Saturday, December 8, 2007

PREJARDHJA ÇAME E MITRUSH KUTELIT
Një fakt i ri domethënës

Në datat 13-15 shtator 2002, shoqata e shkrimtarëve "Mitrush Kuteli", në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit, organizuan me rastin e 95-vjetorit të lindjes së njërës nga figurat më të shquara të kulturës shqipe, pikërisht prozatorit, poetit, përkthyesit, kritikut dhe ekonomistit të shquar Dhimitër Pasko, "Ditët e Vjeshtës Poetike".

Qyteti i kaltër i Pogradecit qe mikpritës i bashkëkohësve, miqve dhe të ftuarve, që vinin jo vetëm nga brenda kufijve, por edhe nga Diaspora. Padyshim që vlerat dhe rëndësia e këtij aktiviteti nuk qëndrojnë thjesht në faktin se u nderua një figurë poliedrike si ajo e Dhimitër Paskos, apo një qytet i ngritur në kult nga bijtë e tij, por synonte të tregojë që ka një elitë të vërtetë shqiptare, e cila fjalën e saj e thotë nëpërmjet penës dhe shprehjes së bukur poetike, nëpërmjet shpirtit dhe dëshirave të paskaj.

Pjesëmarrësve të kësaj veprimtarie u uruan mirëseardhjen Kryetarja e Bashkisë së qytetit, Mangalina Cane, i dërguari i Ministrisë së Kulturës dhe kineasti i njohur Mirosh Pasko si dhe miq e të ftuar shkrimtarë e artistë, që nderonin me pjesëmarrjen e tyre.

Referuesit e vunë theksin në vlerat dhe risitë që sjell Mitrush Kuteli në letërsinë bashkëkohore shqiptare, në vështirësitë që i janë dashur atij të kapërcejë për të pasur një figurë sa më komplekse si dhe unifikimin e problemit mbarëshqiptar në veprën e tij.

Vizita pranë varrit ku prehen eshtrat e shkrimtarit të vuajtur, referimet rreth prozës dhe poezisë, që u organizuan në pallatin e kulturës, drekat dhe darkat e këndshme për tre ditë me rradhë qenë vërtet interesante. Ne veçuam për lexuesit e revistës sonë faktin më të ri domethënës, që hedh dritë mbi prejardhjen e familjes së Mitrush Kutelit.

Sipas dëshmive të kineastit Mirosh Pasko familja e Kutelëve vjen nga Arta e Çamërisë. Para shumë brezash kjo familje kishte dy djem me emrat Papakristo dhe Papakostandin. Njëri nga djemtë merrej me peshkim dhe tjetri qe prift. Në vitin 1810 familja Kuteliane u detyrua të shpërngulej nga Arta. Ishin shtatë apo më tepër djem Kutel që u shpërndanë jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në viset e tjera ballkanike. Dy fiset që mbetën në Shqipëri qenë Paskot, që u vendosën në Pogradec, dhe Ekonomët, që u vendosën në Durrës (fise që rridhnin nga e njëjta familje).

Malli i mërgimtarit të largët në shkrimet e Kutelit, nuk mund të jetë veçse malli për Çamërinë, kështu e mbyll refrenin e tij Mirosh Pasko, krenar për prejardhjen e fisit që trashëgonte. Pra, kjo familje, me origjinë prej Çamërie, kishte ditur t’u mbijetonte furtunave të kohës, siç mbijetuan dhe dinë të mbijetojnë çamët.

Ndërsa Pandi Pasko, djali i të ashtuquajturit Mitrush Kuteli, pohon vërtetësinë e fakteve të mësipërme dhe falenderon nga ana e tij organizatorët e në veçanti qytetin e Pogradecit, që vazhdon të jetë një qendër magnetizmi për të gjitha trevat.

Dylbere Dika

No comments: