Wednesday, February 13, 2008

Abaz Dojaka, prijës i idealit çam

Në vitin 1991, Kryetar i parë i shoqatës Çamëria u zgjodh folkloristi Abaz Dojaka (1934-1993), një burrë babaxhan mbi të pesëdhjetat, profesor, studiues, etnograf, Mjeshtër i Kulturës Popullore dhe prijës i vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës, figura e të cilit e nderonte Komunitetin Çam…

Abazi u lind në qytetin Filat të Çamërisë më 24 shkurt të vitit 1934 në një familje atdhetarësh të shquar. Më 1943 familja e tij, për shkak të trazirave të luftës, u shpërngul në Konispol, më vonë në Delvinë e mandej u vendos përfundimisht në Tiranë.

Në Shqipërinë mëmë Abazit iu dha mundësia të shkollohej. Në vitin 1958 Abazi u diplomua në Universitetin e Tiranës, në degën e Historisë. Filloi punë në Institutin e Historisë e më vonë në Institutin e Kulturër Popullore, fillimisht si etnograf, pastaj si shef sektori.

Puna e etnografit i krijoi mundësinë të bënte shumë ekspedita kërkimore në terren për të mbledhur folklorin dhe për t’u takuar e njohur me shumë njerëz. Gjatë lëvizjeve nëpër rrethe të ndryshme, kalonte edhe nga zonat ku ishin vemdosur muhaxhirët çamë, kështu që u njoh nga afër me jetën dhe hallet e tyre në Shqipëri. Nga bisedat me çamët, bashkatdhetarët e tij, jo vetëm që i bëri për vete, u fitoi zemrën me intelektualitetin e tij, po mundi të mblidhte edhe shumë materiale folkorike prej visareve të Çamërisë, me të cilat zuri të përgatiste për botim monografinë "Mbi Çamërinë". Me punë të madhe si studiues dhe nëpërmjet botimeve të shumta arriti të fitonte gradën "Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor (Docent). Nëpër vite ka botuar shumë libra me studime e dhjetëra e dhjetëra artikuj në shtypin e kohës për etnografinë dhe folklorin shqiptar.

Pra, Abazi ishte sa studiues i talentuar edhe veprimtar shoqëror, gjë që e nxorri në krye të Shoqërisë "Çamëria" njëherësh në rolin e drejtuesit organizativ dhe prijësit shpirtëror të idealit çam.

Në vitin 1991, ishte një nga nismëtarët e parë të krijimit të SHPA "Çamëria" dhe u zgjodh kryetari i saj i parë, një prijës vërtet i denjë dhe fisnik i komunitetit çam në Shqipëri, frymëzues i idealit çam dhe i çështjes çame.

E drejtoi shoqatën me nder e përkushtim shpirtëror, ashtu siç i kishte hije mençurisë së tij, derisa vdiq më 22 qershor 1993 nga një sëmundje e rëndë… Megjithatë Abaz Dojaka mbeti dhe do të mbetet i rrënjosur në kujtesën e çamëve si prijësi shpirtëror i idealit të tyre… Burrë i urtë kuvendesh, personalitet që ia vlen ta kujtosh figurën e tij e ta vendosësh me shumë respekt në panteonin e kombit shqiptar…

Abaz Dojaka, si etnograf e studiues, la pas shumë vepra, prej të cilave mund të përmenden:

1. "Veshje Popullore në rrethin e Kolonjës, studime, 1962.
2. "Enë dhe orendi të Labërisë", studime, 1963,
3. "Mjetet e peshkimit në Bregun e Bunës", studime, 1966.
4. "Dasma çame", studime, 1966.
5. "Pozita e gruas në familje në zonat malore të Shqipërisë", 1968
6. "Pozita e gruas në familje e shoqëri në krahinën e Zagorisë", 1969.
7. "Arti Popullor në Shqipëri", përmbledhje studimesh, 1976.
8. "Dasma në Shqipëri", studime, 1983.
9. "Veshje Popullore Shqiptare", studime, 1985.
10. "Struktura dhe organizimi i familjes, Shpati i Sipërm", studime, 1987.
11. "Veshjet popullore në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës", studime, 1988.
12. "Fakte prej tragjedisë çame", studim, 1991, etj., etj.

Shefki Hysa

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetmohimi" (Zhvillime të çështjes çame) i autorit Shefki Hysa, Tiranë, 2008.

No comments: