Monday, December 3, 2007

Flakadanë të bardhë
(Kushtuar Bilal Xhaferrit)

Në qaf' të Botës, Bilal:
Ylberi sa një vetull
Dhe fytyra jote
Sa një sy i zbehur,
Ngulur në kupë të qiellit...

Matanë - e harruar, Çamëria.

Në qaf' të Botës, Bilal:
Ti dhe Shefki Hysa flakadanë të bardhë
Që të çojnë në qytete malli,
Rrethuar me tela…

Leh nën hënë
Murga e Bedri Myftarit...
Vetëtijnë thikat e Zervës,
Rënkimet u bënë zogj dimri,
Të heshtur.

Era
Mbledh monologjet e muhaxhirëve,
Si çobani i dhimbsur,
Delet pas natës ujkore...

Në qaf' të Botës, Bilal:
"Balada Çame",
Këmbëzbathur,
Kalon vijës së nxehtë të ylberit,
T'i lutet Zotit:
"Të mos ketë më muhaxhirë
Në të katër anët e Globit"!…

Xhemil Lato

No comments: