Saturday, February 16, 2008

ENERGJIKU FATOS M. RRAPAJ

Fatos M. Rrapaj lindi më 6 korrik të vitit 1930 në fshatin Gumenicë të Vlorës. Ai është folklorist, etnograf, studiues dhe shkrimtar.

Arsimin bazë Fatosi e mori në fshatin e lindjes. Që në moshë të vogël doli partizan dhe me armë në dorë mori pjesë aktive në luftën kundër forcave nazifashiste. Megjithatë, pas çlirimit të vendit, u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij kundër nacionalizmit e shovinizmit sllavo-grek.

Tërë jetën, deri sa doli në pension, Fatosi ka punuar në punë të ndryshme të zakonshme, sepse talenti dhe aftësitë e tij mbetën të pavlerësuara nga strukturat drejtuese të ish diktaturës komuniste. Megjithatë ai është karakterizuar nga një energji e jashtëzakonshme në punën e tij kërkimore, si të ishte akademik e kaluar akademikëve. Jo më kot e thërrisnin edhe "Energjiku" miqtë e tij.

Fatos M. Rrapaj, që kur ishte nxënës në shkollën e fshatit, në periudhën kur ishte partizan e më vonë, gjatë tërë jetës, i është përkushtuar me mish e me shpirt mbledhjes së vlerave folklorike, onomastike e etnografike të të gjithë trojeve shqiptare, sidomos atyre të Çamërisë.

Ka botuar disa libra, por të njohur në qarqet akademike e elitat shoqërore e artistiko-letrare shqiptare, e bëri vëllimi me rreth 800 faqe "Këngë popullore të Çamërisë", i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 1983, me recensën dhe parathënien e shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Ka bashkëpunuar me shumë nga organet letrare shqiptare për botimin e shkrimeve të tij, veçanërisht me revistën "Krahu i shqiponjës" si dhe gazetat "Drita", "Kosova" e "Çamëria". Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e veprës së tij ka mbetur në dorëshkrim si: "Proza popullore e Çamërisë", me rreth 3000 faqe, "Fjalori onomastik i Epirit në zhvillime", Këngë e prozë popullore" nga Kosova, Mirëdita, Kruja, Kosturi e Follorina, "Doke e zakone nga Çamëria", "Fjalë të urta nga Korça e Dibra", Anekdota popullore" në pesë vëllime etj., etj.

Titujt e veprave kryesore që studiuesi Fatos M. Rrapaj ka botuar nëpër vite janë:

1. "Te Sheshi i Flamurit", me këngë popullore labe, Tiranë, 1972

2. "Këngë popullore të Çamërisë" , Tiranë, 1983

3. "Këngë popullore të Labërisë", Tiranë, 1991

4. "Rënkimet e Çamërisë", tregime pellazgo-ilire e këngë çame, Tiranë, 1995

5. "Fjalori onomastik i Epirit" I, Tiranë, 1995

6. "Këngë popullore të ndaluara", Tiranë, 1996

Elim Xanxari

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetëmohimi" (Zhvillime të çështjes çame), i autorit Shefki Hysa, Tiranë, 2008.
SHKRIMTARJA DYLBERE DIKA

Dylbere Dika lindi në fshatin Dypjakë të komunës Sllovë të Dibrës më 4 shtator të vitit 1979. Ajo është një ndër poetet dhe tregimtaret shqiptare më të talentuara të brezit të saj.

Shkollën fillore e kreu në fshatin Venisht, tetëvjeçaren në Shumbat dhe të mesmen në Sllovë të Dibrës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën e gjuhë-letërsisë. Ka kryes disa specializime në fushën e gazetarisë dhe botimeve.

Ka punuar pak kohë si mësuese letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme të Sllovës dhe më vonë redaktore në shtëpinë botuese "Bilal Xhaferri". Ka botuar dhe vazhdon të botojë poezi, tregime dhe publicistikë në shtypin letrar shqiptar. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë".

Tani është zëvendëskryeredaktore e revistës "Krahu i shqiponjës".

Disa nga krijimet dhe punimet e saj janë:

1. "Parajsa e shitur", vëllim poetik (2002), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri"

2. "Dhe dita vdes", vëllim me tregime (2003), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri"

3. Redaktore e vëllimit poetik "Klithmë shpirti" (2004), e autores Liri Hidërshaj

4. Redaktore e novelës "Mëkim shpirtëror" (2005), e autores Liri Hidërshaj, ISBN 99927-960-4-9

5. Redaktore e vëllimit poetik "Për pak lumturi" (2006), e autores Venka Capa

6. Redaktore e novelës "Rrëfimi" (2006), e autores Liri Hidërshaj, ISBN 99927-960-5-7

7. Redaktore e vëllimit me publicistikë "Dialog për paqen e pamundur" (2006), i autorit Hysen Haxhiaj, ISBN 99927-960-6-5

8. Redaktore e vëllimit poetik "Pikëllim familjar" (2006), e autores Mina Çaushi, ISBN 99927-960-7-3

9. Redaktore e librit me artikuj studimorë "Dodona tempulli i lashtë i Shqipërisë" (2007), i autorit Rasim Bebo

10. Redaktore e novelës "Pendimi" (2007), e autores Liri Hidërshaj, ISBN 978-99943-969-3-1, etj.,etj.

Dylbere Dika është tashmë një shkrimtare e spikatur e brezit të vet, e cila do të jetë dikur pjesë e historisë së letërsisë shqiptare.

Xhulia Xhekaj

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetmohimi" (Zhvillime të çështjes çame) i autorit Shefki Hysa, Tiranë, 2008.