Monday, May 3, 2010

Nivel i ri bashkëpunimi italo-shqiptar

Në datat 9-11 Prill në Cesena të Italisë u zhvillua edicioni i pestë i Panairit Agrofer, një nga evenimentet më të rëndësishme kushtuar agroenergjisë, kursimit të energjisë dhe ndërtimeve të gjelbra. Zhvillimi i panairit AGROFER ka lindur nga nevoja për të prezantuar përpara publikut të gjerë domosdoshmërinë e prodhimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme si era apo dielli, duke shmangur në këtë mënyrë ndotjen e mjedisit.
Në panair morën pjesë mbi 100 ekspozues nga vende të ndryshme të botës dhe mbi 9.000 vizitorë. Qëllimi kryesor i panairit ishte prezantimi përpara operatorëve dhe sipërmarrësve të sektorit bujqësor, energjitik dhe ndërtues i teknologjive më të reja, risive dhe projekteve më të rëndësishme në fushën e energjisë.
Shqipëria u përfaqësua në këtë panair nga një delegacion i përbërë nga: Selami Xhepa, Florian Mima, Shpëtim Idrizi, deputetë dhe njëkohësisht anëtarë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Dorian Duçka, përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe Artan Santo, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Credins. Pjesëmarrja e Shqipërisë dhe e grupit të saj përfaqësues u bë e mundur falë këmbënguljes dhe përkushtimit të Dr.Haim Reitan, koordinator dhe menaxhues projektesh në fushën e energjisë dhe shëndetësisë në Shqipëri.
Për përfaqësimin e Shqipërisë, në panair ishte ngritur edhe një stendë e posaçme me materiale promovuese mbi mundësitë e shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme në rajone të ndryshme shqiptare.
Organizimi i këtij panairi e ngriti në një shkallë më të lartë bashkëpunimin italo-shqiptar në fushën e ekonomisë dhe zgjoi dëshirën e shumë bizneseve të fuqishme italiane për të investuar në Shqipëri.
Ky bashkëpunim e ka zanafillën rreth katër vjet më parë kur dr. Haim Reitan erdhi në Shqipëri dhe si mik e anëtar nderi i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri”, iu përkushtua zhvillimit demokratik të vendit tonë, duke e mbështetur me projekte në fushën e shëndetësisë, energjitikës, turizmit, etj…
Në qershor të vitit 2009 u arrit të firmosej marrëveshja midis Spitaleve të Bashkuara të Bergamos dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë për specializime afatshkurtra e afatgjata të mjekëve shqiptarë në Itali.
Pas shumë peripecive, kompania italiane “Radici Energie” me qendër në Bergamo mundi të fitonte koncensionin e një hidrocentrali në Tepelenë. Më vonë kjo kompani fitoi edhe tenderin për dhënien me koncesion të hidrocentraleve “Kaskada e Lusës”, rrethi Mat.
U krijua kështu një urë e fuqishme komunikimi midis Rajonit të pasur të Lombardisë dhe Shqipërisë, gjë që i hapi udhën gjigandëve ekonomikë si “Mazars”, “Kinexia”, “Trevi” etj., të shprehnin interesimin e tyre për të zgjeruar investimet në fushën e energjitikës, veçanërisht për ndërtimin e heceve të mëdha si kaskada e Vjosës, për parqet eolike (mullinjtë me erë) në Sarandë, centraleve elektrike që prodhojnë energji nga djegia e mbeturinave dhe impianteve të prodhimit të energjisë diellore.
Kompanitë lombardeze i kanë kthyer sytë edhe nga investimet në fushën e turizmit; një nga pikësynimet e tyre është edhe realizimi i një projekti për investimin e 11 miliard eurove në ndërtimin e një autodromi që do të afrojë më shumë qytetet Durrës, Kavajë e Tiranë, duke krijuar njëkohësisht shumë vende pune dhe duke përmirësuar cilësinë e jetesës.
Dr. Haim Reitan, si koordinator, dhe investitorët italianë kanë dëshirën e madhe që t’i realizojnë sa më parë këto projekte, por nuk varet gjithçka prej tyre. Duhet edhe dëshira e mirë e autoriteteve qeveritare shqiptare, të cilat kanë në dorë çelësin e artë për t’u hapur udhë ose jo këtyre investimeve. Ndërkaq bizneset e Lombardisë janë duke pritur verdiktin e palës shqiptare...
Ndërkohë, edhe sipërmarrës të ndryshëm nga rajoni i Emiglia-Romagna kanë shfaqur dëshirën për të investuar në Shqipëri. Për këtë arsye, Komuna e Forlit në bashkëpunim me Shoqatën për Tregtinë Italo-Shqiptare ka inicuar zhvillimin e një kongresi në datat 25-27 maj, ku janë ftuar disa përfaqësues të autoriteteve qeveritare shqiptare si Ilir Zhilla, Pëllumb Pipero, Shpëtim Idrizi, Shefki Hysa etj., për të diskutuar nga afër mbi mundësitë e bashkëpunimit italo-shqiptar në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën e energjitikës dhe shëndetësisë.

Lorena Uliu