Wednesday, December 5, 2007

Nga Shefki Hysa

TË RILINDËSH PREJ FERRIT

Shënime për romanin "Vorbulla" të shkrimtarit Pjetër Arbnori

Thuhet se Bota lindi prej Kaosit, se Drita lindi prej Territ. Mirepo nuk mund të pranohet se edhe jeta lindi prej vdekjes. Jeta është Bota plot dritë. Jeta është vazhdimisht e rrezikuar prej Vdekjes, ashtu si edhe Bota prej Kaosit, si Drita prej Territ. Megjithatë Jeta gjallon në Botë prej mijëra e mijëra vjetësh të shkuara. Jeta mbijeton, verçanërisht, te Njeriu - krijesa e vetme e arsyeshme dhe më e rrezikuara e kësaj Bote. Njeriut i kërcënohet gjithçka. Njeriu i kercënuar bashkëjeton me rrezikun, i reziston rrezikut. Gjithandej rreziqe e mbi të gjitha rreziku prej llojit të vet.

Në vorbullat e historisë shfaqen jo vetëm individë, po edhe popuj luftëtarë. Raca të kërcënuara nga të tjera raca njerëzore. Popuj të rrezikuar nga të tjerë popuj. Midis të rrezikuarve, populli shqiptar mbetet me i rrezikuari. Ndoshta që në kohërat e Prometeut. Shqiptari - modeli i njeriut të rrezikuar. Madje edhe nga vetvetja. Gjysh pas gjyshi i gllabëruar në shtjellat e vorbullave të vdekjes.

S'mund të thuash se zjarri rindizet prej hirit të vet, por shqiptari i përvëluar nëpër luftëra, nga dyndjet e barbarëve dhe të perandorive të Perendimit dhe të Lindjes, është rilindur prej hirit të tij. Heroi shqiptar sa e sa herë ka rilindur prej mortit që binte mbi kryet e tij. Izraelitët, të përndjekurit biblikë, nëpër valët e historisë së njerëzimit mbijetuan. U përndoqën rishtaz, pothuajse gjer në shfarosje, prej nazistëve. Njerëzimi i bëri homazhe dhimbjes izraelite. Dhimbjes shqiptare, përkundrazi, i është kthyer shpina.

Shqiptarit i është dashur të ridalë sa e sa herë prej rrënojave të perandorive. Ka rizbuluar vetveten, ashtu siç arkeologët zbulojnë statujat antike pas gërmimeve tejet lodhëse. Perandori pas perandorish janë shembur mbi kryet e shqiptarit dhe ai është ringritur, ashtu marramendthi, i përplagur, nëpër muzgjet perandorike dhe ka mundur të rezistojë heroikisht, nga njëra pragvdekje në tjetrën, nga njëri rreth i ferrit në tjetrin, përderisa ka rilindur përsëri e përsëri.

Të tillë heronj mishëron romani "Vorbulla" i shkrimtarit Pjetër Arbnori. Heronj të rilindur prej vorbullave të ferrit njerëzor. Pasi ta lexojë "Vorbullën" ndokush mund të thotë se Arbnori ka rikrijuar artistikisht një realitet historik të shkëputur prej vorbullave të muzgjeve të periudhës pas Lidhjes së Prizerenit. Mirëpo, pavarësisht nga ngjyrimet kohore dhe origjinaliteti i papërsëritshëm i ngjarjeve dhe episodeve që rrëfehen në vepër, heronjtë e saj të sjellin ndërmend luftëtarin e qëndresës së të gjithë mijëvjeçarëve shqiptarë, madje edhe heroin e rilindur prej epokës se ferrit komunist. Pra, "Vorbulla" është një prerje e historisë mijëvjeçare shqiptare, pavarësisht nga pozicioni kohor që përjetohet, është sintezë e pështjellimeve të së shkuarës dhe të së ardhmes, sa përimitim aq edhe përgjithësim artistik. Një vepër e krijuar në rrethana të pazakonshme, e lindur si shtjellë drite në terrin e burgjeve, me personazhe të pazakonshëm, që i ngjajnë, pak a shumë, krijuesit të tyre.

Arbnori u rilind prej ferrit, duke u shpëtuar mrekullisht vargonjëve të vdekjes. Ferri i kuq gllabëroi shumë viktima, si personazhet e pafat të përrallave që, për t'u pasuruar apo për të patur të Bukurën e Dheut për nuse, marrin atë "udhë nëpër të cilën vete dhe nuk kthehesh". Përkundrazi, Arbnori, nëpër këtë udhë përfundoi në "botën e përtejme" të burgjeve komuniste. Mbijetoi gjithë tmerret e rrathëve të ferrit dhe, më në fund gjeti udhën e kthimit i ngarkuar me ngadhnjim dhe me tërë ato pasuri - veprën e vet letrare, midis tyre edhe romani "Vorbulla", si dhe të Bukurën e Dheut - nderimi që meriton shkrimtari.

"Ai i shpëtoi epidemisë së murtajës", thuhet në të tilla raste. Ai mbijetoi, si dhe personazhet gati mitikë të "Vorbullës". Për hir të artit dhe aftësisë për të rilindur, ai do të gdhendet në kujtesën e brezave.

No comments: