Friday, March 4, 2011

Vallja Osman Taka

Çdo dashamirës i artit shqiptar duhet ta dijë se nuk mund të flasësh për vallen e Osman Takës, pa ditur se kush ishte vetë personaliteti i tij i lidhur pazgjidhshmërisht me këtë valle si Natyra me Krijuesin e saj. Për këtë arsye e ndiej si detyrim të shkruaj dy radhë për këtë artist të madh popullor të lindur në zemër të Çamërisë për të qenë një nga simbolet e saj më tipikë.
Osman Taka ka lindur në një nga familjet më atdhetare dhe më të pasura të Konispolit rreth viteve 1848 – 1887. Ai, si disa nga djemtë më të mirë të Çamërisë, u rrit e u edukua me idetë e Rilindjes Kombëtare. Me kalimin e viteve u bë një nga organizatorët më kryesorë të kryengritjeve në trevën e Çamërisë kundër pushtuesve turq. Osman Taka ka luajtur një rol të rëndësishëm në degën e Lidhjes së Prizrenit në Prevezë. Arriti të bëhej edhe një nga krerët më të rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Osman Taka ishte jo vetëm luftëtar i paepur, por edhe një valltar i njohur popullor. Pikërisht te ky fakt mbështetet edhe bëma e tij si një nga personazhet më të spikatur të folklorit popullor çam.
Tregojnë se u kur Osman Taka u kap nga forcat turke, u burgos në Janinë dhe e dënuan me varje te rrapi i Konispolit. Në çastin kur do të ekzekutohej vendimi, ai shprehu dëshirën e fundit për të kërcyer një valle para litarit. Duket si legjendë, por është fakt i vërtetë. Dhe pikërisht këtu zë fill historia e artistit të përjetshëm Osman Taka.
- Dua të kërcej një valle përpara valiut turk! – theksoi Osman Taka.
Dihet se dëshira e të dënuarit me vdekje ka qenë dikur dhe është e detyrueshme edhe sot në ditët tona, prandaj nuk ia prishën këtë kërkesë të pazakontë shqiptarit të krisur Osman Taka. I sollën edhe një fustanellë të bardhë, qeleshe dhe një krehër që të krehte flokët dhe mustaqet e zeza e të zbukurohej para se të fillonte vallen.
Vetëkuptohet, i sollën edhe sazet me gërnetë, violinë e def, sipas traditës, grup muzikantësh që dinte të luante bukur vallet çame.
Osman Taka iu afrua klarinetistit dhe i pëshpëriti ritmin e një melodie. Sazexhiu e kapi sa hap e mbyll sytë atë që duhej të luante.
U kërkoi ekzekutorëve edhe një shami dore dhe një nga shokët e tij që do ta mbante gjatë vallzimit. Valiu ia plotësoi gjithë kërkesat, teksa priste i çuditur se çdo të ndodhte. Pranë kishte gruan, shoqëruesit dhe zyrtarët e tij të habitur njëlloj si ai.
Më në fund Osman Taka, me shami në dorë dhe në krah njërin nga shokët që e mbante fort, u ndal me vështrimin nga trekëmbëshi ku tundej laku i litarit dhe nisi të këndonte duke improvizuar ca vargje për vete:
- Hajde, more Osman Taka...
Gërrneta klithi melodinë shoqëruese dhe sakaq zuri fill vallja e tij legjendare përballë armiqve dhe vdekjes...
Osman Taka, i veshur me kostumin tipik të Çamërisë, me fustanellë e qeleshe të bardhë, nisi të kërcente para valiut të Janinës dhe bashkëshortes së tij. Lodërtarët e orkestrës luanin ritmin e melodinë e rrallë të lëvizjeve të tij. Hidhte ca hapa, këndonte dhe kur rrotullohej thërriste “Hooopa” si t’i jepte guxim vetes dhe shokut që e mbante fort e më fort duke ndjekur ritmin e tejet burrëror të valles... Rrotullohej në vend në një hapësirë sa një sofër mbi njërën këmbë dhe atëherë kur dukej se do të këputej e binte përtokë, hovte befas përpjetë dhe këmbët i arrinin supet e shokut që e mbante fort përdore…
E filloi vallen qetë-qetë, si valët e shtruara të detit pranveror, duke u harmonizuar tërësisht me melodinë sa lirike, pikëlluese e shpresëdhënëse që buronte drithëruese prej klarinetës e violinës. Hapat e tij të thjeshtë, të ngadaltë dhe të prerë valëzonin e valëzonin, pastaj merrnin befas hov dhe shpërthenin në një furi rrotulluese e marramendëse në një hapësirë sa një tepsi. Ashtu si vorbull e shpejtë i ngjante një vale që fryhej si me magji e shkumëzohej e shndërrohej sakaq në një dallgë kreshtëbardhë. Dora e tij, herë pas koke e herë si krah shqiponje në fluturim, të linte përshtypjen se nuk po vallëzonte, por po dallgëzonte. Fustanella gufonte e gufonte dhe qeleshja dukej se prirej drejt reve. Kërcente si askush tjetër, jo si valltar, por si një magjistar i rrallë a si shtojzovalle e dalë nga përrallat popullore.
Herë si fugë e herë i përkulur mbrapa me kokën në tokë, si urë, plot hijeshi e elegancë, herë si valë e sapolindur e herë si dallgë kryethinjur, dukej se ishte pjesë e natyrës, sa e tokës dhe e detit, apo sikur natyra buronte prej asaj bukurie rrotulluese trullosëse.
Thonë se falë asaj magjie trupore, shkathtësisë dhe zhdërvjelltësisë gati hyjnore, vajza e valiut e magjepsur, pothuajse u rrëzua nga dritarja teksa zgjatej e zgjatej për të parë atë valltar të mrekullueshëm.
Të gjithë njerëzit aty rrotull e vështronin me admirim dhe habi, duke harruar se ai ishte një i dënuar me vdekje dhe një armik i betuar i Perandorisë Osmane.
Kur mbaroi vallen, Osman Taka, i mbytur në djersë, fshiu ballin me shami dhe sakaq e rroku turmën me një vështrim prej shqiponje.
Befas shpërtheu një lumë duartrokitjesh.
Valltari i habitur piu një shtambë ujë dhe thirri:
- Tani jam gati të shkoj në litar për vatanin!...
Të gjithë shtangën në pritje të shenjës së valiut për ekzekutimin e të dënuarit.
Dokumente arkivorë të Janinës tregojnë realisht se pas asaj valleje të paparë ndonjëherë, e shoqja e valiut i kërkoi atij që t’i falte jetën Osman Takës. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi.
Valiu u ngrit në këmbë dhe thirri:
- Një valltar si Osman Taka nuk mund të shkojë kurrë në litar!
Urdhëroi ndalimin e ekzekutimit menjëherë dhe i fali jetën...
Thonë se që nga ajo ditë kjo valle e hershme epirote u quajt Vallja e Osman Takës.
Është një valle e jashtëzakonshme, nga më të bukurat dhe më burrëroret e Çamërisë. Një valle që të sjell në kujtesë Osman Takën, djaloshin-hero, i cili u përjetësua në histori dhe në bëmat e folklorit popullor falë dëshirës së tij të fundit për të kërcyer para vdekjes. Kaq mjaftoi dhe Osman Taka, ky shembëllim i gjallë i heroizmit shqiptar ndër shekuj, të triumfonte mbi vdekjen dhe të hynte në këngë e në legjendë.
Vitet kalonin, sazexhinjtë e Konispolit i binin muzikës dhe vallja mbijetoi brez pas brezi e mishëruar në valltarë të dashuruar pas historisë, traditave dhe folklorit të mrekullueshëm të Çamërisë. Shumë artistë e kanë kërcyer ndër vite këtë valle, por askush nuk mundi ta kërcente dot, deri më sot, si djaloshi artist Taip Madani, nga fshati Shalës i Konispolit.
Thuhet se me kërcimin e tij brilant në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në tetor 1978, Taip Madani e bëri vallen e Osman Takës një nga vallet më të bukura dhe më të vlerësuara të kohëve moderne.
Nëpërmjet kërcimit të tij virtuoz, artisti i kohës sonë, Taip Madani, jo vetëm risolli në skenat bashkëkohore shkëqimin e florinjtë të kësaj valleje të paarritshme, të valleve çame në përgjithësi dhe të vetë foklorit të mahnitshëm çam, por rikrijoi edhe mitin e Osman Takës së ri, të aftë të ripërtërijë nëpër shekuj vlerat e padiskutueshme të artistit-hero, Osman Takës së qëmoçëm që ndriçon si brilant midis brilanteve të thesareve të kulturës popullore shqiptare.

Shefki Hysa

No comments: