Friday, April 18, 2008

E thënë troç! Dhe pikë!

(Individualiteti i krijuesit Kostaq Myrtaj)

Për këtë shkrim mora shkas nga krijimtaria e autorëve letrarë me moshë të vogël si Kostaq Myrtaj, me vëllimin poetik "Loti i trëndafilit", Xhulia Xhekaj, me romanin "Me putrat tona shëtitëm botën", etj., krijues të rinj, të cilët kanë marrë guximin e trokasin në portën e asaj bote të mrekullueshme që quhet letërsi artistike.

Kam dëgjuar debate të shpeshta midis njerëzve të zakonshëm, jo rrallë edhe midis atyre që e mbajnë veten për intelektualë e për studiues të famshëm të fushave të ndryshme të natyrës njerëzore, ku në thelb shtrohet pyetja ekzistenciale: "Është apo s’është?!… Pas kësaj pyetje natyrshëm ngrihet edhe hipoteza apo hamendja: "Edhe është, edhe s’është?!"…

Ky është dyshimi i përjetshëm i Njeriut naiv për shumë fakte, dukuri dhe fenomene të jetës. Të paditurit, vetëkuptohet, i lejohen dyshimet dhe lajthitjet, por nuk mund t’i falen kurrsesi atij që e pretendon veten si dikushi, pjesë të elitave shoqërore. Nuk mund ta falësh atë që pretendon fronin e të diturit, sepse fjala e tij, duke shkuar paralel me famën që gëzon, është e besueshme për veshët e opinionit shoqëror dhe duke shprehur një përcaktim të pasaktë, dizinformon dhe e keqorienton shoqërinë tonë njerëzore. Dhe dihet se ç’pasoja fatale sjell keqpërdorja dhe keqorientimi. Kujtoni për një çast se ç’pasoja të pariparueshme na la trashëgim ish diktatura komuniste. Një Shqipëri në tranzicion të tejzgjatur që po shkon drejt moçalit të stanjacionit. Dhe pikë!

Sidoqoftë edhe naivët, edhe intelektualët bien shpesh në kurthin e ekzistenciales në jetë. Kjo ndodh jo rrallë edhe me krijimtarinë letrare dhe me krijuesit e saj. Diskutohet gjerë e gjatë nëse është apo jo krijimtari letrare një vjershë, një tregim a një libër i një personi që pretendon se ka shkruar diçka dhe mbahet si krijues, poet a prozator, me një fjalë shkrimtar e më the e të thashë…

Të them të vërtetën, dhe e vërteta duhet thënë troç, mua më bëjnë për të qeshur diskutime, debate e replika të tilla naïve që zgjojnë një thashethemnajë e përhapin një tymnajë të madhe, aq sa e errësojnë apo e mitizojnë pa vend një vlerë reale të njeriut që pretendon se ka bërë diçka.
Një shembull. Është qesharake të diskutosh, fjala vjen, se është apo s’është qenie njerëzore, Njeri, një bukuroshe e Sarandës që është martuar me djalin e ëndrrave të saj, ka nusëruar, ka jetuaj jetën plot dashuri dhe më në fund e shohim me trupin e fryrë, pra të mbetur shtazanë. Edhe më qesharake është të mendosh apo të thuash se e bija e botës është pakëz shtatzanë dhe mban në trup pakëz frut dashurie. O është, o s’është, ore, se na çmendët!… Gjërat thuhen troç. Dhe pikë!

Është apo s’është Njeri?!… Edhe është, edhe s’është?!… Edhe është shtatzanë, edhe s’është?!…
Edhe do e lindë fëmijën, edhe s’do e lindë?!… Edhe do lindë i gjallë bebja, edhe do lindë i vdekur?!… Edhe do jetë Njeri fëmija, edhe s’do jetë?!…

O njëra, o tjetra se na çmendët! Flisni troç! Dhe pikë!

A nuk të bëjnë për të qeshur të tilla pandehma?!… A nuk të shtyjnë të deklarosh me të madhe: O është, o s’është! Dhe pikë!

Nuk ka, njëherësh, edhe është, edhe s’është! Dhe pikë!

Dhe përkundër naivëve, thua me plot gojën, troç: Bukuroshja e Sarandës është patjetër Njeri, ka mbetur patjetër shtatzanë dhe po rrit në trupin e vet frutin e dashurisë së saj që do të lindë si një qenie njerëzore, do të gëzojë tërë të afërmit dhe do të rritet si një fëmijë i mbarë, një Njeri i mirë më shumë për qytetin buzë detit Jon. Dhe pikë!

Kjo është një alternativë. Dhe pikë!

Ose alternativa tjetër, largqoftë: Nusja bukuroshe nuk mund të mbetet shtatzanë, ose edhe në mbeti do ta lindë fëmijën të vdekur. Dhe pikë!

Dhe po të lindë bebja e vdekur, nuk ka trashëgimtar për fisin e bukuroshes dhe të princit të saj të kaltër. Dhe qoftë larg! Dhe pikë!

Pra, e theksoj, troç, o është, o s’është dhe nuk ka edhe është, edhe s’është! Dhe pikë!
Kjo aksiomë, ky postulat vlen për gjithçka në jetë, vlen edhe për krijimtarinë letrare dhe për krijuesit. Nuk ka rëndësi mosha e tyre. Dhe pikë!

Fjala vjen, Kostaq Myrtaj, me vëllimi poetik "Loti i trëndafilit", o është, o nuk është poet. Dhe pikë! Nuk ka edhe është, edhe s’është! Nuk ka kurrfarë rëndësie mosha e tij. Le të jetë i vogël, 13 – vjeçar. O është poet, o nuk është! Dhe pikë!

Duhet ta themi troç dhe me zë të lartë nëse është apo nuk është Kostaqi talent dhe poet! Dhe pikë!

Duhet saktësuar qartas nëse krijon Kostaq Myrtaj vlera poetike apo thjesht shkruan, siç bëjnë shumë maniakë grafomanë. Dhe pikë!

Tjetër gjë të vargëzosh e të bësh rima, si bejtet, e tjetër të krijosh poezi. Dhe pikë!
Mund të shkruajë e të nxijë letrat kushdo, por janë të paktë ata që kanë dhuntinë të krijojnë. Dhe kjo dhunti është dhuratë e Zotit, prandaj krijuesit, ndryshe nga shkruesit, grafomanët, letërnxirësit, letërshkarravitësit, janë të privilegjuar, kanë shpirt hyjnor. Dhe patjetër që qëndrojnë më afër Krijuesit të tyre, Krijuesit të Gjithësisë, Zotit! Dhe pikë!
Është apo s’është Kostaq Myrtaj krijues?!

E përsëris, troç: Nuk ka pikë rëndësie se është i vogël në moshë dhe shkruan për të vegjëlit e bashkëmoshatarët e tij. Dhe pikë!

Dihet se edhe të vegjëlit ushqehen dhe shijojnë të njëjtat vlera si të rriturit. Ata pijnë gjithë qejf qumështin e nënës që është qumësht; pijnë lëngjet e frutave që janë fruta të krijuara prej Zotit dhe që kanë të njëjtën shije edhe për të rriturit, pra për gjithë gjininë njerëzore; hanë çokollatat që janë çokollatë prej kakaoje dhe u shijojnë aq shumë si edhe të rriturve; hanë bukën që është bukë, etj. Dhe pikë!

Dhe ndihen të kënaqur e të lumturuar njëlloj si prindërit e tyre prej ushqimit të zgjedhur e të freskët, dhuratë e Zotit, në këtë botë. Dhe pikë!

Pra, edhe vjershat për të vegjëlit, o janë krijime letrare, poezi, o nuk janë! Dhe pikë! Dhe po qenë krijime, vlerat e tyre patjetër që emocionojnë fëmijët tanë, do të na emocionojnë edhe ne dhe do të na sjellin maksimumin e kënaqësisë shpirtërore, njëlloj si buka që na shuan urinë dhe na krijon një kënaqësi të madhe fizike, pas një lodhjeje të gjatë në një punë të stërmundimshme, njëlloj si çokollata që na shijon aq sa na lëshon goja lëng kur e kujtojmë. Dhe kjo u ndodh gjithë njerëzve njëlloj, padallim moshe… U ndodh fëmijëve dhe prindërve. Për këtë arsye, nuk kanë aq shumë faj ato nëna që pasi kanë gatuar diçka të shijshme, bëjnë sikur ushqejnë fëmijën dhe ushqehen për vete. Besoj se prej një fakti të tillë duhet të ketë buruar edhe ajo shprehja e urtë çame "Ha nana e djalit s’i jep" që përdoret shpesh për të vlerësuar një gatim të rrallë të një amvise mjeshtre. Pra, sjellje e diktuar prej vlerave joshëse, të arrira, të mrekullueshme, të padiskutueshme, shprehja "Ha nana e djalit s’i jep"… Dhe pikë!

Në këtë kuptim, pasi i lexon me vëmendje krijimet e autorit Kostaq Myrtaj, përmbledhur në vëllimin poetik "Loti i trëndafilit", emocionohesh, ngacmohesh shpirtërisht dhe ndien ato mbresa e kënaqësi të veçanta estetike që të zgjojnë veprat e talenteve të mëdhenj. Dhe teksa humbet një copëherë në atë botë të bukur që ai ka krijuar me fantazinë e tij dhe na e dhuron edhe ne, teksa rend me imagjinatë drejt brigjeve të fëmijërisë tënde plot kureshtje dhe interes për të parë se ç’të përbashkëta e ç’të veçanta ka ajo në krahasim me fëmijët e sotëm, thua me gjithë zemër se je përballë një talenti të rrallë e të vërtetë, se ke në duar krijimtarinë e një shkrimtari të vërtetë. Dhe pikë!

Dhe ky shkrimtar, ky poet, është Kostaq Myrtaj. Dhe pikë!

Atëherë me gjithë fuqinë e shpirtit dhe të zërit ia vlen të thuash: Mirëse erdhe midis artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, o Kostaq Myrtaj! Dhe pikë!

Suksese drejt rrugës që të shpie në thesarin e kryeveprave artistike e letraro-kulturore të kombit shqiptar. Dhe pikë! E thënë troç! Dhe pikë! Dhe pikë! Dhe pikë!

Shefki Hysa

No comments: