Saturday, December 8, 2007

Nga Shefki Hysa

Anonimët
Tregim

Kam filluar të frikohem. I trëmbem ndryshimit shpirtëror, tjetërsimit, metamorfozës a ku di Unë se si ta quaj rastin e transformimit a të shndërrimit të shpirtit në një lloj materie që edhe shihet, edhe nuk shihet dhe që përkufizon anonimatin, anonimin, njeriun anonim. Ndoshta gabohem, por anonimët në thelb përbëhen vërtet prej asaj lëndës as qelq e as akull që përcakton qenien e tyre.
Thashë anonimët dhe jo anonimi? Atëherë na qenkan bërë shumë. Atëherë edhe rasti qenka në shumës dhe shumë raste sjellin vijueshmëri e rregullsi. Dhe ku ka rregull përjashtohet vetvetiu rastësia… Pra, shndërrimi i racës njerëzore në anonimat qenka bërë një rregull, ligjësi më vete?!
Mjerë njerëzit! Mjerë Unë! Kam të drejtë që i trembem huajëzimit shpirtëror. Merre me mend, ndonjë natë mund t’ia këpus gjumit si Shefki e të gdhihem befas dikush tjetër, fjala vjen një objektosubjekt i zilisë sime. Përfytyro një objekt që lakmohet çuditërisht edhe nga shumë e shumë të tjerë, të cilët janë shndërruar me kohë ashtu si pakuptuar në hije, në një lloj subjektobjekti të zilisë së tyre… Domethënë në anonimë… Në njerëz kopje që njëherësh i ngjajnë aq shumë njëri-tjerit dhe nuk i ngjajnë dikujt, një individi… Nuk shquhen më nga cilësi dhe karakteristika individuale, por të grupit që i përkasin… Nuk ngjasojnë më me një njeri konkret, origjinal, le të themi me mua, Shefkinë…
Eh! Mbase Ti nuk më kupton, mbase e kam edhe Unë të vështirë për të ta shpjeguar, por ja që rasti në fjalë tashmë është bërë rregull dhe ndihem tmerrësisht i frikësuar për fatin tim…
Ti mund të qeshësh sa të duash, të më quash të turbullt, të shkarë, të rrjedhur, të marrë, paranojak, maniak e sa e sa epitete të kësaj natyre, por mua më është fiksuar se duke qenë i rrethuar nga gjithë ata anonimë, pa dashur mund të përfundoj edhe vetë i tillë, pjesëtar në atë lloj kopeje hijesh…
Obobo, o Zot i Madh! Po më shpëton në brekë… Tashmë anonimati po më përhihet si një sëmundje e pashërueshme, një lloj virusi a epidemie e pashmagshme…
Ti po vazhdon të qeshësh me mua?!… Nuk të vjen një fije turp, të paktën, mirë gjynah që nuk të vjen?… Po më thua se nuk ka kurrëherë mundësi të shndërrohet shpirti, që është një lloj bioenergjie, një lloj fushe, në atë farë lënde sa të dukshme e të padukshme, në anonimat ashtu siç pretendoj Unë?… Ti nuk më beson?!…
Ha, ha, ha!… Është radha ime të qesh… E di, e di që materia paraqitet në trajtë fushe dhe lënde dhe që sipas teje nuk kanë asnjë ngjajshmëri me njëra-tjetrën, fjala vjen. Një shembull: le të themi Ajri dhe Unë… Nuk kemi asgjë të përbashkët. Si fusha dhe lënda… Pikërisht, këtu le të ndalemi një çast. Unë, Shefkiu, në dukje vërtet që nuk kam asgjë të përbashkët me Ajrin, si lënda me fushën, dy trajtat e materies. Ajri është i tejdukshëm, pa formë, pa ngjyrë, pa shije, pa erë e kushedi sa e sa cilësi të tjera, kurse Unë jam një masë e ngurtë prej mishi e kockash, pra, lëndë, trup njeriu. I prekshëm. Vërtet që jemi dy gjëra krejt të ndryshme… Unë konkret e Ajri abstrakt… Veçse në dukje… Se po ta analizosh thellë-thellë gjërat dalin ndryshe… Mos i rrudh ashtu buzët… Ti nuk më beson?!…
Meqë nuk beson, Unë do mundohem të sjell argumente dhe fakte. Le të dialogojmë:
- Jemi Unë dhe Ti…
- Jemi vërtet, por po debatojmë, më duket, nuk po bëjmë dialog…, - vërejte Ti.
- Quaje si të duash. Për mua s’ka rëndësi etiketa, por përmbajtja… Unë dhe Ti a nuk jemi sa konkretë e cilësorë, të dallueshëm qartazi nga Ata? A nuk jemi persona të përveçëm?
- E ç’do të thuash me "të përveçëm", o zotëria Unë?
- Se jemi shumë të ndryshëm nga Ata, të cilët tashmë janë një grumbull hijesh, or zotëria Ti…
- Janë edhe Ky, Kjo, Ai e Ajo të përveçëm…
- Thua Ti, - të ndërpreva Unë. – Kanë qenë dikur… Tani nuk ekzistojnë më… Janë shndërruar… Janë bërë Ata…
- Po më huton me këto lloj sofizmash… Nuk po të kuptoj më fare… Si u katandisën në anonimë shokët tanë: Ky, Kjo, Ai, Ajo?… Dhe na qenkan bërë Ata?… Po Ato ku janë?… Ku gjenden Ata e Ato?…
- Ata e Ato janë e njëjta kategori, o bashkëgjakasi Ti!… Grupime anonimësh dhe kaq! - thashë prerë Unë dhe Ti mbete gojëhapur një hop.
- Mor po ta marrim vesh njëherë kush janë Ata, anonimët… Mos janë gjë ca si puna e atyre tipave misteriozë të errësirës, që dikur sajonin fshehtas letra anonime për t’i bërë keq dynjasë?…
- Pikërisht. Janë e njëjta kategori, - pohova Unë. – Janë njëlloj si Ata që nuk u lodhën duke shkruar deri dje lloj-lloj letrash anonime dhe i dërgonin në adresë të punëdhënësve të mi që të më shihnin udhëve pa punë. Janë po Ata që ëndërrojnë edhe sot të më shohin keq e më keq…
- Uau, qenkam i dijshëm! Nuk bëhem kurrë anonim, - brofe Ti.
- Nuk mund të jesh i imunizuar prej anonimatit, zotrote Ti. Harroje! Është sëmundje e keqe ngjitëse, - ta preva Unë.
Ti shtrembërove fytyrën i tronditur. Nuk më besoje dot siç nuk më ke besuar kurrëherë, pavarësisht se kam thënë gjithmonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Dhe më the me gjysmëzëri mëdyshas:
- Ekziston rreziku të infektohemi e të metamorfozohemi në anonimë?!
- Po dhe më lër të paraqes argumentet e mia. Ti, të lutem, mos më ndërpre, - thashë Unë triumfator.
- Mirë, - belbëzove Ti.
- A e di që Ajri dhe Unë nuk kemi ndonjë ndryshim fort të madh?
- Por…
- Nuk ka por… Më ler të vazhdoj arsyetimin… Unë thith Ajrin përmes vrimave të hundës dhe e shpie në mushkëri ku siç dihet, një pjesë e tij, Oksigjeni bashkohet me Gjakun dhe shndërrohet në elementet e domosdoshme jetike për trupin. Pjesa tjetër, gazi karbonik, jashtëqitet në trajtë avulli po nga hunda, në trajtë ureje nga veshkat, nëpërmjet bibilushit, si djersë nga poret e trupit apo si britmë aromëkeqe nga anusi. Pra, besoj se e kuptove sesi Ajri, ky nocion abstrakt, i padukshëm, i paprekshëm, pa formë, pa ngjyrë, erë, shije e më the të thashë, më në fund shndërrohet në lëndë materiale, sa pjesë e trupit dhe jashtëqitje e tij bezdisëse…
Nëse arrin të kapësh rrjedhën e arsyetimit tim, po të heqim një paralele në imagjinatë, do të kuptojmë se pak a shumë e njëjta gjë i ndodh edhe shpirtit, asaj bioenergjie, siç e quan zotrote Ti, dhe qenies së Njeriut, i cili, si padashur e pakuptuar, erret dikushi e gdhihet askushi, erret, fjala vjen, Shefki e gdhihet anonim…
- O ho ho, kjo qenka e ç’qenka! Domethënë nuk ka shpëtim?!
- Nuk ka shpëtim… Anonimët janë si vampirët…
- Gjakpirës?!
- Janë…
- Ziliqarë, spiunë, hajdutë?
- Janë e ç’nuk janë…
- Qenkan pjesë e Ferrit, ferracakë!…
- Mor po i kanë tërë mëkatet, Ferri vetë janë, nuk e lot as topi…
- Atëherë duhen dënuar me vdekje…
- E kotë. Ndalohet nga Evropa dënimi me vdekje…
- T’i zhbëjmë si farë e keqe…
- Farë e keqe janë, por përfundon në burg…
- Në burg?! E he he! Or Unë, më njeh mirë?! Nuk përfundoj në burg aq lehtë... E kam gjetur ilaçin… Mendoj të ngrejmë skuadronët e vdekjes. T’i heqim qafe një e nga një, natën, me një koqe plumbi pas koke. Si në kohën e Hitlerit…
- Or Ti, mos ke lajthitur? Po policia?
- Or Unë, policia nuk do t’i zbulojë kurrë marifetet e skuadronëve dhe do t’i klasifikojë çështjet si larje hesapesh mes bandash rivale dhe do t’i arshivojë…
- Kështu thua?
- Metoda më e sigurt. I zhduk pa lënë gjurmë. Shpëtojmë njerëzinë nga këta përbindsha…
- Dale, dale njëherë se na e bëre aq të lehtë sikur vret morra...
- Epo morra janë, horrat e ndyrë. Janë horra e do t’i shtypim si morra…
- Mor po Ti mos u le kusur, po më thuaj ku do t’i gjesh, se sot as morrat nuk gjenden aq lehtë e jo horrat anonimë?
- Mos u tall, or mik, pse kaq të rrezikshëm janë, kaq të maskuar rrinë?
- Ta pret mendja. Nuk e kanë të shkruar në ballë se janë anonimë. Janë aq të maskuar në sjellje e veprime saqë të duhet kohë që t’i zbulosh, pastaj se mos dorëzohen aq lehtë. Edhe morrat dinë të bëjnë rezistencë…
- Po ku qëndron fuqia e tyre, sekreti i këtij shndërrimi dhe i krijimit të kësaj specie kaq të çuditshme?
- Ta shpjegoj Unë. Besoj se ke dëgjuar se si turqit pas vdekjes së Skënderbeut, kryeprijësit arbër, nisur nga forca dhe fama e tij, u bënë copë për të gjetur se ku e kishin varrosur. Mor po mobilizuan tërë spiunët e Perandorisë Turke, derisa ranë në gjurmët e varrit të Skënderbeut dhe, pasi e gjetën, gërmuan dheun me thonj e me dhëmbë, shqyen arkivolin, rrëmbyen eshtrat dhe zunë t’i varnin në qafë si të ishin hajmali. Dhe vetëm mendimi se mbanin në gji eshtrat e një heroi botëror të pamposhtur, siç ishte Skënderbeu, armiku i tyre më i madh, i cili për njëzetepesë vjet rresht, i griu me shpatë tërë ushtritë perandorake turke të drejtuara edhe nga vetë Sulltanët, i shndërroi sakaq vandalët varrpërdhunues në demonë e shtriganë të papërmbajtshëm. Dhe për atë fuqi të egër që pushtoi befas shpirtërat e tyre dhe që rrezikoi tërë Evropën, vetëkuptohet, thoshnin se e kishte burimin te hajmalia e eshtrave, se e rrezatonte shenjtëria dhe fama e të madhit Skënderbe…
- E ç’lidhje ka kjo ngjarje me anonimët?… Ma sqaron pak më shkoqur, zotrote Unë?…
- Ka si nuk ka, or Ti! Pas përdhunimit të varrit dhe rrëmbimit të eshtrave të Skënderbeut, ushtarakët hajdutë turq e humbën identitetin dhe dinjitetin e tyre njerëzor, u tjetërsuan, u shndërruan menjëherë në hiena, në djaj, në një kope qeniesh anonime, të cilat shfarosnin gjithçka që u dilte përpara. Lulëzonte sakaq anonimati gjithandej nga kalonin anonimët… S’ka dalë kot shprehja se nuk mbinte as bari ku shkelte këmba e hordhisë turke… Më kupton apo jo?
- Ashtu turbullt… Më vjen ende xixa-xixa sinjali në ekranin e mendjes, si në ata televizorët e qëmoçëm bardhë e zi…
- Eh, ç’më ka gjetur me këtë lloj miku me tru të kohës së qepës… Ti duhesh shpënë për transplant truri, e kam thënë Unë… Po si nuk e vure njëherë në punë atë farë radake bosh, or Ti, miku im?!…
- Do ta vë të punojë në të ardhmen, por tani më sqaro e më kthjello mendjen se ç’lidhje kanë anonimët tanë, Ky, Kjo, Ai e Ajo me anonimët turq që vodhën eshtrat e Skënderbeut dhe shfarosën Evropën mesjetare?
- Bobo, sa i trashë! Ti do më çmendësh që nuk arrin të nxjerrësh dot një përfundim që mund ta nxjerrin edhe kalamajtë e klasës së parë. Ti duhet të kuptosh se anonimët, qofshin turq, grekë, serbë, shqiptarë apo ku di Unë, i përkasin një lloji, racës barbare që përpiqet të shkatërrojë vlerat njerëzore dhe të mbjellë kudo errësirën e anonimatit. E duan tokën djerrë, shterpë, shkretëtirë, Sahara e duan, or Ti. Anonimëve u dhembin sytë prej gjelbërimit e lulëzimit kulturor, më kupton apo jo?!…
- Më ngadalë, mor Unë! E di që je filozof, por ja që truri im vihet në lëvizje me vonesë, si tru polici…
- Ti, do më çmendësh! Po të siguroj se një ditë Unë do të të vesh polic! Më marrose fare që nuk kupton një logjikë kaq të thjeshtë…
- Më pëlqen kur Unë ma jep si karamele që tretet vetë në gojë…
- Të tretsha trutë! Të trettë dheu, ishallah, or Ti!… E ke parasysh të madhin Bilal Xhaferri?
- He he, po më merr për budalla, or Unë?! E kush nuk e njeh atë talent të jashtëzakonshëm?!… E njohin edhe fëmijët në barkun e nënave…
- E pra, mos e harro kurrë, e kam lartësuar Unë atë figurë! - shfrytëzova rastin të mburrem Unë.
- Boll bëre gjelin e rjepur…
- Lëre gjelin në punë të vet, Ti, dhe më dëgjo sesi e kam përkufizuar Unë atë gjeni letrash: Bilal Xhaferri, poet, prozator dhe publicist i shquar disident. U lind në Ninat të Konispolit më 2 nëntor 1935. Pas një aktiviteti të madh letraro-publicistik (mund të shtoja edhe politik, po nuk kam dashur ta politizoj figurën e tij), vdiq në mërgim, më 14 teror të vitit 1986, në Çikago, SHBA.
- Bravo! – duartrokite Ti aq sa Unë u nxeha e u tërbova fare.
- Ti, sa për dijeni, një shprehje thotë se bravo i thonë gomarit! Mos sheh gjë që Unë të kem ndonjë palë vesh të mëdhenj apo mos vallë Ti po shndërrohesh në anonim, si Ata që përpiqen me të gjitha mënyrat për ta shmangur figurën e Bilal Xhaferrit, për ta zhbërë në hiç, në anonimat, siç janë edhe vetë?…
- Më dëgjo mirë, Unë! Mati shtatë herë e shtatëqind herë fjalët para se të më quash anonim, ndryshe t’i hodha trutë në erë. Do të jesh i pari në listat e zeza të skuadronëve të vdekjes që do të krijoj për anonimët, prandaj bëj kujdes! Bilal Xhaferrin e kam në zemër po aq sa kam dhe Shefkinë, or Unë, më dëgjon?! Bën mirë të mos i kruash brirët pas listave të zeza…, - turfullove Ti i xhindosur keqas…
Unë qesha e qesha sa u meka fare, mor po u pshurra prej të qeshurave me shpërthimin tënd të beftë. Ndihesha i kënaqur në shpirt, sepse pre atij reagimi kuptova se virusi i anonimatit nuk do të të mposhtte dot aq lehtë…
- Ti, ma jep dorën, - thashë Unë. – Më beso, Unë sapo nxorra përfundimin se Ti je burrë e shkuar burrave, njëlloj si Unë. Ti nuk do të dorëzohesh kurrë para virusit që i përbalti shpirtërat e Ky, Kjo, Ai, Ajo dhe i grumbulloi në kopenë e anonimëve… Më dhemb shpirti kur kujtoj se Unë u përpoqa gjithë ato vite që edhe Ky të bëhej dikushi. Si Unë e si Ti, or lum miku. Mirëpo Ky, qeratai, më erdhi një ditë dhe ashtu si me lezet më tregoi ca vargëzime që ia kishin lavdëruar aq shumë Ata. Dhe më tha ashtu si larg e larg se Ata i paskëshin thënë se nuk vlenin dy lekë vjershat e Bilal Xhaferrit në krahasim me poezitë e tij dhe se Ky na ishte shumë herë më i madh nga i ndjeri Bilal Xhaferri…
Më beso, Ti, m’u errën sytë, por nuk e dhashë veten. Sa nuk shpërtheva: "Kujt ia tregon këto pallavra, mor hajduti i shpirtit të Bilal Xhaferrit?! Më qenke njëlloj si Ata që gjithë jetën vodhën motivet e jetës dhe të krijimtarisë së Bilal Xhaferrëve dhe sajuan me to letërsinë e artin e arnuar anonim dhe u munduan të na e shesin për origjinalitet atë lloj anonimati që përbën shpirtërat e tyre… Ata kopilë me shpirtëra artificialë prej aliazhi hermafrodit që s’kanë asgjë të përbashkët me individualitetin e përveçëm të gjinisë sime njerëzore…
Ky, mor horr, je njëlloj si Kjo, Ai e Ajo që kanë bërë para teje të njëjtin veprim: Kanë vjedhur motivet xhaferriane dhe janë përpjekur t’i gatuajnë sipas recetave që parapëlqejnë Ata dhe pastaj janë shtirur në sytë e mi si Bilal Xhaferrët modernë, pas të cilëve po rrëmbehet gjoja i tërë opinioni publik botëror"…
Ti, të betohem, desha t’i ngulja thonjtë në fyt, por u përmbajta!… Nuk desha që Ky, shpirtfëlliquri, të ndynte dhe shpirtin tim… Unë nuk jam si Ata… Nuk je as Ti si Ata… Dhe Unë mos u bëfsha kurrë si Ata… Dhe Ti mos u bëfsh kurrë si Ata… O Zot, na jep fuqi që Unë të jem Unë dhe Ti të jesh Ti!…
Ndërsa Unë ligjëroja e ligjëroja i pushtuar prej delirit tim, pashë befas se Ti i dhe mimikës së fytyrës një shprehje sa ironike dhe tallëse dhe seç zure të dërdëllisje.
Brofa vullkanthi:
- Përsëri i rrudhe buzët dhe e shtrembërove surratin si prapanicë viçi, or Ti?!… Ti thua se nuk të pëlqyen edhe aq shumë arsyetimet, argumentet dhe faktet që të solla Unë?… Se në thelb kjo është e vërteta e anonimatit, por Unë nuk qenkam aq bindës për një mosmirënjohës si Ti dhe për cilindo që do të ndeshet me përpjekjet e mia në luftën për jetë a vdekje me anonimët?!… Më marrsh të ligat Ti dhe tërë Ata që bëjnë sikur nuk më kuptojnë… Punë e madhe!… Kaq dija e kaq thashë, prite or Ti se ta lashë…
Unë e bëra timen. Ti bëj tënden…
Dhe mos harro, or Ti, se Unë nuk do të vdes pa të veshur polic, me atë lloj truri polici që më ke…

Shefki HYSA

No comments: