Monday, December 10, 2007

Vetëtimëz loti dhe qeshje
Shënime për librin "Krisja e zemrës" e poetit Gjin Progni

Gjin Progni i përket brezit të poetëve më të rinj shpirti i të cilëve, falë demokracisë, arriti të dalë nga gërmadhat e shpirtave që përçudnoi gjatë 50 vjetëve ferri i diktaturës enveriste. Zhgënjim, dëshpërim, dhimbje dhe pak shpresë, fare pak shpresë - ja ky është sedimenti i tërë asaj gjigandomanie iluzore me lindjet dhe perëndimet e përgjakura, me ngjyrat e ndezura alla socialiste që i servirte propaganda komuniste "njeriut të ri", krijesës së vet manekine.

Këtë e vëren edhe në vjershat e Gjin Prognit, ndër më të talentuarit midis atyre zërave poetikë që po ndihen. Është dashuria e vetmja ndjenjë, që u jep, herë-herë, tone optimiste vargjeve të tij të mbingarkuara me dramën e kohës. Një dashuri kapriçioze si gjithë dashuritë që zënë fill qysh me trillet e Adamit e Evës, dashuri sa e ëmbël dhe herë-herë gati hyjnore, aq cfilitëse e zemërplasëse. Madje e has në tërë indet e poezisë së vëllimit "Krisja e zemrës" këtë ndjenjë tejet njerëzore aq sa krijohet imazhi që universi poetik i Gjinit nuk është gjë tjetër veç një zemër gjigande që mundohet të ndryjë brenda vetes tërë gjithësinë e në pamundësi zhgënjehet e dëshpërohet e kriset e pikon dhembje e revoltë.

Midis lotëve vetëtin herë-herë dhe e qeshura e çiltër e poetit, humori i të riut që dhe pse zemërplasur kujtohet më në fund se jeta është e gjatë dhe duhet jetuar. E për ta jetuar atë duhet të ecë.

Në këtë ecje sa lodhëse dhe tërheqëse drejt të panjohurave të fatit të njeriut, i urojmë Gjin Prognit majat e suksesit, pas daljes në dritë të librit të parë "Krisja e zemrës".

Shefki Hysa

No comments: