Saturday, November 28, 2009

Miku i sakrificave – Naim Nimani

Naim Mehmet Nimani (Gramoz Mehmet Nimani) u lind më 19 gusht 1971 në fshatin Truen të Pukës në një familje atdhetare. Aty kaloi fëmininë dhe u arsimua. Pas mbarimit të shkollës së mesme, si shumë djem shqiptarë që i gjeti pa punë ndryshimi i sistemit komunist, më 1991, u detyrua të mërgonte në Greqi, Angli e gjetkë për të siguruar bukën. Ndërkohë familja e tij erdhi e u vendos në qytetin e Durrësit. Naimi, pas disa vitesh pune si emigrant ekonomik jashtë shtetit, u kthye dhe filloi të merrej me biznese të ndryshme në Durrës. Tani i është përkushtuar tërësisht karrierës si biznesmen. Ai është martuar dhe një pjesë të mirë të kohës së lirë ia kushton familjes së vet. Ka tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Vajza e madhe, Arminda, është dhjetë vjeç, Sara, e dyta, tetë vjeç dhe djali, Emirgeni, është gjashtë vjeç. Janë fëmijë të mbarë që ia dëgjojnë fjalën të atit dhe mësojnë të ecin në gjurmët e tij.

Naimi është sportdashës, mbasditeve vonë merret me futboll, ndihmon edhe amatorët e boksit për të çarë përpara në rrugën e këtij sporti të vështirë për t’u bërë dikur profesionistë të vërtetë. Një nga ëndrrat e tij më të mëdha, pavarësisht nga pjesa më e madhe e kohës që i marrin bizneset, është dhe dëshira për të eksploruar e njohur botën nëpërmjet udhëtimeve njohëse.

Naim Mehmet Nimani (Gramoz Mehmet Nimani) është, midis të tjerash, edhe atdhetar i mirë që përpiqet me sa mundet për çështjet kombëtare shqiptare, veçanërisht për çështjen çame. Unë e kam njohur rastësisht në vitin 1995 dhe qysh atëherë ai u dashurua me çështjen çame dhe më ka ndjekur me pasion në shumë nga veprimtaritë e mia në të gjitha rrethet e Shqipërisë ku janë vendosur e banojnë çamët. Ka udhëtuar natë e ditë bashkë me mua duke vënë makinat e tij dhe mundësitë ekonomike në dispozicion të çështjes çame. Nuk i është rënduar vetja asnjëherë duke udhëtuar pa pushim, edhe njëzetekatër orë në timon, në rolit e shoferit tim (pa pagesë), kur na e ka kërkuar puna për të lartësuar idealin çam. Ka pasur raste që më ka ndjekur pas në gjithë Shqipërinë edhe kur ka qenë i sëmurë me regjim shtrati prej gripit apo të ftohtit dhe nuk ka përtuar asnjëherë duke u shprehur me të qeshur: Një shef kam unë që nuk kursen as jetën për Çamërinë. Për këtë shef do të ngrihem edhe i vdekur nga varri e jo më i sëmurë nga shtrati, mor po do të ngjallem si Kostandini i Baladës dhe do ta ndjek pas me përkushtim në idealin e tij, Çamërinë.

Ky është pak a shumë portreti i djaloshit Naim Mehmet Nimani (Gramoz Mehmet Nimani), miku im dhe i çamëve, njeri që ka sakrifikuar sa herë më është dashur ndihma e tij...

A nuk ia vlen të sakrifikoj edhe unë për të, të ngrihem qoftë edhe në 12.00 të natës po të ketë nevojë ai për mua dhe për miqtë e mi çamë?!... Po nuk më besoni mua, pyesni edhe kolegun e tij, biznesmenin Shpëtim Çilotaj (edhe ky mik i çamëve), dhe ai do t’ju rrëfejë po të njëjtat karakteristika të Naim Nimanit si njeri që sakrifikon shumë në emër të miqësisë.

Shefki Hysa

No comments: