Friday, November 30, 2007

Nga Shefki HYSA

HIMN PËR NJERIUN
Shënime për librin "Unë-Njeriu" të poetit çam Hekuran S. Halili

Zoti, si e krijoi Njeriun, i dha mendje më shumë nga gjithë krijesat e tjera. Pastaj thirri engjëjt dhe u tha:
- Përuljuni Njeriut, është një nga krijesat e mia më të përsosura, më të dijshme në gjithësi. E kam caktuar mëkëmbësin tim në Tokë.
Dhe engjëjt iu përulën me respekt Njeriut.
Satanai kundërshtoi:
- O Zot, - tha, - unë nuk i përulem një krijese të vdekshme prej balte. Jam i pavdekshëm prej nuri, prej zjarri.
- Përulju! - e urdhëroi Zoti. – Është krijesa ime më e mençur, më e dijshme! Shumë më i mençur nga ti…
- Jo! – kundërshtoi prapë Satanai i pabindur.
- I përbuzur qofsh në jetë të jetëve! - e mallkoi Zoti dhe e flaku larg Parajsës, duke e dënuar përgjithmonë në Ferr për mosbindje.
Dhe qysh në fillimet e jetës njerëzore Satanai u betua në vetvete për ta dëmtuar me çdo kusht Njeriun. Dhe për ta shkatërruar i shpalli luftë për jetë a vdekje kësaj krijese madhështore, luftë që vazhdon edhe sot e kësaj dite gjithandej nëpër botë, lufta midis së Mirës dhe së Keqes. Ishte lufta djallëzore e Satanait që e mashtroi Njeriun, e shtyu në ngasje dhe humbi Parajsën dhe u rrëzua në vorbullat e kësaj çmendurie që po e torturon ngado e kudo.
Kështu përshkruhet në të gjithë librat e shenjtë historia e fillimeve të jetës njerëzore, rrjedha e mëvonshme e së cilës është përpjekja e përditshme e Njeriut për të mbijetuar në luftën midis së Mirës dhe së Keqes, që përfaqësohen nga vlerat e virtytet hyjnore, në njërën anë, të mishëruara në shpirtin njerëzor dhe antivlerave e mëkateve djallëzore të formësuara në imazhin e qoftëlargshpirtligut, Satanait të përbetuar për ta zhbërë njerëzimin.
Njerëzit e mirë e të ndershëm, tepër të ndjeshëm ndaj rrezikut që i kanoset përditë e më shumë figurës së Njeriut, shqetësohen, zemërohen, revoltohen e rebelohen ndaj së keqes dhe përpiqen e sakrifikojnë për ta shpëtuar njerëzimin dhe vlerat e tij.
Pra, jeta njerëzore në të gjithë globin, po ta vëresh me syrin e një poeti si Hekuran S. Halili, tashmë është tepër e rrezikuar. Duket sikur e keqja po triumfon dita-ditës mbi të mirën dhe qenia njerëzore, në prag të shkatërrimit e asgjësimit, nuk ka më asnjë rëndësi. Dhe në këtë gjendje duhen shumë sakrifica gjer në kufi të mbinjerëzores për të shpëtuar Njeriun e ndershëm nga e pandershmja. Ky është edhe realiteti jetësor, jo vetëm teksti dhe nënteksti i realitetit artistik nëpër krijimtarinë e poetit të përfshirë herë-herë prej dilemës së madhe: "I ndershmi a i pandershmi do të sundojë globin?!"…
Po të vëresh jetën me syrin e një sociologu, do të arrish në përfundimin:
"Njeriu, rrezik vdekjeje! Njeriu nuk vlen asgjë! Mbi gjithçka paraja! Vlen më shumë një qen se Njeriu!"
Duken si absurde të tilla konstatime, por ja që kjo është e vërteta e së përditshmes njerëzore në tërë globin. Nëpër ekrane televizive shpesh e më shpesh sheh parada qensh-zotërinj të shoqëruar nga milionerë të kërrusur në rolin e shërbyesve të tyre. "Rrofshin kafshët! Vdekje Njeriut!" Këtë predikojnë herë-herë mediat vizive dhe shtypi i shkruar. Nuk e besoni?! Bëhuni më të vetëdijshëm dhe vëreni çmendurinë përqark Njeriut!
Po kaq të rrezikuara janë vlerat njerëzore edhe në realitetin shqiptar. Pikërisht kjo e shqetëson më shumë poetin Hekuran S. Halili, prandaj krijimet e veta ia ka kushtuar, veçanërisht Njeriut Shqiptar.
"Vdekje Njeriut!" - ulërasin e gjëmojnë antivlerat.
"Unë, Njeriu! Njeriu mbi gjithçka!" - këlthet dhe kushtron me të drejtë bota e poetit Hekuran S. Halili, përkundër rrëmetit djallëzor që po e mposht çdo vlerë njerëzore gjithandej globit të mbushur me luftëra grabitqare e padrejtësi.
Pra, jo më kot titullohet "Unë - Njeriu" përmbledhja poetike e poetit Hekuran S Halili. Ky titull nuk është rastësor, por një rrjedhë logjike e kushtëzuar nga realiteti i vështirë që na rrethon, është vetë thelbi i çështjes së mbijetesës njerëzore, është një përfundim hyjnor i përcjellë gjenialisht në mendjen e poetit prej Gjeniut, Krijuesit të gjithçkaje, Zotit.
"Njeriu të sundojë në Tokë!" - ishte porosia e Zotit që në fillimet e jetës njerëzore. Këtë mundohet të pasqyrojë edhe poeti nëpër vargjet e tij…
Pra, Zoti Njeriut i dha Dije nga Dijet e Veta, i dha Dritë nga Drita e Tij, e shenjtëroi dhe e caktoi si Mëkëmbës në Tokë, i delegoi pushtet që të jetonte në bazë të parimeve e ligjeve hyjnore dhe jo të hante vetveten, të shndërrohej në kanibal vetëngrënës e kamikaz vetëvrasës, siç po ndodh në realitet.
Përkundër kësaj gjendjeje djallëzore e satanike që po sundon sot botën, Hekuran S. Halili, me mençurinë dhe largpamësinë e një poeti të frymëzuar prej Zotit, rikthehet në origjinën njerëzore dhe në traditën e romantikëve të Rilindjes dhe evokon zanafillën e lavdishme, madhështinë e krijesës Njeri që iu përulën edhe engjëjt, Njeriut që duhet ta sundojë botën si një Sovran Hyjnor dhe jo si një Tiran Satan…
"Unë, Njeriu", këndon poeti dhe kënga e tij është një himn për madhështinë e qenies njerëzore, e cila ka një Atdhe që quhet Shqipëri; ka një vendlindje, që shtrihet nga Çamëria e grabitur padrejtësisht, në Konispol e në Sarandë, troje të lagura nga ujërat e kaltra të detit Jon, të ngrohura nga rrezet jetëdhënëse të një dielli e klime të bekuar mesdhetare; ka një shtëpi me emrin "Hekuran S. Halili", gdhendur te dera, dhe brenda saj një familje të mrekullueshme me një grua të rrallë si Bardha, bashkëshorte e nënë e denjë siç ka urdhëruar Zoti, me fëmijë model si Ona e Goni; ka një farefis të madh me plot vëllezër e motra, kushërinj e kushërira, njerëz të mirë e të ndershëm të përkushtuar ndaj punës; ka plot miq të vjetër e të rinj, shokë shkolle e kolegë, të cilëve mendja u punon për vepra të mira, për të zbukuruar jetën e tyre e të të tjerëve dhe të qytetit të tyre, Sarandës turistike; ka e ç’nuk ka ky, Njeri!
Poeti shpirtmadh Hekuran S. Halili është i vetëdijshëm për shenjtërinë dhe fisnikërinë e krijesës Njeri, prandaj jo paqëllim në poezinë e vet i jep rolin e Kryefjalës së Jetës në Tokë, atë rol që i ka caktuar edhe Krijuesi, Zoti, dhe që satanikët mundohen t’ia mohojnë. Ai, herë-herë, nëpër vargje heroin e vet liriko-epik, Njeriun, e identifikon me veten e tij dhe mirë bën se u tregon njerëzve etalonin e Qenies-Njeri. Pra, Hekurani niset nga vetvetja, nga pasuritë e tij shpirtërore e fizike për të dalë te njerëzit që e rrethojnë. Dhe kështu, duke i kënduar vetes, duke nxjerrë në pah vlerat dhe aftësitë njerëzore dhe intelektuale që zotëron, të cilat nuk ngurron asnjëherë t’i vërë ndershmërisht në shërbim të gjithë atyre hallkave që përbëjnë nocionin Njeri: vetja, familja, shtëpia, farefisi, miqësia, shoqëria, vendlindja, vendbanimi, atdheu, bota, gjithësia dhe mbi të gjitha Zoti, poeti Hekuran S. Halili, i fton edhe të tjerët të ndjekin shembullin e tij, të përmbushin Idealin-Njeri, se vetëm kështu mund t’i largohen së keqes që e ka përmbytur gjithandej jetën njerëzore.
Një Njeri, si heroi i poetit Hekuran S. Halili, si vetë ai, nuk i lë kurrë në harresë prindërit e tij, babën e nënën, ata që u lodhën dhe ia ngjizën jetën (vetëkuptohet sipas ligjësisë së Zotit), që e rritën me mundime, që e shkolluan dhe e udhëzuan të vepronte e të sillej si të parët e tyre brez pas brezi, që të bëhej i denjë për veten dhe për pasardhësit. Ky qëndrim nuk është as ditarizëm, as enumeracion e as rëndomësi inventari, por është pasqyra artistike e hallkave të atij zinxhiri që përmblidhen në një nyje jete dhe përbëjnë nocionin Njeri. Pra, Njeri model që u prin të tjerëve në udhën e Zotit me shembullin e vet. Edhe Hekurani, si model njerëzor në jetë, është përpjekur të krijojë një pasqyrë artistike të realitetit që e rrethon, t’u kujtojë të tjerëve se sot më shumë se kurrë cilido duhet të shpalosë vlerat si Njeri e më pas vijnë vlerat materiale e pasuritë që mund të ketë grumbulluar gjatë jetës.
Më shumë se çdo lloj pasurie Hekuranin, Njeri dhe Poet, e shqetëson fakti se si t’u shpjegojë pranueshëm të tjerëve se ishte baba Safeti dhe nënë (nuja) Nazua që e kanë gatuar brumin e Njeriut që mban emrin Hekuran S. Halili. Dhe ia ka arritur që ta ndërthurë natyrshëm praninë e figurës prindërore me të gjitha elementet e tjera të poezisë dhe në harmoni të plotë na ka dhënë një vëllim poetik plot ritëm jete e tejet melodioz si një këngë e gjatë me një refren të gjetur e tërheqës gjer në magnetizëm, që na paraqitet në trajtën e një himni të mrekullueshëm për simbolin e Njeriut, himn mbresëlënës, i pëlqyeshëm e solemn si të gjitha himnet, veçanërisht si himni i Atdhut dhe i Flamurit, të cilët janë nga më të shenjtit dhe më të prekshmit në botën njerëzore në çdo qoshe të globit.
"Himni i Njeriut mbi të gjitha"! - kushtron poeti Hekuran S. Halili, në librin e tij "Unë – Njeriu", me dëshirën e madhe që ta mësojë çdokush një himn të tillë dhe të bëhet i vetëdijshëm për vlerat njerëzore që na ka dhuruar Zoti dhe që satanikët përpiqen me të gjitha mjetet për t’i varrosur.

SHEFKI HYSA
Marrë nga revista "Krahu i Shqiponjës", nr. 78, Tiranë, 2007

No comments: