Friday, November 30, 2007

JAM KRENARE PËR TIM VËLLA
Dialog me Jeten, motrën e madhe të Bilal Xhaferrit

- Zonja Jete, je motra e madhe e Bilal Xhaferrit dhe si më e rritura e fëmijëve të mbetur jetimë pas vdekjes së babait tuaj, Xhaferrit, besoj se i ruan mirë në kujtesë ngjarjet tragjike të atyre viteve të trazuara të pasluftës. Do të doja ta filloje rrëfimin me diçka për veten tënde.
- Së pari mërëseardhët në shtëpinë time në Amerikë, në Çikago, dhe shumë shumë shumë falemnderit, një mijë herë falemnderit, Shefki, për atë mision të madh që i vure vetes për të lartësuar figurën e harruar të vëllait tonë, Bilalit, që komunistët u munduan me të gjitha mënyrat për ta marrë nëpër këmbë e për ta varrosur me çdo kusht për së gjalli a për së vdekuri. Falemderit që u bëre sebep e nxite edhe shtetin demokratik shqiptar që të kujtohej e të vihej në lëvizje për kthimin e eshtrave të Bilalit tonë në atdhe, në Shqipëri, që e deshi aq shumë i gjori vëllathi im i vetëm… Ç’të të them, ke bërë një vepër madhore që vetëm Zoti është në gjendje të ta shpërblejë! Ta shpërbleftë me tërë të mirat, ty dhe kalamaqërve të tu, brez pas brezi, mor djalë, ishallah! Dhe ta dish se na je bërë si vëllai ynë…
Unë jam vërtet motra më e madhe e Bilalit, fëmija më i madh i Xhaferrit, babait tonë të shkretë, që rahmet pastë e i vaftë shpirti në xhenet se në këtë jetë edhe ai nuk pa nga sytë. Hoqi të zitë e ullirit nga komunizmi, njëlloj si i varfri Bilal, po ashtu edhe ne. Pra, thashë se jam motra më e madhe, por për të qenë e drejtë këtu e para Zotit, them se nuk i di gjërat aq mirë sa e vogla, Antika. Ishim tri motra dhe një vëlla që mbetëm jetimë, pa përkrahje, dhe kuptohet që mua si më të madhes më ranë mbi kokë tërë hallet e shtëpisë, më ziente koka dhe s’ua vija veshin aq shumë atyre që ndodhnin përqark. Më kupton? Nuk më linin hallet të kruaja as kokën, le që nuk isha aq e madhe sa të duroja njëherësh edhe tërë atë dhimbje, edhe barrën e halleve. Më kupton, besoj?…
Eh, mor vëlla!… Ç’të të tregoj më parë… Si na vranë babanë, jeta e familjes sonë u vështirësua së tepërmi. Jetonim me gjishin, babain e mamasë, pasi mamaja na kishte lënë të vegjël. Gjishi, përveç moshës së thyer, ishte dhe sakat dhe nuk mund të punonte, ndaj mua, si vajza më e madhe, më është dashur të lodhem shumë për të siguruar bukën e gojës për vete dhe për më të vegjlit.
Më kujtohet si tani, kur kthehesha nga mulliri i Merkos, me atë pak misër të bluar, gjishi më thoshte: "Krundet m’i gatuaj mua bukë, bijë, kurse miellin e mirë gatuaje për fëmijët"… Ndërsa kur ai mërzitej, dilte nga vatha e boshatisur dhe, i përmalluar për bagëtitë që na kishte marrë shteti, tundte këmborët dhe zilet që i ruante me shumë merak.
Eh! Komunizmi nuk na la të jetonim si gjithë njerëzit…
Përfundimisht unë u rrita e u martova dhe kjo si të thuash qe një fatkeqësi e madhe për gjishin, motrat dhe vëllain tim, pasi i lashë pa mbështetje. Ika te burri. Po duhej ikur se kështu ishte zakoni. Ishim tri vajza dhe duhej t’i hapnim udhët e fatit njëra-tjetrës… Mund të na kalonte mosha dhe të mbeteshim lënesha, po të refuzonim kërkesat për martesë… Le që shyqyr Zotit që merrnin guximin e trokisnin në derën tonë, ashtu të rënë nga vakti, siç na kishte katandisur komunizmi…
- Çfarë ju kujtohet nga babai juaj, Xhaferri?
- Pak gjëra… Kur isha e vogël, babai shkonte në kurbet dhe kur kthehej më merrte gjithmonë në krah e më këndonte këngë të bukura… Mund të them se jeta me të ishte një dramë e shkurtër…
Arrestimin e tij unë nuk mund t’jua përshkruaj, pasi nuk e di, di vetëm letrën që më dërgoi, ku shkruante: " Ti, vajzë, duhet të na nderosh, sepse je vajza me e madhe e familjes. Babain të mos e qash, të jesh e lumtur se babai yt është krenar… Mos u nënshtro dhe mos u bëj vegla e askujt, pasi kështu do të jetosh e lumtur e me ndërgjegje të lartë"…
Më pas e pushkatuan dhe nuk i dihet as varri, ç’të të them tjetër për të, mor vëlla?!…
- Me burrin tuaj të ardhshëm, Selfon, njiheshit më parë?
- Me Selfon nuk njihesha. Sebep për martesën tonë u bë gjishi, Feriku. Pas fejesës u martuam shumë shpejt. Selfua vinte nga një familje me anë ekonomike të mirë, nga Markati, kështu që u vendosëm atje. Bëra pesë vjet martuar dhe Selfua ra në burg, kurse mua dhe fëmijët na interrnuan në Lushnjë. Atëherë kisha tre fëmijë: Alemin, Remzien dhe Baftjarin. Lirimi, djali i vogël, më lindi në Lushnjë. Pas përfundimit të periudhës së internimit në Lushnjë, u vendosëm në Markat, në vitin 1969, viti në të cilin u arratis edhe Selfua...
- Çfarë ndodhi me ju dhe familjen tuaj pas arratisjes së Selfos?
- Tetëmbëdhjetë ditë pas arratisjes së Selfos na internuan në Borsh. Në atë kohë, djalin më të vogël, Lirimin e kisha gjashtë vjeç dhe më i madhi, Alemi, ishte pesëmbëdhjetë vjeç.
- Ku u vendosët në Borsh?
- Në një barakë, ku jetuam për shtatëmbëdhjetë vite me radhë.
- Çfarë mbani mend nga Bilali?
- Nga Bilali mbaj mend vogëlinë e tij. Ai ishte një djalë shumë i zgjuar dhe me një talent të madh. Në shkollë ai arrinte të merrte dy vite për një vit, kuptohet në shkollën fillore. Kur unë u martova, motrën e vogël, Antikën e mora me vete, kështu që ai mbeti vetëm në shtëpi. E ndihmoi halla që kishim në Sarandë që të largohej prej fshatit. U vendos në Shijak. Atëherë ai ishte katërmbëdhjetë vjeç…
Unë e Bilali nuk e kemi bërë jetën kurrë bashkë. Shkuan gati 15 vjet që ne nuk dinim asgjë për të dhe thonim: o është arratisur, o e kanë vrarë, o e kanë internuar gjëkundi. Vetëm kur dikush na solli fshehurazi librin e tij e morëm vesh që ai ndodhej në Mirditë.
- Po me Bekon , motrën që u martua në Shijak, mbanit lidhje?
- Shumë të rralla, madje do të thoja se jeta e saj ishte një tragjedi më vete.
- Po në internim, në Borsh, kush vinte për t’ju takuar nga njerëzit e afërt?
- Në internim nuk më vinte askush përveç Antikës, motrës së vogël dhe burrit të saj, Hamitit.
- Po Bekua erdhi ndonjëherë për takim gjatë periudhës së internimit?
- Jo, nuk më erdhi asnjëherë.
- Cila ishte arsyeja e internimit për herë të dytë?
- Ju thashë, arratisja e Selfos.
- Po Bilalin e zinit ndonjëherë në gojë?
- Jo, atë nuk e zinim kurrë në gojë.
- A mërziteshit ndonjëherë nga fati që ju ra dhe a e shanit burrin tuaj që u arratis duke ju lënë juve dhe fëmijëve tuaj në mëshirë të fatit?
- Si ta shaja, si të mos e shaja, mua s’ma ndërronte dot njeri fatin tim. Kisha aq shumë halle mbi kokë e në mendje sa nuk më shkonte ndërmend të mendoja se kisha patur burrë ndonjëherë a nuk kisha patur... Në Lushnjë u dënuam për pesë vjet, kurse në Borsh u dënuam për shtatëmbëdhjetë vjetë radhaz dhe nuk dinim nëse jetonin a kishin vdekur të afërmit tanë…
Pas mbarimit të internimit më erdhi një letër nga Selfua dhe mësova për fatin e tij dhe të Bilalit… Ç’të të them, nuk guxonim të pyesnim ndonjë a të merrnim guximin e t’u shkruanim letra… Jetonim vetëm me veten tonë të mbyllur në kamp. Edhe djalin e mesëm, Alemin, në kamp e martova…
- Si u bë martesa e Alemit në kamp?
- Unë dhe Hamiti, burri i motrës, i kishim vënë detyrë vetes se do të martonim Alemin. Dhe kështu bëmë. Në dasmën e Alemit morën pjesë familja ime, motra Antika bashkë me burrin Hamitin, dy dhëndurët dhe disa të internuar, miqtë tanë. Të gjitha darkat e drekat e gëzimeve tona janë bërë mes familjeve tona. Në internim Alemit i lindën dy fëmijë, Liljana dhe Dritani. Nga iternimi ikëm aty rreth vitit 1984 dhe u vëndosëm në Lukovë. Më në fund pas shtatëmbëdhjetë vjetësh vuajtjesh atje ishim disi të lirë…
- Gjatë periudhës që u vendosët në Lukovë ju shkruante letra Bilali a Selfua?
-Po, na shkruante Selfua sipas rregullave, siç ishin rregullat në atë kohë.
- Po Bilali nuk ju ka shkruar ndonjëherë?
- Jo, për Bilalin nuk dija asgjë.
- Si e morët vesh për vdekjen e Bilalit?
- Gjatë kohës që isha vendosur në Lukovë na erdhi një zarf i mbyllur me vija të zeza… Letra ishte pa adresë dhe në të njoftohej vdekja e Bilalit… Ishte viti 1986…
- Si e pritët këtë lajm?
- Lajmin e prita me shumë hidhërim, por nuk mund të qaja sepse fëmijëve të mi nuk u kisha thënë se e kishin dajon të arratisur në Amerikë, sepse po ta komentoja këtë fakt do të dënoheshim edhe për Bilalin.
- Po në kohën kur morët vesh për vdekjen e Bilalit ju erdhi kush për ngushëllime?
- Jo, nuk më erdhi askush. Ju thashë që Bilali vdiq në vitin 1986 dhe megjithëse ne kishim ikur nga internimi, nuk ia mbante askujt të na vinte për sebepe, dasma, lindje e gëzime dhe jo më për të na ngushëlluar për Bilalin që e kishin cilësuar armik të komunizmit pas arratisjes…
- Po Selfoja e përmendte Bilalin në letrat e tij?
- Jo, kurrën e kurrës!
- Kur erdhi Selfua për herë të parë në Shqipëri?
- Selfua në Shqipëri erdhi në vitin 1990. Kuptohet sapo u shemb komunizmi dhe hyri demokracia.
- Ku e pritët?
- E pritëm në Tiranë bashkë me Hamitin dhe Antikën.
- Kur erdhi Selfoja ju foli për Bilalin?
- Jo, nuk foli. Edhe ne nuk e pyetëm, mbase ngaqë nuk na kishte dalë frika akoma, mbase nga krenaria… Le që Selfua ato ditë më shumë rendi pas dokumenteve tona që të na merrte sa më parë në Amerikë. Boll kishim vuajtur në Shqipëri.
- Dhe ju mori. Ju solli familjarisht në Çikago… Shpëtuat më në fund nga ai ferr vuajtjesh… U interesuat për jetën e Bilalit kur erdhët në Amerikë?… Ju ka folur ndokush nga emigrantët shqiptarë të vendosur këtu, në Çikago për jetën e tij?
- Për Bilalin më ka folur vetëm Skënderi. E kemi nga Markati, patrioti inë. Njeriu inë. Ai është kujdesur më shumë për Bilalin nga patriotët tanë që janë këtu në Çikago. Janë të shumtë, por kanë parë vetëm hallet e tyre, nuk kanë dashur t’ia dinë për të tjerët, në mos u gabofsha…
- Kur erdhët në Amerikë nuk pyetët askënd për Bilalin?
- Jo, nuk kam pyetur askënd. Dëgjova vetëm ç’më tregoi Skënderi. E ç’më duheshin hollësitë që mund të më rrëfenin të tjerët? Vetëm sa për të më lënduar…
Sidoqoftë unë jam krenare që u realizua kjo dëshirë e Bilalit për t’u kthyer në Shqipëri qoftë edhe pas vdekjes. Jam e kënaqur që fëmijët e mi jetonë në Amerikë dhe nuk do të kenë fatin tim dhe as të Bilalit që i iku jeta duke kapërcyer përmbi kurthet e vdekjes. Jam e lumtur që gjithçka nuk e kam pasur unë dhe Bilali, do ta gëzojnë fëmijët e mi…
Në Amerikë të parët erdhën djali i vogël, Lirimi, me nusen, pastaj erdha unë. Erdha për të parë me sytë e mi lumturinë e tyre… Ja kështu më rrodhi jeta mua dhe familjes sime… Zi e më zi atje në Shqipëri… Mbase më ka ardhur koha të shoh tani në pleqëri dy ditë të bardha… Këtu në Amerikë… Ja kështu…
- A ia keni falur Bilalit tërë ato shqetësime që ju solli me arratisjen e tij?
- Më shumë halle më hodhi mbi kokë arratisja e burrit tim, Selfos, se sa Bilali. Të them të vërtetën i varfri Bilal i solli më shumë telashe vetes se të tjerëve… Sidoqoftë unë ndihem krenare për të.
- Jeni krenare për vlerësimin që i bëri figurës së Bilal Xhaferrit shteti demokratik shqiptar?
Gjithë lodhjen e jetës sime nuk e ndjej më tani që mora vesh se vëllai im respektohet nga një Shqipëri e tërë…

Shefki Hysa
SHBA, Çikago, më 26.4.1995

No comments: