Thursday, November 19, 2009

Çamja vizionare

E quajnë Arjeta Çumani. Është nga qyteti i Fierit. Kushdo që e njeh nuk e ka aspak të vështirë të ndërtojë portretin e saj: vajzë ezmerkë, shtatlartë dhe me shumë klas. Pamja e saj serioze, duket sikur të thotë, që me takimin e parë: “Fillimisht flasim për punë e më pas, nëse na tepron koha, që më së shumti nuk arrin e jo më të teprojë, themi edhe ndonjë gjë më shumë”…
E rritur në një familje, ku gërshetoheshin më së miri traditat çame të të atit dhe ato beratase të së ëmës, Arjeta u brumos me më të mirat e mundshme.
“Babai im, Bajram Çumani, - rrëfen ajo - është çam nga fshati Kuç i Igumenicës së Çamërisë, ndërsa nëna ime, ndjesë pastë, rridhte nga një familje qytetare beratase. Them se kam marrë nga të dy prindërit në mënyrë të barabartë: nga mamaja kam marrë kërkesën që gjithçka në jetë të synohet si një perfeksion. Ajo qe një grua e fortë dhe shumë e zonja dhe modeli im i parë deri më sot, më i plotë, i përsosmërisë së një gruaje. Nga babai trashëgoj besnikërinë, karakterin e fortë dhe aftësitë për organizimin e punëve. Ai është njeri që shquhet për lidhje të forta me miqtë. Nga ai kam mësuar të mos jem kurrë pjesë e së keqes, pasi pika e tij më e fortë është orjentimi drejt së mirës. Im atë ishte vetëm trembëdhjetë vjeç kur familja e tij u shpërngul nga Çamëria në drejtim të Shqipërisë. Ai mbeti jetim, nga babai, dy vjet më vonë. Ishte më i madhi ndër fëmijët, kështu që iu desh të ishte edhe baba edhe vëlla i katër vëllezërve të tjerë”.
Teksa e dëgjon të flasë për familjen dhe njerëzit e saj të dashur, në sytë e kaftë i lexohet pa shumë mundim një gëzim i madh që nxjerr në dritë një anë tjetër të karakterit të saj, dashurinë për të afërmit dhe njerëzit e mirë, gjë që zakonisht ia fsheh pamja e rreptë prej zyrtareje.
“Kam dy motra dhe një vëlla, - vazhdon të tregojë ajo. - Ime motër, Silvana, dhe im vëlla, Blendi, jetojnë prej vitesh në Amerikë. Silvana është diplomuar për Stomatologji dhe është e para shqiptare që ka arritur të konvertojë diplomën, duke iu nënshtruar një testi, ku nga 300 pikë të mundshme ka arritur të marrë 295 pikë, ndërsa Blendi është diplomuar për Kirurgji. Ai ka arritur të mbrojë diplomën me një rezultat shumë të mirë, nga 100 pikë të mundshme mori 97 pikë, gjë që i krijoi mundësinë për të qenë një mjek specialist i parapëlqyer”.
Ndër njerëzit e afërm për të cilët Arjeta flet me dashuri dhe respekt, bën pjesë edhe gjyshja Zybe, shamibardhë e me çitjane blu me lule të bardha, gjyshe nga babai, e cila e kishte fjalën të ëmbël si mjalti aromatik i Çamërisë. Në veçanti ajo përmend edhe Çuman Çumanin, xhaxhai i saj.
“Xhaxha Çumani jeton në Amerikë, - thotë me krenari Arjeta. - Ai ka botuar dy libra me poezi, kryesisht për Çamërinë. Përveç se vëllai i babait tim, ai është burrë inteligjent që më bën të ndihem krenare, veçanërisht për faktin se po u mëson nipërve dhe mbesave, që jetojnë atje, të flasin shumë mirë shqip...
Arjeta ka punuar që në moshë të re dhe vlerat njerëzore, sipas saj, maten me atë që njeriu bën në jetë.
“Njeriu i parë që më ka bërë të ndihem e vlerësuar në punë ka qenë Afërdita Beqiri, inxhinjeria kimiste e fermës së Levanit, Fier, ku unë u caktova të punoja pasi mbarova gjimnazin, - vijon më tej Arjeta. - Edhe pse kam qenë nxënëse shumë e mirë, vonë e kam marrë vesh se bëja pjesë në listën e nxënësve që duhej t’u ulej mesatarja për arsye të ceneve në biografi. Vite më pas arrita të diplomohesha me korrespondencë për “Financë Agrare” në Universitetin e Kamzës, në Tiranë”.
Arjeta nuk harron, për asnjë moment, të jetë mirënjohëse për këdo që ka ndikuar sadopak në përsosjen dhe profesionalizmin e saj.
“Ndër njerëzit që më kanë dhënë shtysë dhe kanë ndikuar në përsosjen time profesionale, bën pjesë, padyshim, profesori im i kontabilitetit Leandro Haxhi dhe profesor Baki Berberi, i cili na dha mundësinë të jepnim shumë provime, teste, që bënë të mundur vënien e emrit tim në elitat e profesionit dhe që sot të jem Eksperte Kontabël e Autorizuar (IEKA), - krenohet Arjeta. - Me respekt kujtoj edhe Hasan Halilin, udhëheqësin e diplomës, - shton ajo.
Vajzë energjike dhe shumë kërkuese nga vetja, Arjeta nuk do të mjaftohej vetëm me një profesion. Ja si e plotëson portretin e saj ajo:
“Në kushtet e një trazicioni të tejzgjatur ku çdo punë ka ulje-ngritjet e veta, jam munduar të bëj atë që kisha në dorë: të përsosja veten profesionalisht. Si fillim mora një tjetër licensë, atë të Ekspertes së Pasurive të Paluajtshme dhe organizova disa kurse kompjuteri, përmes të cilëve arrita të përshtas tetë programe kontabiliteti, duke i bërë ato të flasin shqip. Eksperiencë e veçantë në jetën time dhe natyrisht tepër mbresëlënëse, ka qenë puna e bërë gjatë viteve 2004-2008, kohë në të cilën grupi i deputetëve të Patrisë Demokratike, për Qarkun e Fierit, më besoi detyrën e kryetares së tatimeve në qytetin e Fierit, ku them, pa modesti, se kam dhënë më të mirën që mund të jepja. Për punën time si drejtuese tatimore janë shprehur me respekt shumë zyrtarë të lartë shqiptarë si dhe profesionistë e ekspertë të huaj të kësaj fushe. Në korrik 2006 erdhi në Shqipëri një Mision Suedes, i cili midis të tjerash, organizoi një vizitë studimore në Lushnjë dhe Fier. Këshilltarët e këtij misioni u ftuan të vizitonin të gjitha zytare e degëve lokale të tatimeve në Lushnjë dhe Fier. Në këto degë janë krijuar qendra me një ndalesë për të cilat Administrata Tatimore bashkëpunon me organe dhe institucione të tjera, bankën dhe postën. Dega e Fierit ishte diçka krejt e ndryshme në Administratën Tatimore Shqiptare, shumë tërheqëse dhe premtuese për të ardhmen. Këshilltarët i shprehën mirënjohjen e tyre zotërisë Kasem Seferi, i cili i shoqëronte. Fieri është një shembull i mirë i përpjekjeve që bëhen që cilësia e shërbimit për tatimpaguesit të përputhet me cilësinë e ambientit, u shprehën entuziastë ata. Më vonë erdhi për vizitë në Fier edhe Misioni Sfida e Mijëvjeçarit i USAID. Ky mision u shpreh se rasti studimor në Degën e Taksave në Fier ishte i rrallë. Zyra e Degës së Taksave për rajonin e Fierit u zgjodh prej tyre si një rast i veçantë, si model studimi jo vetëm për Shqipërinë. Dega e Taksave në Fier është një zyrë lokale moderne, e mirorganizuar, në dy kate. Këto ndryshime nuk mund të ishin të mundura, po të mos ishte në krye të punëve një drejtor i ri me kaq përvojë, si Arjeta Çumani. Është drejtuese me vizion dhe e di mirë çfarë duhet të bëjë. Kombinimi i elementeve profesionalë me ambicjen e fortë që ajo ka në punë është arsyeja pse kjo zyrë funksionon mirë në krahasim me shumë zyra të tjera tatimore, u shprehën misionarët ekspertë, - rrëfen jo pa krenari Arjeta”.
Duke biseduar me vajzën vizionare Arjeta Çumani, nuk e kisha aspak të vështirë të kuptoja se pas atij portreti, në dukje të sertë e të prerë, vetëm për punë, fshihej një zonjë e vërtetë, që të rrëmben e të bën për vete me ato që thotë. E gjeta veten duke menduar për shprehjen e Oscar Wilde: “Gratë janë lindur vetëm për t’u dashur dhe jo për t’u kuptuar”!...

Dylbere Dika

No comments: