Sunday, May 4, 2008

Artisti e qytetari Vladimir Llakaj

Vladimir Llakaj lindi më 6 maj të vitit 1967 në Gramsh. Ai është një ndër piktorët dhe skulptorët shqiptarë më të spikatur të brezit të vet.

Çuman Llakaj, babai i Vladimirit, ishte oficer i Ministrisë së Brendshme dhe e transferonin shpesh në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, ku ai vendosej përkohësisht bashkë me familjen. Në të tilla kushte Vladimir Llakaj gjer në moshën dy vjeçare ka jetuar në Gramsh, pastaj për katër vjetë në Durrës e më vonë në Fier. Shkollën fillore, tetëvjeçare dhe të mesmen Vladimiri i mbaroi në qytetin e Fierit. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai shkoi dy vjet ushtar në Librazhd.

Në vitin 1990 Vladimiri konkuroi në Institutin e Lartë të Arteve në degën e Skulpturës në Tiranë dhe fitoi të drejtën e studimit. E filloi këtë degë, por në mars të vitit 1991 e la dhe emigroi në Itali si shumë shqiptarë të tjerë. U vendos në L’Aquila ku punonte si gjithë emigrantët. Ndërkohë në vitin 1991 Vladimiri konkuroi, fitoi konkursin dhe filloi Akademinë e Arteve të Bukura në degën e Skulpturës Monumentale në L’Aquila. Vitin e fundit të kësaj shkolle ai e përfundoi në Bolonja të Italisë dhe u diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1996.

Për katër vjet, deri në vitin 2000, Vladimir Llakaj jetoi dhe punoi në Firence të Italisë. Gjatë kohës së qëndrimit në Itali ai ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare pikture e skulpture me autorë italianë e të huaj.

Në vitin 2000 u kthye në Shqipëri. Për tre vjet resht punoi me përkushtim rreth tematikës e problematikës së infrastrukturës arkitekturore të qyteteve shqiptare e veçanërisht kryeqytetit, Tiranës, dhe ndikimit të saj në psikologjinë shoqërore, duke i kurorëzuar me një ekspozitë personale me punime në pikturë. Ladi është pjesëmarrës i shumë konkurseve kombëtare e ndërkombëtare, ku ka fituar çmime të ndryshme në pikturë dhe skulpturë.

Në vitin 2003 ai filloi punë si pedagog i jashtëm i Skulpturës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 2006 u emërua si pedagog i brendshëm i përhershëm për Skulpturën në Akademinë e Arteve në Tiranë. Artisti Vladimir Llakaj ka realizuar shumë vepra në pikturë e skulpturë, të cilat janë mirëpritur nga artdashësit shiptarë dhe vlerësuar nga kritika.

Vladimiri është bashkëpunëtor i rregullt i shtypit letraro-artistik, veçanërisht i revistës "Krahu i shqiponjës" dhe gazetës "Drita". Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ai ka publikuar shumë vepra, por disa më kryesoret janë:

"Kërcënim i ndërsjelltë", pikturë (2002), Tiranë
"Kaosi urbanistik", pikturë (2003), Tiranë
"Pështjellim i mundimshëm", pikturë (2004), Tiranë
"Qetësi utopike", pikturë (2004), Tiranë
"Qyteti i shpenguar", pikturë (2004), Tiranë
" Monumenti i Arben Brocit", skulpturë (2006), Tiranë
"Portreti i Skënderbeut", skulpturë (2006), Tiranë
"Porteti i Nënë Terezës", bocet skulpture (2007), Tiranë

Vladimir Llakaj është një artist që i përket skulpturës monumentale bashkëkohore, njëherësh sa klasike, realiste e moderne.

Kostaq Myrtaj

4 comments:

LIKJA said...

epo me falni mua atehere,paska bere goxha karriere ky Vladimiri se paskeni keq ju qe i dhenkeni kaq levdata.e paska te blindume CV ky tipi or shok.sidoqofte ate cigaren e hashashit nqs e keni ma jepni se mu ca huna ta thith i here.pershendetje te perzemerta nga Likja dhe ju uroj gjithe te mirat

Albana S said...

Vladimiri eshte nje nga piktoret dhe skulptoret me te talentuar qe kam njofur ne jeten time qe kur kam qene femije.Ai eshte nje talent i lindur dhe i takon cdo vleresim qe i behet per punen e tije.I uroje gjithe te mirat ne jete dhe ne familje dhe te punofte dora sa me shume piktura dhe skulptura.Bye

HeezyB said...

I saw your paintings Vladimir and sculptures and I was amazed by your work. I think your work should be recognized by people all over the world. I hope all the best for you and your family.

nexh said...

...Vladimiri pervec se eshte shume i talentuar eshte dhe nje njeri shume i mire,shquhet per mendjen e tij dhe mprehtesine e saj...ka nje familje te mrekullueshme te cilen ai e ka te shenjte...Akademia e Arteve duhet t'ja dije vlerat dhe ta mbeshtese fort ate..i uroj gjithe te mirat me familjen