Sunday, January 20, 2008

Bilali ishte më i madh se sa koha dhe se njerëzit…
Dialog me Skënder Xhelo (Shuajipaj)

anëtar i Kryesisë së Lidhjes Çame në Çikago, SHBA

- Zoti Skënder, këtu në Çikago thonë se ju jeni një ndër biznesmenët më të fuqishëm të komunitetit çam, jeni edhe një nga njerëzit më të gjendur për këdo që ju drejtohet për ndihmë. Kështu flitet edhe në Shqipëri për ju. Thuhet se jeni edhe atdhetar i përkushtuar. Mund të më thoni diçka më shumë rreth personit tuaj, si mbërritët në Amerikë, si mbijetuat, si u bëtë biznesmen dhe njëkohësisht nuk hoqët dorë nga shqiptarizmi?!…
- Së pari mirëseadhët në Çikago, Shefki! Dhe urime për punën e madhe që keni bërë për të lartësuar figurën e Bilal Xhaferrit!… Nëse më lejon, do doja t’ju bëja një vërejtje para se të filloj të flas për veten… Edhe për ju flitet se keni punuar shumë atje në Shqipëri për të mbledhur fakte dhe të dhëna për Bilalin… Këtë gjë keni kaq kohë që po e bëni edhe këtu në Amerikë, veçanërisht në Çikago… Shumë mirë keni bërë!… Punë atdhetare, jo llafe! Ama, të them të vërtetën, mua më ka mbetur pak hatëri nga qëndrimi juaj!… Kur kishit dëgjuar kaq fjalë të mira për mua dhe e dinit që isha një nga shqiptarët më të mirë të Çikagos, pse nuk trokitët së pari në derën time, por më latë të fundit për të më takuar apo më saktë erdha dhe ju gjeta vetë?!…
- I nderuar Skënder, keni shumë të drejtë për vërejtjen, por të them të vërtetën, nisur nga mendimi se mund t’ju dëmtonim kohën e çmuar që i kushtoni biznesit tuaj, koha është flori për një biznesmen të suksesshëm, vendosëm t’ju shqetësonim sa më pak të ishte e mundur dhe vetëm në fund sa për të biseduar, ja si tani, rreth figurës së mikut tuaj Bilal Xhaferrit…
- Gabim! Gabim i madh, o miku im, Shefki Hysa!… Ju duhet ta dini që jam një nga njerëzit që i kam qëndruar më afër Bilalit dhe si i tillë, më takonte t’ju nderoja sa më shumë me praninë dhe ndihmën time. Megjithatë të shkuara e të harruara!… Le të kthehemi në temën e bisedës sonë… Unë jam Skënder Xhelo (Shuajipaj) nga fshati Markat i rrethit të Sarandës, fshat që bën pjesë në zonën e Konispolit, zonë e krahinës së Çamërisë, besoj e dini... Dihet edhe se komunizmi shqiptar, menjëherë pas luftës, e rëndoi gjendjen gjithandej edhe në fshatrat më të largëta, si Markati ynë… Pra, ishte e rëndë situata, sidomos për ata njerëz që u përkisnin farefisnive të dëgjuara… Ishin pikërisht kushtet e rënda që kishte krijuar diktatura komuniste me luftën e klasave, etj., që më detyruan edhe mua të arratisem në vitin 1964. Thashë, nuk durohet më!… Boll!… Dhe e mblodha për të ikur… Mora me vete gruan, motrën dhe nëpërmjet Janjarit kaluam matanë kufirit, në Greqi… Atje qëndruam për një kohë të shkurtër, në mos gaboj, nja tetë muaj dhe pastaj emigruam për në SHBA. Erdha dhe u vandosa në Çikago… Fillimisht e pata të vështirë si gjithë emigrantët. Më kupto, ishin vështirësitë e gjuhës, ato ekonomike, nuk njihnim të tjerë, kështu që filluam të bënim një jetë të thjeshtë. Unë që vitin e parë, vajta në shkollë për mësimin e gjuhës angleze, më vonë u regjistrova në fakultet për biznes. Vazhdova shkollën e natës për tre vjet me radhë, pastaj nisa të merrem me tregti. Mbaj mend se në vitin 1976 hapëm tregtinë tonë dhe na eci mbarë edhe pse ishim fillestarë. Punësuam jo vetëm veten tonë, por edhe të tjerë, edhe amerikanë punësuam në punët e ndryshme të tregtisë. Me kalimin e kohës e zgjeruam rrjetin, nga një supermarket i bëmë dy, pastaj të tretin e kështu me radhë... U bëmë bashkëpronarë dhe me kunatin (burrin e motrës). Gjatë kësaj kohe, më lindën dhe fëmijët njëri pas tjetrit, të cilët jam përpjekur t’i edukoj sa më mirë, t’i edukoj me traditat tona shqiptare. Më beso, në shtëpinë time nuk flitet anglisht, por vetëm shqip. Dhe fëmijët m’u bënë të mbarë. Me punë ditë e natë më mori jeta për mbarë… Pra, me punën dhe përpjekjen time dhe të gruas, por dhe të fëmijëve, arritëm të mbijetojmë dhe të krijojmë mirëqenien e duhur... Arritëm t’u jepnim mundësitë e duhura fëmijëve. Ato mundësi që nuk i pata unë as në Shqipëri e as këtu… Kështu që, fëmijët m’u bënë të mbarë e të edukuar ashtu siç e do vetë Zoti. Dy të mëdhenjtë kanë mbaruar për stomatologë (kemi edhe klinikën tonë private), kurse vajza më punon në administratë. Djali tjetër ka mbaruar shkollën e lartë për financë dhe merret me administrimin e tregtisë sonë… Kryesorja është se jemi të respektuar në punën tonë, në hallin tonë, siç na e do dera dhe oxhaku… Mbetëm shqiptarë të mirë në shpirt dhe në tradita…
- E po nuk flasin më kot njerëzia se Skënder Xhelua është dikushi në Çikago… Pra ju, ndryshe nga shumë familje emigrante që asimilohen në dheun e huaj, ia arritët të krijoni dhe të ruani një familje harmonike të bashkuar e të fortë, sipas traditave më të mira shqiptare. Me një fjalë i keni shpëtuar amerikanizimit… Më konkretisht, ç’punë keni bërë për të patur në vite një familje me tradita të pastra shqiptare, siç e përshkruat me gojën tuaj?!…
- Miku im, Shefki. Duhet të dish se një nga vështirësitë më të mëdha konkretisht në SHBA ose kudo tjetër jashtë vendit tënd, është çështja e asimilimit… Nuk i shpëton dot aq lehtë magjisë së botës së lirë, të josh e të përpin të tërin aq sa jepesh pas qejfeve kabareve e diskove e lloj-lloj lokaleve të natës që të tërheqin me lojërat e fatit e me lloj-lloj marifetesh gjer edhe te droga dhe harrohesh prej familjes… Harron se ke detyrime edhe për të afërmit, për prindërit e fëmijët… Për t’i shpëtuar kësaj ngasjeje djallëzore, duhet bërë patjetër një punë e madhe, se traditat që kemi ne si shqiptarë janë krejt ndryshe me traditat e vendit ku emigruam. Përndryshe konditat e Amerikës të detyrojnë të asimilohesh shumë shpejt… Që të qëndrosh shqiptar në SHBA duhet një punë jashtëzakonisht e madhe, se bota që të rrethon është krejt ndryshe. Krejt ndrysha nga Shqipëria… Ne nuk kemi asgjë të përbashkët përsa u përket zakoneve e traditës, kështu që prindërve shqiptarë emigrantë, neve, pra, na ka rënë një barrë shumë e rëndë që t’i edukojmë fëmijët me zakonet tona. Pikësëpari duhet filluar nga gjuha. Fëmijët e mi e kishin të ndaluar të flisnin anglisht në shtëpi, por edhe kur dilnin jashtë, në mjedise shqiptare. Unë i këshilloja pa u lodhur të flisnin shqip e vetëm shqip… Pra, nëse fëmija nuk njeh gjuhën e nënës, ai nuk njeh zakonet, nuk njeh traditat, nuk njeh prindërit… Përsa i përket të tjerëve, edhe shqiptaro-amerikanë çamë, disa kanë arritur të kenë rezultate të mira me fëmijët, sepse kanë punuar shumë me ta, ndërsa të tjerë, kanë punuar shumë pak dhe ngaqë fëmijët nuk kanë traditën, ata e kanë të vështirë, druhen të rrinë me bashkëkombasit, me shqiptarët… Nuk duhet harruar se ka qenë edhe dëshira e fëmijëve tanë, veç punës sonë, që na kanë dëgjuar… Ata janë brumosur me shqiptari, se për mua shqiptar të keq nuk ka, ka vetëm të mirë. Por edhe kur kanë dalë shqiptarët jo të mirë, kur vinte puna te klasifikimi, për mendimin tim, shumica e shqiptarëve janë e mbeten të mirë, megjithëse aty-këtu mund të ketë edhe jo të mirë… Të mos tregohem kategorikë…
Le të kthehemi te fëmijët e mi. Ata, duke patur idenë se shiptarët janë të mirë, e kishin vendosur në mendjen e tyre se kur të vinte koha e martesës, ashtu siç erdhi, doemos do të mos martoheshin me askënd tjetër, veçse me racën e tyre, me kombësinë e tyre… Pra, me vajza shqiptare… Kur u martua Xhelua, djali im i madh, mori një vajzë të lindur në SHBA, por nga Markati, nga fshati ynë. I dyti, njëlloj si i vëllai vendosi të merrte shqiptare dhe shkoi në Shqipëri… Atje u martua me një vajzë nga Tirana… Edhe i treti, njëlloj si vëllezërit, u martua me një vajzë nga Delvina… Edhe vajza preu biletën, ia hypi aeroplanit dhe shkoi në Shqipëri e u martua me një djalë shqiptar… Kështu, o vëlla Shefki, që edhe dy të vegjlit kur të martohen, do të martohen vetëm me vajza shqiptare. Jam i sigurt për këtë… Mos të të duket çudi, po edhe djali i djalit, edhe fëmijët e fëmijëve të mi, që janë tre-katër vjeç, nuk dinë një fjalë anglisht… Më beso, ata flasin vetëm shqip. E kanë kohën përpara për ta mësuar anglishten… Të gjithë fëmijë e nipër të mi emrat i kanë shqiptarë. Dhe e gjitha kjo, vetëm e vetëm që t’i ruhemi asimilimit… Duhet t’ia nisësh pikërisht nga të tilla gjëra të vogla, mor nga gjërat më të vogla, të mos bësh asnjë lëshim, që t’i shpëtosh asimilimit… Duhet të jesh e të bëhesh me zor shqiptar fanatik, më kupton?!... Po të ishim në Shqipëri, mund të kishim bërë lëshime, por këtu në Amerikë, në emigracion, je i detyruar të mos bësh asnjë lëshim, se ndryshe e humbet davanë… Vetëm kështu, me rregull të madh, duke i qëndruar në kokë edukimit të fëmijëve, mund ta ruash të pastër shqiptarizmin, duke filluar nga zakonet, nga feja e nga tradita. Kam bërë shumë punë që kam arritur të brumos me shqiptarizëm fëmijët e mbesat e nipërit e mi, me të cilët sot mburremi dhe krenohemi ne si familje. Eh, mor miku im, Shefki!… Nuk e di ti se sa e bukur është jeta e emigracionit në dukje e sa kurthe të ngre e sa e vështirë bëhet, po nuk dite ta përballosh me dinjitet…
- Pra ju thoni se duhet të bësh sakrifica të mëdha për të mbetur shqiptar në thelb, në emigracion?!… Shumë e drejtë!… Besoj se i tillë, shqiptar i madh, mbeti edhe Bilal Xhaferri, këtu në Amerikë, mesa di, mbase për faktin se edhe ai kaloi përmes udhës së sakrificave, mbase se ndoqi a pati të njëjtën rrugë në jetë, si gjithë të mërguarit pa dashje prej Shqipërisë, si gjithë të arratisurit e detyruar për të shpëtuar jetën… Regjimi komunist e përndoqi shumë edhe Bilal Xhaferrin. Dihet se i pushkatoi babanë si nacionalist antikomunist, nuk i la mundësi të studionte në Universitet; kur filloi të shkruante, sa pa marrë emër të madh, e trembur prej talentit të tij, censura e diktaturës komuniste i ndaloi qarkullimin e librave të botuar, i hoqi të drejtën e botimit, e përjashtoi nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe e internoi në Hamalle të Durrësit. Më pas Sigurimi i Shtetit nuk e la rehat as aty, i përgatiti dosjen për ta arrestuar e burgosur dhe Bilali u detyrua të arratisej… Dhe përfundoi këtu në Amerikë… Me sa di ju jeni miku kryesor dhe përkrahësi i tij më i madh, në mos gaboj... Bënit pjesë në të njëjtën organizatë joqeveritare, në Lidhjen Çame, dhe ishit në kryesinë e saj, në drejtimin e saj… Si bashkëpunuat, si e ndihmuat Bilal Xhaferrin që të mbetej një shqiptar i madh?…
- Më dëgjo me kujdes, Shefki. Vërtet që unë e kam mbështetur shumë Bilalin, pavarësisht se ndonjëri atje në Shqipëri pretendon se nuk e kemi ndihmuar sa duhet… Unë nuk di ç’kanë bërë të tjerët… Sot flas dhe mbaj përgjegjësi morale për veten time… Unë me Bilal Xhaferrin bie kushëri i tretë. Kur ishim të rinj, nuk patëm lidhje të afërta, se ai ishte larg, shkoi diku andej nga Durrësi… Unë, dihet, mbeta në Markat… Pastaj unë u arratisa dhe nuk patëm mundësi të takoheshim sa ishim në Shqipëri… U njohëm vonë, kur edhe ai u arratis… Kur u njohëm nga afër, në mos gaboj, ishte viti 1969, viti që ai u arratis për në Greqi… Sa më njoftuan se Bilali ndodhej në kamp, në Greqi, unë menjëherë i bëra dokumentat, tërë garancitë që i duheshin për të emigruar në SHBA. Ndërkohë shkëmbenim letra shpesh... Kur iu lejua ardhja në Amerikë, për arsye të tij, ai shkoi e u vendos në Boston. Gjatë kësaj kohe lidheshim me telefon. Pas tre vjetësh erdhi në Çikago… Pra, erdhi në vitin 1972, më duket… Sapo erdhi e prita menjëherë dhe fillova të njihesha më mirë me Bilalin... Ishte atdhetar i madh në shpirt dhe nuk rrinte dot pa bërë diçka për vëndin tënë… Ishte inisiativa e tij krijimi i një organizate si ajo e kosovarëve… Pra ata kishin Lidhjen Kosovare dhe Bilali mendoi të krijonim Lidhjen Çame… Ne, çamët, nuk kishim asnjë organizatë deri atëherë në Çikago e as në Amerikë… Mor po as në vendet e tjera nuk kishte organizatë çame, me sa di unë… Pra, ka qenë një mungesë e madhe organizimi ynë, mungesë që dëmtonte çështjen e Çamërisë dhe të Shqipërisë mbarë. Pikësëpari, duhet të bënim të ditur se ishim çamër, ta dinin të gjithë se kush ishte Çamëria… Dhe na mblodhi të gjithëve bashkë Bilali… Me punën e Bilalit u organizua Lidhja Çame… Mbaj mend se gjatë mbledhjes së parë që bëmë kishte mendime të ndryshme. Disa donin të ishte një shoqëri shqiptaro-amerikane. Disa thjesht shqiptare. Bilali thoshte që Çamëria është pjesë e Shqipërisë, është krahu i saj, prandaj duhej të bashkëpunonim edhe me atdhetarë të tjerë…
Ai e përfytyronte Shqipërinë si një shqiponjë, që gjoksin e kishte te Shqipëria e sotme, kurse njërin krah e kishte në Kosovë dhe tjetrin në Çamëri. Kështu shpjegohet edhe simboli i krahut të shqiponjës që ai përdori për të emërtuar revistën... Unë e përkraha Bilalin që në momentet e para, duke ia përforcuar atij idenë që të mos lindnin më kundërshtime të tjera… Në atë mbledhje u vendos edhe që revista e shoqërisë sonë, e Lidhjes Çame, të mbante emrin "Krahu i shqiponjës"... Edhe për këtë ishte ideja e Bilalit, pavarësisht se disa nga bashkëpunëtorët tanë mbaheshin e fryheshin sikur kushedi kush ishin…
Revista "Krahu i shqiponjës" në numrin e parë pati një përkrahje të përgjithshme, u ndihmua shumë financiarisht, pastaj në numrat e tjerë përkrahja ishte më e vogël dhe më vonë erdhi duke rënë derisa humbi fare… Ne në atë kohë kërkonim dy mbështetje: 1. morale, 2. financiare. Por në të shumtën e rasteve nuk patëm as njërën e as tjetrën, megjithëse pëpiqeshim që aty ku nuk kishim përkrahje financiare, të fitonim, të paktën, përkrahje morale… Dhe e kërkonim shumë përkrahjen morale… Mirëpo, komunistët e bënin punën e tyre edhe në mërgim… Dinin si t’i pengonin nismat atdhetare… Nga botimet që bëheshin jashtë, "Krahu i shqiponjës" ishte një nga ekstremet antikomuniste… Ajo e vinte gishtin atje ku ishte plaga. Ajo i tregonte popullit shqiptar dhimbjet, ajo i tregonte se si duhej çliruar Shqipëria, se si duhej zgjidhur çështja e Kosovës dhe e Çamërisë… Dhe ideatori, organizatori dhe drejtuesi i saj ishte i palodhuri Bilal Xhaferri…
Shumë herë kemi marrë pjesë nëpër demonstrata kundër qeverisë së atëhershme komuniste të Tiranës, si dhe për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, ndaj qeverisë jugosllave. I organizonte Bilali… Kemi bërë edhe shumë kërkesa, letra e telegrame nëpër ministritë e punëve të jashtme të SHBA e vendeve të tjera perëndimore, për këso çështjesh, etj. Njëkohësisht kemi synuar edhe zgjidhjen e çështjes çame… Dhe si gjithmonë na printe Bilali…
Regjimi komunist i Shqipërisë kritikohej edhe nga grupe të tjera që vepronin në shtete e qytete të ndryshme të SHBA. Edhe ata përpiqeshin, por prapë, linin një derë të hapur. Domethënë ata pranonin edhe disa anë të mira të komunizmit, kurse ne nuk e donim këtë derë të hapur. Sidomos Bilali. Për të ishte e mbyllur njëherë e përgjithmonë dera e komunizmit... As ai e as ne nuk mund të bënim kompromis me komunistët… Kjo ishte një nga arsyet kryesore që si komunistët e Tiranës, edhe ata të këtushmit, e urrenin shumë Bilalin. Se kishte edhe këtu në Çikago grupe marksiste-leniniste… Dhe ata e quanin Bilalin si armikun më të egër të Shqipërisë enveriste… Mbase ishte edhe kjo urrejtje arsyeja kryesore që në vitin 1978 Bilalin e plagosën disa njerëz të panjohur. Në mos gaboj, ishte mbrëmje vonë dhe ai po shkonte në
një takim që organizonin forcat politike të komunitetit shqiptaro-amerikan të Çikagos për të festuar 28 Nëntorin, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë…
Në vitin 1981, kundërshtarët e Bilalit dogjën edhe redaksinë e revistës "Krahu i shqiponjës" ku ai kishte dorëshkrimet e veprave letrare, studime, kërkime shkencore, përkthime, shënime politike, letra, piktura, fotografi, etj… Pra, ishte kurdoherë tepër i rrezikuar dhe nuk nguronte të hiqte edhe kafshatën e gojës për të botuar revistën…
Nga ana financiare shumica e ndihmave ishin të miat, jo se u përjashtuan të tjerët, por qenë kushtet të tilla… Siç ju tregova, Bilali u luftua ashpër, u luftua me një taktikë, që të izolohej. Të mbetej i vetëm, i papërkrahur si ekonomikisht edhe moralisht… Ky qe qëllimi kryesor i komunistëve, që atij t’i binte vlera, që të qëndronte në këmbë, por të bëhej i pavlefshëm, të diskreditohej… Dihej që Bilali nuk ishte i pasur, por ama qëndroi i papërkulur gjatë gjithë kohës... Nga shpirti ka qenë i lartë, krenar, i papërkulur, i palodhur. Qëndroi i tillë gjer në çastin e vdekjes. Ishte i rrezikuar jo vetëm Bilali si kryesori i revistës dhe i Lidhjes Çame, por kanosje kemi patur edhe ne që bashkoheshim e bashkëpunonim me të. Na bënin lloj-lloj presionesh, duke na imponuar frikën. Na kanoseshin për njerëzit tanë në Shqipëri, të cilët do të keqtrajtoheshin, po të vazhdonim të ndiqnim rrugën e Bilal Xhaferrit. Por ne i kishim marrë parasysh që në fillim… Të paktën, unë i kam qëndruar pranë deri në fund… Kjo është e vërteta, pavarësisht nga llafet e atyre që nuk na e duan të mirën…
- I nderuar Skënder, në mos gaboj, në një takim që keni pasur rastësisht në Shqipëri me poetin Namik Mane (besoj ju kujtohet, ka qenë njeriu që e mbështeti Bilalin gjatë periudhës së internimit në Hamalle të Durrësit, i fshehu dhe i ruajti edhe shumë nga krijimet pas arratisjes), debatuat ca dhe ai u nxeh e u shpreh ashpër: "Më kot mburreni për atdhetarizëm ju, shqiptaro-amerikanët!… Jua dërguam Bilal Xhaferrin shkrimtar të madh dhe na e kthyet kufomë"… Pse kaq i revoltuar Namiku?… Mos vallë nuk është mbështetur sa duhet Bilali nga atdhetarët çamë këtu në Amerikë?…
- Më dëgjo, Shefki… E kam theksuar disa herë që edhe Amerika ka problemet e saj… Nuk është aq e thjeshtë jetesa edhe këtu… Njerëzit përpiqen të sigurojnë bukën e familjes, kryesorja, pastaj të merren me atdhetarizëm… Bile për disa atdhetarizmi është gjëja e fundit që edhe mund t’i përkushtohen edhe jo… Mendojnë se meqë i kanë kthyer shpinën Shqipërisë dhe Amerika është bërë atdheu i tyre, përse duhet të lodhen për Shqipërinë?… Dhe me të tillët askush nuk ka kohë dhe dëshirë të merret… As Bilali nuk u mor me të tillët, i shpërfilli… Kjo është jeta, nuk u kërkon dot njerëzve të japin atë që nuk kanë dëshirë për ta dhënë… Në këtë kuptim mbase një pjesë e njerëzve tanë nuk e përkrahën Bilalin, po ç’t’i bësh?… Atdhetarizmi të lind në shpirt… nuk imponohet… Bilali ishte gatuar t’i përkushtohej atdheut dhe iu përkushtua, pa e detyruar askush… Ata që deshën ta ndiqnin e ndoqën… Ata që deshën ta ndihmonin e ndihmuan… Të tjerë e penguan… Kjo është jeta…
- I nderuar Skënder, po juve ç’ju lidhte me Bilal Xhaferrin?!…Ju lidhte më shumë farefisnia, gjaku, shoqëria, miqësia apo atdhetarizmi?
- Thonë një fjalë të urtë andej nga anët tona, nga Çamëria… Thonë që hasmin mos e duaj, po hakun ia ruaj… Pra, kur Zoti na porosit të mos ia hamë hakun as hasmit, si mund t’ia mohojmë Bilal Xhaferrit?… Më dëgjo mua, Shefki, Bilali ishte një atdhetar i madh që nuk e kishte shokun. Ai çdo gjë që kishte e sakrifikonte për atdheun. Qëllimi kryesor i tij ishte që të rrëzohej sistemi komunist dhe të vendosej demokracia në Shqipëri, pavarësisht nga mundësitë, mjetet dhe rrugët që do të zgjidheshin. Po të shohësh "Krahun e shqiponjës", ai thoshte se materialet e saj i kushtoheshin rrëzimit të komunizmit, duke përdorur forcën. Rrëzmi i komunizmit ishte "neni 1" për revistën… Ky ishte botëkuptimi i tij… Bilali ishte më i madh se sa koha dhe se njerëzit që jetonin në Amerikë… Edhe kundërshtarët nuk ishin në një nivel me të… Kështu që Bilali edhe nga kundërshtarët e tij mbetej i pakuptuar… Bilal Xhaferri, mor mik, ishte i madh midis të vegjëlve, mirëpo kjo nuk e izoloi, përkundrazi i dha forcë më tepër, e bëri më të vendosur në idealin e tij, në rrugën e tij... Ai nuk bënte lëshim, ai nuk lëkundej, ai dinte vetëm një gjë: të drejtën e drejtë… Dhe një njeri i tillë, po të njiheshe me të e të kishe dy pare mend në kokë, të bënte për vete edhe pa qenë i një gjaku me të… Mua herë-herë më dukej se të hypnotizonte me fjalën dhe veprimet e tij… Më kishte magjepsur… Na kishte magjepsur të gjithëve… E donim me gjithë shpirt të gjithë, unë, fëmijët dhe tërë të afërmit e mi… Bilali ishte mësuesi më i mirë, jo vetëm për mua, por edhe për fëmijët e mi… Ai sa herë gjente kohë të lirë u mësonte atyre gjuhën shqipe, si të shkruanin e të flisnin bukur shqip, si ta donin atdheun, Shqipërinë… Ai u mësoi atdhetarinë fëmijëve të mi… Ata mësuan prej tij, mbase edhe ca më tepër se ç’u mësova unë… Prandaj e donin shumë… Familja ime (veçanërisht nëna ime, të cilën ai e thërriste hallë) i kujtonte shpesh atij, se po i kalonte koha dhe duhej të martohej, por ai thoshte: "Unë do të martohem në Shqipëri, kur të hapet Shqipëria"... Më kupton, mor miku im, Shefki?!… Ja, i tillë ishte Bilali, prandaj unë e kam dashur shumë… Vërtet që e kam dashur shumë… Bilalin e kam dashur shumë si mik, por më shumë si atdhetar të madh... Megjithatë edhe të mëdhenjtë bëjnë gabime… Edhe Bilali kishte gabimet e veta, dyshimet, pasiguritë, panjohuritë, si çdo njeri i gjallë… Mbase këto gabime e kanë detyruar që të mbështetej herë te atdhetarët demokratë, e herë te ballistët, herë te republikanët e herë te monarkistët… Bile një periudhë u miqësua aq shumë me mbretin Leka Zogu, saqë mbante veshur njëlloj si ai, një farë gjysmuniforme ushtarake… Shpresonte shumë se mbreti Leka mund të bënte diçka për Shqipërinë… Mendonte se ai i kishte mundësitë më të mëdha se sa grupimet e tjera atdhetare të mërgatës këtu në Amerikë… Mirëpo këtë qëndrim nuk e miratonin disa të tjerë, sidomos disa nga çamët tanë, që nuk pranonin të bashkërendonin forcat me askënd për zgjidhjen e çështjes çame… Mendonin se ne, çamët, ishim të zotët e vetes dhe mund të vendosnim vetë për fatet tona, gjë që ishte pikëpamje e gabuar, por askush nuk ua mbushte dot mendjen… Dhe ata, nga pozitat e gabimit të tyre, mendonin se ishin Bilali me shokë të gabuarit dhe nxisnin e nxisnin përçarjen në vend që t’i thërrisnin mendjes e të bashkoheshim… Ja, kështu… E tillë rridhte jeta edhe këtu në Amerikë, pavarësisht nga idealet dhe pikëpamjet e Bilalit që ne herë-herë i quanim utopi… Kaq kuptonim dhe shumë herë Bilali mbetej i pakuptuar nga ne… Mbase moskuptimi ynë e ka dëmtuar… shumë…
- Ju thatë se Bilali, duke mos patur përkrahjen e duhur, detyrohej të merrej i vetëm me revistën "Krahu i shqiponjës"… Në ç’kuptim merrej i vetëm?… E siguronte vetë financimin për botimin e saj?!…
- Sheki, duhet të kesh një gjë parasysh: karakterin e Bilalit… Bilali kur e shihte se të tjerët fillonin të bënin bishta, nuk priste më… Nuk i lutej kujt… Merrej vetë me gjithçka… Punonte në punë të ndryshme, siguronte të ardhura dhe ato i përdorte për të financuar botimin e revistës… Bilali ishte i papërtuar. Ai bënte njëherësh sa rolin e botuesit dhe të kryeredaktorit, edhe rolet e redaktorit, reporterit e fotoreporterit, shkrimtarit e përkthyesit, e faqoste dhe e ilustronte vetë revistën… Pra, shpesh i shkruante vetë artikujt, i redaktonte dhe i ilustronte me fotot, vizatimet e karikaturat që bënte vetë. Bilali ishte sa shkrimtar dhe publicist dhe politikan. Ishta sa përkthyes dhe fotograf e piktor, pra, puna me revistën e kishte detyruar të zhvillonte një talent shumëplanësh… Tekefundit revista "Krahu i shqiponjës" kishte brumin dhe fytyrën e tij, ishte një lloj enciklopedie, sa krijimtari dhe krijesë e Bilal Xhaferrit… Dhe nëse mund të themi se ajo lloj krijese e kishte një shpirt, kishte atë të Bilal Xhaferrit… I tillë ishte miku im i gjithanshëm Bilal Xhaferri…
- Ka shumë hipoteza e hamendje për vdekjen e Bilal Xhaferrit aq sa tashmë ajo është shndërruar në një mister, në një enigmë për shumë njerëz… Vdiq apo e vranë?!… Cila është hipoteza juaj?!…
- Unë do të rrëfej aq sa di dhe nuk marr përsipër të hamendësoj e të fantazoj siç bëjnë disa të tjerë… Puna e tyre… Bilalit, sipas të thënave të tij, aty ku punonte, në orën gjashtë të mëngjesit, i ra të fikët, pra humbi ndjenjat, dhe e çuan me urgjencë në spital. Aty e mbodhi veten pas ndonjë ore dhe më mori në telefon e më tha:
"Skënder, a e di se ku jam?"…
"Jo, - i thashë, - nuk e di"…
"Jam në spital", - më tha.
Atëherë nxitova dhe shkova për ta parë në spital. E gjeta të shtrirë në krevat… U përshëndeta dhe i qëndrova pranë. Gjatë asaj kohe pashë se për çdo dhjetë minuta vinin e shihnin doktorë të ndryshëm me aparat nga sytë…
Në një çast më tha:
"Unë s’kam gjë dhe nuk e di pse më kanë sjellë… Dëgjo, - vazhdoi, - në të gjitha të kam dëgjuar, vetëm në një gjë nuk të kam dëgjuar, të kam thënë se s’do martohem këtu, në Amerikë, por tani po ta them se sa të dal nga spitali, do shkoj e të martohem"...
Të nesërmen konstatuan se ai kishte një tumor që i bënte presion në ballë. Doktorët ishin të mendimit se Bilali duhej të operohej. Operacioni ishte i rëndë…
E pyeta se ç’kishte vendosur:
"S’kam ç’të bëj, - më tha, - duhet patjetër të operohem"...
"S’ka gjë, - i thashë, - do të kalojë"...
"Po, - tha, - por është koka ime"...
Ditën e operacionit unë qëndrova gjatë gjithë ditës në sallë të pritjes. Operacioni zgjati tetë orë. Kur doli nga narkoza e shpumë në dhomë…
E pyeta doktorin se si kishte dalë dhe ai më tha se tumori nuk ishte kanceroz. Ishte një tumor me rritje të ngadalshme, mund të ketë qenë aty mbase edhe për tridhjetë vjet... Sidoqoftë, rreziku është brenda njëzet e katër orëshit, tha ai… Mund t’i bjerë edhe paralizë… Rreth pesëdhjetë për qind e atyre që operohen në kokë paralizohen, theksoi doktori...
Kështu ndodhi edhe me Bilalin. Të nesërmen atij i ra paralizë, iu bllokua krahu dhe këmba e djathtë dhe gjysma e fytyrës. Ajo e shkatërroi Bilalin shpirtërisht…
Pas dy-tri ditësh u duk sikur i filloi një përmirësim i vogël… Në një çast më tha me shenja se nuk shtyhet e gjithë jeta kështu i paralizuar… Unë nuk duroj dot të jetoj kështu… Sikur të mbetem i paralizuar, do vras veten, më tha…
"Mos u merakos se do bëhesh më mirë", - ia ktheva.
Filloi terapinë… Me terapi zuri të përmirësohej… Një javë pas paralizës filloi të shqiptonte fjalët, të fliste...
Një ditë, aty rreth orës dy, pasdreke, ra telefoni në zyrë dhe një zë më tha:
"Ju jeni zoti Shuaipaj?"…
"Po", - i thashë.
"Qetësohuni, - më thanë, - se kemi një lajm të keq… Njeriu juaj, Bilali, vdiq"...
Mora dhe kunatin e tij, Selfo Hoxhën, dhe shkuam drejt e në spital. E gjetëm të vdekur…
Më në fund erdhi puna për varrimin… Të gjithë miqtë më ngarkuan mua për të përgatitur ceremonialin e funeralit... Po të them, Shefki, se e kemi varrosur me dinjitet… E kemi varrosur me dashuri dhe respekt. Ashtu siç i takonte figurës së tij… Dhe në mendjet e zemrat tona do ta ruajmë gjersa të jemi gjallë…
Me vdekjen e Bilalit, vetëkuptohet, pushoi së botuari edhe revista "Krahu i shqiponjës"...

Shefki Hysa

SHBA, Çikago, më 4 maj 1995

No comments: