Tuesday, April 22, 2008

Homazh për Heronjtë e Çamërisë
Shënime për librin "Çamëria: Balada e fustanellave"
e shkrimtarit Bido Ibrahimi

Lexuesit i jepet në dorë një libër simbolik me tregime elegjiake, që me të drejtë do ta quanim "Baladë e përgjakur",.

Shkrimtari trajton një temë prekëse, duke e bërë lexuesin që t’i rëndohet frymëmarrja si pa e kuptuar. Përveç këtij gjerdani me tregime, ngrihet në epos novela e tipit dedektiv me tiull "Klarita Dino". Ky libër, me tamatikën e vet të një lloji të veçantë, nga fillimi e deri në fund është një homazh për heronjtë e Çamërisë...

Që në rreshat e parë, dalin në pah, dëgjohen rënkimet e një popullate paqësore që u shkel barbarisht jo vetëm në gjoks, por edhe në zemër... Nuk do ta tepronim, po ta quanim barbarinë helene: "Nata e gjatë e Shën-Bartolomeut". Në këtë vëllim parakalojnë "fitimtarë" me thika në gojë dhe viktima me kokë të prera... Ja, ky është paradoksi i një shekulli të përgjakur, ku viktimat (edhe në varr) kërkojnë drejtësinë hyjnore, por... edhe njerëzore. E, për çudi, edhe sot e kësaj dite asnjë nga mëkatarët nuk ka shkuar përpara Altarit (qoftë edhe për një pendesë të thjeshtë), për viktimat e pasardhësve të Pirros së Epirit... Në shekullin e ri, vetëm krahina e Thesprotisë "dergjet e rënkon" nën thundrën e rëndë shoveno-helene. Në shumë shtete, padrejtësitë kombëtare janë zhdukur me kohë. Vetëm ajo, Çamëria martire, pret që t’i kthehen në folenë e të parëve "Fustanellat e bardha"...

Ata që do ta lexojnë këtë libër-simbol, do të gjejnë një pjesëz të elegjisë për jetën e një populli "spartan", që kurrë nuk u gjunjëzua... Sado tronditëse që të jetë përmbajtja e këtij libri, optimizmi është bashkudhëtar i tij, nga fillimi deri në fund. Drama e fundit "Të gjallë e të vdekur", është sinonim i protestës njerëzore. Drama e kundëradmiralit Sejko, vështirë të harrohet. Autori ka mundur ta ngrejë në epos figurën e kundëradmiralit çamurjot, me vargjet e poshtëshënuara:

Dikur, n’ato brigje, një emër u skalit,
Dikush e përjetësoi, me shkronja pavdekësie:
O njerëz të mirë, një lot i rëndë pikon...
Është Sejko admirali, që dergjet e rënkon...

E, së fundi, jam plotësisht i bindur se ky libër do të reflektojë te lexuesit ngrohtësi brezash, por dhe unitet mbarëkombëtar. Është puna krijuese e një autori me diapazon letrar e patriotik si shkrimtari ynë i mirënjohur Bido Ibrahimi që mundi, lagur me lot zemre, të na japë tregime çamurjote kaq të goditura. Urojmë që në të ardhmen ky shkrimtar i sprovuar të na dhurojë të tjerë libra letrarë me tematikë elegjiake, që pavdekësia e tokës çamurjote të kalojë nga një brez në tjetrin si një stafetë e përflakur.

Skënder Hasani

1 comment: