Friday, March 4, 2011

Çamët

Mos më lëndoni!...
Të paktën ju, miqtë e të njohurit e mi, mos më lëndoni!...
Të tjerët, ata që nuk më duan dhe armiqtë, le të bëjnë si të duan…
Nuk më hyn në sy sjellja e tyre…
Më dhembin veç paragjykimet dhe gjykimet tuaja për çamët dhe Çamërinë…
Mos më lëndoni!...
Mos më detyroni të flas unë për çamët, se jam edhe vetë çam, jam nga Çamëria. Nuk jam mësuar të vetëlavdërohem, por janë dyshimet tuaja që më shtyjnë të bëhem apologjet i vetes dhe avokat i vëllezërve të mi çamë, megjithëse e kam të vështirë të stis fjalë kur bëmat, veprat e vlerat e bijve të Çamërisë ndrijnë si ar para sajesave të armiqve dhe të atyre që nuk u duan të mirën…
Shikojini mirë!...
Male të tëra me thesare ari prarojnë para jush dhe çuditem si nuk doni t’i shihni! Mos vallë ju janë lëbyrur sytë nga prarimi i vlerave çame, apo mos vallë jeni verbuar nga vetëtimat e tyre që nuk doni të pranoni ekzistencën e Çamërisë si një realitet i prekshëm që ju ka zënë udhën?!...
Mos më lëndoni!...
Nuk mund të kapërceni kaq vargmale dhe të mos ndiheni të lodhur… Shndrin lodhja në fytyrat tuaja… Edhe lodhja juaj ndrin në udhën tonë drejt Çamërisë…
Ju lutem, mos më lëndoni!...
Boll më kanë lënduar ata që na kanë prerë në besë…
Boll i kanë mohuar thesaret tona shpirtërore besëprerët dhe mosmirënjohësit…
Çamët, i pari shteti shqiptar i preu në besë dhe ca palo politikanë, njëlloj si padronët e tyre shovenë-helenë (e përshëndes plot respekt qytetërimin grek), i etiketuan dhe i shitën si të pabesë…
Ju, miq, mos më lëndoni!...
Më lini të paktën të qetë në fushëbetejat e mia me armiqtë tanë!...
Çamët janë si bletët që mbledhin pa u lodhur nektarin lule më lule dhe prodhojnë mjaltë për vete e për të tjerët... A mund të jenë të pabesa bletët?!... Ato që vetëm punojnë, ndërtojnë e prodhojnë me artin më të rrallë ushqimin më të mrekullueshëm, mjaltin?!...
Mos më lëndoni!...
Djemtë çamë janë si pëllumba që u vijnë rrotull dhe u gugurisin pëllumbeshave të veta (jo sorrave të botës; u druhen pësimeve të fabulave me laraska me pendë pëllumbeshash). A mund të jenë të pabesë pëllumbat e paqes?!... Ata që e bëjnë, e duan dhe ua përcjellin të tjerëve me aq dashuri mesazhin e paqes?!...
Mos më lëndoni!...
Çamët janë si luanë që u shmangen gomarëve me lëkurë luani... Dhe dihet se luanët janë luanë, trima e luftëtarë betejash dhe jo pabesipjellës e aktorë në role pabesish...
Mos më lëndoni!...
Djemtë çamë janë Osman Takat e Bilbilenjtë shqiptarë që vallëzojnë edhe para vdekjes...
Mos më lëndoni!...
Djemtë e Çamërisë janë si Bilal Xhaferri që u tret si Qiriri i Naimit për Shqipërinë...
Mos më lëndoni!...
Mos më keqkuptoni, nuk dua të jem si Beluli, ky farë bufoni modern që vetëlavdërohet në stilin Mark Antoni, i cili e falimentoi sakaq madhështinë e Brutit, vrasësit të Cezarit Tiran...
Mos më lëndoni!...
Vajzat çame janë si Kleopatra, mbretëresha e Egjyptit, që i detyroi Cezarët të ulnin kokën në prehërin e saj e t’i adhuronin hiret si të ishte perëndi...
Mos më lëndoni!...
Vajzat çame janë si nusja që pranoi të flijohej në themelet e urës së Artës, që ajo të ndërtohej për të sjellë bashkimin e qytetërimin e brigjeve njerëzorë...
Vajzat çame janë si suliotet që u gremisën nga shkëmbinjtë e maleve të Sulit për të mos përfunduar robina të mizorisë së pushtuesve...
Vajzat çame janë si Vasiliqia që me një vështrim zbriti nga kali pashanë mizor, Ali Tepelenën, ia flaku tutje shpatën e i mësoi qytetërimin…
Mos më lëndoni!...
Çamët janë si këngëtarja Enkeleda Alushi, nuse në Kosovë që i këndon me mall Çamërisë...
Mos më lëndoni!...
Çamët janë si unë që e përul kokën vetëm në prehërin e Çamërisë!...
Mos më lëndoni!...

Shefki Hysa

No comments: