Friday, April 18, 2008

Të jesh bir i Çamërisë!

Shënime për shkrimtarin Bido Ibrahimi

Bido Ibrahimi lindi më 3 shkurt të vitit 1935 në qytetin Igumenicë të Çamërisë. Ai është një prej shkrimtarëve shqiptarë më të pëlqyer të brezit të vet. Bidua fëmijërinë e hershme e kaloi në vendlindje. Pas vitit 1945, kur Çamëria u masakrua prej bandave shoviniste greke, familja e tij erdhi në Shqipëri dhe u vendos në Durrës.

Ishte pikërisht Durrësi me bregdetin, plazhet dhe detin e vet që e mbushi plot imagjinatë e kurshtje shpirtin e shkrimtarit të ardhshëm. Shkollën fillore dhe tetëvjeçare Bidua i kreu në
Durrës. Shkollën e mesme sportive "Vojo Kushi" ai e kreu në Tiranë.

Në vitin 1957 shkoi në Sevastopol, në Krime, për të studiuar për inxinieri detare, shkollë të cilën nuk arriti ta përfundonte për shkak të prishjes së marrëdhënive me Bashkimin Sovjetik.

U kthye në Shqipëri në vitin 1959 dhe filloi punë si mësues fiskulture, fillimisht në Shijak e më vonë në Durrës. Në vitet 1968-1972 mbaroi Institutin e Fiskulturës "Vojo Kushi". Në vitin 1974 përfundoi edhe Institutin e Shkodrës, degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Hapat e para si krijues letrar dhe publicist i hodhi që në vitin 1955, me botimin e tregimit "Dita e fitores". Dëshira e tij ishte të trajtonte tematikat dhe problematikat detare në letërsi dhe ashtu veproi. Dramat e tij "Deti në Stuhi" dhe "Horizonti i kuq" fituan çmime inkurajuese, në vitin 1964, me rastin e 20 vjetorit të çlirimit.

Pas vitit 1990 Bido Ibrahimi ka bashkëpunuar rregullisht me shtypin rus, ukrainas e atë shqiptar, ku ka botuar vazhdimisht skica, tregime, novela e publicistikë. Libri i tij i parë Valsi i Sevastopolit u botua në Lecce të Italisë, në gjuhën shqip e italisht. Më vonë u botua edhe në Shqipëri.

Bidua ka botuar edhe disa libra të tjerë me tregime e publicistikë. Vazhdon të trajtojë me dëshirë të madhe, veçanërisht temën e Çamërisë. Me të njëttën temë është edhe romani I tij historik për Haziz Çamin, njeriun Legjendë të Çamërisë. Bidua e ka shkruar me shpirt këtë roman dhe në portretin e Haziz Çamit ai shpalos nga pak gjithë portretet e heronjve të tjerë të Çamërisë.

Për merita të veçanta letrare e gazetareske, Bidua është diplomuar katër herë nga Radio Moska "Gollos Rossi" si dhe nga qyteti i Sevastopolit për novelën "Sevastopolski vals".

Drama e tij "Të gjallë e të vdekur" konkuroi me sukses në festivalin ndërkombëtar të dramës në qytetin e Kievit.

Bidua, megjithëse i ka kaluar të shtatëdhjetat, është bashkëpunëtor i rregullt i shtypit letrar, i revistës "Krahu i shqiponjës" dhe i gazetës "Drita".

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Thamë se Bido Ibrahimi ka botuar disa libra të pëlqyer nga lexuesit shqiptarë, por më të spikaturit janë:

"Valsi i Sevastopolit", novelë (1997), Lecce, Itali,
"Sevastopolski vals", novelë (1999), Sevastopol, Krime,
"Bija e agjentit", novelë (2001), Tiranë, ISBN 99927-47-42-0,
"Çamëria: Balada e fustanellave", tregime (2006) ISBN 99927-52-77-7,
"Haziz Çami" (Njeriu Legjendë), roman historik (2007).

Shkrimtari Bido Ibrahimi ka në gjenet e veta, si gjithë çamët, elemete të gjenezëz së mëmëdheut,

Çamërisë, dhe si i tillë është dhe do të mbetet një nga bijtë e saj më të devotshëm, i përkushtuar me gjithë shpirt edhe ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Pastë sa më shumë krijimtari e sa më shumë lexues!

Kostaq Myrtaj