Friday, April 18, 2008

Thjeshtësi që të rrëmben

Shënime për librin me poezi
"Loti i Trëndafilit" të poetit Kostaq Myrtaj

Autori Kostaq Myrtaj përmes vëllimit poetik "Loti i trëndafilit", sjell para lexuesit një buqetë poezish që lexohen me ëndje e që të bëjnë të mendosh, të emocionohesh, të ëndërrosh dhe të futesh në një botë të rrallë fëminore. Figuracioni, detajet dhe gjetjet e goditura të shumë shprehjeve të nxjerra nga vetë jeta, që shpalosen natyrshëm nëpër vargje, të bëjnë të kuptosh se Kostaqi është një poet me të ardhme të madhe, megjithëse në moshë të vogël, trembëdhjetë vjeçar! Mençuria e hollë e këtij artisti të ri, derdhet në këto poezi me një thjeshtësi e një vërtetësi që të rrëmben e të kujton aty për aty frazeologjinë energjike që hasim shpesh si në të folmen dhe në krijimtarinë brilante të poetëve popullorë.

Vargjet poetike, aq të sinqertë e me plot figuracion të shprehur fare qartë, me një gjuhë të rrjedhshme e me një ndjesi të natyrshme, mbartin e nxjerrin në pah gjithë pathosin e brishtësinë fëminore të Kostaqit, saqë çdokush që do t’i lexojë, patjetër do të rikthehet me mendje pas në kohën e fëmijërisë e do të zbulojë diçka nga vetvetja...

Kostaqin e njoh prej katër vjetësh dhe kam vënë re se duke u rritur ai, bashkë me të është rritur edhe dashuria për letërsinë, për artin e fjalës, për poezinë. Është një fëmijë që i dashuron librat dhe i përjeton emocionet e heronjve njësoj si të ishte vetë protagonist, ëndërron bashkë me ta, depërton në botën e brendshme të personazheve dhe e interpreton gjithçka që sheh e ndien, me një logjikë të rrallë dhe me një finesë të mahnitshme. Ky fëmijë i veçantë e shfaq talentin e tij prej krijuesi në çdo veprimtari që zhvillon shkolla dhe gjithmonë vlerësohet si askush tjetër për krijimet apo interpretimet e tij.

Unë ndihem krenare që Kostaqi i ka marrë në konsideratë fjalët e mia për të vazhduar rrugën sa të bukur dhe të mundimshme të artit që e ka nisur qysh herët kur ishte ende i vogël dhe shpresoj se do të dijë ta shfaqë përherë e më mjeshtërisht talentin e tij prej letrari të vërtetë dhe nuk do ndalet kurrë së krijuari vlera të vërteta artistike.

Në çdo varg që do të lexoni prej librit "Loti i trëndafilit", do të hasni jo vetëm naivitetin e një fëmije që e shikon botën nga këndvështrimi i tij plot kureshtje, por edhe largpamësinë prej të rrituri që karakterizon talentet e mëdha në përgjithësi, pavarësisht moshës. Kostaqi, duke mos lënë pa prekur asnjë prej dukurive që ndesh rreth tij, gjithmonë shfaq dëshira të mëdha për të përsosur veten dhe të tjerët. Kjo e bën sa konkrete dhe përgjithësuese poezinë e tij, sa moderne aq dhe klasike herë-herë. Madje në disa prej poezive të tij ndihet edhe një frymë e ëmbël mitike, sidomos kur përshkruan botën e prindërve dhe dashurinë që ndien për ta.

Kostaq Myrtaj në poezitë e veta është sa fëmijë dhe një artist i madh e i veçantë i fjalës e i penës, pasi arrin të shpalosë mjeshërisht ndjenjat e tij dhe të bashkëkohësve me një vërtetësi të pa imagjinueshme.

Unë jam e sigurt se autori i ri Kostaq Myrtaj do të vlerësohet siç e meriton prej lexuesit shqiptar për krijimtarinë e përmbledhur në vëllimin poetik "Loti i trëndafilit", siç është vlerësuar përherë nga ata që e njohin nga afër për artin që krijon.

Besoj se ky krijues ende i vogël në moshë, do të dijë ta ushqejë gjithmonë talentin e tij me punë, energji e pasion prej artisti të madh.

I nderuar lexues, le t’i urojmë suksese të mëtejshme autorit Kostaq Myrtaj në rrugën e bukur të jetës dhe të krijimtarisë letrare!...

Najada Caushi

No comments: