Saturday, March 6, 2010

Nën verdiktin e kohës

(Fjalë miqësore
për çamin Edmond Selim Bejko)

Dikur më shkoi ndërmend se më takonte të bëja një shkrim të mirë edhe për mikun tim Edmond Bejkon nga Durrësi. Jam njohur me të pas viteve ’90. Na lidhi ideali i përbashkët: Çamëria. Mondi është një nga djemtë më të flaktë e më të shquar në strukturat drejtuese të komunitetit çam në Durrës. Kur bëhej fjalë për çështjen çame tregohej i gatshëm për të më ndjekur gjithandej mua dhe miqve të mi. Nuk kursehej as moralisht e as financiarisht. Më ka ndjekur sa e sa herë në shumë veprimtari në Tiranë, në Fier e Vlorë, në Sarandë e në Konispol, në Qafëbotë. Mbaj mend se ishte nga të paktët që bashkë me mua e Servet Mehmetin, ish-kryetar i SHPA “Çamëria”, nuk u shmang asnjëherë gjatë atyre ditëve të vështira të fillimvitit 2004, kur përpiqeshim për të bindur deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për të hartuar e miratuar një rezolutë për problemin çam.
E hartuam rezolutën, e miratuam edhe në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe e rrëzoi në një seancë parlamentare një shumicë deputetësh të së majtës, duke marrë përsipër, dashur a padashur, rolin prej tradhtari ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Jo vetëm që e nuk e miratuan rezolutën, por me forcat speciale që rrethonin selinë e Kuvendit të Shqipërisë, gjakosën edhe atdhetarët çamë që protestonin në hyrjen e saj…
Dhe atëherë na dhëmbi shpirti njëlloj si të na e kishin shkelur me zinxirë tankesh…
Pra, tekefundit, ndieja se kisha një detyrim të pashlyer për atdhetarin Edmond Bejko. Para disa ditësh vendosa ta ftoja që të vinte në Tiranë e të bisedonim... Dhe ai erdhi... Jo vetëm... Me kë do thoni ju?!... Me mikun e tij, Tasim Beshon... E kush nuk e njeh në Durrës e në Shqipëri, atdhetarin intelektual Tasim Besho, veçanërisht njerëzit e komunitetit çam?!... Dhe ia kaluam si jo më mirë... Dhe unë gjeta fjalët e duhura për ta portretizuar...
Edmond Selim Bejko u lind më 21 maj 1961 në qytetin e Durrësit në një familje atdhetare me origjinë nga Çamëria. Familja e babait të tij, Selimit, u shpërngul nga Koska në fund të vitit 1944 si shumë çamë të dëbuar përdhunshëm nga zervistët grekë dhe erdhi e u vendos për gjashtë muaj në Shalës të Konispolit (ka banuar edhe në shtëpinë e gjyshërve të mi, jemi edhe tanët, siç tregon vetë Selimi).
Atëherë Selimi ishte 13 vjeç. Babai, Jonuzi, i vdiq në moshën 36 vjeçare dhe la tre fëmijë jetimë, Selimin 13 vjeçar dhe dy djem të tjerë, njëri 7 vjeç e tjetri 6 muaj, të cilët më vonë u vendosën në Durrës, ku banojnë edhe sot.
Selimi në vitin 1960 u martua me Qefnien, vajzën e Et’hem Resulit nga Nista e Çamërisë dhe u lindën tre fëmijë, dy djem dhe një çupë. Pra, Edmondi, më i madhi i fëmijëve, ka një vëlla dhe një motër.
Mondi e kaloi fëmininë në qytetin e Durrësit si shumë djem të tjerë të familjeve muhaxhire çame që mundoheshin të përshtateshin me vendbanimin e ri dhe të rikrijonin pasurinë e tyre nga hiçi. Ai u arsimua në shkollën tetëvjeçare “10 Korriku” dhe në vazhdim në shkollën e mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti” të qytetit të Durrësit, të cilën e mbaroi në vitin 1979. Ai kreu një vit stazh pune dhe më vonë në vitet 1981-85 u diplomua për inxinier minierash në Fakultetin e Gjeologjisë të Universitetit të Tiranës. Megjithëse e kishte mbaruar gjimnazin me të gjitha notat dhjeta dhe I takonte ta çonin në një degë të preferuar, atë e çuan në fakultetin e Gjeologjisë, pa dëshirën e tij, si fëmijët e shumë familjeve çame të persekutuara nga ish-regjimi komunist. Përkundër këtij qëndrimi absurd, gazeta kryesore e kohës “Zëri i Popullit” në një artikull deklaronte me hipokrizi se ishte një shembull pozitiv edhe për të tjerët, veprimi i Edmond Bejkos, i cili me mesataren dhjetë kishte zgjedhur të bëhej inxhinier minierash me dëshirën e tij, kur e kishte mundësinë të zgjidhte për t’u diplomuar në një degë nga ato më të preferuarat…
Pas përfundimit të universitetit Edmondin e emëruan inxhinier në minierën e Burgut të Spaçit në Mirëditë. Në vendin më të vështirë… Vetëm e vetëm pse ishte çam…
Mond shkoi e filloi punë aty, por, në krye të gjashtë muajve, vendosi ta braktiste detyrën. E gjobitën me 40 mijë lekë, shumë e madhe për kohën dhe e dënuan të punonte dy vjet si punëtor në minierën e Manzës, në Durrës. Veprimi i tij u kritikua ashpër si i pamoralshëm edhe në gazetën “Zëri i Popullit”.
Pasi kreu këtë dënim e emëruan me detyrën shef zone, inxhinier, po në këtë minierë, në Manzë të Durrësit.
Në vitin 1989 u emërua përgjegjës në Impiantin e Pasurimit të Rërave, në Durrës. Në vitin 1993 u emërua drejtor i Bazës së Furnizimit të Ekonomisë Komunale, ndërmarrje nacionale me qendër në Durrës, deri në vitin 1998, kur e larguan nga puna për motive politike.
Pas largimit nga puna shtetërore, ai iu përkushtua biznesit, ndërtoi dhe një lokal nga më të bukurit dhe më të frekuentuarit kundruall detit, në Durrës...
Në vitin 2005, me ardhjen në pushtet të PD, u emërua drejtor i Armos për degën e Durrësit, deri sa kjo ndërmarrje u privatizua në vitin 2009.
Tani Mondi është rikthyer në biznes si ndërtues.
Pas vitit 1990, si u shemb sistemi komunist, Edmond Bejkua iu përkushtua edhe angazhimeve politike. Në vitin 1991 u anëtarësua në PD, u zgjodh edhe kryetar i seksionit të kësaj partie në ndërmarrjen ku punonte. Që në vitin 1991 ai u angazhua edhe në strukturat e Shoqërisë Politike Atdhetare “Çamëria”. Në vitin 1991, bashkë me atdhetarët çamë Mehmet Hoxha, Mero Qerimi dhe Remzi Sulejmani, iu drejtua me një telegram Presidentit Ramiz Alia dhe Ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Reiz Malile, që të trajtonin me përparësi problemin çam në takimin me Kryeministrin grek Miçotaqis, ose në të kundërt ta anullonin vizitën e tij në Shqipëri, gjë që tërhoqi edhe vëmendjen e mediave.
Në vitet 1994-98 u zgjodh edhe kryetar i SHPA “Çamëria” për degën e Durrësit. Në vitet 1996-98 u zgodh edhe nënkryetar i përgjithshëm i SHPA “Çamëria”. Në vitet 1997-2000 u zgjodh edhe si anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Durrësit...
Kudo që ka drejtuar Edmond Bejkua ka spikatur me figurën e tij si përfaqësuer i denjë dhe i vendosur i komunitetit çam, një individualitet i padiskutueshëm me të cilin nuk mund të bësh shaka pa vend, shprehen shumë nga të njohurit tanë të përbashkët...
Tani Mondi ka shpallur kandidaturën për të qenë edhe kryetar i degës së Durrësit për PDU-në, partinë e re që drejtohet nga deputeti Shpëtim Idrizi, një ndër intelektualët dhe politikanët shqiptarë më bindës që përfaqësojnë sot Kuvendin e Shqipërisë... Dhe i ka të gjitha shanset për ta fituar edhe këtë sfidë...
Edmond Bejkon e gjen shpesh me poetin Namik Mane, me të cilin e lidhin kohë të vështira si ato të viteve 1988-90, kur mblidheshin së bashku në baraken e një ofiçine të vjetër dhe diskutonin kokë më kokë nga tre-katër orë në ditë për dëmet që u kishte sjellë regjimi komunist vlerave njerëzore shqiptare. E gjen edhe me Mehmet Hoxhën, biznesmenin e parë çam në Durrës, nga i cili ka mësuar shumë për jetën dhe ekonominë e tregut. Mondi nuk lodhet duke u rrëfyer të gjithëve për vlerat e rralla të Mehmet Hoxhës, ish i burgosur politik në burgun e Spaçit. Midis të tjerash ai rrëfen se njëherë kur ishte 13 vjeç kishte shkuar për ta takuar në burg. Mban mend se i kishte dalë para një fytyrë e shtrembëruar keqas nga një paralizë faciale. Ajo fytyrë që nuk njihej prej shëmtimit, mezi arrinte të shqiptonte: “Mondi i xhaxhit, nuk po më njeh?!”... Mondi ishte zbrapsur i frikësuar. Nuk e besonte dot që personi përballë tij ishte Mehmet Hoxha. Oficeri që vëzhgonte takimin kishte ndërhyrë befas: “Nëse ke ardhur të takosh Mehmet Hoxhën, përpara e ke, ky është”... Atëherë ishin përqafuar dhe Mondi ia kishte shkrepur të qarit...
Pjesën më të madhe të kohës së lirë Mondi e kalon veçanërisht me intelektualin çam Tasim Besho. Shumica e durrsakëve që i njohin nga afër thonë se nuk mbahet mend që kur ata janë miq me njëri-tjetrin. Gjejnë kohë dhe kalojnë edhe pesë-gjashtë orë në ditë me shoku-shokun dhe këshillohen sesi mund t’i shërbejnë sa më mirë të ardhmes së tyre dhe komunitettit çam në Durrës, të cilit i janë përkushtuar shumë. Ideali i tyre i përbashkët: zgjidhja e problemit çam. Në periudha të vështira, siç ishin edhe vitet 1996-1999, Mondi e Tasimi kalonin shumë më tepër kohë me njëri-tjetrin, ndonjëherë edhe e gdhinin në kërkim të zgjidhjeve paqësore që u ofronin personave me gjak të trazuar nga trysnitë e tensionet e mëdha që diktonte veprimtaria e ashpër e forcave politike. Miqësia e tyre është edhe më e madhe sot.
- Profesor Tasimi është modeli njerëzor më i preferuar për mua, - shprehet Mondi. – Sikur më ndriçon udhët e jetës mendja e tij e ndritur, aq sa herë-herë më duket se nuk mund të eci përpara pa të, prandaj jemi edhe miq të pandarë. Fjala vjen, njëherë kur isha kryetar i degës së shoqatës “Çamëria” të Durrësit, Shoqata “Durrësi” organizonte një përvjetor dhe për të më nderuar më thanë mua të flisja i pari, mirëpo unë refuzova me mirësjellje, duke thënë se u takonte vendasve të flisnin të parët, jo ne të ardhurve. Në fakt unë prisja të vinte profesor Tasimi që të këshillohesha me të për ato që do të thosha. Ai nuk erdhi dhe unë, gjithë emocion, dola e u shpreha thjesht pa letër para bashkëqytetarëve durrsakë.
U thashë atyre se unë jam me origjinë nga Çamëria, se jam i ardhur në Durrës dhe si i tillë gjithëçka kam në këtë qytet e kam krijuar me vështirësi të mëdha, me shumë sakrifica nga hiçi. Për këtë arsye e dua shumë Durrësin, ndoshta edhe më shumë se ju që e keni pasur dhe e keni tuajin në jetë të jetëve. Duke e dashur shumë e ndiej se jam pjesë e tij sa edhe ju dhe përpiqem që ai të përparojë sa më shumë, sepse e di më mirë se ju se çdo të thotë humbje. Unë nuk dua më humbje. Unë vij nga dhimbja e humbjes. Të parët e mi humbën vatanin, Çamërinë, të cilën unë dhe bashkatdhetarët e mi çamë na duhet shumë luftë për ta rifituar. Unë dua vetëm fitore. Kam fituar Durrësin, dua të rifitoj edhe Çamërinë, prandaj jam ky që jam që ju më doni dhe më mderoni kaq fort. Ju falemnderit për gjithçka keni bërë e do të bëni edhe për ne, çamët.
Fjala ime u prit me një lumë duartrokitjesh.
- E shikon? E kam thënë unë dhe e përsëris, - ndërhyri plot gjallëri Tasim Beshua, - ky djalë, si shumë të tjerë, është vetë jeta njerëzore me të gjitha ngjyrat, vetë thelbi i saj. Fjala vjen, Bilal Xhaferri, mund të flasësh e të thuash për të shumë gjëra, mund të përcaktosh me detaje se ka qenë shkrimtar i madh, se ka botuar kaq e aq poezi, se ka shkruar kaq e aq tregime nga më të bukurat, se ka shkruar kryeveprën, romanin “Krastakraus”, se ka themeluar e botuar revistën “Krahu i shqiponjës”, në mërgim, në Amerikë, pasi u arratis nga Shqipëria komuniste, se ka qenë antikomunist e disident i madh, etj., etj. Dhe kështu e përshkruan portretin e tij… Po hajde e portretizo djem si Mondi që janë Bilal Xhaferrët e padukshëm të shoqërisë njerëzore, që janë vetë brumi, ngjyra dhe gjallëria e saj… Unë kam një jetë që e njoh Mondin, por nuk e merr me mend, i nderuar Shefki, se sa të vështirë e kam të them ca fjalë për të përkufizuar portretin e tij… Më duket se nuk di ç’të të them për Mondin, është si diçka e paparashikueshme, nuk është as thjesht njeriu i pasioneve e as i kontradiktave të mëdha, është normalja, e vërteta e jetës, një djalë që dashuron dhe urren, që di të punojë egërsisht dhe të bëjë qejf marrëzisht. Po ju tregoj diçka nga e kaluara e tij si për ilustrim. Punonte si drejtues i një ndërmarrjeje që në magazinat e saj kishte gjithëçka i duhej Shqipërisë. Kishte nga qumështi i dallëndyshes, siç thotë një fjalë popullore, gjer edhe mish kanguri. Ishte marsi i vitit 1997, kur ra qeveria dhe Shqipëria përfundoi në anarki. Pronat shtetërore kudo u vodhën e u shkatërruan. Mondi, përkundrazi, e mbrojti. Po si?... Mori një mitraloz dhe e vuri në hyrjen e ndërmarrjes, mori edhe një automatik kallash dhe e vuri në krahë. Thirri edhe ca djem, miq e shokë të vetët me automatikë dhe u shtruan për shtatë palë qejfe duke ngrënë e pirë natë e ditë në roje të magazinave. Krismat nuk pushonin tej e tej qytetit. Vinin hajdutët për të vjedhur dhe Mondi i pyeste se çfarë donin: pije e miqësi apo plumb. Ata që e njihnin (kuptohet që e njihnin shumica) shtroheshin e hanin e pinin bashkë me Mondin e pastaj largoheshin si miq, ndonjë që nuk e njihte dhe tentonte të afrohej si bandit, mjaftonnin ca të shtëna në ajër dhe ndonjë dorë dru kurrizit që të largohej me vrap kokulur, duke kuptuar se ai vend kishte zot Edmond Bejkon. Dhe kështu Mondi e ruajti ndërmarrjen e vet... Më vonë, kur u ringrit qeveria, kujtohen ata të ministrisë të dërgojnë ca revizorë për të inventarizuar gjendjen e ndërmarrjes... Mondi, vetëkuptohet, i priti gjithë dashuri... Ata kërko këtë e atë faturë, fletëhyrje e fletëdajle, e Mondi na. Ata kontrollo e kontrollo sa u lodhën për të gjetur ndonjë shkelje e Mondi qeshte. Në fund u tha:
“O miq, doni ndonjë drekë të mirë, të hamë e të pimë e të bëjmë qejf e të ndahemi si miq apo doni ndonjë dru të mirë kurrizit?... Mos më merrni gjë për budalla mua? Po të doja të vidhja magazinat e ndërrmarrjes që drejtoj, do ta kisha djegur dogumentacionin gjatë trazirave dhe do të kisha vjedhur gjithçka si shumë të tjerë dhe ju do të kishtit gjetur vetëm hirin këtu dhe mua nuk do të më hynte asnjë gjemb në këmbë”...
Ata qeshën dhe ia kthyen:
“Duam të hamë e të pimë dhe të lumtë që e ruajte pasurinë e shtetit, pasurinë e të gjithë shqiptarëve”...
Dhe e festuan së bashku faktin që ndërmarrja kishte mbijetuar në sajë të vendosmërisë së Edmond Bejkos. Ja, ky është Mondi ynë, një hero i heshtur... Po të tregoj një rast tjetër, i nderuar Shefki. Më 1996 kandidonte një shoqja jonë për deputete. Vetëkuptohet me shpenzimet e Mondit. Ishim të gjithë të shqetësuar. Situata u acarua sidomos ditën e zgjedhjeve. PS papritur vendosi të tërhiqte komisionerët nga qendrat e votimeve. Do të bëhej një trazirë që s’do ta merrte vesh i pari të dytin. Dhe e gjitha kjo për pesë pare spec, sepse në Durrës ka mirëkuptim midis palëve. Nuk ka acarime politike aq të mëdha si në zona të tjera. Mondi pa njërin nga komisionerët që kishte dalë e rrinte në shkallë. Iu afrua rëndë-rëndë dhe me qetësi i tha:
“Të të hedh nga shkallët apo të të jap kohë sa të kthehesh në qendër të votimit?!”...
Tjetri e vuri re dhe, mesa kuptohet, duke e ditur se me Mondin nuk bëhet shaka kur është fjala për të vërtetën dhe drejtësinë e gjërave,u rikthye pa fjalë në krye të detyrës dhe procesi eci si në vaj. Durrësi nuk pati probleme në sajë të mirëkuptimit njerëzor e politik midis palëve...
Gjatë trazirave të 1997, kur ra qeveria dhe vendi degradoi në anarki, durrsakët panë se Mondi ishte nga të vetmit djem që e mbrojti pasurinë e përbashkët me jetën e vet, prandaj i besuan edhe detyrën si anëtar i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar, organizëm që vërtet funksionoi përkohësisht, por pati atribute pushteti e qeverie dhe lozi një rol të madh për pajtimin mes palëve të acaruara politikisht. Pra,djem me integritet, si Mondi, ruajtën ekuilibrat e brishtë të marrëdhënieve ndërqytetare dhe vendi ynë i shpëtoi për bukuri katastrofës që i kishte përgatitur politika e mbrapshtë e kësaj klase politike ende të papjekur e të papërgjegjshme për fatet e kombit shqiptar...
Ç’të të them tjetër?!... Mund të rri gjithë natën e të të tregoj lloj-lloj shembujsh për të ilustruar figurën e mikut tonë Edmond Bejko. I nderuar Shefki Hysa, besoj se ke dëgjuar edhe nga të tjerat për bëmat e këtij heroit tonë të pabujë dhe do të ishte e tepërt të të lodhja më kot me një sasi të madhe episodesh, kur edhe kaq mjafton që shija e mendjes sate të “degustojë” vlerat e mirëfillta të këtij subjekti... Do të ishte njësoj si të detyroje një ekspert degustimi vere të pinte me zor një fuçi të tërë, kur dihet se atij i mjafton një gllënkë për të vlerësuar cilësinë e saj... Besoj se edhe lexuesit do më kuptojnë dhe do t’i japin notën që meriton figurës së Edmond Bejkos edhe përmes këtij rrëfimit tim të vogël e të varfër... Desh harrova... Po shtoj edhe diçka se Mondi tashmë është babai i dy fëmijëve: vajza, Tisiana 17 vjeç dhe djali, Aldo 14 vjeç... Dhe tjetra: sa e herë e merr gruaja në telefon, ky i paudhi e siguron të flejë e qetë duke i thënë se është me profesor Tasimin... Dhe ajo e shkreta ka besim se unë nuk e lë Mondin të bëjë paudhësira... Më beso edhe ti, se nuk e lë vërtet të rrëshqasë në dërrasë të kalbur...
I nderuar lexues, a mund të besohet fjala e Tasim Beshos në përshkrimin e karakteristikave të personazhit tim Edmond Bejkos?!... edhe unë nuk e di saktësisht... Megjithatë mund t’ju pohoj me siguri se janë edhe shumë miq të mi në Durrës e gjetkë që kanë thënë e vazhdojnë të thonë edhe sot e kësaj dite fjalë të bukura për Mondin... Kjo lloj “rrufe”, për fat të keq a të mirë, nuk e di, më ka zënë edhe mua...
Sidoqoftë le t’ia lemë kohës gjykimin e fundit... Gjykatës më të mirë se koha nuk ka... Verdikti i saj është i pavdekshëm...

Shefki Hysa

No comments: