Tuesday, February 3, 2009

Dukagjin Hata

Bota çame, një rrëfim historiko-publicistik i shpirtëzuar
Rreth librit publicistik “Diplomacia e vetëmohimit”
i autorit Shefki Hysa

Shkrimtari Shefki Hysa, një nga kërkuesit më të pasionuar të psikolgjisë dhe shpirtit çam, në vazhdën e Bilal Xhaferrit dhe apostujve të tjerë të letrave shqipe, në atë cep të harruar të Iliriadës, ku perëndesha Dodona foli së pari shqip, jo një herë në shkrimet dhe librat e tij, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli muhaxhir, atij çam, në dejet e të cilit rrjedh gjak i pastër i epirotasve të vjetër, që e shkruan historinë e fiseve krenare e të panështruar ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë kombëtare.

Shefki Hysa e ka shndërruar temën e fatit të Çamërisë në një metaforë universale të kërkimit të identitetit të bjerrun, ku fati individual dhe kolektiv ndërthuren në metafizikën e kohë-hapësirës së lirisë.

Pas një sërë rrëfimesh të mrekullueshme si tregime, romane dhe saga, ku bota çame lëviz në dritëhijet e kohës, Shefki Hysa i kthehet një historie të drejtpërdrejtë, por një “historie të shpirtëzuar nga uni poetik”, siç mund të thoshte Umberto Eco, për kohën e ndaluar çame. Kjo kohë jepet në tredimensionalitetin e saj, në lidhje me ato ura të kujtesës shqiptare, ballkanike, europiane dhe botërore, ku kalojnë faktet historike, të vërtetat e ndrojtura dhe ato të shpallura bujshëm, për tek pema e dhimbjes dhe dashurisë së një populli të ndaluar.

Në këtë vazhdë, libri i tij i ri “Diplomacia e vetëmohimit” është një përmbledhje publicistike me artikuj, ese, intervista, kujtime, mbresa, portrete, përshtatje, readaktime, replika, reportazhe, rrëfime, skica, në fokus të së cilës është zbulimi i botës shqiptare të Çamërisë, në atë vektor historik dhe aktual që quhet çështja çame dhe që përbën nyjen gordiane të historisë së re shqiptare.

Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë dhe plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, portretizimi dhe analiza, ngjyrimi letrar dhe tharmi gazetaresk, qëndrimi personal dhe qëndrimi komunitar e, më tej, qëndrimi kombëtar për këtë çështje kapitale të botës shqiptare, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i gazetarit përzihet me tharmin estetik të shkrimtarit, Shefki Hysa na sjell në këtë libër më shumë se një shqetësim për fatin historik të një populli ikanak, të sakrifikuar në rrugën e kalvarit të dyfishtë, atij greko-zervist dhe enveristo-komunist.

Autor i disa librave artistikë si tregime dhe romane, ku herë pas here ka përcjellë hapësira narrative dhe dukuri të botës çame, (për romanin e tij të fundit që trajton fatin dhe fatalitetin çam flet me admirim Kadareja), Hysa në këtë libër na sjell një vlerësim historiko-letrar dhe filozofik mbi një plagë të botës shqiptare, plagën çame. Kjo plagë, që vazhdon të na shkaktojë dhimbje të gjithë ne shqiptarëve, duhet operuar pa u kthyer në gangrenë dhe pa dëmtuar gjithë trupin e çështjes kombëtare shqiptare, pohon autori me sjelljen e fakteve dhe qëndrimin intelektual të tipit gandist të tij.

Autori nënvizon me forcën e argumentit, se në tunelin e errët të një të kaluare tragjike, e cila ende duket se mban peng kujtesën e të gjallëve dhe të të vdekurve, pas kaq kohësh heshtjeje, paragjykimi dhe dizinformimi, duket, më në fund, një fjollë drite. Autori na fton të rendim drejt kësaj fjolle, të shohim matanë saj, atë rrugë ku shpaloset vizioni dhe strategjia e ardhmërisë për atë tokë dhe popull të sakrifikuar.

Në këtë libër voluminoz lëvizin personazhe historikë dhe vipa, njerëz të thjeshtë dhe indidvidë që e kanë mbartur barrën çame rrugëve të Gogoltës staliniste shqiptare, lëvizin Bilal Xhaferri, Ismail Kadareja, Namik Mane, Sabri Godo, Bedri Myftari, Ibrahim Hoxha, Pandeli Koçi, Pjetër Arbnori, Sali Berisha, vizioni politik dritëshkurtër që nuk prodhon asgjë përveçse konjuktura momenti për hir të mbijetesës së iks partie apo ypsilon politikani, por dhe ai vizion që mbruhet në kudhrën e nacionalizmit real (jo të nacionalizmit folklorik) dhe gjeneron ide për të ardhmen e popullit dhe truallit çam.

Por këndvështrimit të gjërë, investigues, përqasës dhe polemizues nuk i shpëtojnë dhe figura të tilla ndërkombëtare si Hillari Klinton, studiuesja dhe diplomatja angleze Miranda Wickers etj, që në manastirin e zymtë të çështjes çame kanë ndezur qiririn e shpresës.

Universi i botëvështrimit të autorit është vetë universi i thyer dhe shumëplanësh i çështjes çame, e cila përbën një dimension ende të paeksploruar të çështjes kombëtare shqiptare.
Në thelb libri është një përvojë e jetuar nga autori dhe bashkëpunëtorët e tij, me fitoret e humbjet, me arritjet e shikuara, arsyetuara, argumentuara, paragjykuara e gjykuara nga këndvështrimi i syve të atyre, që në ëndrrën dhe vizionin e tyre ideal, Çamërinë e kanë pasur dhe e kanë në bashin e vendit.

Autori vlerëson botën diplomatike dhe reagimet e saj, që ndonëse të brishta, prap kanë bërë të tyren për të sensibilizuar këtë hapësirë të trishtë të kujtesës kolektive të botës shqiptare, duke nënvizuar faktin se arritjet e diplomacive botërore janë shumë herë më të mëdha se ato të luftërave.

Dishepull i frymës gandiste dhe i atyre rrugëve që çojnë ujë në zgjidhjet efektive kombëtare nga mulliri i intelektualitetit, Hysa i bën apel elitës së shoqërisë shqiptare të bëjë atë që duhet për Çamërinë, të kontribuojë që vizioni çam të mos mbetet peng i një të kaluare të trishtë.

Autori nënvizon me dhimbje heshtjen thuajse apostolike të shtetit shqiptar përballë një drame historike dhe aktuale, dramës çame, ndërkohë që diplomcia e huaj dashamirëse ndaj shqiptarëve u kujton politikanëve të vendit të shqiponjave, se Çamëria është një peng historik që duhet çliruar nga keqkuptimi dhe padrejtësia, duke e nxjerrë çështjen nga ngrehinat e mykura të arkivave në agjendën politike të ditës.

Autori përshkruan labirinthet e një dosjeje sa të keqkuptuar, aq dhe befasuese, për nga shkalla e perceptimit të vetëdijes politike të shqiptarëve. Atë që nuk e bënte dhe vështirë se do ta marrë kurajon ta bëjë ndonjëherë politika e mefshtë dhe pritëse deri në penelopizim naiv, rreken ta bëjnë të huajt e përgjegjshëm, miqtë e këtij vendi me sytë nga Perëndimi. Kështu në verën e vitit 2001, me ndërmjetësimin e Hillary Clinton çështja çame u paraqit në Seantin Amerikan. Në një seancë dëgjimore senatorët u informuan për marrëdhëniet shqiptaro-greke, për zhvillimet, acarimet dhe zbutjet e tyre, që nga vera e vitit 1944, kur ishte ushtruar genocidi mbi popullsinë muslimane, me kombësi shqiptare të Çamërisë, të quajtur ndryshe Thesprotia, duke e masakruar dhe dëbuar atë prej vendlindjes dhe vendbanimit, truallit etnik. Autori përshkruan reagimin e lobit grek në Amerikës dhe të politikës zyrtare të Athinës, kartat e justifikimeve të kësaj politike, mbyllja në një muranë të izoluar e këtij problemi, nxjerrja në pah e gjoja faktit se në Shqipëri nuk ekzistoka një organizëm që të përfaqësojë çamët, se shteti shqiptar e ngreka këtë çështje vetëm si kundërpeshë në momente të acarimit të marrëdhëniesve dypalëshe midis Tiranës dhe Athinës dhe se tek e fundit ky problem nuk ekzistonte dhe aty ku diçka nuk ekziston nuk ka asgjë për t’u zgjidhur.

Si për t’i bërë jehonë një realiteti të ri politik, që konturohej në Senatin Amerikan për Çamërinë, diplomatja dhe studiuesja angleze Miranda Wickers, i përcjell një tjetër sfidë politikës greke, kur ajo si përfaqësuese e Ministrisë së Jashtme Angleze publkoi një studim të detajuar me të dhëna dhe fakte historike të pakontenstueshme rreth tragjedisë së popullit çam dhe shkaktarëve të saj. Kjo iu dha një shuplakë të fortë qarqeve politike të Athinës, vuri në lëvizje dhe disa nga deputetët e Parlamentit Europian si italianin radikal Marko Panela etj, të cilët ishin një zë proteste, që vinte në kohën e duhur dhe nga drejtimi i duhur kundër heshtjes deri në harrim të njërit prej problemeve më kardinale të historisë së kombit shqiptar.

Një vend të rëndësishëm në libër zë personaliteti letrar dhe intelektual i Bilal Xhaferrit, shkrimtarit elitar të Çamërisë, disidentit që e pagoi lirinë e krijimit me jetën e tij të re, amplifikuesit më të zellshëm dhe më të pasionuar të botës çame, të cilën ai e ngriti në qiellin e shtatë të një estetike brilante.

Shefki Hysa, me angazhimin e tij intelektual, ndikoi që figura e Bilal Xhaferrit të dilte nga pluhuri i keqkuptimit dhe falsifikimit pesëdhjetvjeçar dhe të zinte vendin e merituar në panteonin e harruar të letrave të disidentëve.

Udhëtimi i Shefki Hysës në analet e botës çame është një udhëtim virtual, ku mplekset fakti dhe detaji historik me impersionin e autorit, gjeopolitika ndërkombëtare me rrëfimin për heshtjen apostolike deri në naivitet politik të institucioneve të Tiranës zyrtare, investigimi në të vërtetat e mbuluara nga pluhuri i harresës me deduksionin për gandizmin intelektual, si mjet për identifikimin dhe përftimin e parajsës së ndaluar çame.

Ashtu siç thotë dhe shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare: “Ky libër është i nevojshëm, i domosdoshëm, i moralshëm, si çdo botim i arrirë i kësaj natyre, siç janë të shumta arsyet që çamët nuk e harrojnë Çamërinë dhe, merret me mend, kjo është një e drejtë jo vetëm e tyre, por e drejta e të gjithë shqiptarëve. Për më tepër është një detyrë morale, sepse kurrë nuk mund të harrohet një plagë e vuajtur nga mijëra njerëz. Kurrë nuk mund të harrohet një shpërngulje, kurrë nuk mund të harrohet vendi ku ke lindur, ku ke shtëpinë… Kurrë nuk mund të harrohet Çamëria”.
Arben Çokaj

Çamëria, si duhet të jetë
Inspiruar nga libri "Dipomaci e vetëmohimit"
i autorit Shefki Hysa

Shpeshherë në jetë ndeshemi me sfida të papërballueshme. Përpjekjet për ekzistencë të duken të pamundura dhe qenia i nënshtrohet fatit. Në përgjithësi njeriu fatkeq beson tek fati, më shumë se ata që kanë sukses. Por asnjeri nuk mbijeton pa u përpjekur. Profeti u thoshte të gjithëve “mbill”, kur e pyesnin se si do të ishte moti atë vit. Dhe çfarë do të mbjellësh, atë do të korrësh.

Çështja çame ka qenë e pamundur për më shumë se gjysmë shekulli. Regjimi komunist e varrosi dhe pjesa më e dalluar e atyre çamëve, që u shpërngulën përdhuni në Shqipëri, u përndoq agresivisht edhe nga regjimi i çmendur shqiptar. Të njëjtin fat kishin edhe kosovarët e arratisur nga Kosova për në “parajsën” Shqipëri të asaj kohe. Ngaqë pritshmëria e tyre ishte e madhe, kosovarët s’e mbanin veten nga dëshpërimi dhe përfundonin kështu në burg për agjitacion e propagandë.

Një fat të ngjashëm pati edhe Bilal Xhaferri, shkrimtari më i dalluar me origjinë çame. I ati i tij u vra nga komunistët, ndërsa Bilali ishte fëmijë. Regjimi komunist ishte i papërballueshëm – të vriste për një fjalë goje. Dhe Bilali, për të jetuar, u detyrua të arratisej. Ai krijoi një vepër letrare të dallueshme, dhe mbajti në SHBA për vite me radhë revistën “Krahu i Shqiponjës”, që simbolizonte Çamërinë, revistë që vazhdon të botohet në Shqipërinë e post-komunizmit nga shkrimtari dhe atdhetari i njohur çam, Shefki Hysa.

Javët e fundit, shkrimtari Hysa ka dalë me një libër të mrekullueshëm: “Diplomacia e vetëmohimit”, i cili trajton çështje të zhvillimeve çame dhe përpjekjet personale të autorit për të mbajtur gjallë substraktin çam, shpirtin e një populli të keqtrajtuar, të vrarë e të nëpërkëmbur.

Mbi popullsinë çame u ushtrua një gjenocid i pashembullt, në kohën kur shteti grek nuk i njihte liritë dhe të drejtat e njeriut. Krimet e tmerrshme të bandave Zerviste e më gjerë, dhe harresa që imponoi regjimi komunist në Shqipëri, kanë qenë të mjaftueshme për ta tulatur popullsinë çame, sidomos atë pjesë që u detyrua përdhuni të shpërngulej për në Shqipëri. Çamët e kishin të vështirë të zgjoheshin dhe vështirësitë vazhdojnë edhe sot pas 18 vjetësh demokraci, pasi politika e shtetit grek dhe atij shqiptar nuk mundi të konvergjonte në një zgjidhje politike për pronat e çamëve. Kur një e drejtë mohohet, është e vështirë ta fitosh atë plotësisht. Harresa ishte e qëllimshme dhe ashtu vazhdon të jetë.

Në Shqipëri dhe jashtë saj, ka çamë të dalluar për arritjet e tyre në jetë. Çamët janë organizuar në shoqata, parti etj., për të kërkuar të drejtat e tyre, që u ishin mohuar për dekada. Ata kërkojnë pronën e tyre në Çamëri, në atë pjesë të veri-perëndimit të Greqisë fqinje, ku çamët kanë trojet e veta. Shteti grek, edhe në kohët e sotme nuk është treguar i gatshëm të pranojë të vërtetën historike, pavarësisht se çështja çame njihet edhe nga historianët e Greqisë, njihet nga diplomacia ndërkombëtare, sidomos nga ajo perëndimore, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, i cili ka ndërmarrë edhe një rezolutë në përkrahje të çështjes çame.

Analisti dhe politologu i njohur shqiptar, Arben Xhaferi, që ka të njëjtin mbiemër me shkrimtarin e madh çam, do të përkufizonte: “ka popuj që krijojnë histori, ashtu siç ka popuj që krijojnë kronika”. Duhet vetëdije e lartë dhe një punë e përbashkët organizuese, “vetëmohuese”, siç cilëson shkrimtari dhe veprimtari çam Shefki Hysa, që kronikat të kthehen në histori. Çamët kanë historinë e tyre; duhet të fillojnë ta promovojnë atë edhe më shumë, derisa të arrijnë rezultatin e dëshiruar.

Pavarësisht vështirësive të shumta, sot çamët i kanë mundësitë që përmes një organizimi më të mirë dhe vetëdijeje të pa-manipulueshme, t’i imponohen shtetit grek deri në njohjen nga ai të të drejtave çame, si grupim shoqëror e jo vetëm individual. Pronat e çamëve janë zënë nga njerëz të tjerë, një pjesë e mirë e tyre, grekë të kthyer nga Turqia, në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo përbën edhe një problem social për Greqinë, që pronën e çamëve, të cilën e kanë marrë në përdorim për dekada me radhë grekët e ardhur, t’ua kthejnë tani shqiptarëve çamë.

Duke parë mungesën e dëshirës së shtetit grek dhe problemet që mund të hapen në shoqërinë greke me kthimin e çamëve në trojet dhe pronat e tyre, çamëve nuk u mbetet gjë tjetër vetëm që të organizohen edhe më mirë se ç’kanë bërë deri tani, për ta bërë realitet të drejtën e tyre. Çamët duhet ta marrin vetë në dorë fatin e vet. Shteti shqiptar, është tepër i korruptuar, i paaftë dhe i rrezikuar për të ndihmuar sa duhet në këtë çështje. Të gjithëve na kujtohet përqasja e mangët dhe mungesa e interesimit të shtetit shqiptar për çështjen e Kosovës. Diplomacia shqiptare hapi gojë vetëm atëherë kur kosovarët fituan simpatinë e perëndimit.

Zgjedhja e presidentit Obama në SHBA, një njeriu me ngjyrë, na kthen në retrospektivë, që të shohim se çfarë kanë hequr zezakët e Amerikës ndër shekuj. Zezakët ishin skllevër dhe u desh një luftë civile veri-jug, që të çliroheshin prej skllavërisë. Racizmi dhe injorimi, vijoi më pas dhe ishte tepër i egër deri në fillim të shekullit të kaluar. Por përpjekjet e tyre bënë që gradualisht, përmes vuajtjeve, keqtrajtimeve vrasjeve dhe racizmit, të arrinin të fitonin të drejtat e tyre dhe sot në SHBA kemi një President me ngjyrë, nën sloganin “Po, ne mundemi!”. Zezakët në Amerikë e prekën ëndrrën e tyre, se mundën.

Po çamët?! Kështu edhe çamët, nëse punojnë me vetëdije të lartë e një organizim bashkëkohor, ku secili jep kontributin e vet dhe kontributet nuk shpërdorohen, por përdoren me efektshmëri, për të arritur qëllimin e lartë të realizimit të ëndrrës së tyre, për t’u kthyer në tokat e të parëve dhe për të marrë pronat e lëna trashëgim, ata do të jenë në gjendje të arrijnë atë, që sot mund të duket e pamundur. Për këtë, çamët kanë edhe një shembull të gjallë, Kosovën.

Ndodhesha një herë në Fushë-Krujë tek dentisti. Një krutan më kundërshtonte në përpjekjen time për t’i sqaruar se Kosova një ditë do të bëhet e pavarur. “Kurrë nuk bëhet e pavarur!” – më thoshte ai. Dhe unë ia ktheva: “Kosova bëhet e pavarur për ata që besojnë e punojnë, që ajo të jetë e pavarur. Ke për ta parë!” Fati e desh, që Xhorxh Bush të vinte në Shqipëri dhe ta shpallte në Fushë – Krujë, se Kosova do të jetë një shtet i pavarur. Pavarësia u arrit me punë e sakrifica dhe me përpjekje duhet të mbahet e tillë.

Në përpjekjet e tyre të drejta, çamët duhet të fokusohen në nxjerrjen e një lideri politik e shpirtëror, siç nxorën kosovarët Dr. Ibrahim Rugovën, të paguajnë një kontribut simbolik (kosovarët emigrantë paguanin 3% të rrogës së tyre) për këtë organizim të përbashkët, se pa para nuk mund të kryesh punë në kancelaritë e sotme, dhe të bëhen më të vetëdijesuar për realitetin që i rrethon, se askush nuk mund t’i ndihmojë ata, më shumë se ata mund të ndihmojnë vetveten.

“Diplomacia e vetëmohimit” mund të bëhet një çelës zgjidhjeje, nëse një pjesë e mirë e çamëve punojnë dhe sakrifikojnë kohën dhe pak nga pasuria e tyre, siç bën edhe atdhetari Shefki Hysa, për këtë çështje të drejtë e të përbashkët. Sukseset nuk vijnë vetvetiu – vijnë duke punuar për t’i realizuar ato.