Monday, April 7, 2008

Mësuesja që nuk i njeh kufijtë e dështimit

Mbresa nga jeta e shkrimtares Liri Hidërshaj

Rrallëherë ndodh të takosh gra me vullnet të hekurt, që përveç detyrës si bashkëshorte besnike dhe nëna të përkushtuara, mundohen t'i japin jetës së tyre një kuptim të veçantë, kuptimin për të qenë jo vetëm të dobishme në familje, por edhe pjesë integrale e shoqërisë. Një prej tyre është mësuesja dhe shkrimtarja, tashmë e afirmuar, Liri Hidërshaj, e cila vjen nga qyteti i Skraparit.
Ja si rrëfehet ajo për veten e saj:

- Kam lindur më 1953 në Gjerbës të Skraparit. Shkollën e mesme e kam mbaruar në Çorovodvë në vitin 1972. Studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe i kreva në qytetin e Elbasanit. Jeta e gjimnazit është e bukur, por për mua ka një veçanti më shumë sepse aty kam njohur bashkëshortin, bashkudhëtarin e jetës sime. Jam nënë e tre vajzave dhe e një djali të shkëlqyer. Tashmë jam edhe gjyshe e dy mbesave e një nipi dhe shumë shpejt pres të më lindë edhe një nip tjetër. Prej tridhjetë e dy vjetësh merrem me profesionin e mësueses. Tani punoj në shkollën 9-vjeçare "Ramazan Jarani" të qytetit të Tiranës, ku banoj që prej vitit 1997.

Kanë kaluar më shumë se dy vjet nga dita kur ajo erdhi në redaksinë e revistës sonë, për të më takuar mua, redaktoren e librit të saj të parë, me poezi, "Klithmë shpirti", por ende e ruaj në kujtese shprehjen që i mori fyryra kur u prezantuam:

- Ju, një vajzë kaq e re, keni redaktuar librin tim?! - shpërtheu ajo e çuditur. - Kisha përshtypjen se do të takoja një grua të moshës sime a mos më shumë...

Sot bisedat tona janë bërë më të lirshme dhe nuk i njohin aspak kufijtë e diversitetit të moshave. Dikur krejt të panjohura, kurse sot diskutojmë për politikë, flasim plot pasion për letërsinë, punën dhe jetën në përgjithësi.

Për mësuese Lirinë edhe detaji më i vogël ka rëndësinë e vet. Kjo vihet re edhe në mënyrën se si ajo flet rreth tre librave të botuar:

- "Klithmë shpirti" është hapi im i parë në fushën e poezisë. Më bluajnë në shpirt sakrificat që bëjnë njerëzit e mirë dhe në veçanti ato që ka bërë nëna ime për ne, fëmijët e saj. S'e di në e kam përshkruar si duhet një sakrificë të tillë në novelën "Mëkim shpirtëror", ku tiparet e nënës sime i kam mishëruar te një nga personazhet kryesore, një grua e moshuar e stërmunduar nga jeta si gjithë nënat. Novela "Rrëfimi" e merr subjektin nga problemet e ndryshme që hasin shpesh mësuesit në shkollë. Të më falë Andi dhe të gjithë fëmijët që kanë probleme në familjet e tyre. Nuk kam dashur t'i lëndoj, por do të doja t'i thoshja kësaj bote të mbrapshte: "Mjaft, se na i vrave të pafajshmit"!

Në krijimtarinë e saj letrare Liria e merr frymëzimin nga jeta plot pathos e fshatit, nga vështirësitë, ankthet dhe të papriturat që të shoqërojnë kudo. Ajo shkruan me respest të veçantë për njerëzit e punës dhe mundohet që nëpërmjet tyre të mishërojë të mirat reale të kësaj bote...

Liria flet gjithë pasion për shkrimtarët që kanë ndikuar në krijimtarinë e saj:

- Më pëlqen krijimtaria e poetit Dritëro Agolli. Ajo është si një gur i çmuar që i reziston kohërave... S'mund të lë pa përmendur stilin e mrekullueshëm rrëfimtar të Jakov Xoxës, ngrohtësinë që të jep "Juga e Bardhë" dhe fantazinë që të zgjon "Luija e Kripës"... E admiroj Mimoza Ahmetin, poezitë e saj janë plot ndjenjë. .. "Këpucët" e Visar Zhitit të veçanta dhe të çmueshme në ekspozitën e këpucëve...

Tek bisedon me të nuk e ke aspak të vështirë të dallosh se preferencat e saj janë të gjithanshme. Ajo nuk e sheh jetën vetëm në kornizën e zakonshme të gruas që pas punës duhet të kthehet e të merret me punët e shtëpisë, por i pëlqen shumë të shkruajë, të lexojë, të ndajë pasditet me miqtë si dhe të shëtisë...
Për më tepër ajo shprehet:

- Më pëlqen stina e vjeshtës me gjethet e verdha në portokalli... Adhuroj detin... Sytë që nuk lodhen së zhbiruari, zemrën me aftësinë e saj për të pulsuar gjakun e jetës pambarimisht... Ruaj sende dhe objekte që lidhen me familjen, origjinën, dhuratat me vlerë... Ruaj një stilograf nga vëllai i madh që nuk jeton më, një gramafon të babait, mbajtëse mjalti nga nëna, një letër të shkruar nga vjehrri që para tridhjetë e tre vjetësh, kur isha studente... Adhuroj udhëtimet turistike... ruaj mbresa të jashtëzakonshme nga ngjitja në malin e Tomorrit, nga pushimet në Dhërmi, Ohër, Mal të Zi, Shkodër ... në Londër, Kinë, etj ...

Mësuesja dhe autorja e tri librave, njëri më i bukur se tjetri, Liri Hidërshaj nuk e njeh dështimin. Çdo gjë të re që sjell jeta për të e merr si një ftesë për ta ndjekur, për të ecur me kohën... Mes shumë të tjerash ajo nuk lë kurrë pa përmendur mbesat e saj të vogla, Kristinën simpatike dhe Isabelën sybojeqielli. Ka shumë për të thënë për mbesat... "Do të dal sërish sivjet t'i pres në aeroport. Ju them se shumë i dua… Po pres"...

Liri Hidërshaj është mësuesja e palodhur që nuk mërzitet kurrë me nxënësit e vet, është shkrimtaria që premton shumë e mbi të gjitha nëna dhe gjyshja me dashuri të pashtershme... është gruaja ku shkrihen më së miri vyrtyti, shpirtmirësia dhe dëshira për të jetuar në paqe me botën dhe njerëzit...

Dylbere DIKA