Wednesday, March 19, 2008

Shkrimtari çam - Bedri Myftari

Bedri Myftari ka lindur mbi brigjet e lumit Kalama, në fshatin Sklav të Filatit të Çamërisë më 21 dhjetor të vitit 1938. Në moshën 5-6 vjeçare, me gjithë familjen, u detyrua ta lerë vendlindjen e vet nga holokausi i monarko-fashistëve grekë dhe erdhën e u vendosën në Shqipëri.
Shkollën shtatëvjeçare e kreu në Fier, të mesmen, një teknikum financiar, në Tiranë, po ashtu edhe gjimnazin në Tiranë.

Në fillim të viteve ’60 ka punuar si gazetar në gazetën "Zëri i Rinisë". Ka filluar të shkruajë që në moshë fare të re. Është pranuar anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në vitin 1966. Në këtë kohë kishte botuar vëllimin me tregime "Fluturzat e borës" dhe "Mbrëmjet e qytetit tim", me të cilat ka marrë çmim të dytë dhe të tretë në konkurset kombëtare. Gjatë kësaj kohe një grup të rinjsh: Bedri Myftari, Suzana Selenica, Bilal Xhaferri, Namik Mane, Zyhdi Morava, Faik Ballanca, Roland Gjoza, Kostandin Dhamo, Sadri Ahmeti, etj, nisën të shkruajnë me dorë të lirë kundër realizmit socialist.

Ky grup u zbulua nga organet e sigurimit të shtetit dhe u quajt "grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art dhe letërsi" dhe shumica e anëtarëve me kryetar grupi Bedri Myftarin u dënuan për agjitacion e propagandë kundër vijës së partisë në art dhe letërsi. Të gjithëve iu hoq e drejta e botimit për 20 vjet.

Pas lirimit nga burgu Bedri Myftari punoi si punëtor në disa ndërmarrje në Tiranë.
Pas shembjes së diktaturës komuniste Bedriu punoi si gazetar në gazetën "Kosova", kryeredaktor i gazetës "Tribuna Demokratike", përgjegjës redaktor në gazetën "Emigranti shqiptar" që dilte në Europë, kryredaktor i gazetës "Bota shqiptare" dhe "Çamëria". Bashkëpunon me gazetën "Drita" dhe revistën Krahu i shqiponjës" ku vazhdon të botojë publicistikë dhe krijimet e veta letrare.

Shkrimtari Bedri Myftari ka botuar këto libra:

"Fluturzat e borës", tregime, 1967
"Mbrëmjet e qytetit tim", tregime, 1969
"Kronikat e vdekjes", roman, 1994
"Rojtari i varrezës", roman, 1995
"Ti je Eva", poezi, 1996
"Dashuria e parë", tregime, 1997
"Pranverë që s’kthehet më", poezi, 1999
"Bardh e zi", publicistikë, 2000
"Dashuri fatale", roman, 2000
"Përralla", Tiranë, 2001
"Vajza e rojtarit të pyllit", përralla, 2003
"Zonja e Ambasadorit", novela, 2006
"Simfoni e erërave", poezi, 2006
"Pas Kastadivës", roman, 2007, ISBN 99956-07-3-5

Bedriu, megjithëse në moshë të thyer, megjithë vështirësitë që ka kaluar në jetë, është një ndër shkrimtarët shqiptarë më prodhimtarë. Ai të befason përherë e më shumë me krijimtarinë e tij.

Dylbere Dika

No comments: