Thursday, March 20, 2008

Për Xhulian dhe fëmijët e '97-ës
Shënime për librin "Një engjëll pa krahë"

i shkrimtares Xhulia Xhekaj

E lexova me vëmendje librin e Xhulia Xhekës "Një engjëll pa krahë". Dhe më vuri në mendime. Jo aq për stilin e të shkruarit, as për intrigën dhe subjektin, por për një faktor në pamje të parë ekstraletrar. Më saktë, për paragjykimin që krijohet shpesh nga lexuesi kur kërkon të spegojë krijimin me jetën e krijuesit. Për më tepër, kur autore e librit nuk është veçse një fëmijë 12 vjeç. Pyetja që më lindi qysh në fillim ishte: ç'lidhje ka autorja me ngjarje të tilla si vrasësit serialë, armët, kufomat, pengmarrja dhe izolimi i detyruar i njerëzve, gjyqet, policia etj., si ato që përshkruhen në novelën "e rëndë" të titulluar "Një engjëll pa krahë".

Në qendër të librit është po një fëmijë, me moshën e krijueses, që zbulon shumë herët intrigën e jetës. Erika (kështu quhet personazhi kryesor i novelës), një vajzë jetime, adoptohet nga vrasësja e prindërve të saj. Pse? Për të fshehur gjurmet e krimit, për një krim plus apo për të patur një kujtim nga dashuria e refuzuar dhe shndërruar në urrejtje?

Gjithë novela shtjellon hap pas hapi pikërisht këtë zbulim të frikshëm. Natyrisht, një subjekt i tillë do të kërkonte përgjigje për pyetje të shumta (si, pse, kur) të karakterit investigativ, psikologjik etj., që shoqërojnë letërsine e traditës "horror". Por Xhulia Xhekaj ka arritur, qoftë edhe intuitivisht, që të kapërcejë skemat rutinë të kësaj letërsie. Ajo mban ndezur dhe loz me interesin e lexuesit për aksion dhe intrigë, por nuk kufizohet këtu. Intriga, vrasjet e shumta, armët, ankthi nuk janë veçse mjete të minilaboratorit krijues të letrares për të zbardhur pasionet dhe instiktet bazë të njeriut.

Zonja Lauren, "Kuçedra", femra vrasëse, ka një pasion të tërbuar jo thjesht nga xhelozia dhe mungesa e një ndjenje të refuzuar, por nga egoja e saj për zotërim dhe sundim. Ajo nuk vret thjesht për dashuri, xhelozi dhe refuzim, por nga etja për sundimin dhe përvetësimin e tjetrit, për shkak të iluzionit se ajo dashuri e pretenduar dhe e dëshiruar, ai "tjetri", i takonte vetëm asaj. Për më keq, sipas filozofisë së këtij tipi: në qoftë se nuk është e imja, nuk mund të jetë e askujt!

Dhe në rast se ndodh e kundërta, atëherë situata mund të rezultojë në krim, në vrasje, në rebelim, në luftë. Lauren vret babain dhe nënën e Erikës, por shkon edhe më tej, kërkon të sundojë edhe frytin e dashurisë së tyre, vetë Erikën e vogël.

Kjo është novela "Një engjëll pa krahë", libri i parë i botuar i shkrimtares-fëmijë Xhulia Xhekaj, aktualisht nxënëse në klasën e gjashtë të shkollës "Konferenca e Pezës", Tiranë.

Novela e Xhulias mund të jetë një pikë reference për gjithë brezin e saj, jo thjesht për ambiciet e këtij brezi, në pamje të parë "i çoroditur dhe i vetëmjaftueshëm brenda llojit", por për vetë shoqërinë shqiptare të fillimit të shekullit të njëzetë e një dhe performancën e saj disi të kriminalizuar. Shumëkujt që do të lexojë novelën "Një engjëll pa krahë", do t'i duket, për shembull, se kushtimi i autores në faqen e parë të librit ("Babait Aranit, ia kushtoj krijimin tim të parë...") është thjesht respekt ndaj një tradite. Jo. Ky detaj i vogël personal i autores nuk është as një lloj distancimi nga fabula e novelës, për të dëshmuar personalisht të kundërtën e fatit të personazhes kryesore. Autorja e konsideron fatin e të tjerëve pjesë të fatit të saj. Prej këtu lind dhimbja, reagimi dhe arti.

Xhulia Xhekaj kërkon të nënvizojë edhe formalisht përgjegjësinë e të tjerëve, shoqërisë, shtetit ndaj individit të kërcënuar, rrezikuar nga dhuna dhe deviacioni social. Shkurt, Xhulia Xhekaj është një shkrimtare fëmijë që ka përjetuar në mituri rrezikun e dhunës dhe armëve. Ajo ka lindur më 5 gusht 1994 në Vlorë dhe është njëra prej fëmijëve tanë të vitit-kaos 1997!

Novela "Një engjall pa krahë" është një metaforë emocionale dhe artistike ndaj këtij viti të mbrapshtë.

Naim Zoto

25 maj 2006