Saturday, December 8, 2007

Nga Shefki Hysa

MESAZHE SHPRESE DHE PAQEJE
Shënime për vëllimin me tregime
"Një natë e zakonshme" e shkrimtarit Namik Mane

Shkrimtari Namik Mane (lindur në Filat të Çamërisë më 13 mars 1942), pas botimit të librit me poezi "Pjergulla e lotëve", vjen para lexuesit me përmbledhjen me tregime "Një natë e zakonshme". Në tregimet e këtij libri mbizotërojnë tematika dhe problematika shoqërore. Pra, autori na paraqitet si zëdhënës i kohës që ka jetuar, e sjell të pasqyruar artistikisht atë, me dashurinë dhe dhembjen, që karakerizon krijuesit potencialë… Tregimet janë si të thuash një farë autobiografie e autorit dhe biografi e bashkëkohësve të tij nëpër rrjedhën e viteve... Ato dallohen për një pasqyrim realist të jetës, për vërtetësi dhe frymë poetike, në paraqitjen e ngjarjeve, në thurjen e tyre intuitive subjektore, në zbulimin e marrëdhënieve të personazheve e në skalitjen e tyre me viza të gjalla e të spikatura, çka ka bërë që shumë prej këtyre personazheve t’i mbeten ndër mend lexuesit…

Nëpërmjet stilit bisedor, pa sajesa, stisje, truke e artifica, Namiku krijon një prozë të shkurtër, që lexohet rrjedhshëm, ngjall kureshtjen dhe interesin e lexuesit për mënyrën sesi ndërthuren marrëdhëniet shoqërore, jo rrallë edhe të acaruara, prej peripecive, befasive të jetës dhe ndikimeve të politikës së kohës në botën shpirtërore të vet autorit dhe të njerëzve që e rrethojnë…

Namik Mane, bashkëkohës, mik i ngushtë dhe shok në letra, i shkrimtarit të shquar disident Bilal Xhaferri, është shfaqur në shtypin letrar, me krijimet e para në poezi dhe në prozën e shkurtër, që në vitet 60-të. Emri i tij, në ato vite, rreshtohej përbri krijuesve si, Bedri Myftari, Bardhyl Agasi, Moikom Zeqo etj., mirëpo për faktin se rridhte nga një fis i ardhur nga Çamëria, i fuqishëm ekonomikisht, me tradita atdhetare dhe antikomuniste, censura e kohës i hoqi të drejtën e botimit…

Në këto kushte Namik Mane luftoi gjatë për të mbijetuar, si shkrimtar, dhe krahas vlerave të vërteta letrare, që ka nxjerrë pena e tij, herë herë, për hir të botimit nëpër gazetat e kohës, u është nënshtruar edhe kërkesave të tyre për krijimtari me tematikën e rëndomtë të ditës… Kjo shihet edhe në ndonjë tregim me temën e punës, të cilin autori, i vetëdijshëm për dobësitë, e ka përfshirë në libër me dëshirën për të dhënë sa më të plotë pasqyrën e kohës së diktaturës, kur përfundoi për disa vjet dhe në internim, në Hamallë të Durrësit, (periudhë e përshkruar bukur në tregimin "I treti"), së bashku me shkrimtarin e shquar Bilal Xhaferri…

Libri "Një natë e zakonshme" është një bashkëbisedim i këndshëm i autorit me lexuesin. Tregimet janë shkruar me një gjuhë të pasur artistike, me fjali të shkurtra, që shprehin ndjenjë dhe energji, me frazeologji popullore, sidomos të krahinës së Çamërisë. Të lë mbresë fakti se autori i këtyre tregimeve është prozator vërtet i formuar dhe i kompletuar dhe, ç’është më e rëndësishmja, tani krijimtaria e tij gjendet në kulmin e pjekurisë artistike. Nuk ka sesi të mos e dallosh këtë dukuri në konceptimin origjinal të tregimeve, në mënyrën e shpalosjes së subjektit, në vizatimin e personazheve e deri në gjetjen e detajeve dhe imtësive shprehëse të veçanta, të cilat padyshim që ua shtojnë vlerat tregimeve të kësaj përmbledhjeje. Në këtë kuptim Namiku hyn në radhën e prozatorëve të mirë që kemi sot, edhe pse krijimtaria e tij është e paktë dhe deri tani e pavlerësuar ashtu siç e meriton. Tregimet e tij dallohen për mirësi e fisnikëri, si vetë shpirti i autorit, por janë njëkohësisht edhe një mesazh shprese për pajtim dhe paqe midis njerëzve të të gjitha shtresave shoqërore, pa dallim feje, race dhe ngjyre. (Lexoni me vëmendje tregimin "Grekia", personazhen e të cilit autori e përshkruan me dashuri, pa as më të voglin mllef, megjithëse, si i dëbuar përdhunshëm prej Çamërisë, mund t’i lejonte vetes ndonjë ngarkesë emocionale negative)…

I urojmë shkrimtarit Namik Mane suksese të mëtejshme në krijimtari dhe ty, i dashur lexues, lexim të mbarë!…

Shefki HYSA

No comments: