Friday, November 16, 2007

Bilal Xhaferri
BALADË ÇAME
Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumire,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…
Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
Dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.
Në kullota e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtat e pavjeluar gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.
Na e tregojnë drejtimin plumbat, që fërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugën flakët, që gjithë tokën e kanë përpirë.
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
Dhe rrugët zgjaten e zgjaten në veri.
Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!

No comments: