Thursday, August 25, 2011

Shqipëria si Kalifornia

Është hera e parë që unë vij në Shqipëri. Kisha dëgjuar se Shqipëria ishte një ndër vendet problematike të një Rajoni të trazuar si Ballkani, ku shpesh gjenerohen përplasje ndëretnike. Mirëpo të them të vërtetën u befasova. Gjeta një vend të bukur e të qetë si Kalifornia ime. Ndihem i mrekulluar nga mikpritja shqiptare. Në Shqipëri u takova me njerëz mikpritës, të qeshur e të sinqertë që bëhen copë për mysafirët e tyre të huaj. Pra, gjeta miq të vërtetë që janë gati të sakrifikojnë për miqësinë. Kam shetitur shumë nëpër botë. Kam parë vende nga më të rrallat e më të çuditshmet, por nuk më kanë lënë kaq mbresa sa vendi i shqiptarëve. Dhe nuk di si ta shpjegoj këtë. Shqipëria është një ndë ndër vendet më të bukura të Mesdheut. Ka natyrë me pamje tërheqëse, fusha, male, lumenj e dete të ndryra në hapësirë të vogël, në pak kilometra; ka klimë të ngrohtë pranverore, ka mikroklima si gjire të qeta ku gjallon jeta e lloj-lloj gjallesave, flora dhe fauna mesdhetare dhe ekzotike, ku punojnë njerër paqësorë, por besoj se nuk më kanë tërhequr këto sa më ka bërë për vete mirësia e njerëzve shqiptarë.

Pra, veçanësia e Shqipërië, sipas meje, qëndron te bota e njeriut shqiptar, te individualiteti dhe karakteristikat e tij të rralla për të dashur njerëzit që vijnë nga botë të tjera. Nga miqësia që më ofruan shqiptarët, herë-herë më ngjan se diku në këtë vend duhet të gjendet porta e Parajsës.

Shqiptarët e duan shumë Amerikën. E simpatizojnë demokracinë amerikane. Ëndërrojnë që Shqipëria të jetë një nga Republikat e SHBA.

Po amerikanët? Politika dhe diplomacia amerikane vërtet e kanë përkrahur Shqipërinë dhe vazhdojnë ta përkrahin e ta mbrojnë, por e kam fjalën për shtetasit amerikanë. Shumica e tyre ende nuk e njohin mirë Shqipërinë. Sikur ta njihnin më mirë do ta konsideronin si Kaliforninë time. Do të vinin për të pushuar në Shqipëri dhe do të dashuroheshin pas këtij vendi plot harmoni e paqe. Do të ndihmonin më shumë që që të fuqizohej ekonomikisht dhe të ishte vërtet pjesë e Parajsës mbi Glob.

Si misionar i Diplomatic Mission Peace and Prosperity do të bëj të pamundurën që Shqipëria të hyjë në zemrat e njerëzve amerikanë, të jetë si një ndër shtetet e saj më të bukura, si Kalifornia ime.

Rodney D. Dir

Gazetar

Friday, March 4, 2011

Çamët

Mos më lëndoni!...
Të paktën ju, miqtë e të njohurit e mi, mos më lëndoni!...
Të tjerët, ata që nuk më duan dhe armiqtë, le të bëjnë si të duan…
Nuk më hyn në sy sjellja e tyre…
Më dhembin veç paragjykimet dhe gjykimet tuaja për çamët dhe Çamërinë…
Mos më lëndoni!...
Mos më detyroni të flas unë për çamët, se jam edhe vetë çam, jam nga Çamëria. Nuk jam mësuar të vetëlavdërohem, por janë dyshimet tuaja që më shtyjnë të bëhem apologjet i vetes dhe avokat i vëllezërve të mi çamë, megjithëse e kam të vështirë të stis fjalë kur bëmat, veprat e vlerat e bijve të Çamërisë ndrijnë si ar para sajesave të armiqve dhe të atyre që nuk u duan të mirën…
Shikojini mirë!...
Male të tëra me thesare ari prarojnë para jush dhe çuditem si nuk doni t’i shihni! Mos vallë ju janë lëbyrur sytë nga prarimi i vlerave çame, apo mos vallë jeni verbuar nga vetëtimat e tyre që nuk doni të pranoni ekzistencën e Çamërisë si një realitet i prekshëm që ju ka zënë udhën?!...
Mos më lëndoni!...
Nuk mund të kapërceni kaq vargmale dhe të mos ndiheni të lodhur… Shndrin lodhja në fytyrat tuaja… Edhe lodhja juaj ndrin në udhën tonë drejt Çamërisë…
Ju lutem, mos më lëndoni!...
Boll më kanë lënduar ata që na kanë prerë në besë…
Boll i kanë mohuar thesaret tona shpirtërore besëprerët dhe mosmirënjohësit…
Çamët, i pari shteti shqiptar i preu në besë dhe ca palo politikanë, njëlloj si padronët e tyre shovenë-helenë (e përshëndes plot respekt qytetërimin grek), i etiketuan dhe i shitën si të pabesë…
Ju, miq, mos më lëndoni!...
Më lini të paktën të qetë në fushëbetejat e mia me armiqtë tanë!...
Çamët janë si bletët që mbledhin pa u lodhur nektarin lule më lule dhe prodhojnë mjaltë për vete e për të tjerët... A mund të jenë të pabesa bletët?!... Ato që vetëm punojnë, ndërtojnë e prodhojnë me artin më të rrallë ushqimin më të mrekullueshëm, mjaltin?!...
Mos më lëndoni!...
Djemtë çamë janë si pëllumba që u vijnë rrotull dhe u gugurisin pëllumbeshave të veta (jo sorrave të botës; u druhen pësimeve të fabulave me laraska me pendë pëllumbeshash). A mund të jenë të pabesë pëllumbat e paqes?!... Ata që e bëjnë, e duan dhe ua përcjellin të tjerëve me aq dashuri mesazhin e paqes?!...
Mos më lëndoni!...
Çamët janë si luanë që u shmangen gomarëve me lëkurë luani... Dhe dihet se luanët janë luanë, trima e luftëtarë betejash dhe jo pabesipjellës e aktorë në role pabesish...
Mos më lëndoni!...
Djemtë çamë janë Osman Takat e Bilbilenjtë shqiptarë që vallëzojnë edhe para vdekjes...
Mos më lëndoni!...
Djemtë e Çamërisë janë si Bilal Xhaferri që u tret si Qiriri i Naimit për Shqipërinë...
Mos më lëndoni!...
Mos më keqkuptoni, nuk dua të jem si Beluli, ky farë bufoni modern që vetëlavdërohet në stilin Mark Antoni, i cili e falimentoi sakaq madhështinë e Brutit, vrasësit të Cezarit Tiran...
Mos më lëndoni!...
Vajzat çame janë si Kleopatra, mbretëresha e Egjyptit, që i detyroi Cezarët të ulnin kokën në prehërin e saj e t’i adhuronin hiret si të ishte perëndi...
Mos më lëndoni!...
Vajzat çame janë si nusja që pranoi të flijohej në themelet e urës së Artës, që ajo të ndërtohej për të sjellë bashkimin e qytetërimin e brigjeve njerëzorë...
Vajzat çame janë si suliotet që u gremisën nga shkëmbinjtë e maleve të Sulit për të mos përfunduar robina të mizorisë së pushtuesve...
Vajzat çame janë si Vasiliqia që me një vështrim zbriti nga kali pashanë mizor, Ali Tepelenën, ia flaku tutje shpatën e i mësoi qytetërimin…
Mos më lëndoni!...
Çamët janë si këngëtarja Enkeleda Alushi, nuse në Kosovë që i këndon me mall Çamërisë...
Mos më lëndoni!...
Çamët janë si unë që e përul kokën vetëm në prehërin e Çamërisë!...
Mos më lëndoni!...

Shefki Hysa
Vallja Osman Taka

Çdo dashamirës i artit shqiptar duhet ta dijë se nuk mund të flasësh për vallen e Osman Takës, pa ditur se kush ishte vetë personaliteti i tij i lidhur pazgjidhshmërisht me këtë valle si Natyra me Krijuesin e saj. Për këtë arsye e ndiej si detyrim të shkruaj dy radhë për këtë artist të madh popullor të lindur në zemër të Çamërisë për të qenë një nga simbolet e saj më tipikë.
Osman Taka ka lindur në një nga familjet më atdhetare dhe më të pasura të Konispolit rreth viteve 1848 – 1887. Ai, si disa nga djemtë më të mirë të Çamërisë, u rrit e u edukua me idetë e Rilindjes Kombëtare. Me kalimin e viteve u bë një nga organizatorët më kryesorë të kryengritjeve në trevën e Çamërisë kundër pushtuesve turq. Osman Taka ka luajtur një rol të rëndësishëm në degën e Lidhjes së Prizrenit në Prevezë. Arriti të bëhej edhe një nga krerët më të rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Osman Taka ishte jo vetëm luftëtar i paepur, por edhe një valltar i njohur popullor. Pikërisht te ky fakt mbështetet edhe bëma e tij si një nga personazhet më të spikatur të folklorit popullor çam.
Tregojnë se u kur Osman Taka u kap nga forcat turke, u burgos në Janinë dhe e dënuan me varje te rrapi i Konispolit. Në çastin kur do të ekzekutohej vendimi, ai shprehu dëshirën e fundit për të kërcyer një valle para litarit. Duket si legjendë, por është fakt i vërtetë. Dhe pikërisht këtu zë fill historia e artistit të përjetshëm Osman Taka.
- Dua të kërcej një valle përpara valiut turk! – theksoi Osman Taka.
Dihet se dëshira e të dënuarit me vdekje ka qenë dikur dhe është e detyrueshme edhe sot në ditët tona, prandaj nuk ia prishën këtë kërkesë të pazakontë shqiptarit të krisur Osman Taka. I sollën edhe një fustanellë të bardhë, qeleshe dhe një krehër që të krehte flokët dhe mustaqet e zeza e të zbukurohej para se të fillonte vallen.
Vetëkuptohet, i sollën edhe sazet me gërnetë, violinë e def, sipas traditës, grup muzikantësh që dinte të luante bukur vallet çame.
Osman Taka iu afrua klarinetistit dhe i pëshpëriti ritmin e një melodie. Sazexhiu e kapi sa hap e mbyll sytë atë që duhej të luante.
U kërkoi ekzekutorëve edhe një shami dore dhe një nga shokët e tij që do ta mbante gjatë vallzimit. Valiu ia plotësoi gjithë kërkesat, teksa priste i çuditur se çdo të ndodhte. Pranë kishte gruan, shoqëruesit dhe zyrtarët e tij të habitur njëlloj si ai.
Më në fund Osman Taka, me shami në dorë dhe në krah njërin nga shokët që e mbante fort, u ndal me vështrimin nga trekëmbëshi ku tundej laku i litarit dhe nisi të këndonte duke improvizuar ca vargje për vete:
- Hajde, more Osman Taka...
Gërrneta klithi melodinë shoqëruese dhe sakaq zuri fill vallja e tij legjendare përballë armiqve dhe vdekjes...
Osman Taka, i veshur me kostumin tipik të Çamërisë, me fustanellë e qeleshe të bardhë, nisi të kërcente para valiut të Janinës dhe bashkëshortes së tij. Lodërtarët e orkestrës luanin ritmin e melodinë e rrallë të lëvizjeve të tij. Hidhte ca hapa, këndonte dhe kur rrotullohej thërriste “Hooopa” si t’i jepte guxim vetes dhe shokut që e mbante fort e më fort duke ndjekur ritmin e tejet burrëror të valles... Rrotullohej në vend në një hapësirë sa një sofër mbi njërën këmbë dhe atëherë kur dukej se do të këputej e binte përtokë, hovte befas përpjetë dhe këmbët i arrinin supet e shokut që e mbante fort përdore…
E filloi vallen qetë-qetë, si valët e shtruara të detit pranveror, duke u harmonizuar tërësisht me melodinë sa lirike, pikëlluese e shpresëdhënëse që buronte drithëruese prej klarinetës e violinës. Hapat e tij të thjeshtë, të ngadaltë dhe të prerë valëzonin e valëzonin, pastaj merrnin befas hov dhe shpërthenin në një furi rrotulluese e marramendëse në një hapësirë sa një tepsi. Ashtu si vorbull e shpejtë i ngjante një vale që fryhej si me magji e shkumëzohej e shndërrohej sakaq në një dallgë kreshtëbardhë. Dora e tij, herë pas koke e herë si krah shqiponje në fluturim, të linte përshtypjen se nuk po vallëzonte, por po dallgëzonte. Fustanella gufonte e gufonte dhe qeleshja dukej se prirej drejt reve. Kërcente si askush tjetër, jo si valltar, por si një magjistar i rrallë a si shtojzovalle e dalë nga përrallat popullore.
Herë si fugë e herë i përkulur mbrapa me kokën në tokë, si urë, plot hijeshi e elegancë, herë si valë e sapolindur e herë si dallgë kryethinjur, dukej se ishte pjesë e natyrës, sa e tokës dhe e detit, apo sikur natyra buronte prej asaj bukurie rrotulluese trullosëse.
Thonë se falë asaj magjie trupore, shkathtësisë dhe zhdërvjelltësisë gati hyjnore, vajza e valiut e magjepsur, pothuajse u rrëzua nga dritarja teksa zgjatej e zgjatej për të parë atë valltar të mrekullueshëm.
Të gjithë njerëzit aty rrotull e vështronin me admirim dhe habi, duke harruar se ai ishte një i dënuar me vdekje dhe një armik i betuar i Perandorisë Osmane.
Kur mbaroi vallen, Osman Taka, i mbytur në djersë, fshiu ballin me shami dhe sakaq e rroku turmën me një vështrim prej shqiponje.
Befas shpërtheu një lumë duartrokitjesh.
Valltari i habitur piu një shtambë ujë dhe thirri:
- Tani jam gati të shkoj në litar për vatanin!...
Të gjithë shtangën në pritje të shenjës së valiut për ekzekutimin e të dënuarit.
Dokumente arkivorë të Janinës tregojnë realisht se pas asaj valleje të paparë ndonjëherë, e shoqja e valiut i kërkoi atij që t’i falte jetën Osman Takës. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi.
Valiu u ngrit në këmbë dhe thirri:
- Një valltar si Osman Taka nuk mund të shkojë kurrë në litar!
Urdhëroi ndalimin e ekzekutimit menjëherë dhe i fali jetën...
Thonë se që nga ajo ditë kjo valle e hershme epirote u quajt Vallja e Osman Takës.
Është një valle e jashtëzakonshme, nga më të bukurat dhe më burrëroret e Çamërisë. Një valle që të sjell në kujtesë Osman Takën, djaloshin-hero, i cili u përjetësua në histori dhe në bëmat e folklorit popullor falë dëshirës së tij të fundit për të kërcyer para vdekjes. Kaq mjaftoi dhe Osman Taka, ky shembëllim i gjallë i heroizmit shqiptar ndër shekuj, të triumfonte mbi vdekjen dhe të hynte në këngë e në legjendë.
Vitet kalonin, sazexhinjtë e Konispolit i binin muzikës dhe vallja mbijetoi brez pas brezi e mishëruar në valltarë të dashuruar pas historisë, traditave dhe folklorit të mrekullueshëm të Çamërisë. Shumë artistë e kanë kërcyer ndër vite këtë valle, por askush nuk mundi ta kërcente dot, deri më sot, si djaloshi artist Taip Madani, nga fshati Shalës i Konispolit.
Thuhet se me kërcimin e tij brilant në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në tetor 1978, Taip Madani e bëri vallen e Osman Takës një nga vallet më të bukura dhe më të vlerësuara të kohëve moderne.
Nëpërmjet kërcimit të tij virtuoz, artisti i kohës sonë, Taip Madani, jo vetëm risolli në skenat bashkëkohore shkëqimin e florinjtë të kësaj valleje të paarritshme, të valleve çame në përgjithësi dhe të vetë foklorit të mahnitshëm çam, por rikrijoi edhe mitin e Osman Takës së ri, të aftë të ripërtërijë nëpër shekuj vlerat e padiskutueshme të artistit-hero, Osman Takës së qëmoçëm që ndriçon si brilant midis brilanteve të thesareve të kulturës popullore shqiptare.

Shefki Hysa