Thursday, March 13, 2008

Nga Liri Hidërshaj

Diktatori

Diktat përdore,
Mashtrove si mos më mirë,
Ti haje me lugë të florinjtë,
Populli bukën njomte me kripë!…
Inagurime, shirita pa vlerë
Firmosje, u dhuroje dekorata,
Sa për sy e faqe,
Njerëzve të punëve të vështira,
Pas shpine më të mirit
Ia nxirrje sytë pa mëshirë!
Zemrat u mundove të na rrëmbeje
Me fjalët e dredhitë e tua
Dhe nuk e mendove kurrë
Se si dikur do të përfundoje?!…
Rrufetë e qiellit gjithandej i hodhe
Na le në skamje, në varfëri,
Mallkimin tonë me vete more
Si shpërblim për vrerin e zi!…
Nga Liri Hidërshaj

Lexojini dhe ju

Lexova "Sikur të isha djalë"
Të Stërmillit
Dhe u drithërova,
M’u duk vetja djalë…
Elena Kadare me librin
"Një lindje e vështirë",
Më vuri në mendime…
Homazh për Jakov Xoxën,
"Juga e Bardhë",
"Lulja e kripës",
E meriton përkujtimin…
Më zgjon dhimbje
"Rrethi i kujtesës"
Shkruar nga Diana Çuli…
Shlodhem te "Hasta la vista"
E Petro Markos…
Argëtohem tek "Udhëtoj i menduar"
I Dritëro Agollit…
Lexojini dhe ju!
Besoj, do të gjeni veten…
Do të shlodheni…
Nga Liri Hidërshaj

PIKAT E SHIUT

Nga qielli zbresin pa shkallë,
Si sumbulla lotësh valë-valë.
Burojnë nga gjiri i gjithësisë,
Herë si psherëtimat ledhatare,
Herë si zhgënjimet e dashurisë.
Kur ia behin papritur,
Bien në tokë me bubullima,
Rrëmbejnë ç’gjejnë përpara,
Gërryejnë furishëm e frikshëm,
Gurgullojnë përrenj, lumenj e dete,
Bota mban frymën e kruset në vetvete.
Kur vijnë qetë-qetë,
Si rrjedhë gëzimi prej syve të saj,
Shkrijnë dëborën e dimrit
Dhe sjellin pranverë,
Njomin buzët e zhegut të verës
Dhe sjellin bereqet.
Pikat e shiut,
Sa shumë me lotët ngjasojnë!
Shformësohen në faqet e saj
Lotët dhe pikat e shiut
E rrjedhin tatëpjetë
Herë me dufe e ngadalë herë-herë,
Derisa gjen prehje shpirti.
Kështu prehet dhe bujku
Prej pikave të shiut në verë.
Nga Xhulia Xhekaj

Të punosh me shpirt si Liri Hidërshaj

Liri Hidërshaj lindi më 14 korrik 1953 në fshatin Gjerbës të Skraparit. Ajo me punë e këmbëngulje vetëmohuese ka arritur ta ngrejë veten e saj në nivelet e elitave intelektuale shqiptare, megjithëse vjen në Tiranë prej fshatrave më të largëta të Skraparit dhe i përket një familjeje që është persekutuuar nga ish sistemi komunist. Liri Hidërshaj tanimë është një ndër shkrimtaret më të lexuara të brezit të saj dhe vazhdon të punojë për të arritur nivele të reja.

Liri Hidërshaj shkollën fillore dhe tetëvjeçare i kreu në vendlindje, kurse arsimin e mesëm e mori në shkollën "Ramiz Aranitasi", në Çorovodë. Në vitin 1977 u diplomua për gjuhë-letërsi shqipe në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin "Aleksadër Xhuvani" të Elbasanit. Menjëherë pas mbarimit të universitetit ajo filloi punë si mësuese në shkollën tetëvjeçare të fshatit Dobrush të Skraparit, ku punoi për tre vjetë, pastaj u emërua drejtore e shkollës tetëvjeçare të fshatit Kalenjas, ku punoi për shumë vite.

Në vitin 1998 Liria u largua nga vemdlindja dhe u vendos familjarisht në Tiranë. Filloi punë si mësuese letërsie në shkollën tetëvjeçare ‘Ramazan Jarani", ku dhe vazhdon të punojë. Ndërkohë u lidh edhe me gazeta të ndryshme për të botuar krijimtarinë e saj. Tani është edhe gazetare e revistës politiko-letrare "Krahu i shqiponjës".

Liri Hidërshaj ka filluar të shkruajë që në shkollën tetëvjeçare. Krijimet e saj të para janë botuar në gazetën vendore "Jehona e Skraparit" e "Tomorri" dhe më vonë në shtypin qëndror, mirëpo vetëm pas vitit 2000 iu dha mundësia të botonte librat e saj të parë në poezi e prozë. Ka botuar katër libra dhe vazhdon të përgatisë disa botime të tjera në prozë e poezi. Vazhdon të merret edhe me publicistikë. Krijimtaria e saj ka tërhequr vëmendjen e opinionit lexues shqiptar si dhe të kritikës letrare. Librat e saj që rrokin tematikat dhe problematikat e realitetit të sotëm shqiptar pëlqehen shumë sidomos nga moshat e reja, veçanërisht nga të rinjtë e shkollavetë mesme dhe universiteteve.

Liri Hidërshaj është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Midis shumë krijimeve të saj ajo ka zgjedhur dhe botuar disa tituj mbresëlënës, për të cilët janë shprehur me respekt edhe krijues si Dritëro Agolli, Sokol Jakova etj. Ja librat e saj me të cilat është paraqitur përballë lexuesit shqiptar:

"Klithmë shpirti", vëllim poetik, 2004, Sh. B. "Bilal Xhaferri";
"Mëkim shpirtëror", novelë, 2005, Sh. B. "Bilal Xhaferri" ISBN 99927-960-4-9;
"Rrëfimi", novelë, 2006, Sh. B. "Bilal Xhaferri", ISBN 99927-960-5-7;
"Pendimi", novelë, 2007, Sh. B. "Bilal Xhaferri", ISBN 978-99943-969-3-1.

Xhulia Xhekaj

PROBLEMET E JETËS SË SOTME NË LIBRIN
"PENDIMI"
Shënime për librin "Pendimi "të autores Liri Hidërshaj

Këtë radhë shkrimtarja Liri Hidërshaj në novelën e saj "Pendimi" ka vënë në qendër të subjektit të veprës problemet e sotme të mprehta të jetës shqiptare. Si të gjithë krijuesit, duke nuhatur pulsin dhe ritmin e kësaj jete, autorja, edhe si nënë, si mësuese e psikologe, mendojmë se përmes një subjekti interesant, ia ka dalë mbanë që në këtë novelë, të cilën, ju lexues të nderuar do ta lexoni, të shpalosë mesazhe sa aktuale, aq dhe humane.

Në qendër të veprës janë vënë problemet e marrëdhënieve familjare dhe të emigracionit që i ka shpërndarë sot shqiptarët nëpër botë për një jetë më të mirë, por dhe që, në njëfarë mënyre, ka zbehur edhe dashurinë mes njerëzve e sidomos të afërmve, që i ka degëdisur këta njerëz nëpër skuta të tilla aq të thella e të largëta sa edhe të humbasin. Jo më kot autorja e nis novelën me një situatë ku flitet për emisionin aq tërheqës e të kërkuar "Ku je?".

Pa dashur të zbulojmë subjektin e novelës, për të mos zbehur kureshtjen tuaj gjatë leximit të saj, mund të themi se autorja, përmes një kompozicioni të thurur me kujdes, ka arritur t’i organizojë ngjarjet e veprës në mënyrë të tillë, që, tek e lexon atë, ndien vërtet dramacitetin e jetës së sotme shqiptare dhe të problematikës së saj. Personazhet e skalitur janë realistë, karakteret e tyre shpalosen gjithnjë e më mirë gjatë veprimit të tendosur të veprës me botën e tyre shpirtërore, me veçoritë e karakteristikat e tyre të veçanta. Në këtë novelë, në krahasim me veprat e mëparshme, mendojmë se autorja ka bërë hapa përpara pikërisht në drejtim të skalitjes së personazheve, thellimit të psikologjizmit etj., çka tregon se shkrimtarja Liri Hidërshaj po arrin në fazën e pjekurisë së saj artistike. Si në një ekran filmi, lexuesi njihet me novelën "Pendimi" me figura të tilla si Andi, Albana, Roena, Leti, babai i Andit, Sofia etj., që janë realizuar me dëshirë e përkushtim nga autorja e veprës.

Në thurjen kompozicionale, autorja për ta bërë veprën tërheqëse dhe interesante, mes të tjerash, ka shfrytëzuar edhe digresionet, duke i dhënë kompozicionit formën e një mozaiku. Kjo i ka dhënë veprimit të subjektit të novelës një ritëm më të shpejtë dhe ka shmangur proliksitetin në vepër. Me një narracion, jo rallë të pasur me trope artistike, autorja ka arritur të përshkruajë në novelë situata të tilla dramatike që të mbeten ndër mend, pasi janë vërtet emocionuese dhe jetësore. Kështu mund të përmendim historinë e Albanës nga qyteti S., skenën kur i ati i Andit vjen i pirë në shtëpi nga vuajtja e madhe e shkatërrimit të marrëdhënieve familjare, historinë e Ariolës, episodin kur Andi gjendet përpara varrit të së motrës, Sofisë, në Itali dhe mbylljen emocionuese të novelës.

Ecuri tjetër e autores, në krahasim me veprimtarinë e saj të mëparshme, është edhe gjuha më e pasur, dialogu më i shkathët e më i ngjeshur, qëmtimi i detajeve dhe imtësive shprehëse.
Prandaj kjo novelë tregon se krijimtaria artistike e Liri Hidërshajt po vjen në ngjitje dhe ky është një sukses për të.

Siç përmendëm më sipër, novela lexohet me kërshëri, të ngjall emocione. Këto mendojmë se do t’i ndiejë edhe lexuesi, kur të shfletojë faqet e saj.

SOKOL JAKOVA