Tuesday, May 18, 2010

Askush nuk mund të shkelë
mbi të vërtetën
(Bashkëbisedim me intelektualin
Altin Sulejmani)

1
Bota drejtohet me intelektualitet

Altin Sulejmani, njëri prej nesh
Kjo është shkurt biografia e tij, një prerje e profilit personal që, pasi e lexojmë, na jep të kuptojmë se është një nga ne, intelektualët shqiptarë.
Altin Petrit Sulejmani u lind në Durrës më 26 shkurt 1981. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Naim Frashëri” në vitet 1995–1999 ndërsa studimet e larta i përfundoi në universitetin e Breshias, Itali, në vitet1999–2005 për Ekonomi dhe Biznes.
Në vitin 2006 u kthye në Shqipëri dhe fillimisht zuri punë si shef finance në klubin e futbollit “Teuta”. Pak muaj më vonë kaloi në sektorin privat si shef i departamentit të financës i një prej kompanive më të mëdha të qytetit të Durrësit, Shoqërisë B.G.R. sha , e cila ndër të tjera drejton një prej qendrave tregtare më në zë në vend, Flagship Center.
Babai i tij Petrit Sulejmani, inxhinier, njihet si figurë e respektuar në qytetin e Durrësit. Për vite me radhë ka qenë kryetar i shoqatës “Çamëria” të rrethit të Durrësit. Fshati i tij i origjinës është Kurtesi i Çamërisë.
Nëna e tij, Luljeta Mane, është e bija e Ali Manes me prejardhje nga Rustemejt e Koskës, fis atdhetar me emër në Çamëri, internuar në Hamalle të Durrësit.
Namik Mane, shkrimtari i mirënjohur dhe miku i ngushtë i Bilal Xhaferrit, është daja e tij.
Në pranverën e vitit 1998 vizitoi vendet e shenjta muslimane: Mekën dhe Medinën dhe si rrjedhojë është haxhi. Pas vitit 2006, me përfundimin e studimeve të larta në Itali, është kthyer në Shqipëri me synimin për të lartësuar personalitetin e tij si pjesë e elitave intelektuale shqiptare...
Që prej vitit 2007 është drejtues i forumit rinor PDI –dega Durrës si dhe anëtar i kryesisë së PDI-së. Ka qenë kandidat për këshilltar bashkiak gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2007.

2
Korrigjimet historike janë të mundshme


- Askush nuk mund të shkelë mbi të vërtetën! Cilës së vërtete i referoheni dhe cilët janë ata që mund të shkelin mbi këtë të vërtetë?
- Dëbimi me forcë dhe terror i popullsisë çame nga trojet e veta nuk është opinion apo slogan i një grupi interesi, por fakt historik i pamohueshëm. Për këtë të vërtetë e kam fjalën. Cilët janë ata që mund të shkelin të vërtetën?!... U referohem atyre që janë munduar ta mbajnë në heshtje këtë çështje dhe të gjithë atyre, të cilët sot e kësaj dite kërkojnë të na detyrojnë të qepim gojën e ta arkivojnë problemin çam në sirtaret e harresës historike. Madje në këtë grup rrezikojmë të bëjmë pjesë edhe ne, në rast se do të vegjetonim në pasivitet apo do të na mungonte vullneti dhe guximi i domosdoshëm. Kjo është edhe arsyeja e aktivizimit tim politik në radhët e PDI-së, tek e cila gjeta njerëz me ideale, aftësi dhe me vendosmërinë e duhur për të nisur një proçes të pashmangshëm për finalizimin e idealit tonë - Çamërisë.

- Prej nga nis ky proçes dhe çfarë synon?
- Nis nga ndërgjegjësimi që jemi “njerëz të barabartë midis njerëzish të barabartë”. Njerëzit e barabartë njohin të drejta dhe detyrime ndaj njëri-tjetrit, ndaj fqinjit, ndaj mjedisit dhe jo ndere apo qejfmbetje! Ne, nga ana jonë, me siguri nuk kemi kryer shkelje të dinjitetit njerëzor të asnjë pakice, asnjë fqinji apo grupimi tjetër. Edhe gjatë periudhës së komunizmit, mekanizmi gjigand i dhunës u ushqye me shtetas shqiptarë dhe në asnjë rast nuk e shtriu kthetrën gjetkë. Kështu që ne padyshim na takon të kërkojmë drejtësi për sa kohë i jemi përmbajtur asaj. Në rast se nuk do të ngrihemi vetë ne për të kërkuar të drejtat tona me siguri që askush tjetër nuk do ta bëjë këtë! Çamërinë, tekefundit, do ta bëjmë tonën ne, çamët…

- Kujt duhet t’i drejtohemi për të vënë në vend këtë “drejtësi të munguar”?...
- Realiteti botëror njeh institucione që i kanë vënë vetes për qëllim respektimin e të drejtava themelore të njeriut. Sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, njëri prej tyre, Komisioni Evropian duhet ta marrë në shqyrtim sa më parë problemin çam, megjithëse justifikohet duke thënë se është çështje bilaterale midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pra, në këtë rast Brukseli nuk duhet të imponohet nga pozitat e më të fortit, Greqisë, siç ndodh rëndom, por të japë drejtësi siç jep edhe për më të fuqishmit. Çuditërisht kjo nuk ka ndodhur asnjëherë me Evropën për ne, shqiptarët, nuk e kemi parë asnjëherë drejtësinë e saj. Gjatë tërë historisë, miq më të mirë kemi pasur ose ndonjë fqinjë të afërt si rasti i Turqisë, ose ndonjë përtej Atlantikut si në rastin e SHBA-së. Në këto kushte nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të bëjmë të ditur dhe të njohur të vërtetën me të gjitha mjetet demokratike te diplomacitë kryesore evropiane dhe ato botërore. Të bëhemi faktor i rëndësishëm dhe t’i imponohemi Evropës dhe botës që të na marrin seriozisht…

- Mos i referoheni situatës së Kosovës ku ndërhyrja e ndërkombëtarëve rezultoi vendimtare?
- Jo, situata e Kosovës paraqet karakteristika të tjera. Por ne duhet të mësohemi që të nxjerrim mësim nga situata e Kosovës dhe të kuptojmë se korrigjimet historike janë të mundshme dhe ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar është e pashmangshme dhe vendimtare. Ne nga ana jonë duhet të bëjmë të mundur së pari faktorizimin e komunitetit çam dhe t’i imponohemi shtetit shqiptar që ta trajtojë problemin çam si pjesë të çështjes kombëtare shqiptare dhe ta përfshijë në axhendat e veta për zgjidhje, pastaj t’u drejtohemi edhe diplomacive të huaja...
- Cili mendon se duhet të jetë roli juaj në këtë çështje?
- Nuk është rasti të “thërras” slogane elektorale. Di të them vetëm se unë do të bëj pjesën time, atë që më takon. Në strukturat e PDI-së ndjehem mirë dhe shikoj mundësi angazhimi në të ardhmen. Në qoftë se nuk do të jem unë në gjendje të bëj atë që duhet, me siguri do jemi në gjendje të nxjerrim djem të tjerë nga gjiri ynë.

- Prej nga buron gjithë ky besim?
- Nga kryet e ngritura lart të njerëzve që e kanë përjetuar terrorin që pas ngricës komuniste dhe që tashmë besojnë me të vërtetë në një drejtësi të mundshme, si dhe nga sytë përcëllues të brezit të ri që çuditërisht i njohin mirë plagët e gjyshërve dhe i ndjejnë akoma nën lëkurë.

3
Nga perëndimi drejt lindjes

- Keni mbaruar studimet e larta në Itali dhe pastaj jeni kthyer, nuk u druajtët se mos ishte një hap prapa?
- E vërtetë është. Nuk ishte zgjedhje e lehtë, apo më mirë ishte gjëja më e vështirë që mund të bëja. Qëndrimi në Itali ishte zgjidhja më komode dhe pikërisht këtu më lindi dyshimi që mund të mos ishte edhe më e mira. Bëra një tregti: Ndërrova “më shumë para” me “më shumë kohë”. Pastaj, çdo shtet është shtëpia në të cilën gjithkush jeton sipas mënyrës së tij dhe si t’i duket më e përshtatshme. Atdheu im është Shqipëria dhe unë u ktheva në shtëpinë time për të jetuar sipas mënyrës time dhe si të më duket më e përshtatshme...

- Besoni se të jetuarit në Shqipëri ndryshon ndjeshëm nga të jetuarit në një vend të BE-së?
- Janë vende të cilat kanë patur një historik të tyren të fenomeneve sociale. Nuk mund të pretendosh që me një kërcim të vetëm prej akrobati të bëhesh pjesëtar dhe të jesh aktor i mirë social i një realiteti që të serviret si i dëshirueshëm, por ama dhe i panjohur.

- Çfarë doni të thoni me këto?
- Dua të them që shqiptarët kërkojnë me padurim emigrimin drejt këtyre vendeve dhe në rastin më të mirë, përveç dritave edhe nëpër rrugica, të shtunës në supermarket, të dielave me skedinë në dorë, kanë peshqesh, pa përjashtim, një kredi 20-25 vjeçare për të paguar shtëpinë që do ta gëzojnë fëmijët, të cilët në shumë raste rriten ashtu siç prindërit nuk e kishin pritur. Kjo nuk është pak. Ndoshta do ishte më mirë të kërkonin diçka në vendin e tyre meqë tashmë vullnetin e kalitën më së miri...
Tranzicioni shqiptar është edhe ky: disa shqiptarë, me ankth dhe të paduruar, paguajnë shuma marramendëse për të ikur nga ky vend dhe disa kthehen me hap të lehtë dhe zemërplot. Besoj se Shqipëria sot i ka të gjitha mundësitë për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperative. Në Shqipëri mënyrat e jetesës janë akoma në zhvillim, kurse në vendet e BE tashmë janë konsoliduar dhe nuk lënë shumë hapësira për nevojat e mysafirit të ftuar apo jo. Edhe pse dua ta theksoj, janë vende që i njohin mirë të drejtat reciproke të qënieve njerëzore, të cilat i respektojnë edhe ne rastet kur nuk përputhen me ç’ka ata dëshirojnë.
- Si ndihet një musliman në Itali?
- Në fakt pyetja duhej të ishte: “Si ndihet një musliman në vendet perëndimore pas 11 Shtatorit”... Për sa i takon të jetuarit individualisht, situata nuk është problematike. Mund ta jetosh islamin publikisht pa pasur probleme në ushtrimin e kultit, pasi kemi të bëjmë me të drejta kushtetuese, vetëm se hera-herës duhet të tregosh që “nuk je nga ata të këqinjtë”. Kurse sa i takon organizatave të muslimanëve, në këto vende situata paraqitet pak më e brishtë. Rasti im ka qenë disi simpatik për nga natyra, pasi trinomi “studente-albanese-musulmano” nuk skedohej kollaj nga qytetari i mesëm, sido që ta rendisje treshen. Personalisht, me shumë krenari, jam identifikuar gjithmone me të tretën si për inat të italianit të mesëm! Kurse me keqardhje nuk kam gjetur vend për një të katërt “çam”, pasi situata do bëhej e pakuptueshme edhe për italianin e shkolluar…

- Çfarë është islami për ty?
- Pas gjithë eksperimenteve të gjykimit njerëzor të këtyre shekujve të fundit (diktaturë, kapitalizëm i egër, kapitalizëm më pak i egër) dhe duke parë dështimet, ndoshta na duhet të rimarrim në konsideratë “ligjshmërinë hyjnore”, e cila e konsideron njeriun në natyrshmërinë e tij burimore dhe jo si “kafshë sociale” apo si “konsumator frymor”.

- Si ndodhi që u bëtë dhe jeni besimtar praktikant?
- Besoj se çdo njeri gjatë jetës së tij të gjatë apo të shkurtër, duhet të përballet dhe t’i japë përgjigje disa pyetjve: Kush jam, nga vij dhe ku po shkoj. Përgjigjet që gjeta më bënë të adhuroj Krijuesin tim të Gjithmëshirshëm mëngjes dhe mbrëmje, të argjëroj, të këshilloj për mirë dhe të ndaloj të keqen. Ky është islami. Ka edhe të tjera ëmbëlsira, por kaq për këtu…

Elim Xanxari

No comments: