Tuesday, November 3, 2009

Lufta kundër krimit kërkon përpjekjet e të gjithëve

(Intervistë me zotin Maksim Ferra,
drejtor i Qendrës Shqiptare
të Luftës Kundër Terrrorizmit dhe Krimit të Organizuar)

- Cila është biografia e shkurtër e Qendrës suaj?

- Qendra jonë ëshë krijuar më 30 maj 2005 nga një grup specialistësh shumë të përgatitur në fushën e krimologjisë dhe të luftës kundër terrozimit. Qëllimi i ngritjes të kësaj Qendre është që nëpërmjet punës studimore dhe praktikës konkrete të tyre, në bashkëpunim me institucionet ekzekutive të ngarkuara me ligj dhe organizatat civile brenda dhe jashtë territorit të vendit, të interesuara për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, të japë ndihmesën e kualifikuar në parandalimin e kësaj veprimtarie. Në të bëjnë pjesë mjaft titullarë të këtyre fushave si specialisti Luan Musabelliu, fizikanti Sokrat Amataj, gjenerali Bilbil Mema, Prof. Arqile Kosta, Shkëlqim Zeneli, ish deputeti Jak Ndokaj, drejtuesit e filialeve tona Vesel Coka, Ylli Toska, Alban Hoxha, Dhimitraq Gjini, Orion Hoxhaj, etj.

Studimet tona tregojnë se në këtë betejë të vështirë dhe fisnike pothuajse janë djegur të pesë etapat e komplikimit dhe sofistikimit të krimit të organizuar që janë grumbullimi i kapitaleve për investimin e krimit të organizuar, infiltrimi i subjekteve kriminale në sektorët që merren me trafiqet, tenderimet, sistemet e kontrollit; zëvendësimi i konkurrencës së ndershme me të kundërtën e saj, duke lehtësuar krijimin e monopoleve; futja e kapitaleve të pista në sistemin financiar të ligjshëm si dhe përsosja e sistemeve të tyre organizative, duke shfrytëzuar teknologjinë elektronike,etj. Problem mbetet ende trafikimi i paligjshëm i fëmijëve në Itali e Greqi. Nisur nga këto kushte pranë Qendrës është ngritur Agjencia e Kërkimit dhe e Identifikimit të personave të humbur, kryesisht për gjetjen dhe identifikimin e fëmijëve. Ndonëse është një periudhë paksa e shkurtër ne kemi filiale jo vetëm në të gjitha Prefekturat e vendit, por edhe në vendet ku ka shumë shqiptarë dhe emigrantë si në Kosovë, Maqedoni, në Mbretërinë e Bashkuar. Po punohet për ngritjen e filialeve në Greqi, Gjermani, Austri e në vende të tjera ku ka komunitet shqiptar dhe për një shtrirje të mëtejshme në Itali, Zvicër, Belgjikë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo shtrirje po shkon edhe në Emiratet e Bashkuara, në Francë, etj.

Kjo shpërndarje e madhe ka nxitur një punë shumë të kualifikuar nga specialistë tanë. Në zbatim të qëllimit, misionit dhe realizimit të objektivave te Qendrës, krahas takimeve të ndryshme të ndërmarra në vendin tonë nga drejtuesit e Qendrës dhe të bordeve, siç mund të përmendin veç kreut të qendrës, kanë qenë edhe nëndrejtori, zoti Luan Musabelliu, drejtori i bordit të Sigurisë, zoti Gazmend Dardha, drejtori i Bordit të Trajnimit, zoti Arqile Kosta, drejtori i Filialit të Kavajës, zoti Besnik Hasa, drejtori i filialit të Vlorës, zoti Fatos Ismaili etj., të cilët kanë bashkëvepruar shpesh me autoritetet shtetërore. Kemi dërguar një grup pune me ekspertë të qendrës në Itali në muajin prill të këtij viti të drejtuar nga drejtori i filialit të Mbreterisë së Bashkuar, zoti Ylli Toska. Gjatë këtij turneu u realizuan disa takime të rëndësishme si në Romë, Milano, Firence, Prato e disa qytete të tjera për të vendosur urat e bashkëpunimit ndërmjet Qendrës sonë dhe organizatave të tjera homologe si private apo shtetërore në Itali për parandalimin e krimit në komunitetin shqiptar në radhët e emigrantëve.

- Cilat janë marrëdhëniet tuaja me organet shtetërore të kësaj fushe që mbuloni?

- Megjithëse janë realizuar nga ana ime dhe nga titullarë të tjerë takime me zyrtarë të lartë të shtetit, mendoj se duhet të bëhet më shumë për të siguruar një bashkëveprim me këto instanca. Ne kemi bashkëpunuar e bashkëpunojmë mirë me disa shefa krimesh dhe inspektorë të ndryshëm policie. Mbetet që shteti të ketë edhe një trajtim më të mirë financiar për këtë strukturë që e mbështet shumë mirë luftën kundër trafikut të organizuar e terrorizmit...

- Si keni punuar e punoni për kualifikimin e stafit tuaj?

- Rëndësi i kemi kushtuar përgatitjes profesionale të të gjithë anëtarëve të qendrës veçanërisht në drejtim të perfeksionimit të Kodit të Etikës dhe problemeve të bashkëpunimit me organet e policisë dhe organizmave të tjera që merren me parandalimin e krimit në komunitet. Kemi bërë kurse profesionale në drejtim të kërkimit të personave të humbur apo të trafikuar, persona që kërkohen nga familjarët apo policia si shtetas shqiptarë apo shtetas të huaj resident në vendin tonë. Qendra ka një staf të përzgjedhurish, jo vetëm në fushën profesionale, juridike, shkencave sociale e ato ekzakte, por dhe me një integritet moral e shoqëror të lakmueshëm. Falë një organizimi përfekt, kilometra larg nivelit të profesionistëve, që i janë atashuar ekzekutivit në ditët e sotme, kjo Qendër, me filialet e saj jashtë shtetit, ofron një sërë mundësish gjithnjë në interes të vendit e kombit tonë, të drejtësisë dhe familjarëve që nuk kanë mundësi të çajnë për problemet e tyre jashtë shtetit.

- Çfarë shërbimesh iu ofroni njerëzve të thjeshtë komunitetit?

- Në këto shërbime që Qendra jonë ofron mund të përmendim verifikim të identiteteve të rreme për çdo arësye qoftë,verifikim për trafikun e fëmijëve, femrave etj., verifikim të të trafikuarve për transplant organesh, verifikim të adresave dhe gjendjes së të birësuarëve shqiptarë nga shtetas të huaj e që kanë humbur me apo pa dashje adresat. informacione në fushën e fallsifikimit të dokumentave zyrtare dhe autencitetit të tyre, për mashtrimet e mundshme në fushën e vizave. për mashtrimet dhe fallsifikimet në fushën e pronësisë, brenda dhe jashte vendit.

- Cila është përvoja juaj personale në këtë fushë?

- Aktualisht jam oficer në rëzervë, specialist i lartë i Shërbimit Informativ Shteteror, Policisë dhe Kufirit Shtetëror, i mirëtrajnuar në drejtimin e luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Mirëpo, fatkeqësisht, si rezultat i politikës dashakeqe, të qëllimtë dhe të etur për pushtet të disa politikanëve mjeranë dhe antishqiptarë, më kanë larguar nga këto struktura mua e shumë të tjerë. Pas viteve 1990 e deri në ditët e sotme, duke luajtur për 18 vjet me radhë kartën e reformave institucionale, janë flakur në rrugë pa kriter shumë specialistë të mirëfilltë të shërbimeve që përmenda apo të Ushtrisë, duke i zëvendësuar ata me simpatizantë partiakë, të paspecializuar apo të patrajnuar për të shërbyer në këto instanca, kështu që janë krijuar probleme në mbarëvajtjen e tyre. Përsa i përket përvojës time personale në drejtim të luftës kundër terrorizmit dhe krimit, flet qartë puna ime.

Zanati më ka përkëdhelur dhe them me plot bindje që zemrën ma ka bërë më të gjërë se sa kraharori. I përkas specialitëteve të Kufirit, të Policisë së Shtetit dhe të Kufirit Shtetëror. Gjatë një përiudhën 26-vjeçare kam kryer të paktën 10 kurse me një shpërndarje të ndryshme kohore, kryesisht amerikane. Karriera ime profesionale përmban një periudhë mbi 30-vjeçare në Degën e Punëve të Brendshme të disa rretheve, në shërbimin e ambasadave, në atë të kufirit, të Shërbimit të Sigurisë, etj. Në vitin 1999 jam dekoruar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si: “Specialist i Luftës Kundër Terrorizmit”. Kam qënë me detyra operative kundër terrorizmit jashtë Shqipërisë. Aktualisht jam Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimit të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar, Drejtor i Agjencisë Kërkimit dhe Identifikimit, si dhe Drejtor Administrativ e Drejtues Teknik i Shoqërisë së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike “Shqiponja SECURITY” ( Polici Private ). Jam koordinator i Forumit Politik të Ballkanit për Luftën Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar. autor i disa temave profesionale të Shërbimit Sekret. autor i disa shkrimeve në shtypin shqiptar për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, trajnues i disa kurseve speciale kualifikimi të kursantëve në Shërbimin Sekret Shqiptar, trajnues i një kursi special të oficerëve të Shërbimit Sekret Kosovar në Prishtinë, etj.

- Cilat janë marrëdhëniet tuaja me librin?

- Kam patur fat që familja ime, duke filluar nga babai im Xhavit Ferra, një ish oficer i lartë i Ministrisë së Brendshme në luftën kundër krimit, një dashamirës dhe koleksioner i librit, duke filluar që nga librat me tregime, romane, jo vetëm ato të Realizmit Socialist, por dhe ato romane të ashtuquajtura “të verdha”, të ndaluara nga regjimi i asaj kohe, është arsimdashëse. Për fat të mirë kishim një bilbliotekë të pasur të familjes sonë ku regjistroheshin rreth 1200 libra. Im atë ishte dhe vazhdon të jetë dhe tani në moshën 85-vjeçare një lexues i rregullt i librit, trashëgimi, të cilën na e ka lënë dhe neve, fëmijëve të tij. Një fakt interesant, gjatë kohës që ka qenë me studime për kriminologji në Bashkimin Sovjetik, në fillimin e viteve ‘50, pas mbarimit të studimeve, kur u kthye në Shqipëri, pjesa më e madhe e shokëve të tij erdhën me valixhe të mbushura me sende të ndryshme, ndërsa babai im, në vend të sendeve, valixhet i kish mbushur plot me libra të blera në Rusi. Në faqen e parë dhe në faqen nr. 25 ishte dhe mbishkrimi i vulës “Biblioteka Ferra “. Jo vetëm që këto libra lexoheshin nga ana jonë, por vinin dhe shumë dashamirës të librit, miq e shokë të familjes sonë dhe merrnin prej tyre, i lexonin dhe i kthenin përsëri. Ndonjëri që e vononte, im atë shkonte dhe ia kërkonte. Që në moshë të vogël, sapo mësova të lexoj, në shkollën fillore, u pasionova pas librave profesionalë kundër krimit që babai im i kishte me shumicë. Mund të përmend sot se vëllimet Manual të Hetuesit apo dorëshkrimet e tij me kujtime apo tema profesionale të përgatitura nga vetë ai, nuk shpëtonin pa kaluar dhe në duart e mia. I shfletoja ato me kujdesin dhe vemendjen më të madhe, pasi pjesa dërrmuese e tyre bënin fjalë për luftën kundër krimit apo bandave kriminale, vjedhjeve të pasurisë, vrasjeve e tjera, tregime policeske. Gjatë studimit të tyre m’u krijua e m’u shtua dita-ditës vullneti për librin dhe specialiteti kundër krimit. Kjo ka qenë dhe arsye kryesore që unë së bashku me vëllanë tim, Vladimirin, ndoqëm rrugën e babait tonë, duke filluar punë në organet e punëve të brendshme.

- Cilat janë disa nga mendimet tuaja për luftën kundër krimit?

- Së pari, duhet thënë me plot gojë se lufta kundër krimit kërkon mundim e përpjekje të të gjithëve. Ky problem kombëtar, por edhe ndërkombëtar kërkon që të bëhen veprimtari emergjente nga shteti e nga komuniteti. Kjo duhet bërë në dy drejtime kryesore, në luftën kundër korrupsionit, i cili prek nivele të larta të institucioneve (që kanë detyra funksionale) dhe në atë të luftës dhe parandalimit të krimit ordiner, pas së cilit sofistikohet dhe kamuflohet oganizimi i veprimtarisë kriminale dhe multikriminale, me kapacitete e mundësi potenciale, të cilat, për fat të keq, zhvillohen jashtë orbitës të veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me ligj, për ta zbuluar dhe parandaluar. Duhen bërë edhe më konkrete kontrollet e brendshme të këtyre sektorëve, sepse nuk kanë qenë sa duhet brenda objektit të punës së tyre. Pa u futur në analizën konkrete të këtyre shkaqeve, ne, në stadin aktual, konsiderojmë prioritarë dy momente kryesore, të cilat nuk janë patur sa duhet parasysh. 1. Krimit të organizuar është lënë "pa e trazuar", kohë e gjatë ( rreth 15 vjetë ), për të përsosur format e metodat e veprimtarisë së tij kriminale. Krimi tani është bërë më i sofistuikuar. 2. Lënia në plan të dytë, teorikisht dhe praktikisht, i zbulimit dhe parandalimit të krimit të organizuar, pra, nuk zbatohen forma e metoda komplekse të teknikës informative, shoqëruar kjo me investime, stimulime dhe paisje elektronike bashkëkohore. Ndihma jonë konsiston në dhënien e metodikave adekuate për parandalimin e krimeve me rrezikshmëri shoqërore jashtë dhe brenda territorit të Shqipërisë, në përpilimin e hartave gjeokrimale, sidomos të krimit të organizuar, i cili vitet e fundit është komplikuar dhe sofistikuar, si dhe ndihmë konkrete me anë të shkëmbimit të informacioneve, që do të mundësonin vendosjen sa më të shpejtë të kontakteve psikologjike dhe profesionale me kontingjentet e këtyre lloj krimesh.

Për këtë, së pari, Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 29 Qershorit, duhet të merret me strukturimin e organeve ekzekutive të ngarkuara me ligj, për zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale, përndryshe është dhe do të krijohet një vakum për sa i takon parandalimit të kësaj veprimtarie. Së dyti duhet seriozitet i madh, meqenëse, në përgjithësi, krimi i organizuar dhe kupolat e tij, janë pothuajse të paprekura, për shkaqe tashmë që dihen, të lidhjes së krimeve ordinere me ato "intelektuale", ku segmente të caktuara të politikës janë të lidhura dhe se ndikimi i saj në institucionet e "pavarura prokurori- gjykatë" ishte evident, gjë që argumentohet me faktin e arrestimit vetëm të shoferëve trafikantë, spaçatorëve të drogës, të delinkuentëve ordinerë, ndërsa, në përgjithësi, organizatorët, pronarët e drogave, bosët e trafiqeve mbeten jashtë procedimeve penale. Së treti, duhet bashkëpunim më i madh me organizma ndërkombëtare si BE, Departamenti i Shtetit Amerikan, si dhe institucione të angazhuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat kanë vënë në dukje intesitetin dhe rrezikshmërinë e këtyre krimeve, sidomos trafikimit të paligjshëm të të rinjve dhe të adoleshentëve.

Gjithashtu, duke analizuar statistikat e organeve hetimore, investigative dhe gjyqësore, mendojmë se nga një anë media, komunitetet, parlamenti etj., duhet ta paraqesin gjendjen emergjente, sidomos rritjen drastike të krimit të organizuar dhe të korrupsionit si pjesë substanciale e tij. E themi këtë se, praktikisht, për pastrimin e parave, bie fjala, nuk është çuar deri në fund asnjë çështje penale, ndërsa për luftën ndaj trafikimit të drogës edhe pse ka ecuri, puna bëhet me hope. Pra, jo vetëm strukturat përkatëse, por i gjithë opinioni shqiptar duhet të mobilizohet në luftë kundër krimit.
Ju faleminderit!

Intervistoi:
Namik Selmani

No comments: