Friday, November 30, 2007

Nga Natasha Lushaj

ÇAMËRIA, SI DHIMBJE E SI ËNDËRR

1
Kur shkrimtari vendos të nxjerrë një libër të ri, siç është rasti i përmbledhjes me tregime "Aromë Çamërie" të Shefki Hysës, sidomos kur një pjesë e krijimeve janë të botuara më parë në libra të tjerë, doemos duhen kërkuar shtysat e këtij hapi, sepse me siguri nuk duhet të jetë vetëm një. Thjesht dëshira për të pasur vazhdimisht veten në prova të reja veprimtarie botuese është tepër pak për t’i hyrë botimit të një libri të ri, aq më tepër kur sapo je çliruar nga ankthi i daljes përballë lexuesit, si para një provimi të ankthshëm. Sepse, çdo botim i ri e vë autorin para gjykimit të opinionit dhe duhet motivuar.
Sprovat e ribotimeve me konceptime strukturash të natyrave të ndryshme janë shumë të njohura, sidomos vitet e fundit, natyrisht ndër autorët që kanë krijuar tashmë një fond të mjaftueshëm e të shumëllojshëm krijimtarie. Në botimet e para autori arrin ose jo të organizojë një libër si një kompozim unik mbi një rrafsh të caktuar: tematik, ideor, stilistik ose me elemente të reja të formës. Ato janë derdhje të shkumëzuara imazhesh që kanë arritur të organizohen në struktura rrëfimtare ose poetike, me një mesazh a dert të madh përbrenda, që autori s’mundet ta mbajë më gjatë vetëm për vete. Duhet të kalojnë sprovat emocionale të botimeve të para, që ai të nisë ta konceptojë edhe përgatitjen për botim si një lloj krijimi, që është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë krijimtaria e mirëfilltë. Ky është i vetmi kriter që botimi të mos kthehet në qëllim në vetvete.
Pas botimit të disa romaneve dhe librave me tregime, Shefki Hysa del me një botim të ri. Sa është i motivuar ky libër, sa rri ai më vete, me vlera të mirëfillta letrare dhe ku gjendet e reja e këtij botimi?
Në procesin krijues shtysat janë të natyrave të ndryshme, letrare dhe jashtëletrare. Po themi, së pari, ato që duken si jashtëletrare. Njihet biografia e autorit, disponimi i tij jashtartistik në kuadrin e një problematike të veçantë që lidhet me bashkësinë çame. Në përgjithësi shqetësimet e detyrimet që lindin nga aktivizime të tilla shoqërore janë mjaft të mprehta e të komplikuara. Si pjesë e një gjëje të munguar drama e Çamërisë do t’i ngjante një fantazme. Në të vërtetë i ngjan një realiteti dashurie, po edhe brenge ose ëndrre, sa të bukur aq edhe dërrmuese. Siç duket, ne shqiptarët nuk mund ta përjetojmë ndryshe bukurinë, veçse në formën e dhimbjes a të ëndrrës para se ta kemi realitet.
E, në raste të tilla, detyrimi i të vetëndjerit brenda një problemi kombëtar e social ndodh të mbizotërojë ndër shtysat e tjera të akteve të rëndësishme të individit. Po në rastin e botimit të një libri puna ndryshon paksa, sepse libri është një ngjarje as vetëm individuale, as e një bashkësie të ngushtë. Nuk është as ngjarje e planit socialpolitik. Edhe sikur të jetë kështu vlera e vërtetë në dobi të synimeve kulturore të bashkësisë matet me disa cilësi që nuk mund të përcaktohen a të kuadrohen thjesht në shtresimet e kuptimësisë ose në domethënien ideoemocionale. Mund të thuhet se është ndihmesë, kur vlerat e sipërpërmendura realizohen përmes cilësive të veçanta të artit: sa më të realizuara artistikisht, aq më shumë synimet jashtartistike zgjerojnë rrethin e ndikimit dhe shumëllojshmërinë e këndvështrimeve.

2
Cilat janë motivet që mbajnë në këmbë makroorganizmin e librit të ri të Shefki Hysës? Sa e tejkalojnë ato interesin e lexuesit që mund të ndihet disi larg shqetësimeve të bashkësisë çame në Shqipëri dhe jashtë saj?
Duhet pohuar se krijimtaria e autorit, edhe kur nuk ka qenë e përmbledhur qëllimisht në funksion të ligjërimeve të atij realiteti gërryes, e ka pasur atë si një lloj vule, një lloj embleme dalluese, në atë që quhet origjinalitet i pangatërrueshëm tematik dhe emocional, që lidhet me Çamërinë.
Dy janë cilësitë më të rëndësishme që e bëjnë të pëlqyeshëm botimin e tregimeve të autorit në titullin "Aromë Çamërie": tematika e librit, që lidhet me hapësirën çame dhe të veçantat e saj, e cila është e patrajtuar gjerësisht në letërsinë shqiptare. Përveç një Bilal Xhaferri, Namik Mane, Enver Kushi e të ndonjë autori tjetër, kjo problematikë, edhe në letërsi, i ka kapërcyer tashmë kufijtë krahinorë të njohjes, të vlerësimit dhe krenimit. Mund të përmendet edhe një novelë e Faik Ballancës, që provokon aq mrekullisht mos-harrimin e amanetit të "Këngës së fundit të Marko Boçarit" (as njëqind vjet pas "Këngës së fundit të Balës" të Darës), qoftë edhe si një klithmë e vetmuar mjelme, gjysmëlegjendë-gjysmelegji e gjallë, amanete që pikojnë ende gjak e nuk besoj se ndahen për nga mesazhet, nga problemi çam.
Në këtë rrafsh vështrimi mund të thuhet se historia është sjellë në art, duke u bërë dukuri reale, me peshë gati të papërballueshme tragjike, në portretin e nënës që mban vazhdimisht skalpin e birit në gji (si dikur në gremb), me përjetimin e masakrimit të tij para syve, me përbuzjen dhe mallkimin e tmerrshëm për të huajt (tregimi "Dëshmia"). Por jo vetëm kaq. Të gjitha personazhet sikur kanë nga dy palë shqisa: një palë për të parë e shijuar të tashmen dhe një palë për të mos harruar atë që kanë lënë pas. Si të tillë ata kanë edhe të folmen e tyre tipike, kanë një lloj raporti krejt të veçantë me njëri-tjetrin në të mirë e në të keq, aq sa ndonjëherë duket se duan me çdo kusht të dallohen nga pjesa tjetër e bashkatdhetarëve të tyre edhe në vetitë morale të besës, të sensit të së drejtës dhe të humanizmit. Kjo karakteristikë e veçantë e shtresave të të vetëndjerit duket se ndikon që ta shohin veten (ndoshta edhe sepse i shohin të tjerët) paksa si të huaj në raport me shtetasit e tjerë të Shqipërisë. Sigurisht kjo jep dorë pastaj që personazhet të fitojnë edhe cilësinë e dytë, atë të të jetuarit njëkohësisht në dy realitete: ai ku jetojnë aktualisht dhe tjetri, i mbushur me imazhe bukurish dhe aroma parajse të Çamërisë. Është pasojë normale e etnopsikologjisë së dhunuar që ngre krye, dëshira e shtypur barbarisht që vjen e realizohet në nënvetëdije, në formën e ëndrrës, të kllapisë dhe të ankthit.
Kjo psikoanalizë duket se zbulon burimin e asaj prirjeje të çuditshme, gati të domosdoshme, të rrëfimtarit për përdorimin e elementit fantastik të përrallës, legjendës e miteve çame. Ky parapëlqim ndoshta është dhe më i rëndësishëm se zgjedhja e temës dhe përmendja e emrit Çamëri. Është mënyrë ekzistence në përfytyrim, mënyrë ringjalljeje, gati një me të folurën dhe mendimin, si të qe një filtër ngjyrues.
Duket se rrëfimi nga kjo merr ndonjëherë tiparet e rrëfenjës, si ajo e tipit të Kutelit, në të cilën magjikja e fantastikja e përrallës e legjendës kthehet në lëndë të mirëfilltë letrare. Mund të përmendim tregimin "Turtullesha dhe djalli", më tipik ndër tregimet, në të cilin tiparet e personazheve, mjedisi i idealizuar fshatarak dhe dashuria romantike të kthen vetvetiu pas, te tradita e jetës baritore jo të çfarëdo treve, por pikërisht asaj çame, duke synuar atë si ideal estetik, tipike e romantizmit, bashkë me figurën e djallit dhe misterin e zhdukjes së dy të rinjve. Po nuk është vetëm ky tregim. Kujtojmë tregimin "Plaku i liqeneve". Edhe aty kemi po atë prirje për ta bërë misterioze e të mjegulluar portretin e plakut nëpërmjet veshjes së tij me cilësi magjike dhe aludimeve gjysmëreale-gjysmëmagjike. Kjo është mënyrë interesante për ta intriguar lexuesin, edhe pse nuk lë të zbulohet e vërteta deri në fund. Por kjo e vërtetë nuk ka asnjë rëndësi, përderisa, në marrëveshje me lexuesin, autori arrin të ngrejë probleme të mprehta sociale, siç janë raporti mes brezave dhe respektimi i njeriut të punës për atë që bën e jo për atë që thotë. Detyra e letërsisë nuk është të gjykojë e të japë zgjidhje, e shumta mund të ngrejë probleme.
Të njëjtën cilësi merr rrëfimi në tregimin "Elimët", aq më tepër që elimi, qenie e mitologjisë çame e labe, është personifikuar si shtresim autentik i mënyrës figurative të të përfytyruarit të botës dhe paraqenies tënde, që të kujton titanët e antikitetit ose kreshnikët e eposit të Veriut. Në të tilla raste personazhet e së sotmes vihen në pozita sa më të besueshme si mënyrë të menduari, madje edhe me ngjyrimet skeptike ndaj fantazmave apo ato paksa qesharake të elimit të mundur, që ka nevojë ta ushqejnë me bukë dy qenie sa një mizë para tij.
Por ndërkaq është dhënë edhe mesazhi i mos-harresës dhe i magjisë së botës së panjohur çame për brezat e rinj. Ajo botë me fisnikërinë e saj mëkon thellë ndjenjën e dashurisë për vendlindjen dhe duket se tregime të tilla nuk janë thjesht pjesë e mbresave të pafundme të fëmijërisë, por e kujtesës mbarëpopullore. Ato u drejtohen jo vetëm lexuesve të rinj të Bashkësisë Çame, të cilët e kanë Çamërinë edhe si aspiratë, edhe si dhimbje e dashuri, si e bukura që duhet adhuruar e mbajtur në zemër, por të gjithë lexuesve shqiptarë dhe dashamirëve të huaj për t’i sensibilizuar lidhur me fatin tragjik të këtyre viseve të bekuara, të cilat, në të ardhmen, lipset t’i bashkohen tokës amë, të ringjizen me të, siç kanë qenë në jetë të jetëve.

Natasha Lushaj

No comments: