të shpëtojmë vendin e kombin nga armiqtë tanë, që duan të na zhdukin".

Pra, ishin këto Kuvende Madhështore, të cilat realizuan kalanë shqiptare, sepse gurë-gurë ndërtohet kalaja. Sot Kombi shqiptar po merr frymë më lirisht. Edhe të drejtat legjitime të shqiptarëve do të realizohen, sepse ata gjithmonë kanë bërë luftë mbrojtëse dhe tjetra: sepse sot në botë ka shumë institucione, të cilat e monitorojnë nga afër situatën e rajonit të Ballkanit.
Por ka disa shtete në këtë rajon që po i sjellin shumë kokëçarje Evropës. Megjithatë NATO-ja ua dha përgjigjen dhe do t’jua japë sa herë të shkelen të drejtat legjitime të popujve të Rajonit.