Tuesday, March 4, 2008

Befasia – Mina Çaushi

Ata që e njohin nga afër krijuesen pesëdhjetë e katër vjeçare, Mina Çaushi, befasohen për ditë e më shumë prej energjive të saj të pashtershme si veprimtare e palodhur në shërbim të çështjes shqiptare. Por një befasi e këndshme dhe tejet mbresëlënëse është ajo edhe për miqtë e rinj e të saponjohurit. Është njeri i papërtuar, i palodhur dhe e përkushtuar gjer në prag të pamundësisë. Për këtë gëzon gjithandej respekt.

Po si mund ta përshkruash me pak fjalë portretin e saj? Mina Çaushi lindi më 28 janar 1954 në Tiranë. Është arsimuar në shkollat e qytezës së Kamzës dhe në Tiranë.

Në vitin 1979 Mina u përjashtua nga radhët e Partisë së Punës për shkak të ideve të saj demokratike dhe u detyrua të punonte në prodhim në punë të ndryshme. Megjithë punët e vështira që bënte, ajo iu përkushtua edhe krijimtarisë letrare dhe publicistike. Ka filluar të shkruajë poezi që në vitin 1970, por, për shkak të bindjeve, krijimet e saj e panë dritën e botimit vetëm pas vitit 1990, kur u rrëzua sistemi diktatorial dhe u vendos demokracia në vendin tonë.

Mina Çaushi që nga viti 1993 u largua familjarisht nga Shqipëria si emigrante ekonomike dhe u vendos në Greqi, në Athinë, me idenë e një jete më të mirë si gjithë shqiptarët që lanë atdhenë dhe mërguan në dheun e huaj.

Ajo përveç punës për të siguruar mbijetesën e saj si njeri, iu përkushtua edhe ngritjes së mëtejshme intelektuale. Ka kryer disa specializime. Tani është anëtare e Organizatës Europiane për të Drejtat e Grave.

Në vitin 1999 Mina Çaushi u shfaq si bashkautore e librit "Metanastes stin Elladha", botuar në Athinë, me shkrime disa shkrime për shqiptarët jashtë atdheut dhe ky ishte suksesi i parë intelektual i saj në emigracion.

Në vitin 2003 botoi për herë të parë vëllimin e saj poetik "Pikëllimi" dhe në vitin 2004 i vazhdoi botimet me librin e dytë poetik "Album familjar".

Në vitin 2005 botoi vëllimin poetik "Pu tha me vris" ("Ku do më gjesh") në gjuhën greke që u mirëprit nga lexuesit vendës të Athinës dhe emigrantët shqiptarë.

Në vitin 2006 Mina botoi librin poetik "Rrezatimi i copave të pasqyrës" që do të pasohej me botime të tjera në poezi, prozë e publicistikë që e bënë të njohur në qarqet letrare dhe ato të gazetarisë.

Mina Çaushi është korrespodente e revistës "Krahu i shqiponjës" për Athinën dhe Greqinë. Me shkrimet e saj ajo sjell në faqet e kësaj reviste jetën e vështirë të mërgimtarëve shqiptarë, intelektin dhe aftësinë e tyre për të mbijetuar në dheun e huaj, sidomos të grave e vajzave shqiptare.

Mina është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ajo ka botuar shumë materiale letrare e publicistike, por veprat e saj më të spikatura janë:

"Pikëllimi", poezi, Athinë, 2003
"Album familjar", poezi, Athinë, 2004
"Pu tha me vris" ("Ku do më gjesh"), poezi, Athinë, 2005, ISBN 960-408-040-7
"Rrezatimi i copave të pasqyrës", poezi, Athinë, 2006, ISBN 960-408-053-9
"Pikëllim familjar", poezi, Sh.B. "Bilal Xhaferri",Tiranë, 2006, ISBN 99927-960-7-3.

I urojmë shkrimtares Mina Çaushi suksese të mëtejshme në krijimtarinë letrare dhe në veprimtarinë e saj si pjesëtare e Forumit të Gruas Europiane.

Dylbere Dika