Friday, November 30, 2007

BILALI – ME TRUP NË AMERIKË, ME SHPIRT NË SHQIPËRI
Dialog me Selfo Hoxhën, kunat i Bilal Xhaferrit


- I nderuar Selfo, mirëse ju gjetëm në shtëpinë tuaj, këtu në Çikago të Amerikës. Ju jeni bashkëshorti i Jetes, motrës së madhe të Bilal Xhaferrit, pra, kunati i tij. Jetja, gruaja juaj, dhe Antika, motra e vogël e Bilalit, na folën gjatë për persekutimet, peripecitë, të papriturat dhe vuajtjet e shumta që u ka shkaktuar komunizmi familjeve tuaja në Shqipëri. Desha të njihem edhe me jetën tuaj, me mendimet, qëndrimet, pikëpamjet tuaja, me opinionin tuaj për tërë atë genocid që ushtroi dikatura mbi familjet fisnike shqiptare e veçanërisht mbi ju dhe mbi Bilal Xhaferrin.
- I dashur Shefki, së pari mirëse keni ardhur në shtëpinë time dhe ju falemderit nga zemra për tërë atë që keni bërë për të ndritur figurën e njeriut tonë Bilal Xhaferrit, figurë e harruar, e hedhur tutje, e varrosur qëllimisht prej komuniszmit. Ju duke ndritur atë figurë keni ndridur njëherazi edhe jetët tona, prandaj duam s’duam ne, ti mbetesh nga miqtë më të mirë të Bilalit dhe tanët. Të them të drejtën ishte puna jote ajo që e vuri në lëvizje shtetin shqiptar që të nderonte Bilal Xhaferrin se ne as që na shkonin në medje të tilla gjëra me atë pak dije që kemi mbi botën. Nderi i Bilalit në fund të fundit na përket ne njerëzve të tij, që jemi ende gjallë, kështu që mund të them se jemi ne ata që nderoheni me punën tënde, prandaj të detyrohemi shumë. Edhe njëherë shumë shumë të falemderit në emër të të gjithë atyre që ka dashur Bilali në këtë jetë.
Më ke vënë para një detyrimi që të rrëfehem për vete, për familjen dhe për tërë marrëdhëniet e mia me ata që janë prekur e lënduar prej komunizmit ngaqë ishin të afërmit tanë. Unë jam Selfo Hoxha dhe kam lindur në fshatin Markat të Sarandës në prill 1928. Rrjedh prej një familje fisnike, ku të ardhurat siguroheshin përmes bujqësisë. Mund të them se nuk ishim aq të varfër, sepse kishim një baba të mirë e shumë punëtor, të përkushtuar ndaj familjes.
- Si quhej babai juaj, meqenëse e përmendët për vlerat e vyera që karakterizojnë zakonisht baballarët e anëve tona?
- Babai im e kishte emrin Ahmet Hoxha. Ishte burrë zotni, rahmet pastë dhe i vaftë shpirti në xhenet se nuk përtoi kurrë që të sakrifikohej për familjen e tij. Kur vdiq e ndjeva vërtet mungesën e tij… Kisha edhe një dajë që e doja shumë njëlloj si babanë… Ishte një dajë flori që kujdesej shumë për mua, megjithëse ishte kohë lufte dhe skamjeje... Daja im ishte një ndër luftëtarët që u vra në mbrojtje të vëndit nga forcat okupatore gjermane. Ai quhej Veli Myrtaj dhe u vra në qafën e Likojanit mes kufirit grek dhe atij shqiptar. Edhe unë, megjithëse në moshë shumë të re, në moshën katërmbëdhjetë vjeçare, për hatër të dajës u bashkova me luftëtarët e lirisë në frontin e luftës, por daja më shmangte nga betejat, nuk donte që të vritesha. Dhe këtë ua la si amanet edhe shokëve të tij partizanë kur mbylli sytë, që unë të kthehesha patjetër gjallë në familje, në shtëpi. Dhe kështu i shpëtova vdekjes, mbijetova. Më ruajtën shokët…
Në vitin 1957, kur isha 27 vjeç, papritur e pakujtuar u arrestova nga forcat e sigurimit të shtetit shqiptar nën akuzën e agjitacionit dhe propagandas. Në të vërtetë unë nuk kisha bërë asgjë kundër shtetit, por kisha vetëm disa kundërshti rreth koperativizmit e kolektivizimit të pronës dhe bagëtisë. Nuk kisha besim te të ardhurat që mund të na siguronte kooperativa, or mik. Ishim fshat malor, e tërë zona ishte malore dhe atyre anëve mezi e kishin siguruar bukën burra punëtorë të palodhur si babai im. E si mund ta siguronim duke u bashkuar edhe me ata që nuk e donin punën?!… Kështu mendoja unë, po sigurimsit përkundrazi nuk deshën t’ia dinin, më arrestuan dhe më dënuan me dhjetë vjet burg.
- Në ç’burg ju dërguan pasi ju arrestuan?
- Më çuan në kalanë e Gjirokastrës, aty ndenja 19 muaj lidhur këmbë e duar, pas njëmbëdhjetë muajve hetim nga sigurimi i shtetit. Ka qënë një Niko Zhupali, një harbut, një kriminel ai që më ndiqte dhe më arrestoi. Akuzat e mia qenë të krijuara nga Marko Nusreti, Shefit Reçua e Mitat Muedini, të cilët u paraqitën si dëshmitarë para gjyqit tim. Gjithandej më ndiqnin Nikot e sigurimit… Edhe në birucën e paraburgimit nuk m’u ndanë… Mendo më kanë hetuar e gjykuar nja tre Niko…
- Thatë se ju kanë arrestuar, hetuar e gjykuar nja tre Niko. Kaq shumë Nikora kishte ai farë sigurimi i shtetit?… Si qëndron problemi?…
- Po është e vërtetë, kaq shumë Nikora duhet të kishte sigurimi. Mbase kishin besim më shumë te Nikot se sa te ne çamët… Në fshat mua më ndiqte operativi i sigurimit të shtetit Niko Zhupali. Në burgun e kalasë së Gjirokastrës më ndiqte Niko Vasua nga Goranzia e Dropullit dhe një Niko tjetër mbiemri i të cilit nuk më kujtohet... I ligu i dynjasë Niko Zhupali, kujt nuk i ka bërë dëm në zonën e Konispolit, më të ligj akoma dy të tjerët, sidomos Niko Vasua… Ai nuk fliste as shqipen mirë. E përziente me greqishten dhe mezi merrej vesh kur fliste. Ai ishte hetuesi më i lig dhe më bëri tortura nga më çnjerëzoret. Tortura si ato që u bënin grekët çamëve para se t’i dëbonin nga shtëpitë e tyre, nga Çamëria… Një herë mbaj mend që e shava rëndë, i thashë: "Ti je grek i ndyrë, nuk je as shqiptar, të bëfsha ty dhe qeverinë e Dropullit"... Unë isha i lidhur. Ai u tërbua fare. Nuk u mjaftua me torturat e veta, por njoftoi në telefon edhe dikë tjetër dhe për njëzet minuta erdhi Banush Goxhua, drejtori i sigurimit të qarkut të Gjirokastrës, i cili bashkë me Nikon më kanë torturuar si romakët Krishtin, aq sa thashë se do të vdisja në duart e tyre. I dashur Shefki, nuk kanë fund torturat dhe dhunimet që dinin të bënin ata, veglat qorre të komunizmit...
Pasi më dënuan më hoqën nga burgu i Gjirokastrës dhe më çuan në burgun e Vlorës. Në burgun e Vlorës u bashkova me shumë patriotë të tjerë. Aty gjeta mjaft intelektualë, njerëz të ngritur, politikanë, doktorë, mësues etj., të cilët ishin arrestuar për të njëjtën arsye, si unë për agjitacion e propagandë kundër komunizmit. Edhe në burg qëndrimi im ka qënë gjithmonë i vendosur kundër sistemit. Madje sa më shumë qëndroja nëpër qeli aq më shumë më shtohej urrejtje dhe mllefi kundër komunistëve. Kur pashë se burrat më të mirë të Shqipërisë ishin nëpër burgje nuk mund të mos e shtoja urrejtjen nda sistemit diktatorial shqiptar.
- Çfarë kapaciteti kishte burgu i Vlorës dhe si ju trajtonin?
- Burgu i Vlorës kishte një kapacitet që mund të përballonte deri në gjashtëqind të burgosur, por në tetor të vitit 1956, kur ndodhën trazirat në Hungari, ndodhi hataja. Nga frika dhe nga tensioni politik, komunistët e mbushën burgun plot e përplot dhe nga 600 vetë që duhej të mbante, arriti numri dyfish, në 1200 persona. Nuk më harrohet kurrë në jetën time sesi na sëmureshin shokët, sesi na vdisnin nga kushtet e vështira dhe askush nuk e çante kokën për ta. I merrnin të vdekurit dhe askush nuk e dinte ku i shpinin. Se mos dinim ku çonin edhe të gjallët që na i rrëmbenin sigurimsit shpesh nga qelitë dhe humbisnin pa nam e nishan?!… Ç’të të them, terror jashtë burgut, terror edhe në qeli, mbase ngaqë ishte periudha që Enveri ndihej i lënduar prej qëndrimit kundërshtues të çamëve në konferencën e Tiranës… Ishte periudha kur Enveri dhe komunistët po sajonin grupin armiqësor çam nëpër kartëra dhe e vunë në jetë në vitin 1960 me tërë ato arrestime të bujshme…
Kur arrestuan miqtë e mi më të ngushtë si Teme Sejkon, Taho Sejkon, Sulo Sejkon, Tahir Demin, Avdi Resulin dhe Haxhi Bilalin, xhaxhain tim, asnjëri nga ne në burg nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur. Vetëm shihnim lëvizje të mëdha, ethe dhe tension te oficerët dhe rojet e burgut. Qelitë aty mbusheshin e aty zbrazeshin. Autoburgjet venin e vinin ditë e natë. Sillnin e merrnin të burgosur dhe nuk kuptohej ç’po ndodhte. Gjithandej terror dhe frikë…
Një natë prej natësh më marrin edhe mua dhe me kapuç në kokë, më fusin forcërisht në një autoburg dhe sipas hamendjes sime mund të kemi ecur nja dy-tre orë dhe më kanë shpënë në një vend të panjohur. Kur ndaluam, nuk e dija se ku isha. Më vonë mora vesh se kisha përfunduar në një nga birucat e burgut të Tiranës. Më ndëruan disa herë birrucën dhe më në fund më futën në qelinë një personi me origjinë nga Koska e Çamërisë, emri i tij ishte Muharrem Mane. Ai më pyeti se kush isha dhe nga ç’burg vija dhe pastaj më tregoi se çfarë kishte ndodhur. Më tha se ishin arrestuar disa qindra çamë me gjeneral Teme Sejkon në krye.
Në atë qeli ndofta më kishin futën rojet gabimisht sepse pa më lënë as vetëm një orë, erdhën e më morën dhe më futën në një qeli më vete. Të nesërmen më vijnë dy civilë dhe më kërkuan që t’u bëja një listë për të gjithë çamët që njihja, për ata që kishin qënë ose jo komunistë, dhe unë e bëra. Ishte një listë prej nja shtatëdhjetë-tetëdhjetë vetësh që mbaja mend. Ata i hodhën një sy listës dhe ndaluan tek emri i Haxhi Bilalit. Ky nuk ka qënë komunist, më thanë. Jo, u thashë, nuk ka qënë. Di gjë ku ndodhet ai tani, më pyetën? Jo, u thashë, nuk di asgjë për të. Më bënë edhe shumë pyetje të tjera për çamët dhe u larguan.
Më vonë më sollën në qeli një çam, emri i të cilit nuk më kujtohet. Ai më tha se edhe ti ke qënë pjesëtar në grupin armiqësor çam, në grupin e Temes. Jo, ia preva, unë nuk di asgjë për ndonjë grup dhe nuk kam qënë kurrë pjesë e ndonjë grupi.
Edhe hetuesit nuk më ndaheshin ditë e natë. Këmbëngulnin që të pranoja se isha pjesëtar i grupit të Temes, meqenëse njihesha me shumë prej të arrestuarve. Më bënë shumë hetuesi dhe vetëm shumë më vonë e kam marrë vesh se në deponimin e xhaxhait tim, Haxhi Bilalit, thuhej se edhe Selfon kishim ndër mend ta merrnim në grup, por jo se ishte pjesë e grupit...
- Le të ndalemi pak, i nderuar Selfo, rreth këtij problemi. Po ju pyes në kofidencë, ju personalisht keni qenë anëtar i atij grupi, i grupit çam të Temes që në ato vite nga komunistët u deklarua nga më të rrezikshmit, madje edhe sot nga mbetjet diktaturase deklarohet si një nga grupet më të rrezikshme për Partinë e Punës, grup që donte të rrëzonte pushtetin e tyre me kryengritje të armatosur?
- E theksoj këtu e para Zotit, i dashur Shefki, se nuk kishte aspak ndonjë grup të Teme Sejkos. Për këtë mund t’ju jap edhe një fakt shumë të rëndësishëm: Sipas deponimit të Tahir Demit, njërit nga kryesorët e atij grupi të sajuar, thuhet se në mbledhjen e grupit ka marrë pjesë gjoja edhe Haki Rushiti, kur në të vërtetë Hakiu ndodhej në një nga spitalet e New Yorkut i sëmurë rëndë me kancer. Dhe këtë mund ta vërtetosh fare lehtë, mjafton të krahasosh të dhënat e arkivave të spitalit me ato të dosjes së sigurimit të shtetit që patjetër ruhen diku edhe sot e kësaj dite…
E përsëris, or mik, grupi armiqësor i Teme Sejkos ishte një sajesë e mendjes së sëmurë të Enverit, e sigurimit të shtetit. Akuzat ndaj të arrestuarve që gjoja përbënin atë grup janë gjëra krejtësisht të trilluara dhe shpifje për të zhdukur çamët, për t’i eleminuar ata nga pushteti që kishin fituar me zotësinë e tyre në ato vite. Dihet se askush nuk na do ne, çamët, për sytë e bukur. Na duan se jemi të zotë dhe e bëjmë punën më mirë nga kushdo, se jemi njerëz që besojmë në ligjet e Zotit... Pra, dua të them që kurrë nuk duhet të merren për të vërteta deponimet e Ministrisë së Brendshme të ish diktaturës, sepse nuk janë veçse false dhe të pavërteta. Ato janë shpifje që i kanë stisur ata vetë. I kanë stisur sigurimsit. Unë di që dajon e nanës sime, Musa Seitin e detyruan të pranonte ato që thoshin ata. Ai ruajti dhëmbët që i kishin shkulur hetuesit gjatë torturave për ta detyruar që të pranonte akuzën dhe i vuri në tavolinë përballë kryetarit të trupit gjykues.
- Kush ishte ky kryetar dhe si reagoi përballë një fakti të tillë?!
- E ç’rëndësi ka emri i tij?… Kryetar ishte njëri prej tyre, vegël qorre e komunistëve, i cili do të bënte patjetër siç thoshnin ata… Pra, dua të them që në vitin 1960 nuk u arrestuan aq shumë njerëz sa u propagandua, por rreth 500-600 çamë, ndër të cilët edhe ndonjë çoban e ndonjë intelektual vllah, edhe ata njerëz të mirë e të pa trazuar që shihnin hallet e tyre, ndonjë minoritar, sa për sy e faqe, si dhe disa gjirokastritë... Nuk u pushkatuan as pesë vetë prej tyre, kurse prej çamëve u vranë pesë vetë vetëm në një familje… Më dëgjo: Teme Sejko, Taho Sejko, Sulo Sejko, djali i Temes, Sokol Sejko, si dhe gruaja e tij që kreu vetevrasje, pasi i pushkatuan të birin. Pushkatuan shumë edhe nga familja e dematëve. Siç më thoshte babai dematët dhe sejkatët ishin dy nga fiset më të mëdha në Çamëri dhe në vitin 1920, kur u ngrit flamuri në Vlorë, nga këto dy familje morën pjesë rreth 50 çamë në ngritjen e flamurit. Pra, a nuk ishte ky qëndrim një armiqësi e tërbuar e komunistëve ndaj Çamërisë dhe çamëve?! Një armiqësi e verbër ndofta e nxitur heshturazi nga qarqe të veçanta të politikës greke që mbanin lidhje të fshehta me Tiranën e Enverit…
Më kujtohet një rast i një bisede me një nga njerëzit e nderuar që kishin drejtuar CIA-n amerikane në ato vite. Më ka thënë duke qeshur: "E di pse vdiq Teme Sejkua?!… Ta them unë… Kur erdhi Hrushovi për vizitë në Shqipëri, në një takim në Butrint të Sarandës, i ra supeve Teme Sejkos, duke e lavdëruar zotësinë e tij. Aty ishte i pranishëm Enveri, ishte Ramizi, ishin dhe shumë prej anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë së Punës… Dhe pse Hrushovi i ra supeve gjeneralit, injorantët e Enver Hoxhës dhe vetë ai nuk mund ta falnin… Hamendësuan: "Dale se ky do të na hajë"… Teme Sejkua ishte intelektual, ishte i edukuar, ishte gjeneral me karrierë të ndritur, sikurse ishte intelektual i zoti dhe Taho Sejko dhe gjithë çamët e tjerë me poste të larta në parti e në shtetin komunist... Dhe u sajua grupi armiqësor dhe ata u eleminuan siç janë eleminuar nëpër vite gjithë ata që rrezikonin sadopak qetësinë e Enverit me shokë"…
Unë, si Selfo, mik isha më shumë me Taho Sejkon, kam qënë disa here në shtëpinë e tij dhe kam biseduar me të për shumë e shumë probleme. Kur e transferuan dhe e çuan në Shkodër, e pyeta: "Pse mo, Taho, ç’kanë këta me ty?!… "More, djalë, - më tha, more, shpirt, neve çamëve këta nuk do na lënë rehat të marrim as frymë"...
- Pra sipas jush grupi i Temes ishte një shpikje e mendjes së sëmurë e paranojake të Enver Hoxhës, një sebep për t’u hakmarrë me çamët që e kundërshtuan në Konferencën e Partisë së Tiranës?…
- Kështu ishte dhe këtë nuk e them vetëm unë, këtë e pohojnë vetë dokumentet e Partisë së Punës, po t’i shqyrtosh me kujdes… Duke eleminuar çamët Enveri i bëri një nder edhe Greqisë, se e varrosi problemin çam… Dhe për këtë besoj se e ka marrë shpërblimin, prandaj qëndroi aq gjatë në pushtet… Me të tilla marifete Enveri la edhe Kosovën në duart e serbëve… I ndjeri Bilal Xhaferri thoshte kështu: "S’ka Shqipëri pa Kosovë e Çamëri". Kjo shprehje ishte kryetitull i të gjitha numrave të revistës "Krahu i shqiponjës" dhe i gjithë botimeve të tij… Dhe Bilali nuk fliste kurrë më kot… Këtë e pranonin edhe vetë të burgosurit politikë që nëpër vite kishin qenë shokë të Enverit dhe ai i trembur prej rivalitetit të tyre brenda piramidës së Partisë Komuniste, i kishte flakur burgjeve gjoja si armiq të popullit… Enveri ishte një diktaror i keq, paranojak e hakmarrës që i ka sjellë aq dëme Shqipërisë sa nuk ia kanë sjellë tërë shekujt bashkë, shpreheshin ata në bisedat me ne…
- Na tregove për jetën nëpër burgjet komuniste, po kur dole nga burgu si të rrodhi jeta?!…
- Jetë qeni, për në lumë e për në det… Pasi mbarova dënimin mendoja se në çastin që do të lirohesha, jashtë rrethimit, te dera do të më prisnin familja, gruaja, fëmijët, por më kot… Ata më nxorrën nga burgu në muret e të cilit shkruhej "Vdekje për tradhëtarët dhe armiqtë e popullit" dhe më hypën në një autoburg tjetër e më çuan në Gradisht të Lushnjës, në internim. Ishte viti 1962. Më thanë: "Ti je i padëshiruar në familjen tënde dhe duhet të shkosh në internim"… Dhe përfundova në internim, një lloj dënimi tjetër si gjysmë i burgosur…
Ata e dinin se mua më vlonte shpirti për miqtë e shokët e të afërmit që më pushkatuar, e dinin se kush isha, prandaj më internuan dhe më izoluan në fshatrat e humbura plot baltë të Lushnjës… Pas disa kohësh më çuan në fshatin Stjar të Delvinës, por përsësi nuk kisha të drejtë të shkoja në fshatin tim. Tashmë kisha jo vetëm titullin i burgosur politik, por edhe një titull tjetër, titullin "I dëbuar"…
- Deri në ç’vit vazhduat të endeshit nga njëri vend izolimi në tjetrin si i dëbuar prej vendlindjes e i internuar?
- Deri në vitin 1965-1966, nuk më kujtohet mirë...
- Gjatë gjithë këtyre viteve patët ndonjë takim me kunatin tuaj Bilal Xhaferrin?
- Bilali erdhi e më takoi disa herë në Lushnjë e në Stjar të Delvinës. Ai vetë ishte i luftuar dhe duhet të ruhej. Mbaj mend një rast kur ai më tregoi se si pas demaskimit dhe goditjes që i dhanë shokët e Fadil Paçramit në Tiranë, nuk iu nda edhe Rita Marko, në Durrës, ku e kishin çuar përkohësisht pas dëbimit nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ndër të tjera i kishte thënë: "Je edhe kunati i armikut të popullit, Selfo Hoxhës"… Ju e dini se si pas përplasjes me Rita Markon Bilalin e internuan për vete në baltën e Hamallës së Durrësit dhe kështu mbeti i izoluar për vete në atë kënetë…
- Idenë për t’u arratisur nga Shqipëria e dhatë ju apo Bilali?
- Mua më dukej se e kisha për detyrë ta shpëtoja atë njeri të madh nga ajo kënetë ku e kishin degdisur. E dija se ai kishte vulltet të hekurt në vetvete dhe forcë për ta përballuar fizikisht internimin, por shpirtërisht ai do të humbte si njeri. Ishte njeri i madh, siç e dini, dhe njerëzit e mëdhenj humbasin moralisht kur nuk e shprehin vetveten… Ai nuk mund të duronte pa shkruar e pa e shprehur botën e tij të rebeluar nga padrejtësitë, ndaj iu kthjellua në kokë vendimi për t’u arratisur… Dhe kështu idetë e tij dhe të mijat u bënë një. Mirëpo ishte shumë e rrezikshme të shpreheshe hapur për gjëra të tilla, prandaj idenë për t’u arratisur nuk e diskutuam as edhe me familjen, me askënd. Bilalit i kisha thënë që kur t’i bëja unë telegram ai duhet të vinte menjëherë. I shkruajta se Jetja ishte e sëmurë. Ai e mori telegramin dhe u paraqit në ndërmarrjen ku punonte. I dhanë 3-4 ditë leje. Bilali erdhi. Ne biseduam me hollësi çdo gjë dhe vendosëm të arratiseshim. Në atë kohë bëhej festa e Çamërisë, festë që gjithmonë festohej në Bogaz të Konispolit, kurse atë vit u bë në Hoxhë. Festa ishte më 23 gusht dhe festohej formimi i çetës "Çamëria". U nisëm në drejtime të ndryshme. Unë gjoja do të shkoja në Tiranë, në spital, sepse gjoja isha sëmurë, kurse Bilali do të shkonte në Durrës dhe do të paraqitej në punë. Zbritëm që të dy dhe u dukëm në festë, festë në të cilën merrte pjesë edhe Rita Marko. I takuam të gjithë pjesëmarrësit dhe si me lezet u shkëputëm pa u vënë re dhe u nisëm drejt tokës greke. Kaluam kufirin shtetëror dhe u dorëzuam te grekët. Pra, kushtet e vështira, përgjimet e spiunëve komunistë që na rrezikonin për ditë e më shumë jetën, na detyruan që të dorëzoheshim te një armik i betuar i popullit tonë. E megjithatë ata na pritën si miq…
- Nga kaluat për në kufi?
- Nga Bogazi shkuam në fushë të Markatit e andej e në Ninat dhe nga Ninati në Janjar e tutje drejt kufirit… Ecëm rreth dy orë në këmbë, do të ishte ora nja katër e mëngjezit kur hasëm në një stan me dele. Qentë e stanit na diktuan dhe na u lëshuan. Ne u kthyem mbrapsht dhe kjo na humbi rreth gjysmë ore kohë për të kaluar brezin e butë të klonit. Kur shkuam te brezi i butë qëndruam një copë herë aty duke vështruar rreth e qark dhe Bilali, rahmet pastë, kishte përgatitur një letër dhe e nxorri dhe e la aty. Në letër shkruhej: "Largohem nga atdheu im i detyruar nga diktatura dhe sistemi komunist. Të shkojmë tek armiqtë tanë na bëtë ju, sepse ju na quani më armiq se armiqtë. Një gjë të keni parasysh, familjet tona nuk kanë asnjë dijeni për këtë veprim"…
Kufirin shtetëror e kaluam pa na diktuar as rojet tona e as rojet e kufirit grek…
- Ku ju zuri mëngjesi?
- Me sa më kujtohet, mëngjesi na zuri në postën greke ku na mori në pyetje një oficer grek që dinte shqip. Ai më pyeti mua: "Nga ç’fis je ti në Markat?" I tregova për fisin tim dhe ai më pyeti përsëri nëse e njihja Musa Seitin. I thashë, po. Musa Seiti është ai për të cilin të fola më lart…
- Çfarë ndodhi më pas në postën greke?
- Na priti komandanti i postës ushtarake, i cili më pas u lidh në telefon me Filatin. Mbas një ore erdhi shefi i asfalisë, i sigurimit të Filatit dhe na mori e na shpuri në Filat. Pasi bënë hetime për nja një orë atje erdhi një makinë tjetër speciale që na mori e na çoi në Janinë. Në Janinë na shpunë në kalanë e Ali Pashë Tepelenës. Atje na hetuan përsëri intensivisht për rreth një muaj dhe mbasi mbaruan hetimet, dolëm se ishim nacionalistë të pastër. Pra, u vërtetua se kush ishim. Filluan të na pyesnin për jetën në Shqipëri dhe për regjimin e Enver Hoxhës. Ç’është e vërteta ne mbajtëm ca rezerva, sepse na vinte turp që të shanim vendin tonë. Ne nuk u bëmë kurrë servile, por i falenderuam për mikpritjen e tyre dhe u kërkuam të ndiqnim drejtimin tonë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Na shpunë në kampin e refugjatëve politikë ku kishte azilantë nga të gjitha vëndet e Ballkanit dhe të Europës. Aty na mbajtën për pesë muaj. Pasi mbaruan dokumentacionet e nevojshme, udhëtuam drejt SHBA-së…
- Si ju rrodhi më tej jeta në SHBA?
- Bilali me ndërhyrjen e disa miqve të mi u vendos në Boston, ku filloi të drejtonte gazetën "Dielli" për rreth një vit, një vit e gjysëm. Ndërkohë unë u vendosa në Çikago, ku jam edhe sot e kësaj dite… Në gazetën "Dielli", disa nga shqiptarët e ardhur shumë herët në Amerikë, nuk e lejonin Bilalin që të shprehte pikëpamjet e veta e të shkruante kundër regjimit komunist. Këtë gjë ma tha një ditë në telefon. Ndihej menjëherë nga zëri që ishte shumë i pezmatuar, i lënduar dhe i zhgënjyer. I thashë të vinte në Çikago. Atëherë u mblodhëm ne, disa nga patriotët çamë, dhe vendosëm që Bilalin ta sillnim në Çikago, natyrisht edhe me dëshirën e tij. Dhe ashtu bëmë…
Sa erdhi në Çikago Bilali filloi t’i kushtohej veprimtarisë patriotike ashtu siç e kishte zakon ai, ashtu siç vepronte kudo që shkonte… Patriotët e vërtetë e donin, e dëgjonin dhe e ndiqnin pas si të verbër, kurse ata që shtireshin i bënin lloj-lloj bishtash vetëm e vetëm ta pengonin. Këtu, në Çikago, Bilali shpejt u bë shumë i njohur dhe me mbështetjen e patriotëve të vërtetë krijoi shoqërinë "Lidhja Çame" dhe filloi të botonte si organ të kësaj lidhjeje revistën "Krahu i Shqiponjës", revistë dygjuhëshe shqip-anglisht, të cilën e drejtoi gjersa dhe vdiq. Nxori nja 38-39 numra të asaj reviste, faqet e së cilës kanë qënë gjithmonë të mbushura me shkrime patriotike për Kosovën, Çamërinë dhe Shqipërinë e lirë nga diktatura komuniste. Pra, shkrimet që botoheshin në revistë kanë qënë shumë antikomuniste, sidomos ato të Bilalit, gjë që ia rrezikoi jetën disa herë nga njerëzit e sigurimit të shtetit që kishin depërtuar gjer këtu në SHBA… I dogjën studion e punës me tërë arkivin e krijimtarisë së tij dhe dy-tri herë i bënë atentat për ta vrarë disa të ashtuquajtur njerëz të panjohur, por ia shpëtoi jetën i madhi Zot, se umbërgjati nuk bëhet dot jetëshkurtër, thotë një fjalë e urtë…
- Po ju nuk e mbështesnit si duhet, nuk e mbronit jetën e tij si jetë e çmuar e një njeriu të madh që e meritonte mbrojtjen prej komunitetit të shqiptarëve?
- Për të thënë të vërtetën Bilalin nuk e kemi përkrahur sa duhet as vetë ne çamët e Çikagos. Ai nga natyra ishte disi kryelartë dhe nuk e ulte kurrë veten t’ia shtrinte dorën kujt për asgjë, megjithëse ishte gati t’u falte edhe shpirtin të tjerëve. Shkonte mirë me njerëzit e sinqertë, i urrente hipokritët dhe ata që shtireshin, por në këtë botë, dihet, janë më të shumtë të ligjtë se të mirët… Dhe kështu atij shumë herë i mbetej të përpiqej i vetëm…
Megjithë pengesat e shumta që i nxirrnin, revistat e Bilalit qarkullonin në Turqi, Zvicër, Gjermani, Austri, Australi, Belgjikë, në Kosovë e Maqedoni e në tërë Amerikën. Kishte lidhje të shkëlqyera me shumë miq e patriotë shqiptarë, të cilët besonin dhe shpresonin në fjalën dhe në veprën e tij…
Sidoqoftë gjatë kësaj periudhe arritjesh edhe lodhja dhe lloj-lloj sakrificash, që kalonte ai, bënë të vetën. Vetëm të mendosh se sa vështirësi finaciare pati herë-herë ai, sepse të shumtën e rasteve e shtypte revistën me shpenzime nga xhepi i tij. Punonte ditë e natë në lloj-lloj punësh dhe me kursimet e pakta mundohej të shkollohej vetë, siç e kërkonin kushtet e Amerikës, nxirrte edhe revistën... Pra, përfundimi ne nuk e përkrahëm sa duhet, akoma më keq, ndonjëherë edhe e penguam…
- I nderuar Selfo, mund të më tregosh sesi vdiq Bilal Xhaferri? Të paktën në Shqipëri, por edhe këtu në Çikago, në disa rrethe patriotësh, flitet se ishte dhe mbetet mister vdekja e tij… Mendimi yt?…
- Fatkeqësisht Bilali ndërroi jetë nga një sëmundje e papritur. Një tumor në kokë që ia zbuluan si rastësisht në një vizitë mjekësore të zakonshme. Kishte një dhimbje koke të herëpasherëshme, thonë. Këtë ka konstatuar edhe spitali ku u shtrua dhe u operua nga ai tumor në kokë… Këtë di, këtë them, pavarësisht se ç’flitet e thuhet poshtë e lartë…
Një gjë e them me siguri të plotë: Vdekja e tij e paralizoi Lidhjen Çame, njëkohësisht edhe Lidhjen Kosovare…
Bilali jetoi me trup në Amerikë e me shpirt në Shqipëri. I tillë qe ai. Vërtet jetonte në Amerikë, por jetën dhe veprën e tij ia dedikoi kombit shqiptar, atdheut mëmë Shqipërisë dhe krahëve të saj Çamërisë e Kosovës, të shkëputur padrejtësisht e forcërisht nga trungu amë…

SHEFKI HYSA
SHBA, Çikago, më 30.4.1995

No comments: