Wednesday, December 23, 2009

Për të mos u plakur…

- Shpëtim Agur Çilotaj është një djalë i rrallë, një shok e një mik i mirë për cilindo që e njeh nga afër apo e lidh puna me të, - kështu më thanë para një viti miqtë e mi çamë nga Fieri.

Këto fjalë m’i pohoi dikur edhe Gramoz Nimani (Naimi) një mik i përbashkët nga Durrësi, të cilit unë i besoj se më ka ndjekur për idealin çam edhe në ditë të vështira, kur ishte i sëmurë e dukej se do të jepte shpirt prej lëngatës.
Dhe ashtu instiktivisht nisa ta vëzhgoja Shpëtimin, para se të vendosja t’i hapja dyert e miqësisë. Dhe tanimë edhe për mua, si njeri i letrave, që e zhbiroj jetën nën një këndvështrim artistik, padyshim edhe për miq të tjerë me përvojë të gjatë njohjesh si e imja, ai është një befasi e këndshme. Dhe, po e theksoj jo pa qëllim, unë nuk gaboj aq lehtë me shijet e mia. Të paktën gjer më sot nuk i kam zhgënjyer asnjëherë lexuesit. Nuk besoj se do t’i zhgënjej edhe me këtë personazh që zgjodha ta paraqes me kaq simpati. Po e përsëris: Shpëtim Çilotaj është vërtet djalë simpatik, fizikisht po e po, por veçanërisht në shpirt. Më besoni se nuk po këmbëngul më kot, prandaj më ndiqni me kureshtje detaj pas detaji dhe do të bindeni se keni përballë një personazh protagonist të denjë për shoqërinë shqiptare. Një 35 vjeçar që lulëzon në kulmin e moshës, mik plot virtyte dhe biznesmen tepër i suksesshëm – ja ky është përkufizimi i saktë i njeriut që rritet hap pas hapi tejet mbresëlënës nëpër radhët e këtij shkrimi dhe në përfytyrimin tonë, i nderuar lexues...

Shpëtim Agur Çilotaj u lind më 24 qershor të vitit 1974 në qytezën e naftëtarëve, në Patos të Fierit, ku kaloi fëmijërinë dhe u arsimua. Pra, filloren, tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme i kreu në vendlindje, kurse të lartën në Universitetin e Elbasanit për Administrim Biznes, Menaxhim. Dhe jo më kot zgjodhi të diplomohej në këtë degë. Vetëkuptohet i nxitur nga gjeni familjar. Gjyshi i tij, Laze Bilaj ishte tregtar, gjë që e trashëgoi edhe Shpëtimi, i nipi, ky biznesmen i suksseshëm. Ndryshe nga gjyshi Laze, babai i tij, Aguri, sot një pensionist i mbajtur mirë, megjithëse 67 - vjeçar, punoi si naftëtar i detyruar prej kushteve që përcaktonte ish-regjimi komunist, si gjithë bashkëqytetarët e Patosit, kësaj zone naftëmbajtëse. Nëna e Shpëtimit, Zonja, sot 64 – vjeçare, punonte në ndërtim.

Shpëtimi është më i vogli i tre vëllezërve, kanë edhe një motër, e përkëdhelura e tyre dhe e prindërve si e fundit e fëmijëve të kësaj familjeje tipike shqiptare, e cila trashëgohet brez pas brezi në Patos, të paktën gjer sa mbahet mend gysh pas gjyshi këtu e treqind vjet më parë. Gjyshi Laze Bilaj u kujdes veçanërisht për Shpëtimin si më të voglin e djemve, duke i rrëfyer përvojat e veta jetësore dhe duke e mësuar si të bëhej njeri i devotshëm për veten, familjen e shoqërinë. Pra, e mësoi si të përvetësonte karakteristikat dhe vlerat më të mira të fisit të tyre, brez pas brezi, të merrte edhe vlera nga vlerat e bashkëmoshatarëve çamë. E kush nuk e njeh Laze Bilajn në Patos e në Fier, veçanërisht familjet çame që erdhën e u ngulën që në vitin 1945, pasi u dëbuan përdhunshëm nga vatani, Çamëria, prej bandave shoviniste greke. Dihet se çamët sot përbëjnë një pjesë të madhe të popullatës së Patosit e Fierit për vet aftësitë e tyre të rralla gjenetike. Erdhën të traumatizuar prej gjenocidit që ushtruan grekët mbi komunitetin dhe atdheun e tyre, u përshtatën shpejt, u morën me tregti dhe punë artizanatesh, mbijetuan, u riprodhuan, u shtuan e u trashëguan me shumë pasardhës për të siguruar vazhdimësinë e gjenit të vet. Pra, çamët mbijetuan dhe u shumëzuan në Patos si edhe në shumë zona të Shqipërisë, ku ishin vendosur ngulimet e tyre, duke i zgjeruar dhe përforcuar ato në marrëdhënie tepër miqësore edhe me vendasit...

Dashur pa dashur Shpëtimi u rrit e u edukua si fëmijë çam midis familjeve të shumta çame që e kishin shtuar miqësinë me gjyshin Laze Bilaj, mikpritësin e tyre. E nderon e tërë zona Lazen për mikpritjen ndaj çamëve. Ai i mbështeti dhe i ndihmoi shumë për të ngritur shtëpitë dhe tregtinë, mjetin që kanë më për zemër çamët për të siguruar jetesën e tyre. Dhe u lidhën e u vëllazëruan aq shumë saqë çamë e vendas nuk dallojnë nga njëri-tjetri. Nëpër vite e vite u përzien e u përzien traditat familjare saqë sot e vështirë ta dallosh djaloshin Shpëtim Çilotaj nga një djalë çam dhe anasjelltas.

Në mars të vitit 2002 Shpëtim Çilotaj krijoi kompaninë “Çilotaj” sh.p.k. me qendër në Fier dhe filiale në disa rrethe, e cila falë aftësive të tij menaxhuese u rrit, u zgjerua dhe krijoi kapitale si një ndër bizneset më të qëndrueshëm në Shqipëri. Më vonë, mbi bazën e kësaj kompanie, u krijua “Çilotaj Group” ltd, me qendër po në Fier dhe me filiale në Vlorë, Durrës, Tiranë etj... Kjo kompani e sukseshme sot ka linja prodhimi dhe ndërtimi dhe synon shumë objektiva. Shpëtim Çilotaj thotë se kompania e tyre është e lidhur me kompaninë turke “Kurum”, pronare e ish-metalurgjikut të Elbasanit, dhe tregton hekurin e saj, duke pasur ekskluzivitetin për Jugun e Shqipërisë dhe për Tiranën. “Çilotaj Group” ltd bashkëpunon edhe me kompaninë libaneze “FK Cement” dhe kanë marrë prej tyre ekskluzivitetin e shitjes së çimentos të fabrikës së Fushë Krujës për rrethet Fier e Vlorë. Kjo kompani në Fier ka ngritur edhe linjën e telëzimit apo më saktë të tërheqjes dhe viaskimit të hekurit si dhe linjën për parapërgatitjen e zgarave prej hekuri për platformat prej betoni si dhe për bazamentet e ndërtesave. Në Tiranë kjo kompani merret edhe me ndërtimin e pallateve, kurse në zonën e plazhit të Golemit ndërton objekte turistike. Pra, punojnë me synimin për t’i zgjeruar edhe më shumë mundësitë ndërtuese të kompanisë, e cila sot ka mbi 100 punonjës...

Kjo kompani përfshin edhe shoqërinë e ruajtjes fizike “Çilotaj Security” me administrator Gramoz Nimanin apo Naim Nimani, siç e njohin tërë miqtë e tij.

- Këtë periudhë morëm edhe presidencën e Federatës Shqiptare të Boksit, - thotë me krenari Shpëtimi. – Mos kujtoni se jemi pa përvojë në këtë fushë. I kemi dhënë provat që dimë të administrojmë edhe klube sportive, sepse më parë kemi marrë drejtimin e “Teuta Boks” të Durrësit dhe dolëm me sukses, kështu që i hodhëm sytë edhe më larg. Dhe që ta dini, kjo përkon edhe hobin tim më të madh që janë sportet...

Shpëtimi flet me pasion për atë pjesë të kohës së lirë kur u kushtohet me mish e me shpirt lojërave sportive, futbollit, volejbollit e basketbollit, jo vetëm për të mbajtur trupin në formë si atlet, por edhe për kënaqësi, shlodhje e për të rimarrë forcat për të nesërmen kur i duhet t’u kthehet përsëri punëve ndërtuese. Shpëtimi thotë se bën një jetë tepër të gjallë e emocionuese. I pëlqen të lexojë, të ndjekë filma, i pëlqen muzika, e tërheqin veçanërisht makinat e shpejta aq sa nuk u ndahet lehtë timonit të tyre. Madje i pëlqen edhe të garojë me makina, po t’i jepej mundësia. I pëlqen të udhëtojë në vende turistike, jo vetëm për qëllime biznesi, udhëtime të cilat është i detyruar t’i marrë sa herë i duhet të shkojë në vende të ndryshme për të takuar partnerë të huaj për zgjerimin e investimeve në Shqipëri.

- Shpëtim Çilotaj, - më tregon Naim Nimani, miku ynë i përbashkët, - nuk është thjesht një taksapagues i rregullt i shtetit, por, me atë shpirt fisnik që ka, është nga pak edhe bamirës; ndihmon cilindo që i zgjat dorën për ndihmë, ndihmon veçanërisht kategoritë sociale në nevojë, bashkëpunon me Kryqin e Kuq, mundëson financiarisht shumë veprimtari kulturore etj. Pra, punon me shpirt në shumë drejtime për të mbajtur lart personalitetin dinjitoz që ka... Sidoqoftë, ai e di mirë se ne, miqtë e tij, e kemi nën vëzhgim të rreptë për të mos e lejuar të plaket në shpirt para kohe si shumë të tjerë.

Ky djalë është i përkushtuar edhe pas idealit çam, njëlloj si të ishte një pasardhës i denjë i Çamërisë, - më thonë miqtë e mi çamë dhe unë ndihem edhe më shumë i sigurt në veten time teksa portretizoj tiparet e këtij personazhi kaq të pëlqyeshëm prej opinionit shoqëror që e rrethon. Për hir të së vërtetës, unë e kisha vënë re edhe më parë gadishmërinë e Shpëtimit për ta mbështetur qoftë edhe me fjalët e veta plot pasion idealin çam, por kur shprehen edhe miqtë e mi se ai është një mik i mirë i Çamërisë, ngre duart lart dhe besoj se nuk jam gabuar duke e portretizuar me kaq siguri.

Ky është Shpëtim Agur Çilotaj, djali që s’plaket kurrë në shpirt. Nuk kam se ç’të them tjetër... Nëse miqtë e mi më kanë gënjyer, nëse sytë dhe përvoja ime më gënjyen, keq më vjen: I gënjyeri gënjen, i nderuar lexues...

Elim Xanxari

No comments: