Skulptori çam Idriz Balani
1
Fillesat e fantazisë artistike
I ardhur nga krahina e mrekullueshme e Çamërisë së përvëluar dhe i rritur në bregdetin durrsak që megjithëse i mahnitshëm, kurrë nuk arriti që t’ia shuante mallin dhe trishtimin për historinë e vendlindjes së të parëve të tij, djaloshi nga fshati Vërvë i Konispolit, Idriz Balani, çdo gjë të bukur që kishte në shpirt e derdhi në art. Dhe nëse krateri poetik i shpirtit të tij pati shpërthim të madh, sot kushdo këtë shpërthim mund ta gjejë të përpunuar artistikisht në magmën shpirtërore të dhjetëra ideve e kompozimeve njerëzish të shquar, të ringjallur prej dorës mjeshtërore të Idriz Balanit. Dallgët e bregdetit durrsak dhe dallgët e dhimbjes për historinë e Çamërisë martire janë të ngërthyera së bashku në tiparet e valëzuara të personazheve të tij që rrahin ende papushim fantazinë artistike si dallgët e gjakut çam që i rreh me forcë në deje. Dhe së bashku me punën e përditshme të krijimit, Çamëria i pulson me forcë në dallgët shpirtërore krijuese duke i dhënë edhe atë ushqim shpirtëror të domosdoshëm për një artist me botë të madhe, botë ku notojnë heronjtë biblikë të Çamërisë në eksodin e brendshëm të tragjedisë shqiptare dhe që enden që nga këngët e Çelo Mezanit e deri tek motivet e Bilal Xhaferrit, të cilit Balani, në veprën e fundit po ia kthen Durrësit dhe vendit që Xhaferri e deshi dhe që i shërbeu si një trampolinë për t’u hedhur në etjen e vet drejt lirisë shpirtërore e fizike. Balani po ia kthen tashmë Durrësit në trajtën e një mesie çame në Bronx, me krahë shqiponje të Pirros së Epirit që u thoshte ushtarëve të vet: “Unë jam shqiponja, ju jeni krahët e mi”.
Sot në studion e Idriz Balanit është rikthyer në trajtën e një shqiponje Bilal Xhaferri, dhe që nga atje në pritje të vendit të ekspozimit ai thërret: “Unë jam shqiponja, kur mu deshën pse më latë pa krahë?... Dhe kjo shqiponjë përsëri të sjell shpirtërisht një dëshirë për fluturim drejt Çamërisë... Dhe vetvetiu të lind pyetja: Kur do të hapet deti, kur do të shterojnë dallgët drejt tokës së premtuar e të rrëmbyer barbarisht me zjarr e gjak, që pikon ende nga kthetrat e shqiponjës së plagosur Çamëri?!...
Studio e Idriz Balanit ndodhet në afërsi të bregdetit të Durrësit, aty ku ka kaluar edhe vitet e fëmijërisë së tij. Sot ai mund të renditet në hierarkinë artistike të artistëve monumentalë të vendit si ndër më të mirët. Që nga veprat e para në shkumës në vitet e fëmijërisë dhe sirenat e bëra më rërë, që ishin veprat e para të kërkimit në laboratorin artistik të nën ndërgjegjes në shpërthim, e deri tek zotërimi i sotëm i shesheve të vendekspozimeve të figurave madhore të historisë kombëtare të Shqipërisë, nuk kanë kaluar shumë vite. Idriz Balani ka qenë padyshim ndër më të suksesshmit brez artistësh që me fuqinë e tyre artistike i janë imponuar kërkesave shpirtërore të vendit në çdo hapësirë mbarëshqiptare. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare ai ka bërë bustin e dëshmorit të atdheut, Bido Sejko, emrin e të cilit mbante shkolla e mesme në Konispol. Në vitin 1986, sipas kujtimeve të tij, ka gdhendur portretin e Muharrem Rushitit (Koskalliu), trimit të Çamërisë. “Sirenat” e mitologjisë i kanë sjellë fat atij. Ishte pikërisht një sirenë e konceptuar sipas shijes se tij fëmijërore të asaj kohe që e futi Idrizin në botën e artit të bukur e të veçantë të skulpturës. Ajo qenie e mistershme, fillimisht, i hapi dyert e studios së skulptorit të madh Sabri Tuçe. Dhe koha ka treguar se mjeshtërit e mëdhenj kanë zbuluar e kanë nxjerrë, më pas, talente të mëdhenj. Për këtë “rastësi” Idrizi kujton: “Që i vogël kam filluar, me shkumës, të bëja skulpturat e para. Më pas bënim kuadrate dhe zmadhonim nga kopertinat e librave foto të Skënderbeut, Ismail Qemalit etj. Kam qenë në shkollën fillore kur, rastësisht, takova vajzën e skulptorit Sabri Tuçi, Teutën, e cila sa pa një sirenë deti gjysëm vajzë e gjysëm peshk që e kisha bërë me rërë të lagur në bregdet më tha: “qënke djalë i talentuar”…
Dhe ishte pikërisht kjo nxitje që bëri që në klasën e pestë të fillores Idrizi të fillonte të punonte në studion e Sabri Tuçit,të cilin në vitin 2009 do ia kthente Durrësit në një vepër monumentale në shkëmb dhe në bronx. Do t’ia ringjallte artistikisht qytetit pas baltës së hedhur mbi jetën e profesorit të nderuar.
2
Jeta e lidhur me Çamërinë
Nuk kishte shumë vite që familja e Idrizit kishte ardhur në Durrës. Ai kujton se ata kanë ardhur në Durrës rreth vitit 1954, kur Idrizi ishte vetëm një vjeç. Kishte lindur në Delvinë. Babai i tij kishte qenë partizan në çetën Çamëria dhe punonte në një repart ushtarak të Durrësit. E ëma kishte nisur punë në këtë qytet në bazën grosiste të tregtisë ose BGT, siç quhej atëherë. Bashkëshortët Balani kishin tre fëmijë të cilët nuk iu ndanë asnjëherë punës dhe shkollës. Idrizi, më i madhi, u bë skulptor, Skënderi inxhinier mekanik, ndërsa Sazani studioi për gjuhë të huaja. Më pas Idrizi u martua me Engjëllushen, vajzë Çamërie nga fshati i Hasan Tahsinit dhe i Bilal Xhaferrit, e diplomuar në mjekësi. Me të lindën oy fëmijë: Eneidën, mjeke edhe ajo, dhe djali, Arbëri.
Kur bisedon me Idrizin, ai të thotë me krenari se ka qenë gjithnjë i lidhur shumë shpirtërisht me Çamërinë. “Kur kam qenë fëmijë, - kujton ai, - mbaj mend, që në lagjen ku jetoja e jetoj edhe tani, flitej dialekti çam. Dhe unë nuk e dija që plakave u thonin nënë, por nu, gishtit glisht dhe qumështit klumësht… Mbaj mend që në shtëpinë tonë vinin shumë miq çamë, herë-herë edhe të panjohur, që e gjenin derën e shtëpisë me të pyetur, ngaqë babai gëzonte një respekt të veçantë e kishte emër të mirë në zonën kufitare ku ai kishte punuar.
“Unë, - thotë Idrizi, - i kujtoj me nostalgji ato kohëra. Nuk harrohen lehtë miq si Lutfi Osmani (berber), Xhelo Meto dhe Mulla Mero (babai i Eqerem Dautit) nga goja e të cilëve kam dëgjuar shumë për tragjedinë çame... Ndonëse i vogël mbetesha me gojë hapur dhe herë-herë pa frymë, megjithëse shumë gjëra nuk i kuptoja... Kur u rrita, sipas rregullave të kohës, isha i detyruar të shkruaja biografinë, sa herë që bëja kërkesa për shkollë apo punë dhe, një ndër pikat kryesore që më bënte të ndjehesha më krenar, ishte kur shkruaja që babai im kishte marrë pjesë që në ditën e parë të formimit të çetës partizane “Çamëria”, Markat, më 2 Shkurt 1943.
3
Arti
Idriz Balani tregohet modest teksa na flet për rrugën e ngjitjes së jetës së vet artistike, pa kërkuar të thotë të pathënat e të zmadhojë të paqënat, siç veprojnë shumë të tjerë, që edhe pse nuk kanë dhënë ndonjë kontribut në ndonjë fushë të caktuar, përpiqen të shkruajnë e të përfshijnë në biografitë e tyre, përmes “mercenarëve” të shtypit, gjëra të paqena për të rritur kështu, artificialisht, reputacionin e munguar. Idrizi është nga ata burra që ka përveshur krahët pa asnjë pretendim për llojin e punës, por pa iu ndarë kurrë rrugës artistike. Ai ka punuar, fillimisht, në kantierin detar e më pas në Ndërmarrjen “Nish-Tulla” të asaj kohë, punë tepër e rëndë, por ashtu siç punonte në prodhimin e tullave për strehimin e njerëzve, ai krijonte, shpirtërisht, skulptura të mrekullueshme, për t’ua zbukuruar jetën banorëve të atyre banesave të varfëra. Sot veprat monumentale te Idriz Balanit janë ngado. Në sheshet e kryesore të qytetit të Durrësit ndodhen të ekspozuara busti i Telat Nogës, Kozma Nushit, Naim Frashërit , bust i vendosur fare pranë Shkollës së Mesme me të njëjtin emër, basorelievi triptik, në Shkollën e Mesme “Leonik Tomeo” vëpër e bërë në bashkautorësi me skulptoren Liljana Cika (Kosturi ), monumentin e rrallë të kompozuar në bronx e në shkëmb të mësuesit të tij Sabri Tuçit, monumentin e fshatit Çetë të Kavajës, (vepër e bërë në bashkëpunim me skulptorin e njohur durrsak Dhimitër Harallambi). Në ambientet e brendëshme të shkollës 9-të vjeçare "Viçens Prendushi" është ekspozuar vepra në skulputurë e klerikut të pushkatuar Prendushi. Ai ka gdhendur edhe bustin e Olsi Laskut.
Veprat e Idriz Balanit janë të ekspozuara edhe në Kosovë. Të tilla janë: Busti i Haxhi Zekës, vendosur në qytetin e Pejës më 28 nëntor të vitit 2005, kompozuar në bashkëpunim me kolgun e vet Qazim Kërtusha, busti i Skëndrbeut, vendosur në shkollën “Skënderbeu” të fshatit Blinisht të Pejës, busti i Ibrahim Rugovës, i cili sot ndodhet në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës dhe që pret të ekspozohet në Parkun e këtij qyteti. Edhe pse kemi të bëjmë me një arsenal të vërtetë veprash artistike të ekspozuara në sheshet më kryesore të trevave mbarëshqipëtare, kuptojmë se ato janë vetëm maja e aisbergut e punës artistike të Idriz Balanit.
4
Bilal Xhaferri në Bronx
Bilal Xhaferri ndodhet tashmë në studion e tij. Ai është një monument i sapo përfunduar dhe që pret të niset drejt një piedestali të ri, në një prej shesheve të qytetit të Durr[sit. I konceptuar në një mënyrë artistike të re, Xhaferri i Balanit shpreh konceptimin e ri artistik të brezit të sotëm ku ndërthuret historia, arti dhe pavdeksia e atij që mori fluturimin në drejtim të hapësirave të lirisë së munguar, ndonëse lirinë e vet personale nuk e shkëputi kurrë nga lufta për lirinë e vendit të vet, Çamërisë... Monumenti i Xhaferrit, ndërtuar simbolikisht mbi telat me gjermba në këmbët e një shqiponje, na jep të kuptojmë se, më në fund ai e ka vetëfliruar shpirtin prej luftëtari, ndërsa telat i kanë mbetur ende nëpë këmbë Çamërisë...
Në studio ndodhen edhe variante të tjera të shkëlqyera me portretin e tij simpatik; bashkëbisedojme me Idrizin dhe ai na shpiegon se si i lindi ideja për ta bërë këtë vepër dhe mbi misionin e saj artistik e shpirtëror. Ai thotë: në ato vite kur Xhaferri banonte në Durrës, unë nuk e kujtoj dot se kam qënë i vogël. Po në vitet 1960 - 68 kam njohur një grup të rinjsh të Durrësit, midis të cilëve ishte edhe Abaz Veizi dhe në këtë kohë patëm dëgjuar edhe për Bilal Xhaferrin, por duke patur ai moshë të madhe, unë nuk arrita ta njoh dot dhe sigurisht pas arratisjes së bujëshme të tij, për të kam dëgjuar gjërat më të zeza të mundshme. Si në Durrës, ashtu edhe në Konispol ku përmendej emri i tij. Në biseda të ndryshme me kushëririn e tij Edip Hoxhën, kuptoja se ai e vlerësonte shumë si poet dhe pas viteve 90, në ato pak takime që kam pasur me poetin Namik Mane është folur edhe më shumë për vlerat e tij, por me kaq nuk mund të bëja vlerësimet e duhura si skulptor. Edhe ato pak lexime, shton Idrizi, unë nuk mund të them se i kam lexuar të gjitha veprat e Bilalit, nuk mund të më jepnin shkëndijën krijuese për të bërë këtë vepër. Ajo që më bëri të mendoj për t’ju futur punës, ishte publicistika për Bilal Xhaferrin e shkruar nga shkrimtari Shefki Hysa, të cilin, pasi e lexova, e mora në telefon dhe i thashë shprehimisht që: “Libri yt më ka intriguar të merrem me figurën e Bilal Xhaferrit”...
Që nga ato momente, thotë Idrizi, nuk mendoja thjesht një bust ose portret, por përfytyroja një lloj monumenti ndryshe dhe këtë të vendosur në qytetin e Durrësit, qytet ku Bilali mund të thuhet se e filloi krijimtarinë e tij, u afirmua, u internua, dhe më pas u arratis. Ajo që më bëri përshtypje, thotë me tej autori i monumentit të Xhaferrit, ishte fakti që edhe pse iku në Amerikë, ai kurrë nuk rreshti së punuari për atdheun e vet, Shqiprinë, Kosovën, Çamërinë…
Idrizi zgjat dorën dhe sjell një faqe ballore gazete të tijën dhe thotë se në Amerikë Bilali themeloi e drejtoi revistën " Krahu i Shqiponjës" një revistë politiko, letrare e shoqërore që e botonte Lidhja Çame ne mërgim. Në kopertinën e fotokopjuar të kësaj reviste shihen qartë telat me gjemba dhe zinxhiri. “Ato që rrethonin atëherë Shqipërinë”, - thotë Idrizi.
Më pas Idriz Balani tregon se: “I nisur nga këto detaje, këto tela me gjëmba i ktheva në një motiv, të cilat janë të vendosura nën një kompozim tek pjesa e këmbëve, tela që janë shkelur nga Bilali”... Skulptori hesht pak dhe gjithë frymëzim shton duke folur si me veten: “...Dhe ky krahu i shqiponjës me portretin e tij... shpaloset tamam si një engjëll, i cili do t’i sjellë Shqipërisë Lirinë e Pashmangshme!”...
Idrizi shpiegon dhe komenton edhe dy pasazhe nga vepra poetike e Xhaferrit të vëna mbi monument. Njëra është nga "Baladë çame", ku shkruhet: “Toka Çame e mbuluar nga retë, rënkon e mbytur me gjak dhe lot, e mbetur e shkretë, e mbetur pa zot”... Është kjo një thirrje e hapur për të mos e harruar Çamërinë... Citohet dhe një pjesë tjetër nga poema “Mjegulla” e shkruar disa ditë para se Bilali të arratisej: “Çomaga mizore e kohës, rrëzoi dhe perënditë e pavdekshme!”...
Do të thoja se kjo mënyrë të shkruari, thekson Idrizi, ishte një guxim prej budallai, ishte vetëvrasje t’i shkruaje ato vargje në ato vite, idetë e të cilave realisht ishin të drejtpërdrejta kundër udhëheqjes së kohës. Dihet se censura komuniste e asaj kohe të persekutonte, gjë që e bëri edhe me disidentin Bilal Xhaferri...
Dhe tashmë, falë punës së përkushtuar të skulptorit çam Idriz Balani, Durrësi pret birin e vet shpirtëror Xhaferrin e rikthyer në... bronx!...
Mark Brunga
Wednesday, December 9, 2009
Subscribe to:
Posts (Atom)