Thursday, February 14, 2008

Pandeli Koçi

Miqtë e vërtetë të Bilalit dhe shokët e miqtë e mi më nxisnin t’i përkushtohesha me gjithë shpirt kësaj nisme, sidomos Pandeli Koçi. Ai ishte njëherësh miku dhe profesori im, pedagog i letërsisë së Kosovës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në vitet 1985-90. Ishte periudha në të cilën unë ndiqja studimet në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Tiranës.

Po cili ishte ky mik shpirtflori?…

Pandeli Koçi, (emri letrar-Sazan Goliku), lindi në Vlorës më 6 janar 1942. Shkollën fillore, tetëvjeçare dhe të mesme i mbaroi në Vlorë. U diplomua në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega e gjuhë-letërsi. Ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë dhe botimeve. Ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar si dhe redaktor letrar në SHB "Naim Frashëri" e gjetkë.

Që nga viti 1970 është marrë me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në UT.
Nga viti 1981 deri në 2002 ka punuar në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ka shkruar dhe vazhdon të shkruajë e të botojë poezi, prozë e publicistikë në shtypin shqiptar e sidomos në faqet e revistës "Krahu i shqiponjës". Vazhdon të shkruajë edhe letërsi për fëmijë dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe vendore.

Disa nga botimet e tij më kryesore janë:

1. "Aventurat e lirisë", tregime, 1995
2. "Epidemi kozmike", poezi, 1996
3. "Ëndërr dashurie", poezi, 1996
4. "Komitët e Malit të Bardhë", roman, 1999
5. "Petalet e rëna", poezi, 2001
6. "Aventurat e një mëngjesi", poemë, 2002, ISBN 99927-54-43-5
7. "Trekëndëshi i qiellit të zi", tregime, 2006, ISBN 99943-620-7-0
8. "Turbull", poezi, 2007

Pandi, shkrimtar, publicist dhe kritik letrar, punonjës në sektorin e botimeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor që në fillim të viteve 80-të, kur u njoha me të, dhe më vonë i Kuvendit të Shqipërisë, deri sa doli në pension në maj të vitit 2002, ishte një përkrahës i flaktë i veprës së Bilal Xhaferrit dhe i problemit çam. Ai jo vetëm më kishte ndihmuar në vitet më të vështira të jetës gjatë Regjimit Komunist, që në ditët e para të njohjes, kur askush nuk guxonte të më afrohej lirshëm për shkak të biografisë si antikomunist, por më ushqente dhe më nxiste edhe dëshirën për të qenë intelektual i vlefshëm për vendin. Ia di për falemnderit jo vetëm për ndihmën që më ka dhënë në ato vite të vështira, por edhe për kurajën që më nxiste, pas vitit 1990, që të merresha sa më shumë me figurën e Bilalit dhe me idealin çam. Miku im, shkrimtari Pandeli Koçi, ka kontribuar si një atdhetar i madh që ideali çam të bëhet një realitet i vërtetë, prandaj meriton respektin e tërë çamëve…

Elim Xanxari

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetmohimi" (Zhvillime të çështjes çame) i autorit Shefki Hysa, Tiranë, 2008.