Thursday, November 29, 2007

TRONDITJA E MADHE ÇAME

Shkrimtari Shefki Hysa është autor i shumë librave me tregime dhe romane ku fryn era e shqetësuar çame dhe fati i njerëzve është i lidhur me truallin e tyre ashtu si rrënjët që futen thellë nëpër gurë, por edhe si gishtat e jetës, që të përgjakur shtërngojnë realitetin. Si autor atij i pëlqen realizmi dhe e vërteta, sado tronditëse qoftë, prandaj dhe bëhet kronikan i saj, dëshmitar i fuqishëm, ushqyes i kujtesës kolektive.

Dikur kam shkruar se ndërsa masakrat që ndodhnin në Kosovë janë të afërta dhe ende të gjalla, kur "Xhelati i Ballkanit", serbi Millosheviç, diktatori i fundit komunist, vazhdon të gjykohet për krime kundër njerëzimit në Gjygjin e Hagës (nëpër ekranet televizive herë pas here shfaqej ikja si në Bibël e kosovarëve, dëbimi nga trojet e tyre dardane që kur është krijuar bota), ne na fanitet dhe një tjetër dëbim i madh i shqiptarëve, në jugun ilirik, më i hershëm, po aq mizor, megjithëse nuk pati dëshmitarë televizjonet ndërkombëtare dhe as u mblodhën ushtritë e botës, Nato-ja, që ta ndëshkonin të keqen.

Dhe çamët u përzunë nga trojet e tyre epirote, u dogjën shtëpitë, u therën bashkë me bagëtitë edhe njerëz, u prishën si ullishtat dhe e ardhmja, vritej mitologjia kombëtare. Shtegtoi lemeria e tyre për në tokën-amë dhe më pas erdhi si një masakër tjetër shurdhër-harrimi mizor. Askush nuk thoshte asgjë dhe pse pas tre mijë vjetësh, në Ballkanin mitik, qe djegur në kohët moderne një Trojë tjetër…

Ndërkaq çamët gjetën në atdhe një diktaturë, që jo vetëm nuk kërkoi të mbrojë të drejtat e bashkatdhetarëve të vet, por përkundrazi nuk i la të qetë, i persekutoi ndoshta dhe më shumë se të tjerët, sajoi armiq, i futi burgjeve.

Nëpër burgjet komuniste të atdheut të tyre çamët iu bashkuan kosovarëve që arratiseshin nga andej për këndej, që të preknin ëndrrat, por preknin vetëm hekurat e ndryshkur…
Dhe kështu, ndërsa Shqipëria qe copëtuar mizorisht prej të tjerëve, shqiptarët copëtoheshin këtu brenda prej vetvetes. Më pas ishte e vështirë të kujtoje Kosovë e Çamëri, asgjë nuk thoshte gjeografia në tekstet shkollore, historia nuk guxonte, ndërgjegjia ndrydhej…
Megjithatë kujtesa kolektive fshehurazi forconte dhe kaliste qëndresën e duhur, që lëvrinte si lumë i nëndheshëm…

Letërsia arrinte të zbulonte ndonjë këngë anonime për trojet e ndara, ndonjë vajtim dridhës çam apo elegji shungëlluese kosovare, vallet risillnin me rropamat e tyre apokalipsin, kurse shkrimtarët krijonin mundësira metaforike apo me gjuhën e Ezopit të thoshnin diçka për Kosovën e Çamërinë.

E rikujtoj që, nëse poeti nga Kosova, Ali Podrimja do të shkonte në Çamërinë e përtej kufirit shtetëror, si në një dhimbje tonën të madhe dhe do shkruante poezi hermetike atje, që t’i ruante trifish: nga diktatura shqiptare, nga pushtuesi serb dhe shovenët grek. Këtu, në Shqipërinë e mbetur, shkrimtarët çamë ndjenin vështirësi e persekutim, u ndaloheshin librat, ata vetë futeshin burgjeve, merrnin arratinë, heshtnin, prisnin…

Tani zëri çam ka ridalë nga prushi i dhembjes se vet, mbuluar me hi të dikurshëm harrimesh, brambullon me flakë prometeane dhe bota po e sheh e po e ndjen gjithnjë e më shumë dritën dhe nxehtësinë e tij, do të digjet i pashuar për të Vërtetën dhe Drejtësinë… dhe një popull i masakruar meriton t’i kthehen trualli dhe shpirti, pasuritë, këngët dhe e ardhmja…

Një klithmë e thellë tronditëse është krijimtaria letrare e Shefki Hysës, mbartëse e tragjedisë së popullit të vet, që Ballkani mitik të gjejë qetësinë…

Visar ZHITI