Friday, November 30, 2007

Nga DRITËRO AGOLLI

Identiteti i vargjeve të një poeti

Nja tre-katër vjet më parë miku im, Shefki Hysa, tanimë shkrimtar i dëgjuar, veçanërisht në tregime me një zë të ndryshëm nga të tjerët, më pati dhënë një cikël me poezi të Hekuran S. Halilit, një autori në përgjithësi të pandjerë në qarqet e poetëve. Për këtë cikël poezish unë atëherë mbajta disa shënime, që Shefkiu i botoi në revistën "Krahu i Shqiponjës". Unë vërtet u befasova nga vargjet e Hekuran S. Halilit, nga materia e tyre, nga sistemi figurativ dhe nga shqetësimet njerëzore prej poeti. Atëherë në hyrjen e ciklit të vjershave të tij unë pata shënuar:
Më ra në dorë një tufë me vjersha nga poeti Hekuran S. Halili, që nuk e pata njohur më parë. Duke e lexuar këtë tufë me vjersha, më rrëmbyen shumë vargje në kuptimin e vërtetë të fjalës rrëmbim. Vargjet ishin plot ngjyra e tinguj, që vetëm një poet mund t’i japë. Unë në fillim ndalova në stacionin e parë të këtyre vargjeve:

Janar.
Fryn sa mërdhijnë edhe gurët,
Ullinjtë më të zes janë bërë
Nga të ftohtit.
S’më zë gjumi sonte;
Mjerë ata që kap në rrugë
Kjo shtërngatë që s’pushon.
Shqetësohem edhe për çatitë e vjetra
Të shtëpive në fshat…

Dhe thashë me vete: "Këto janë nëntë vargje. E, çfarë kanë më shumë ata që kanë bërë nëntë libra?" Poeti shqetësohet "edhe për çatitë e vjetra të shtëpive në fshat". Dhe ky shqetësim është "qytetarisht" dhe "poetikisht", shqetësim me mjetin e metaforës.
Në stacionin e dytë të vargjeve ndalova atje ku përsëri flitej për shtëpinë, por në një drejtim tjetër: për trarin e shtëpisë, babain:

Sonte shtëpia më duket më e madhe
Apo unë jam bërë më i vogël?!…
Sonte gëzimi i zemrës flet para meje;
Ç’është kjo dëshirë për të bërë marrëzira?!…
Buzëqesh si fëmijë:
Më ka ardhur babai!
Të vegjlit e mi i janë futur ndën krahë
Sikur aty kërkojnë ta bëjnë folenë.

Poetikisht jepet udha pa thënë fjalën "udhë". Kjo udhë mund të jetë prej Shkodrës, Vlorës e Korçës, por mund të jetë edhe prej Çamërisë. "Ç’është kjo dëshirë për të bërë marrëzira?" Vetë udha shpesh të shpie drejt marrëzive, mbase edhe drejt një zemërimi për të kërkuar folenë e origjinës së mohuar.

Dhe mallin e kësaj foleje të origjinës poeti ma jep në stacionin e tretë të vargjeve, ku unë qëndroj dhe marr frymë:

I vogël,
Kujtoja se Çamëria
Ishte diçka e shtrenjtë,
Që nëna e mbante mbështjellë
Me shaminë e nusërisë.

E shihni? Kujtesa e Çamërisë - në shami. Pa vetëdije poeti kërkon ta krahasojë Çamërinë me çemberin që lidh kokën Shqipëria.

Ja, në këto tri stacione të poezisë së Hekuran S. Halilit, unë qëndrova dhe rashë në mendime. Poeti në poezi ndjehet që është nga Çamëria. Figurativisht ai e jep tërthorazi tragjedinë çame; e jep trishtimin dhe mallin, pikëllimin dhe shpresën; kujton nënat dhe etrit nga kanë dalë njerëz të shquar si Hoxha Tahsini, Muhamet Kyçyku dhe vallëtari me famë Osman Taka. Të mos vijmë pastaj në kohët moderne nga ka dalë shkrimtari i mrekullueshëm me fat tragjik Bilal Xhaferri. Dhe pastaj publicisti i madh Javer Malo. Por të mos harrojmë se edhe sot, kur unë po shkruaj këto radhë, ngrihet mbi të gjithë shkrimtari i famshëm humorist Qamil Buxheli; del tregimtari me vrojtime të çuditshme dhe ndjenja të holla, Shefki Hysa apo poeti i veçantë Abaz Veizi e me radhë.

Dhe unë jam i bindur se edhe poeti Hekuran S. Halili ka për të zënë vendin e tij në këtë varg njerëzish të shquar të Çamërisë.

Këto përshtypje pata nga leximi i ciklit me vjersha të Hekuran S. Halilit tre-katër vjet më parë. Tani kam përpara librin e tij në dorëshkrim "Unë - Njeriu", një titull ky çuditërisht niçean dhe njëkohësisht ekzistencial. Po çfarë shoh në këtë libër? Shoh zgjerimin e mendimit poetik, shtrirjen e horizontit të materies dhe formës artistike dhe kontradiktën e ëndrrës dhe realitetit. Dhe kryesorja që shoh në atë që e quaj materie është çështja e identitetit të individit shqiptar, të plagëve që ka marrë dhe merr ky individ nga mëritë nacionaliste dhe shoviniste. Mes vargjeve të Hekuran S. Halilit këto ide dhe mendime nuk dalin si në faqet e gazetave, por si në shpirtin e poezisë, siç është Çamëria në shpirtin shqiptar.

Poezia e Hekuran S. Halilit është si lëngu në trupin e një peme, e një selvie apo e një bredhi; është klorofil dhe gur, gjë që e bën një poezi me frymë ekzistenciale. Atje janë dashuritë, malli, kujtesa për një shtëpi të vrarë, që i ka mbetur çatia…

Dritëro Agolli
10 dhjetor 2006

No comments: