Saturday, February 16, 2008

ENERGJIKU FATOS M. RRAPAJ

Fatos M. Rrapaj lindi më 6 korrik të vitit 1930 në fshatin Gumenicë të Vlorës. Ai është folklorist, etnograf, studiues dhe shkrimtar.

Arsimin bazë Fatosi e mori në fshatin e lindjes. Që në moshë të vogël doli partizan dhe me armë në dorë mori pjesë aktive në luftën kundër forcave nazifashiste. Megjithatë, pas çlirimit të vendit, u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij kundër nacionalizmit e shovinizmit sllavo-grek.

Tërë jetën, deri sa doli në pension, Fatosi ka punuar në punë të ndryshme të zakonshme, sepse talenti dhe aftësitë e tij mbetën të pavlerësuara nga strukturat drejtuese të ish diktaturës komuniste. Megjithatë ai është karakterizuar nga një energji e jashtëzakonshme në punën e tij kërkimore, si të ishte akademik e kaluar akademikëve. Jo më kot e thërrisnin edhe "Energjiku" miqtë e tij.

Fatos M. Rrapaj, që kur ishte nxënës në shkollën e fshatit, në periudhën kur ishte partizan e më vonë, gjatë tërë jetës, i është përkushtuar me mish e me shpirt mbledhjes së vlerave folklorike, onomastike e etnografike të të gjithë trojeve shqiptare, sidomos atyre të Çamërisë.

Ka botuar disa libra, por të njohur në qarqet akademike e elitat shoqërore e artistiko-letrare shqiptare, e bëri vëllimi me rreth 800 faqe "Këngë popullore të Çamërisë", i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 1983, me recensën dhe parathënien e shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Ka bashkëpunuar me shumë nga organet letrare shqiptare për botimin e shkrimeve të tij, veçanërisht me revistën "Krahu i shqiponjës" si dhe gazetat "Drita", "Kosova" e "Çamëria". Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e veprës së tij ka mbetur në dorëshkrim si: "Proza popullore e Çamërisë", me rreth 3000 faqe, "Fjalori onomastik i Epirit në zhvillime", Këngë e prozë popullore" nga Kosova, Mirëdita, Kruja, Kosturi e Follorina, "Doke e zakone nga Çamëria", "Fjalë të urta nga Korça e Dibra", Anekdota popullore" në pesë vëllime etj., etj.

Titujt e veprave kryesore që studiuesi Fatos M. Rrapaj ka botuar nëpër vite janë:

1. "Te Sheshi i Flamurit", me këngë popullore labe, Tiranë, 1972

2. "Këngë popullore të Çamërisë" , Tiranë, 1983

3. "Këngë popullore të Labërisë", Tiranë, 1991

4. "Rënkimet e Çamërisë", tregime pellazgo-ilire e këngë çame, Tiranë, 1995

5. "Fjalori onomastik i Epirit" I, Tiranë, 1995

6. "Këngë popullore të ndaluara", Tiranë, 1996

Elim Xanxari

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetëmohimi" (Zhvillime të çështjes çame), i autorit Shefki Hysa, Tiranë, 2008.