Thursday, November 29, 2007

NJË SHKALLË E RE KRIJIMTARIE

Kam përpara në dorëshkrim librin e ri "Mrekullitë e rreme", me tregime, të shkrimtarit Shefki Hysa. Para se ta lexoja, mendova se do të gjeja po ato elemente të stilit të rrëfimit që kisha gjetur në librat e tij të mëparshëm, veçanërisht në përmbledhjen me tregime "Rrëfimet e një hajduti", vepër që deri në atë kohë ka qenë ndoshta më e dalluara për frymën e një realizmi të vërtetë bashkëkohor, me probleme dhe ide sociale që shqetësojnë shoqërinë tonë. Më kujtohet se atëherë më ka lënë mbresa edhe fragmenti "Babloku" nga romani "Parajsa e mallkuar", që do ta quaja ekspresionist, duke u nisur nga përshtypja e thellë emocionale që të mbetet nga rrëfimi. Gjatë leximit të "Bablokut", më lindi vetëtimthi një mendim, se procesi krijues i Shefki Hysës po përgatitej të kalonte në një fazë të re, megjithatë lëkundesha…
Dhe kështu, nisa ta lexoj përmbledhjen "Mrekullitë e rreme", pa e shqitur nga mendtë "Bablokun". Ato elemente që dukeshin atje në embrion, këtu në "Mrekullitë e rreme" kishin filluar të dalin filizë.
Po ç'janë këta filizë? Mendoj se ata duken në realizimin me elemente të fantastikes dhe të groteskut, po edhe të alegorisë, ku, siç dihet, ideja jepet në mënyrë të tërthortë. Le të marrim tregimin "Mrekullia e rreme" nga është nxjerrë edhe titulli i librit. Ideja e tij është se sado të bukura dhe të çmuara të jenë gjërat në vetvete, po nuk i shërbyen njerëzve, janë sende si gjithë të tjerat. Heroi ëndërrimtar shkon në një botë mrekullish, në krahët e një vajze të ëndërruar me pallate madhështore e me bibliotekë të magjishme. Këto mrekullira, përfshi edhe dashurinë, ajo dëshiron t'i ketë vetëm për vete dhe për të dashurin. Këtu lind mospajtimi. Kjo në përgjithësi është përmbajtja, e cila rrëfehet në fillim në frymën psikoanaliste:
"Kur hapi sytë pa se rrezet e diellit fshiknin faqen e murit kundruall. Ishte koha për t'u çuar e megjithatë nuk lëvizi nga shtrati, veçse hapi njëherë gojën dhe nxorri krahët jashtë çarçafëve. Iu kujtua se mbrëmë kishte vrarë mendjen të ndryshonte diçka në jetën e tij. Të bënte patjetër diçka që ia vlen, që i shërben njerëzisë, por ende s'e kishte të qartë se ç'farë pikërisht. Le të mendohej edhe ca më mirë para se të vendoste për hapin që do të hidhte. Kishte gjithë atë kohë përpara deri në orën dy të mbasdites kur fillonte punën në atë ofiçinën e vjetër të autobuzëve. Ishte inxhinier mekanik.
Përditë i duhej të përsëriste të njëjtat veprime këta muajt e fundit. Të çohej rreth orës tetë, të vinte rrotull një copëherë sa të shpihej, pastaj të lahej te lavamani i vjetër dhëmbëckërmitur në qoshen pranë derës, të krihej në pasqyrën qorre gozhduar pranë fletës së dollapit të rrobave, të vishej dhe të dilte."
Kjo psikoanalizë jepet shkallë-shkallë për të pasqyruar personazhin realisto-fantasmagorik:
"Kotej në lloj-lloj hamendjesh, derisa te bryli i xhades, që linte pas zonën e banuar, shquhej ajo vogëlushja, gjimnazistja përparësezezë e jakëbardhë, që i zgjonte çuditërisht nostalgjinë e zogjve shtegtarë, dallëndysheve, mbase për faktin se shtegtonte çdo ditë prej fshatit në qytet, ku kryente shkollën e mesme dhe anasjelltas. I regëtinte zemra teksa ngadalësonte hapat dhe priste që ajo të parakalonte përbri tij. E ndiente në çdo qelizë të trupit afrimin e vajzës dhe të rrahurat e zemrës padashur intonoheshin në atë trokun e saj prej sorkadheje. Mezi mbushej me frymë ato çaste, i drithmohej shpina dhe i ftohej zverku prej djersës. Ndiente edhe frymëmarrjen e saj të trazuar në njërin prej veshëve dhe nuk guxonte të kthente kokë. Një zë e ngucte së brendëshmi t'i fliste, mirëpo as që ishin përshëndetur ndonjëherë."
Dhe dalëngadalë, duke zbuluar figurativisht karakterin e personazhit, tregimi kalon në simbol. Dhe ndërsa me këtë tregim kemi të bëjmë me një simbol, me tregimin tjetër "Gomarët" jemi përballë një grotesku, me anën e të cilit fshikullohet mbretëria e paaftësisë e përzjerë me servilizmin. Njerëzit e paaftë, gomarët, jetojnë e lumturojnë mbi shpinën e të aftëve, fenomen ky i të gjitha kohërave. Edhe këtu autori nuk le pa përdorur psikoanalizën dhe paradoksin bashkë me groteskun të përzjerë me sarkazmën dhe satirën bashkëkohëse. Elementet e metamorfozës të sjellin në mend romanin e Apuleut, shkrimtarit të madh latin, "Metamorfozat ose gomari i artë", i cili fatkeqësisht ende nuk është përkthyer shqip.
Në tregimin "Gomarët" autori shkruan:
"Për çudi, në ëndrra, çdo natë e shihte veten të shndërruar në gomar. Megjithatë, edhe sikur qenia e tij të hynte vërtet në lëkurën e asaj kafshe shtëpiake, ai prapë s'do ta besonte. E si mund të besohej diçka e tillë?!… Ishte Njëshi i Stafit Presidencial… Mund të thoshte se vinte drejt pas Presidentit në shkallën hierarkike. Nëpunësit i trembeshin më shumë atij se sa vet Shkëlqesisë së Tij, Presidentit. Jo, Rrapushi as nuk mund të ishte dhe as nuk mund të bëhej ndonjëherë katërkëmbësh, pavarësisht nga ajo ndjesi e pashpjegueshme që e rrëmbente netëve dhe e lëshonte në botën e ëndrrave në trajtën e një gomari…"
Këtu nuk është vendi për të hyrë në një analizë të hollësishme për librin "Mrekullitë e rreme", pasi kjo do të kërkonte kohë. Prandaj unë mora si shembuj vetëm disa tregime, që janë karakteristike për krijimtarinë e stadit të sotëm të Shefki Hysës. Por në këto radhë nuk mund të le pa përmendur edhe tregimin e çuditshëm "Kryeplaku", ku rrëfehet për fenomenin e grykësisë dhe makutërisë. Në këtë tregim, do të thosha se tiparet e ekspresionizmit janë më të tejdukshme se në çdo tregim tjetër, duke mos lënë mënjanë paradokset dhe groteskun ose fantasmagorinë të ndërthurur në gjirin e realizmit. Tregimi i bën jehonë në mënyrë figurative edhe korrupsionit dhe degjenerimit në shoqëri përmes një dinamike kinematografike të çuditshme. Fjala këtu është e lexueshme dhe e dukshme.
Në këto pak shënime do të zija në gojë edhe tregimin "Magjia" që hyn në radhën e tregimeve që përmenda pak më lart, veçse dallon prej tyre me ankthin që përcjell dhe frikën se mos kthehet ndonjë gjëmë e shkuar:
"Oh, e di që do të më quani të lajthitur, të sugjestionuar, të hipnotizuar, të përçartur nëpër truallin e skëterrshëm të ndonjë ëndrre të keqe, a ku ta di unë se ç'epitet mund të më vini, kur përmend magjinë. Puna juaj, megjithatë, në fund të fundit, fakti i gjallë, produkt i dhunës së saj, jam unë. Duke më vërejtur do ta kuptoni menjëherë shpërfytyrimin e qenies sime. Ja, shihmëni fytyrën e parruar e të tretur, me hundë e buzë të çara, të përgjakura, me mollëza tërë puçra e dregëza, gjurmë thonjsh e dhëmbësh bishe, flokët e gjatë, të kërleshur, të ngatërruar e përbaltur, të rrallë e më të rallë në ballin e zmadhuar e të rrudhur edhe më prej tmerrit të strukur thellë kafkës që po më ravijëzohet qartas e më qartas. Shihmëni trupin e mpakur e të mardhur. E, pra, a nuk ndieni edhe ju ndopak frikë, dhembje, mëshirë, neveri, tallje e ç'ju thotë zemra prej katandisjes sime?…"
Siç e thamë, shkalla e sotme e procesit krijues të prozatorit Shefki Hysa dallohet me tiparet ekspresioniste. Por nëse na lejohet, shoqërisht do të dëshironim që tendenca tek-tuk të fshihej dhe të mos dilte në ndonjë rast qëllimisht hapur. Dihet se ekspresionizmi i hershëm, edhe se tendencën ideore e kishte të fshehtë, shquhej për patosin e "katastrofës dhe të ulërimës". Ekspresionizmi i ri duhet të jetë ndryshe dhe këtë gjë unë jam i bindur se shkrimtari Shefki Hysa e kupton, pasi tregimet e tij kanë mbi të gjitha frymën kombëtare me shenjëzat e shpirtit të zgjuar çam, ngaherë të shqetësuar dhe gjithmonë në kërkim dhe në zbulim, pasi njeh mirë librin e jetës dhe librin e bibliotekës.

Dritëro AGOLLI
Korrik 2003

No comments: